Dosja

LIGJI NR. 08/L-205 PËR TË DREJTËN E AUTORIT DHE TË DREJTAT E PËRAFËRTA

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Kërko në këtë akt

Neni 101Licencimi nga organizata e menaxhimit kolektiv

1. Organizatat e menaxhimit kolektiv dhe shfrytëzuesit zhvillojnë negociata në mirëbesim për licencimin e të drejtave. Organizatat e menaxhimit kolektiv dhe përdoruesit duhet t’i ofrojnë njëri-tjetrit të gjithë informacionin e nevojshëm.

2. Kushtet e licencimit bazohen në kritere objektive dhe jo diskriminuese. Kur licencojnë të drejtat, organizatat e menaxhimit kolektiv nuk janë të obliguara të përdorin, si precedent për shërbime të tjera në internet, kushtet e licencimit të rënë dakord me një përdorues, kur përdoruesi ofron një lloj të ri shërbimi në internet, i cili ka qenë i disponueshëm për publikun në Republikën e Kosovës për më pak se tre (3) vjet.

3. Organizatat e menaxhimit kolektiv janë të obliguar t’i përgjigjen pa vonesa të panevojshme kërkesave të përdoruesve, duke treguar, ndër të tjera, informacionin e nevojshëm në mënyrë që organizata e menaxhimit kolektiv të ofrojë një licencë. Pas marrjes së të gjithë informacionit përkatës, organizata e menaxhimit kolektiv, pa vonesa të panevojshme, do të ofrojë një licencë ose do t’i japë përdoruesit një deklaratë të arsyetuar që shpjegon pse nuk do ta licencojë një shërbim të caktuar.

4. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i mundësoj përdoruesve komunikim me mjete elektronike, kur është e përshtatshme edhe për qëllim të raportimit për përdorimin e licencës.

Neni 102Përcaktimi i tarifave, shumat e shpërblimit dhe kushtet përkatëse të lejimit të përdorimit

të të drejtave

1. Mbajtësit e të drejtave marrin shpërblimin e duhur për shfrytëzimin e të drejtave të tyre siç është përcaktuar në nenin 41 të këtij ligji. Tarifat për të drejtat ekskluzive dhe të drejtat në shpërblim do të jenë të arsyeshme në lidhje, ndër të tjera, me vlerën ekonomike të përdorimit të të drejtave në tregti ose biznes, duke marrë parasysh natyrën dhe shtrirjen e përdorimit të veprave dhe lëndëve të tjera të mbrojtura, si dhe në lidhje me vlerën ekonomike të shërbimit të ofruar nga organizata e menaxhimit kolektiv. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të informojë përdoruesin në fjalë për kriteret e përdorura për vendosjen e këtyre tarifave.

2. Me rastin e përcaktimit të tarifave, veçanërisht duhet të merren parasysh këto kritere:

2.1. të ardhurat që mund të përfitohen si rezultat i përdorimit të një vepre ose objekti të të drejtave të përafërta;

2.2. kapacitetin e vendit ku përdoren veprat ose objektet e të drejtave të përafërta;

2.3. madhësinë e publikut të cilit i vihen në dispozicion veprat ose objektet e të drejtave të përafërta;

2.4. vendndodhjen gjeografike të përdorimit të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta që mund të kenë ndikim në intensitetin e përdorimeve dhe/ose burimet financiare të përdoruesve;

2.5. kur të ardhurat nuk pasqyrojnë natyrën e përdorimit të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta, atëherë merren parasysh kostot që dalin nga përdorimi i tyre ose ndikimi në shfrytëzimin normal të tyre nga pronarët e të drejtave;

2.6. rëndësinë e përdorimit të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta për aktivitetet përkatëse të përdoruesve;

2.7. proporcionin ndërmjet veprave të mbrojtura dhe jo të mbrojtura ose objekteve të të drejtave të përafërta të përdorura;

2.8. krahasimin e tarifave të propozuara, me tarifat e organizatave të ngjashme kolektive të vendeve të tjera, në veçanti me ato që janë pak a shumë të ngjashme me Republikën e Kosovës nga pikëpamja e gjendjes së tyre ekonomike dhe standardit të jetesës.

3. Brenda afatit prej gjashtë (6) muaj, ndërsa në rastin e tarifave për ritransmetim dhe për ritransmetim kabllor, nëntë (9) muaj para fillimit të çdo viti kalendarik, organizata e menaxhimit kolektiv, i dorëzon Zyrës draft tarifat e shpërblimit, që duhet t’i paguajnë përdoruesit e veprave ose lëndëve të tjera të mbrojtura, në lidhje me të cilat organizata kryen menaxhimin kolektiv të të drejtave ose nga ata që janë të detyruar të paguajnë shpërblim për të drejtat e menaxhuara nga organizata kolektive.

4. Tarifat e aplikuara për përdorimin e veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta nga organizatat transmetuese dhe ofruesit e përmbajtjes në internet, duhet të diferencohen në përputhje me natyrën e të ardhurave të këtyre organizatave dhe ofruesve të përmbajtjes, në kuptimin që ato duhet të jenë më të ulëta në rastin kur të ardhurat për mbulimin e kostove operacionale janë nga subvencionet, e më të larta në rastet kur të ardhurat janë nga shërbimet e abonimit dhe veçanërisht më të larta në rastin e të ardhurave të marra nga reklamuesit dhe sponsorët komercial. Kur nuk mund të identifikohet asnjë burim i të ardhurave të ofruesve të shërbimeve të internetit, tarifa duhet të përcaktohet si një shumë e përgjithshme, duke marrë parasysh madhësinë e publikut të cilit i janë vënë në dispozicion veprat ose objektet e të drejtave të përafërta dhe ndikimin e një përdorimi të tillë mbi shfrytëzimin normal të veprave ose të objekteve të të drejtave të përafërta nga pronarët e të drejtave.

5. Tarifat e aplikuara për ritransmetim dhe ritransmetim kabllor duhet të pasqyrojnë edhe numrin e amvisërive ose subjekteve të kyçura në sistemet kabllore, si dhe numrin dhe natyrën e programeve të ritransmetuara.

6. Brenda periudhës së përmendur në paragrafin 1. të këtij neni organizata e menaxhimit kolektiv ose duhet të publikojë draft tarifat në faqen e saj të internetit ose do të kërkojë që Zyra, të publikojë ato në faqen e saj të internetit. Kur draft tarifat publikohen në faqen e internetit të organizatës së menaxhimit kolektiv, Zyra do të publikojë në faqen e saj të internetit një njoftim për disponueshmërinë elektronike të tyre.

7. Nëse në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga publikimi i tarifave, asnjë organizatë përfaqësuese ose përfaqësues tjetër i përbashkët i autorizuar i përdoruesve të interesuar ose persona të tjerë fizikë ose juridikë të detyruar të paguajnë shpërblimin (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesit e përdoruesve) nuk e njofton organizatën e menaxhimit kolektiv dhe Zyrën se nuk i pranon tarifat, do të konsiderohet se tarifat janë miratuar për vitin kalendarik në vijim.

8. Kur përfaqësuesi i përdoruesve, në afatin e përmendur në paragrafin 7. të këtij neni, e informon organizatën e menaxhimit kolektiv dhe Zyrën se ajo ose ai nuk i pranon tarifat, miratimi i tarifave pezullohet për maksimum gjashtëdhjetë (60) ditë, dhe në rastin e tarifave për ritransmetimin kabllor për maksimum njëqind e njëzet (120) ditë, të llogaritura nga përfundimi i afatit të përmendur në paragrafin 6. të këtij neni. Gjatë gjashtëdhjetë (60) ose njëqind e njëzet (120) ditëve, përkatësisht, organizata e menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesi i përdoruesve duhet të zhvillojnë negociata me mirëbesim me qëllim për të arritur marrëveshje për tarifat, gjatë kësaj periudhe kohore palët mund të kërkojnë shërbimin e ndërmjetësimit, siç përcaktohet në nenin 122 të këtij ligji. Ndërmjetësimi mund të iniciohet vetëm brenda afatit të përmendur në këtë paragraf. Në rast të marrëveshjes së arritur ndërmjet organizatës së menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesit të përdoruesve brenda afatit gjashtëdhjetë (60) ose njëqind e njëzet (120) ditësh, ata informojnë për këtë Zyrën dhe do të konsiderohet se tarifat janë miratuar për vitin vijues kalendarik.

9. Kur organizata e menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesi i shfrytëzuesve nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje brenda afatit të përmendur në paragrafin 8. të këtij neni, dhe nuk është realizuar ndërmjetësimi ose, edhe pse ndërmjetësimi është realizuar, asnjë propozim për zgjidhje nuk është paraqitur nga ndërmjetësuesit ose propozimi është kundërshtuar nga palët, përfaqësuesi i përdoruesve mund të iniciojnë brenda dhjetë (10) ditëve një procedurë arbitrazhi siç përcaktohet në nenin 123 të këtij ligji ose të ngrejë padi në gjykatën kompetente. Shprehja e kundërshtimit mund të konsiderohet e vlefshme vetëm nëse pala e interesuar në të njëjtën kohë fillon një procedurë arbitrazhi ose ngrit një padi para gjykatës kompetente. Nëse afati dhjetë (10) ditor skadon pa fillimin e procedurës së arbitrazhit ose ngritjes së padisë, tarifat do të konsiderohen të miratuara për vitin pasardhës.

10. Kur tarifat janë miratuar ose në bazë të paragrafëve të mësipërm ose si rezultat i procedurës së arbitrazhit ose procedurës së mundshme gjyqësore, tarifat duhet të publikohen në faqen e internetit të Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe në faqen e internetit të organizatës së menaxhimit kolektiv.

11. Kur tarifat nuk janë miratuar para fillimit të vitit kalendarik vijues, përderisa nuk janë miratuar, do të zbatohen tarifat e miratuara më parë. Kur nuk ka tarifa të miratuara më parë, përdoruesit ose personat e tjerë fizikë dhe juridikë, të cilët janë të detyruar të paguajnë shpërblim, për sa kohë që tarifat e reja nuk janë miratuar, janë të obliguar të paguajnë organizatave të menaxhimit kolektivit gjashtëdhjetë për qind (60%) të shumës së draft tarifave.

12. Kur me vendimin përfundimtar të arbitrazhit ose me vendim gjyqësor shuma e tarifave përcaktohet në një nivel më të ulët se gjashtëdhjetë për qind (60%) e shumës së draft tarifave, organizata e menaxhimit kolektiv, është e obliguar ti kthej diferencën atyre nga të cilit i ka mbledhur shpërblimet sipas paragrafit 11. të këtij neni.

Neni 103Detyrimet e përdoruesve

Përdoruesit janë të obliguar ti japin një organizate të menaxhimit kolektiv, brenda një kohe të rënë dakord ose të paracaktuar, si dhe në një format të rënë dakord ose të paracaktuar, informacionin e tillë relevant, që e kanë në dispozicion të tyre lidhur përdorimin e të drejtave të përfaqësuara nga organizata e menaxhimit kolektiv, i nevojshëm për mbledhjen e të ardhurave të të drejtave dhe për shpërndarjen dhe pagesën e shumave që u takon mbajtësve të të drejtave. Kur vendosin për formatin që do të jepet një informacion i tillë, organizatat e menaxhimit kolektiv dhe përdoruesit do të marrin parasysh, për aq sa është e mundur, standardet vullnetare të industrisë. NËNKAPITULLI VII TRANSPARENCA DHE RAPORTIMI

Neni 104Informacioni që u jepet bartësve të të drejtave për menaxhimin e të drejtave të tyre

1. Një organizatë e menaxhimit kolektiv, është e obliguar që jo më pak se një (1) herë në vit, për çdo bartës të së drejtave, të cilit i ka atribuuar të ardhura nga të drejtat ose ka bërë pagesa në periudhën me të cilën lidhet informacioni, të vë në dispozicion të paktën informacionin e mëposhtëm:

1.1. çdo detaj kontakti që bartësi i së drejtës ka autorizuar organizatën e menaxhimit kolektiv të përdorë për të identifikuar dhe gjetur mbajtësin e së drejtës;

1.2. të ardhurat nga të drejtat që i atribuohen bartësit të së drejtës;

1.3. shumat e paguara nga organizata e menaxhimit kolektiv për bartësin e së drejtës për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe për llojin e përdorimit;

1.4. periudhën gjatë së cilës ka ndodhur përdorimi për të cilën shumat i janë atribuuar dhe paguar bartësit të së drejtës, përveç rastit kur ka arsye objektive në lidhje me raportimin nga përdoruesit, që e pengojnë organizatën e menaxhimit kolektiv të japë këtë informacion;

1.5. zbritjet e bëra në lidhje me tarifat e menaxhimit;

1.6. zbritjet e bëra për çfarëdo qëllimi tjetër përveç tarifave të menaxhimit, duke përfshirë ato që mund të kërkohen nga ky ligj për ofrimin e çdo shërbimi social, kulturor ose arsimor;

1.7. çdo të ardhur nga të drejtat që i atribuohet mbajtësit të së drejtës, e cila është e papaguar për një periudhë.

2. Kur një organizatë e menaxhimit kolektiv ia atribuon të ardhurat nga të drejtat dhe ka si anëtarë subjektet që janë përgjegjëse për shpërndarjen e të ardhurave nga të drejtat mbajtësve të të drejtave, organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’u sigurojë informacionin e paraparë në paragrafin 1.të këtij neni atyre subjekteve, nëse ata nuk e kanë atë informacion në posedim të tyre. Këto subjekte duhet informacionin e renditur në paragrafin 1. të këtij neni, të vënë në dispozicion të paktën jo më pak se një herë në vit, secilit mbajtës të së drejtës të cilit i kanë atribuuar të ardhurat nga të drejtat ose kanë bërë pagesa në periudhën me të cilën lidhet informacioni.

Neni 105Informacioni që u jepet organizatave të tjera të menaxhimit kolektiv për menaxhimin e

të drejtave sipas marrëveshjeve të përfaqësimit

1. Një organizatë e menaxhimit kolektiv është e obliguar që jo më pak se një herë në vit dhe me mjete elektronike, të vë në dispozicion informacionin e mëposhtëm për organizatat e menaxhimit kolektiv në emër të të cilave menaxhon të drejtat sipas një marrëveshjeje përfaqësimi, për periudhën me të cilën lidhet informacioni:

1.1. të ardhurat e atribuuara nga të drejtat, shumat e paguara nga organizata e menaxhimit kolektiv për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe për llojin e përdorimit, për të drejtat që ajo menaxhon sipas marrëveshjes së përfaqësimit, dhe çdo të ardhur të atribuuar nga të drejtat, e cila është e papaguar për një periudhë;

1.2. zbritjet e bëra në lidhje me tarifat e menaxhimit;

1.3. zbritjet e bëra për çfarëdo qëllimi, përveç në lidhje me tarifat e menaxhimit, siç përcaktohet në nenin 100 të këtij ligji;

1.4. informacion për çdo licencë të dhënë ose të refuzuar në lidhje me veprat dhe lëndët e tjera të mbuluara nga marrëveshja e përfaqësimit;

1.5. rezolutat e miratuara nga kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve, për aq sa ato rezoluta janë të rëndësishme për menaxhimin e të drejtave sipas marrëveshjes së përfaqësimit.

Neni 106Informacioni që u jepet mbajtësve të të drejtave, organizatave të tjera të menaxhimit

kolektiv dhe përdoruesve sipas kërkesës

1. Në përgjigje të një kërkese të arsyetuar siç duhet, një organizatë e menaxhimit kolektiv, vë të paktën informacionin e mëposhtëm në dispozicion me mjete elektronike dhe pa vonesa të panevojshme për çdo organizatë të menaxhimit kolektiv në emër të së cilës menaxhon të drejtat sipas një marrëveshjeje përfaqësimi ose për çdo bartës të së drejtave ose për çdo përdorues:

1.1. veprat ose lëndët e tjera të mbrojtura që përfaqëson, të drejtat që ajo menaxhon, drejtpërdrejtë ose sipas marrëveshjeve të përfaqësimit, dhe territoret e mbuluara nga ajo; ose

1.2. kur, për shkak të fushës së veprimtarisë së organizatës së menaxhimit kolektiv, vepra të tilla ose lëndë të tjera të mbrojtura, nuk mund të përcaktohen, llojet e veprave ose lëndët e tjera të mbrojtura që ajo përfaqëson, të drejtat që ajo menaxhon dhe territoret e mbuluara.

Neni 107Publikimi i informacionit për publikun

1. Organizata e menaxhimit kolektiv duhet t’i bëjë publike të paktën këto informacione:

1.1. statutin e saj;

1.2. kushtet e anëtarësimit dhe kushtet e përfundimit të autorizimit për menaxhimin e të drejtave, nëse këto nuk janë të përfshira në statut;

1.3. kontratat standarde të licencimit dhe tarifat standarde të aplikueshme, duke përfshirë zbritjet;

1.4. listën e personave të cilët drejtojnë organizatën;

1.5. politikën e saj të përgjithshme për shpërndarjen e shumave që u detyrohen bartësve të të drejtave;

1.6. politikën e përgjithshme për tarifat e menaxhimit;

1.7. politikën e përgjithshme për zbritjet, përveç tarifave të menaxhimit, nga të ardhurat e të drejtave dhe nga çdo e ardhur që rrjedh nga investimi i të ardhurave të të drejtave, përfshirë zbritjet që bëhen për qëllime të shërbimeve sociale, kulturore dhe arsimore;

1.8. një listë të marrëveshjeve të përfaqësimit që ka lidhur dhe emrat e organizatave të menaxhimit kolektiv me të cilat janë lidhur këto marrëveshje përfaqësimi;

1.9. politikën e përgjithshme për përdorimin e shumave të pashpërndara;

1.10. procedurat e trajtimit të ankesave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në përputhje me nenet 94 dhe 102 dhe këtij ligji.

2. Organizata e menaxhimit kolektiv do të publikojë dhe përditësoj në faqen e saj publike të internetit të dhënat nga paragrafi 1. i këtij neni.

Neni 108Raporti vjetor i transparencës

1. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të hartoj dhe të bëjë publik raportin vjetor të transparencës, përfshirë raportin e posaçëm nga paragrafi 3. i këtij neni, për çdo vit financiar, jo më vonë se tetë (8) muaj pas përfundimit të atij viti financiar. Organizata e menaxhimit kolektiv publikon në faqen e saj të internetit raportin vjetor të transparencës, i cili duhet të mbetet i disponueshëm për publikun në atë faqe interneti për të paktën pesë (5) vjet.

2. Raporti vjetor i transparencës duhet të përmbajë së paku informacionin e mëposhtëm:

2.1. pasqyrat financiare që përfshijnë një bilanc ose një pasqyrë të aktiviteteve dhe detyrimeve, një deklarim të të ardhurave dhe shpenzimeve për vitin financiar dhe një pasqyrë të rrjedhës së parasë;

2.2. një raport mbi aktivitetet në vitin financiar;

2.3. informacion mbi refuzimet për të dhënë licencë sipas nenit 101 paragrafi 3. të këtij ligji;

2.4. një përshkrim të strukturës ligjore dhe qeverisëse të organizatës së menaxhimit kolektiv;

2.5. informacion mbi çdo subjekt që është në pronësi ose kontroll të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, tërësisht ose pjesërisht, nga organizata e menaxhimit kolektiv;

2.6. informacion për shumën totale të shpërblimit të paguar për personat e përmendur në nenin 94 paragrafin 4. të këtij ligji dhe për personat të cilët drejtojnë organizatën për vitin paraprak, dhe për përfitimet e tjera të dhëna atyre;

2.7. informacionin financiar të mëposhtëm:

2.7.1. informacion financiar mbi të ardhurat e të drejtave, për kategori të të drejtave të menaxhuara dhe për llojet e përdorimit (p.sh. transmetimi, në internet, interpretimi publik), duke përfshirë informacionin mbi të ardhurat që rrjedhin nga investimi i të ardhurave nga të drejtat dhe përdorimi i të ardhurave të tilla (nëse ai u shpërndahet bartësve të të drejtave ose organizatave të tjera të menaxhimit kolektiv, ose përdoret ndryshe);

2.7.2. informacion financiar mbi koston e menaxhimit të të drejtave dhe shërbimeve të tjera të ofruara nga organizata e menaxhimit kolektiv për bartësit e të drejtave, me një përshkrim të plotë të të paktën gjërave në vijim:

2.7.2.1. të gjitha kostot operative dhe financiare, të ndara për kategori të të drejtave të menaxhuara dhe, kur kostot janë indirekte dhe nuk mund t’i atribuohen një ose më shumë kategorive të të drejtave, një shpjegim i metodës së përdorur për shpërndarjen e këtyre kostove indirekte;

2.7.2.2. kostot operative dhe financiare, të ndara sipas kategorisë të së drejtave të menaxhuara dhe, kur kostot janë indirekte dhe nuk mund t’i atribuohen një ose më shumë kategorive të të drejtave, një shpjegim i metodës së përdorur për shpërndarjen e këtyre kostove indirekte, vetëm në lidhje me menaxhimin e të drejtave, duke përfshirë tarifat e menaxhimit të zbritura ose të kompensuara me të ardhurat e të drejtave ose çdo të ardhur që rrjedh nga investimi i të ardhurave nga të drejtat; 2.7.2.3 kostot operative dhe financiare në lidhje me shërbimet e tjera përveç menaxhimit të të drejtave, por duke përfshirë shërbimet sociale, kulturore dhe arsimore;

2.7.2.4. burimet e përdorura për të mbuluar kostot;

2.7.2.5. zbritjet e bëra nga të ardhurat e të drejtave, të ndara sipas kategorisë së të drejtave të menaxhuara dhe sipas llojit të përdorimit dhe qëllimit të zbritjes, të tilla si kostot që lidhen me menaxhimin e të drejtave ose me shërbimet sociale, kulturore ose arsimore;

2.7.2.6. përqindjet që përfaqëson kostoja e menaxhimit të të drejtave dhe shërbimeve të tjera të ofruara nga organizata e menaxhimit kolektiv për mbajtësit e të drejtave, në krahasim me të ardhurat e të drejtave në vitin përkatës financiar, për kategorinë e të drejtave të menaxhuara, dhe kur kostot janë indirekte dhe nuk mund që ti atribuohen një ose më shumë kategorive të të drejtave, një shpjegim i metodës së përdorur për shpërndarjen e këtyre kostove indirekte.

2.7.3. informacion financiar mbi shumat që u detyrohen bartësve të së drejtave, me një përshkrim të plotë si në vijim:

2.7.3.1. shumën totale që i atribuohet bartësve të së drejtave, me një ndarje për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe llojin e përdorimit;

2.7.3.2. shumën totale të paguar për mbajtësit e të drejtave, me një ndarje për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe llojin e përdorimit;

2.7.3.3. shpeshtësinë e pagesave, me një ndarje sipas kategorisë së të drejtave të menaxhuara dhe sipas llojit të përdorimit;

2.7.3.4. shumën totale të mbledhur, por që ende nuk i është atribuuar bartësve të të drejtave, me një ndarje për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe llojin e përdorimit, duke treguar vitin financiar në të cilin janë mbledhur ato shuma;

2.7.3.5. shumën totale që i atribuohet por nuk është shpërndarë ende te bartësit e të drejtave, me një ndarje për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe llojin e përdorimit, dhe duke treguar vitin financiar në të cilin janë mbledhur ato shuma;

2.7.3.6. nëse organizata e menaxhimit kolektiv nuk e ka kryer shpërndarjen dhe pagesat në afatin e caktuar me këtë Ligj, duhet dhënë arsyet për vonesën;

2.7.3.7. shumat totale të pashpërndara, së bashku me një shpjegim të përdorimit për të cilin janë përdorur këto shuma.

2.7.4. informacion në lidhje me marrëdhëniet me organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv, me një përshkrim si në vijim:

2.7.4.1. shumat e marra nga organizata e tjera të menaxhimit kolektiv dhe shumat e paguara organizatave të tjera të menaxhimit kolektiv, me ndarje sipas kategorive të të drejtave, për llojin e përdorimit dhe për organizatën përkatëse;

2.7.4.2. tarifat e menaxhimit dhe zbritjet e tjera nga të ardhurat e të drejtave për organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv, me një ndarje për kategori të të drejtave, për llojin e përdorimit dhe për organizatë përkatëse;

2.7.4.3. tarifat e menaxhimit dhe zbritjet e tjera nga shumat e paguara nga organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv, me një ndarje për kategorinë të të drejtave dhe për organizatën përkatëse; 2.7.4.4 shumat e shpërndara drejtpërdrejtë te mbajtësit e të drejtave me origjinë nga organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv, me një ndarje për kategorinë e të drejtave dhe për organizatën përkatëse.

2.8. një raport të veçantë për përdorimin e çdo shume të zbritur për qëllime të shërbimeve sociale, kulturore dhe arsimore.

3. Raporti i veçantë i përshkruar në nën-paragrafin 2.8. të këtij neni, duhet të trajtojë përdorimin e shumave të zbritura për qëllime të shërbimeve sociale, kulturore dhe arsimore dhe do të përmbajë së paku informacionin e mëposhtëm:

3.1. shumat e zbritura për qëllime të shërbimeve sociale, kulturore dhe arsimore në vitin financiar, me një ndarje për llojin e qëllimit dhe për çdo lloj qëllimi, me një ndarje për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe për llojin e përdorimit;

3.2. një shpjegim të përdorimit të këtyre shumave, me një ndarje sipas llojit të qëllimit, duke përfshirë kostot e menaxhimit të shumave të zbritura për financimin e shërbimeve sociale, kulturore dhe arsimore dhe të shumave të veçanta të përdorura për shërbimet sociale, kulturore dhe arsimore.

4. Të dhënat kontabël të përfshira në raportin vjetor të transparencës, kontrollohen nga një ose më shumë persona të autorizuar me ligjin për auditimin e llogarive. Raporti i auditimit, duke përfshirë çdo kualifikim për të, do të përfshihet si i plotë në raportin vjetor të transparencës. Për qëllimet e këtij paragrafi, informacioni kontabël, përmban pasqyrat financiare të përmendura në nën-paragrafin 2.1. të këtij neni dhe çdo informacion financiar të përmendur në nën-paragrafët

2.7. dhe 2.8. të këtij neni. NËNKAPITULLI VIII LICENCIMI SHUMË-TERRITORIAL I TË DREJTAVE NË INTERNET PËR VEPRAT MUZIKORE NGA ORGANIZATAT E MENAXHIMIT KOLEKTIV

Neni 109Aftësia për të procesuar licencat shumë territoriale

1. Një organizatë e menaxhimit kolektiv, e cila jep licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore, ka kapacitet të mjaftueshëm për të përpunuar në mënyrë elektronike, në mënyrë efikase dhe transparente, të dhënat e nevojshme për administrimin e licencave të tilla, duke përfshirë për qëllimet e identifikimit të repertorit dhe monitorimin e përdorimit të tij, faturimin e përdoruesve, mbledhjen e të ardhurave nga të drejtat dhe shpërndarjen e shumave që u takojnë mbajtësve të të drejtave.

2. Për qëllimet e paragrafit 1. të këtij neni, organizata e menaxhimit kolektiv duhet t’i plotësojë së paku këto kushte:

2.1. të ketë aftësinë për të identifikuar me saktësi veprat muzikore, tërësisht ose pjesërisht, të cilat organizata e menaxhimit kolektiv është e autorizuar t’i përfaqësojë;

2.2. të ketë aftësinë për të identifikuar me saktësi, tërësisht ose pjesërisht, në lidhje me çdo territor përkatës, të drejtat dhe bartësit e tyre përkatës të të drejtave, për çdo vepër muzikore ose pjesë në të, të cilën organizata e menaxhimit kolektiv është e autorizuar të përfaqësojë;

2.3. të përdorin identifikues unik për të identifikuar bartësit e të drejtave dhe veprat muzikore, duke marrë parasysh, sa më shumë që të jetë e mundur, standardet dhe praktikat vullnetare të industrisë të zhvilluara në nivel ndërkombëtar;

2.4. të përdorin mjetet e duhura për të identifikuar dhe zgjidhur në kohë dhe në mënyrë efektive, mospërputhjet në të dhënat e mbajtura nga organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv që japin licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore.

Neni 110Transparenca e informacionit të repertorit shumë-territorial

1. Një organizatë e menaxhimit kolektiv, e cila jep licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore, u ofron ofruesve të shërbimeve në internet, bartësve të të drejtave të të cilëve ajo përfaqëson dhe organizatave të tjera të menaxhimit kolektiv, me mjete elektronike, në përgjigje të një kërkese të justifikuar siç duhet, informacion të përditësuar që lejon identifikimin e repertorit muzikor që ajo përfaqëson në internet. Ky duhet të përfshijë:

1.1. veprat muzikore të përfaqësuara;

1.2. të drejtat e përfaqësuara tërësisht ose pjesërisht;

1.3. territoret e mbuluara.

2. Organizata e menaxhimit kolektiv mund të marrë masa të arsyeshme, kur është e nevojshme, për të mbrojtur saktësinë dhe integritetin e të dhënave, për të kontrolluar ripërdorimin e tyre dhe për të mbrojtur informacionin e ndjeshëm tregtar.

Neni 111Saktësia e informacionit të repertorit shumë-territorial

1. Organizata e menaxhimit kolektiv e cila jep licenca shumë-territoriale për të drejtat në veprat muzikore në internet, është e obliguar të ketë mekanizma për t’u mundësuar bartësve të të drejtave, organizatave të tjera të menaxhimit kolektiv dhe ofruesve të shërbimeve në internet, të kërkojnë korrigjimin e të dhënave të përmendura në listën e kushteve sipas Nenit 109 paragrafit

2. të këtij ligji, ose informacionit të dhënë sipas nenit 110 të këtij ligji, kur këta bartës të të drejtave, organizatat e menaxhimit kolektiv dhe ofruesit e shërbimeve në internet, në bazë të provave të arsyeshme, besojnë se të dhënat ose informacioni janë të pasakta në lidhje me të drejtat e tyre në vepra muzikore në internet. Kur pretendimet janë të vërtetuara mjaftueshëm, organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të sigurojë që të dhënat ose informacioni të korrigjohen pa vonesa të panevojshme.

2. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’u sigurojë titullarëve veprat muzikore të të cilëve janë përfshirë në repertorin e saj muzikor dhe bartësve të të drejtave të cilët ia kanë besuar menaxhimin e të drejtave të tyre në veprat muzikore në internet, në pajtim me nenin 116 të këtij ligji, mjetet për t’i dorëzuar organizatës në formë elektronike, informacion në lidhje me veprat e tyre muzikore, të drejtat e tyre në ato vepra dhe territoret në lidhje me të cilat mbajtësit e të drejtave autorizojnë organizatën. Kur e bëjnë këtë, organizata e menaxhimit kolektiv dhe bartësit e të drejtave do të marrin parasysh, për aq sa është e mundur, standardet ose praktikat vullnetare të industrisë në lidhje me shkëmbimin e të dhënave të zhvilluara në nivel ndërkombëtar, duke i lejuar bartësit e të drejtave të specifikojnë veprën muzikore, tërësisht ose pjesërisht, të drejtat në internet, tërësisht ose pjesërisht, dhe territoret në lidhje me të cilat ata autorizojnë organizatën.

3. Kur organizata e menaxhimit kolektiv e mandaton një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv, që të japë licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore sipas neneve 114 dhe 115 të këtij ligji, organizata e mandatuar për menaxhim kolektiv do të zbatojë edhe paragrafin 2. të këtij neni në lidhje me mbajtësit e të drejtave, veprat muzikore të të cilëve përfshihen në repertorin e organizatës mandatuese të menaxhimit kolektiv, përveç rasteve kur organizatat e menaxhimit kolektiv bien dakord ndryshe.

Neni 112Raportimi dhe faturimi i saktë dhe në kohë

1. Zyra siguron që organizata e menaxhimit kolektiv e cila ofron licenca shumë territoriale, monitoron përdorimin e të drejtave në internet të veprave muzikore të cilat i përfaqëson, tërësisht ose pjesërisht, nga ofruesit e shërbimeve në internet, të cilëve u ka dhënë licencë shumë territoriale për ato të drejta.

2. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’u ofrojë ofruesve të shërbimeve në internet, mundësinë e raportimit me mjete elektronike për shfrytëzimin aktual të të drejtave në internet për veprat muzikore dhe ofruesit e shërbimeve në internet, janë të obliguar të raportojnë me saktësi përdorimin aktual të atyre veprave. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të ofrojë përdorimin e të paktën një metode raportimi, e cila merr parasysh standardet ose praktikat vullnetare të industrisë të zhvilluara në nivel ndërkombëtar ose të Bashkimit Evropian, për shkëmbimin elektronik të këtyre të dhënave. Organizata e menaxhimit kolektiv mund të refuzojë të pranojë raportimin nga ofruesi i shërbimit në internet në një format të tij, nëse organizata lejon për raportim të përdoret një standard i industrisë për shkëmbimin elektronik të të dhënave.

3. Organizata e menaxhimit kolektiv e faturon ofruesin e shërbimeve në internet me mjete elektronike. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të ofrojë përdorimin e të paktën një formati që merr parasysh standardet ose praktikat vullnetare të industrisë të zhvilluara në nivel ndërkombëtar ose të Bashkimit Evropian. Fatura do të identifikojë veprat dhe të drejtat të cilat janë licencuar, tërësisht ose pjesërisht, në bazë të të dhënave të përmendura në listën e kushteve sipas nenit 109 paragrafit 2. të këtij ligji, dhe përdorimet aktuale përkatëse, në masë që kjo është e mundur në bazë të informacionit të dhënë nga ofruesi i shërbimit në internet dhe formati i përdorur për të dhënë atë informacion. Ofruesi i shërbimit në internetit nuk mund të refuzojë të pranojë faturën për shkak të formatit të saj, nëse organizata e menaxhimit kolektiv është duke përdor një standard të industrisë.

4. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i faturojë me saktësi dhe pa vonesë ofruesit të shërbimit në internet, pas përdorimit aktual të të drejtave në internet në atë vepër muzikore, përveç kur kjo nuk është e mundur për arsye që i atribuohen ofruesit të shërbimit në internet.

5. Organizata e menaxhimit kolektiv duhet të ketë mekanizma adekuat që i mundësojnë ofruesit të shërbimit në internet, të sfidojë saktësinë e faturës, përfshirë kur ofruesi i shërbimit në internet merr fatura nga një ose më shumë organizata të menaxhimit kolektiv për të njëjtat të drejta në internet në të njëjtën vepër muzikore.

Neni 113Pagesa e saktë dhe në kohë për mbajtësit e të drejtave

1. Pa cenuar paragrafin 3. të këtij neni, Zyra siguron që një organizatë e menaxhimit kolektiv e cila jep licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore, është e obliguar të shpërndajë shumat që u takojnë mbajtësve të të drejtave të grumbulluara nga këto licenca, me saktësi dhe pa vonesë pasi të raportohet përdorimi aktual i veprës, përveç rasteve kur kjo nuk është e mundur për arsye që i atribuohen ofruesit të shërbimit në internet.

2. Pa cenuar paragrafin 3. të këtij neni, organizata e menaxhimit kolektiv, është e obliguar t’u sigurojë mbajtësve të së drejtave së paku informacionin e mëposhtëm, së bashku me çdo pagesë që bën sipas paragrafit 1. të këtij neni:

2.1. periudhën gjatë së cilës janë bërë përdorimet për të cilat shumat u detyrohen mbajtësve të së drejtës dhe territoret në të cilat janë kryer përdorimet;

2.2. shumat e mbledhura, zbritjet e bëra dhe shumat e shpërndara nga organizata e menaxhimit kolektiv për çdo të drejtë në internet në çdo vepër muzikore, të cilën mbajtësit e të drejtave e kanë autorizuar organizatën e menaxhimit kolektiv, tërësisht ose pjesërisht ta përfaqësojë;

2.3. shumat e mbledhura për mbajtësit e të drejtave, zbritjet e bëra dhe shumat e shpërndara nga organizata e menaxhimit kolektiv në lidhje me çdo ofrues të shërbimit në internet.

3. Kur një organizatë e menaxhimit kolektiv mandaton një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv që të japë licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore sipas neneve 114 dhe 115 të këtij ligji, organizata e mandatuar e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i shpërndajë shumat e përmendura në paragrafin 1., me saktësi dhe pa vonesë, dhe t’i japë informacionin e përmendur në paragrafin 2. të këtij neni organizatës mandatuese të menaxhimit kolektiv. Organizata mandatuese e menaxhimit kolektiv do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e mëvonshme të shumave të tilla dhe dhënien e këtij informacioni për mbajtësit e të drejtave, përveç rasteve kur organizatat e menaxhimit kolektiv bien dakord ndryshe.

Neni 114Marrëveshjet ndërmjet organizatave të menaxhimit kolektiv për licencimin shumë-

territorial

1. Zyra siguron që çdo marrëveshje përfaqësimi ndërmjet organizatave të menaxhimit kolektiv, me anë të së cilës një organizatë e menaxhimit kolektiv mandaton një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv që të japë licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet për veprat muzikore, në repertorin e saj muzikor, do të jetë e një natyre jo ekskluzive. Organizata e mandatuar e menaxhimit kolektiv do t’i menaxhojë ato të drejta në internet mbi baza jo diskriminuese.

2. Organizata mandatuese e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i informojë anëtarët e saj për kushtet kryesore të marrëveshjes, duke përfshirë kohëzgjatjen e saj dhe kostot e shërbimeve të ofruara nga organizata e mandatuar për menaxhim kolektiv.

3. Organizata e mandatuar e menaxhimit kolektiv është e obliguar të informojë organizatën mandatare të menaxhimit kolektiv, për kushtet kryesore sipas të cilave do të licencohen të drejtat e kësaj të fundit, duke përfshirë natyrën e shfrytëzimit, të gjitha dispozitat që kanë të bëjnë ose ndikojnë në tarifën e licencës, kohëzgjatjen e licencës, periudhat kontabël dhe territoret e mbuluara.

Neni 115Detyrimi për të përfaqësuar një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv për licencimin

shumë-territorial

1. Kur një organizatë e menaxhimit kolektiv e cila nuk jep ose nuk ofron dhënien e licencave shumë-territoriale për të drejtat në internet për veprat muzikore në repertorin e saj, ajo mund të kërkojë nga një organizatë tjetër e menaxhimit kolektiv të lidhë një marrëveshje përfaqësimi, për të përfaqësuar këto të drejta, organizata të cilës i kërkohet të bëj menaxhimin kolektiv duhet të pajtohet me një kërkesë të tillë, nëse ajo tashmë është duke dhënë ose ofron dhënien e licencave shumë-territoriale për të njëjtën kategori të të drejtave në internet në veprat muzikore në repertorin e një ose më shumë organizatave të tjera të menaxhimit kolektiv.

2. Organizata e kërkuar, të cilës i kërkohet të bën menaxhim kolektiv është e obliguar të përgjigjet me shkrim dhe pa vonesë të panevojshme organizatës kërkuese të menaxhimit kolektiv.

3. Pa cenuar paragrafët 5. dhe 6. të këtij neni, organizatës të cilës i kërkohet të bëj menaxhim kolektiv, është e obliguar të menaxhojë repertorin e përfaqësuar të organizatës së menaxhimit kolektiv kërkuese, me të njëjtat kushte si ato që zbaton për menaxhimin e repertorit të saj.

4. Organizata të cilës i kërkohet të bëj menaxhim kolektiv, do të përfshijë repertorin e përfaqësuar të organizatës kërkuese të menaxhimit kolektiv, në të gjitha ofertat që u drejton ofruesve të shërbimeve në internet.

5. Tarifa e menaxhimit për shërbimin e ofruar nga organizata e kërkuar kolektive, për organizatën kërkuese nuk duhet të tejkalojë shpenzimet e arsyeshme të bëra nga organizata e kërkuar e menaxhimit kolektiv.

6. Organizata kërkuese e menaxhimit kolektiv, është e obliguar t’i vë në dispozicion organizatës së kërkuar kolektive informacionin në lidhje me repertorin e saj muzikor të nevojshëm për dhënien e licencave shume territoriale për të drejtat në internet për veprat muzikore. Kur informacioni është i pamjaftueshëm ose jepet në një formë që nuk e lejon organizatën e kërkuar të menaxhimit kolektiv të përmbushë kërkesat në këtë kapitull, organizata e kërkuar e menaxhimit kolektiv ka të drejtë të kërkojë pagesë për kostot e bëra në mënyrë të arsyeshme në përmbushjen e këtyre kërkesave ose të përjashtojë ato vepra për të cilat informacioni është i pamjaftueshëm ose nuk mund të përdoret.

Neni 116Qasja në licencimin shumë-territorial

Kur një organizatë e menaxhimit kolektiv nuk jep ose nuk ofron dhënien e licencave shumë- territoriale për të drejtat në internet për veprat muzikore, ose nuk lejon një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv që t’i përfaqësojë ato të drejta për këtë qëllim mbajtësit e të drejtave që kanë autorizuar atë organizatë të menaxhimit kolektiv për të përfaqësuar të drejtat e tyre në internet në veprat muzikore, mund të tërheqin nga ajo organizatë e menaxhimit kolektiv të drejtat në internet për veprat muzikore për qëllime të licencimit shumë-territorial në lidhje me të gjitha territoret, pa pasur nevojë të heqin të drejtat në internet për veprat muzikore për qëllime të licencimit një territorial, ashtu që mund të japin licenca shumë-territoriale për të drejtat e tyre ne internet në veprat muzikore vetë ose nëpërmjet çdo pale tjetër që ata autorizojnë ose nëpërmjet çdo organizate të menaxhimit kolektiv që është në përputhje me dispozitat e këtij nënkapitulli.

Neni 117Shmangia për të drejtat e muzikës në internet të nevojshme për

programet radio dhe televizive Kërkesat e këtij nënkapitulli nuk do të zbatohen për organizatat e menaxhimit kolektiv kur ato japin, në bazë të grumbullimit vullnetar të të drejtave të nevojshme, në përputhje me rregullat e konkurrencës, një licencë shumë-territoriale për të drejtat në internet për veprat muzikore të nevojshme nga një transmetues për të komunikuar ose vënë në dispozicion të publikut programet e tij radio ose televizive, njëkohësisht me ose pas transmetimit të tyre fillestar, si dhe çdo material në internet, duke përfshirë pamjet paraprake, të prodhuara nga ose për transmetuesin, që është ndihmës i transmetimit fillestar të programit të tij radio ose televiziv. NËNKAPITULLI IX MBIKËQYRJA E ORGANIZATAVE TË MENAXHIMIT KOLEKTIV

Neni 118Mbikëqyrja e veprimtarisë së organizatave të menaxhimit kolektiv

1. Mbikëqyrjen e veprimtarive të organizatave të menaxhimit kolektiv e kryen Zyra.

2. Për qëllime të një mbikëqyrjeje të tillë, organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i dorëzoj Zyrës:

2.1. statutin dhe rregulloret e tyre, si dhe çdo ndryshim të tyre;

2.2. kontratat e tyre të lidhura me organizatat e huaja të menaxhimit kolektiv;

2.3. informacion mbi personat e autorizuar për t’i përfaqësuar ata;

2.4. vendimet e organeve të tyre më të larta drejtuese;

2.5. raportin dhe bilancin e tyre vjetor sipas dispozitave ligjore në fuqi;

2.6. raportet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të aktiviteteve të tyre;

2.7. çdo dokument tjetër i domosdoshëm për të verifikuar përputhshmërinë e aktiviteteve të organizatave me këtë Ligj dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës ose statutet e veta të tyre.

3. Zyra vlerëson veprimtaritë e organizatave të menaxhimit kolektiv një (1) herë në vit. Megjithatë, Zyra mund të kryejë gjithashtu një vlerësim specifik ndërmjet dy vlerësimeve të rregullta vjetore nëse merr informacion nga anëtarët e organizatës, nga pronarë të tjerë të të drejtave, nga përdoruesit ose nga ndonjë burim tjetër përkatës, në bazë të të cilave mund të lindin dyshime të arsyeshme nëse aktivitetet e organizatës janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës apo statutet e veta të saj.

4. Zyra mund të urdhërojë organizatën e menaxhimit kolektiv të sigurojë raportin e auditimit lidhur me ndonjë çështje specifike të përcaktuar nga Zyra, por jo më shumë se një herë në vit, me shpenzime të organizatës së menaxhimit kolektiv.

5. Zyra është e obliguar të përgatis një raport për rezultatet e secilit vlerësim të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni, i cili gjithashtu mund të përfshijë masat e parapara në paragrafin 6. të këtij neni. Organi më i lartë drejtues i organizatës së menaxhimit kolektiv është i detyruar ta përfshijë raportin në rendin e ditës të seancës së ardhshme, ta diskutojë atë dhe të informojë Zyrën për rezultatin e diskutimit dhe për çdo masë të marrë.

6. Nëse Zyra gjen se aktivitetet e një organizate të menaxhimit kolektiv nuk janë në pajtim me dispozitat e këtij Ligji dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës, ose me statutin e saj, ajo mund t’i kërkojë organizatës që të sjellë aktivitetet në përputhje me ato dispozita, duke përcaktuar edhe një afat të arsyeshëm për këtë. Kur organizata nuk e përmbush këtë detyrim, Zyra në varësi të rrethanave, propozon ministrit të revokohet/heq licencimin e dhënë organizatës së menaxhimit kolektiv.

7. Kur licencimi si organizatë e menaxhimit kolektiv është revokuar/hequr, ky fakt publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës. Kur revokohet licencimi i një organizate të menaxhimit kolektiv, organizata mund të paraqesë padi kundër vendimit në gjykatë. KAPITULLI VI MASAT TEKNOLOGJIKE DHE TË DREJTAT PËR MENAXHIMIN E INFORMACIONIT

Neni 119Mbrojtja e masave teknologjike

1. Ndalohen veprimet e mëposhtme, pavarësisht nëse si pasojë e tyre mund të ketë apo jo shkelje të së drejtës së autorit, të drejtave të përafërta ose të drejtave të tjera të mbrojtura me këtë ligj:

1.1. shmangien e çdo mase teknologjike efektive nga një person që kryen aktin e shmangies duke ditur, ose që ka baza të arsyeshme për të ditur, se personi po ndjek këtë objektiv;

1.2. prodhimin, importimin, shpërndarjen, shitjen, dhënien me qira, reklamimin për shitje ose dhënien me qira, ose posedimin për qëllime komerciale të pajisjeve, produkteve ose komponentëve ose ofrimin e shërbimeve të cilat:

1.2.1. promovohen, reklamohen ose tregtohen për qëllime të shmangies; ose

1.2.2. kanë vetëm një qëllim të kufizuar tregtar ose përdorim të ndryshëm nga shmangia; ose

1.2.3. janë projektuar, prodhuar, përshtatur ose punuar kryesisht për të mundësuar ose lehtësuar shmangien e çdo mase teknologjike efektive.

2. Masat teknologjike do të konsiderohen efektive, kur përdorimi i një vepre të mbrojtur ose objekti i të drejtave të përafërta, kontrollohet nga pronari i të drejtave nëpërmjet aplikimit të një kontrolli të qasjes ose procesit të mbrojtjes, siç është kriptimi, ndryshimi që bën të pamundur qasjen pa dekodim ose transformimi tjetër i veprës ose i objektit të drejtave të përafërta ose një mekanizëm kontrolli të kopjimit, i cili në rrjedhën normale të funksionimit të tij, arrin objektivin e mbrojtjes.

3. Pavarësisht nga mbrojtja juridike e përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni, në mungesë të masave vullnetare të ndërmarra nga pronarët e të drejtave, përfshirë marrëveshjet ndërmjet tyre dhe palëve të tjera të interesuara, përfituesit e përjashtimeve dhe kufizimeve të përcaktuar në nenet 47, 48 paragrafit 2. dhe nenit 49 nën-paragrafëve 1.2., 1.8., 1.9., dhe 1.10. të këtij ligji dhe paragrafit 2. i këtij neni, dhe nenit 57 paragrafit 1. të këtij ligji ose organizatat e tyre përfaqësuese, mund të iniciojnë një procedurë ndërmjetësimi ose një procedurë arbitrazhi për të siguruar që pronarët e të drejtave të vënë në dispozicion të tyre mjetet e përfitimit nga ky përjashtim ose kufizim, në masën e nevojshme për të përfituar nga ai përjashtim ose kufizim, kur ata kanë akses/qasje ligjor në veprën ose objektet e mbrojtura të të drejtat e përafërta ose të drejta të tjera të parashikuara me këtë ligj.

4. Kur një procedurë ndërmjetësimi ose arbitrazhi është nisur nga një organizatë që përfaqëson përfituesit e përjashtimeve ose kufizimeve, zgjidhja e ndërmjetësimit ose vendimi i arbitrazhit ose vendimi i gjykatës, përkatësisht, i miratuar në mosmarrëveshje do të zbatohet për të gjithë anëtarët e organizatës.

5. Masat teknologjike të zbatuara vullnetarisht nga pronarët e të drejtave, duke përfshirë ato të zbatuara në zbatimin e marrëveshjeve vullnetare, ose ato të zbatuara si rezultat i procedurës së ndërmjetësimit ose arbitrazhit të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni ose një vendim gjykate, gëzojnë gjithashtu mbrojtje ligjore parashikuar në këtë nen.

6. Dispozitat e paragrafëve 3. dhe 4. të këtij neni nuk do të zbatohen për veprat ose objektet me të drejta të përafërta ose të drejta të tjera të parashikuara në këtë ligj të vëna në dispozicion sipas kushteve kontraktuale të rëna dakord në formën e vënies në dispozicion të publikut.

Neni 120Informacioni për menaxhimin e të drejtave

1. Veprimet e mëposhtme janë të ndaluara të kryhen me vetëdije nga çdo person i cili është i paautorizuar:

1.1. heqja ose ndryshimi i çdo informacioni elektronik të menaxhimit të të drejtave;

1.2. shpërndarja, importimi me qëllim shpërndarje, transmetimi, komunikimi ose vënia në dispozicion të publikut të veprave ose objekteve të drejtave të përafërta ose të drejtave të tjera të përcaktuara në këtë Ligj, nga të cilat informacioni elektronik i menaxhimit të të drejtave është hequr ose ndryshuar pa autorizim, nëse personi i tillë e di, ose ka baza të arsyeshme për të ditur, se duke vepruar kështu ai po nxit, mundëson, lehtëson ose fsheh shkeljen e të drejtave të autorit, të drejtave të përafërta ose të drejtave të tjera të përcaktuara në këtë Ligj. KAPITULLI VII MANDATI I ZYRËS PËR TE DREJTAT E AUTORIT

Neni 121Statusi dhe detyrat e Zyrës

1. Zyra për të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta funksionon në kuadër të ministrisë përkatëse për kulturë e cila ka programin/nënprogramin, ku mjetet për financimin e Zyrës sigurohen nga buxheti i Republikës së Kosovës dhe financimet e tjera alternative në përputhje me legjislacionin në fuqi. Zyra udhëhiqet nga drejtori, dhe ka këto detyra:

1.1. zhvillimin dhe brenda kompetencës së saj zbatimin e strategjisë dhe politikës adekuate për mbrojtjen, dhe zbatimin e të drejtës së autorit, të drejtave të përafërta dhe të drejtave të tjera të mbrojtura nga ky ligj, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare, legjislacionin kombëtar dhe interesat përkatëse kombëtare të Republikës së Kosovës;

1.2. për të përmbushur detyrat e përmendura në nën-paragrafin 1.1., të këtij neni, mbledhë e informacion të nevojshëm, kryen studime dhe konsultime me organet qeveritare, institucionet, si dhe me përfaqësuesit e pronarëve të interesuar të të drejtave dhe përdoruesve;

1.3. t’i paraqesë Qeverisë dhe/ose organeve të tjera qeveritare propozime kur masat e caktuara të nevojshme për zbatimin e strategjisë dhe politikës së përmendur nën- paragrafin 1.1. të këtij neni, tejkalojnë kompetencën e saj;

1.4. hartimin e projektligjeve dhe rregulloreve lidhur me mbrojtjen, ushtrimin dhe zbatimin e të drejtës së autorit, të drejtave të përafërta dhe të drejtave të tjera të mbrojtura me këtë ligj;

1.5. përfaqësimin e Republikës së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe rajonale që merren me të drejtën e autorit, të drejtat e përafërta dhe të drejtat tjera të mbrojtura me këtë Ligj;

1.6. vendosjen dhe mbajtjen e bashkëpunimit për arsyeje të përfitimit reciprok me zyrat qeveritare, agjencitë dhe institucionet kërkimore dhe organizatat tjera të vendeve të tjera që merren me të drejtën e autorit, të drejtat e përafërta dhe të drejtat e tjera të mbrojtura me këtë ligj, në përputhje me politikën ndërqeveritare të Republikës së Kosovës;

1.7. në bashkëpunim me autoritetet kompetente gjyqësore, administrative dhe aty ku është e nevojshme inicimin e kërkesave për fillimin e procedurave për aplikimin e masave zbatuese, në mënyrë aktive merr pjesë në luftën kundër shkeljeve të të drejtave dhe në veçanti piraterisë; 1.8.udhëheq dhe koordinon Task Forcën kundër Piraterisë;

1.9. propozon ministrit përkatës për Kulturë licencimin e organizatave të menaxhimin kolektiv, Zyra bën mbikëqyrjen e aktiviteteve të organizatave të menaxhimit kolektiv;

1.10. promovimin e ndërgjegjësimit të organeve qeveritare, gjyqësore, administrative dhe institucioneve të tjera, pronarëve të të drejtave dhe përdoruesve, si dhe publikut të gjerë, në lidhje me rëndësinë dhe aspektet politike, ligjore dhe praktike të mbrojtjes, ushtrimit dhe zbatimit të drejtave të autorit, të drejtave të përafërta dhe të drejtave të tjera të mbrojtura me këtë ligj, përmes përgatitjes dhe shpërndarjes së materialeve informative, organizimit të fushatave vetëdijesuese dhe mbajtjes së marrëdhënieve aktive me shtypin dhe mediat; 1.11.marrjen e njoftimeve nga organizatat e menaxhimit kolektiv, mbajtësve të të drejtave, përdoruesve dhe palëve të tjera të interesuara për atë qëllim të aktiviteteve ose rrethanave që, sipas tyre, përbëjnë shkelje të dispozitave të këtij ligji.

2. Organizimi dhe funksionimi i Zyrës përcaktohen me rregullore të brendshme për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës të ministrisë përkatëse për kulturë.

3. Themelimi, funksionimi dhe përbërja e Task Forcës kundër piraterisë si trup koordinues, përcaktohen me akt nënligjor të propozuar nga ministria përkatëse për kulturë dhe të miratuar nga Qeveria e Kosovës.

Neni 122Ndërmjetësimi

1. Mbajtësit e të drejtave ose organizatat e menaxhimit kolektiv dhe përdoruesit ose përfaqësuesit e përdoruesve mund të iniciojnë procedurën e ndërmjetësimit në një mosmarrëveshje në lidhje me:

1.1. me arritjen e një marrëveshje të përgjithshme;

1.2. me arritjen e një e marrëveshje për ritransmetim dhe ritransmetim kabllor;

1.3. zbatimin nga përfituesit të disa përjashtimeve dhe kufizimeve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta në rast të aplikimit të masave të mbrojtjes teknologjike;

1.4. me licencimin e të drejtave kur kërkohet të lidhet një marrëveshje për qëllimin e vënies në dispozicion të veprave audiovizuale në shërbimet video sipas kërkesës;

1.5. me përdorimin e përmbajtjes së mbrojtur nga ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes së përmbajtjes në internet;

1.6. me detyrimet e transparencës;

1.7. lidhur me rishikimin e një shpërblimi jo proporcional të autorit dhe interpretuesit.

2. Për qëllime të zbatimit të dispozitave të nënkapitullit VIII i Kapitullit V të këtij ligji, mosmarrëveshjet në vijim që kanë të bëjnë me një organizatë të menaxhimit kolektiv që jep licenca shumë-territoriale për të drejtat online në veprat muzikore me të drejtë autoriale, me vendbanim ose vendqëndrim në Republikën e Kosovës, mund të parashtrohen për ndërmjetësim nga palët kontestuese:

2.1. mosmarrëveshjet me ofruesin aktual ose të mundshëm të shërbimit online në lidhje me zbatimin e neneve 101, 110, 111 dhe 112 të këtij ligji;

2.2. mosmarrëveshjet me një ose më shumë bartës të së drejtës lidhur me zbatimin e neneve nga 110 deri në 117 të këtij ligji;

2.3. mosmarrëveshjet me organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv në lidhje me zbatimin e neneve nga 110 deri në 115 të këtij ligji.

3. Palët bashkërisht i zgjedhin ndërmjetësuesit nga lista e ndërmjetësve të caktuar nga Ministri i Kulturës. Ndërmjetësuesit do të zgjidhen në një mënyrë që pavarësia dhe paanësia e tyre të jenë jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm. Kur një palë ka dyshime në lidhje me pavarësinë ose paanshmërinë e një ndërmjetësi, ajo mund të kërkojë zgjedhjen e një ndërmjetësi tjetër.

4. Ndërmjetësi siguron që të gjitha palët t’i zhvillojnë negociatat me mirëbesim dhe nuk pengojnë ato pa arsyetime të vlefshme.

5. Ndërmjetësi mund t’u paraqesë palëve propozim për zgjidhjen e kontestit. Supozohet se palët e pranojnë propozimin për zgjidhjen e kontestit ose mosmarrëveshjes, nëse asnjëra prej tyre nuk shpreh kundërshtimin e saj, në afat prej shtatë (7) ditë nga dorëzimi i propozimit. Njoftimi për propozimin dhe për çdo kundërshtim ndaj tij do t’u dërgohet palëve të interesuara në përputhje me rregullat e zbatueshme në lidhje me dorëzimin e dokumenteve ligjore.

6. Gjatë procedurave të ndërmjetësimit sigurohet konfidencialiteti.

7. Palët do t’i mbulojnë shpenzimet e veta dhe në pjesë të barabarta i mbulojnë tarifat e ndërmjetësuesve dhe shpenzimet që mund të dalin në lidhje me masat procedurale të marra nga ndërmjetësit.

8. Hollësitë e procedurës së ndërmjetësimit rregullohen me dispozitat e legjislacionit të Kosovës për ndërmjetësim, përveç nëse me këtë ligj parashihet ndryshe.

9. Me akt nënligjor të nxjerr nga ministri do të përcaktohet detajisht procedura e përzgjedhjes si dhe shkalla e arsimimit të ndërmjetëseve dhe kushtet tjera që duhet të plotësohen.

Neni 123Arbitrazhi

1. Palët i zgjedhin arbitrat bashkërisht nga lista e arbitrave të përcaktuar nga Ministri i Kulturës çdo dy (2) vjet. Arbitrat do të zgjidhen në një mënyrë që pavarësia dhe paanësia e tyre të jenë jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm dhe të kenë ekspertizën e duhur në fushën e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta. Kur një palë ka dyshime në lidhje me pavarësinë ose paanshmërinë e një arbitri, ajo mund të kërkojë zgjedhjen e një arbitri tjetër.

2. Detajet e procedurës së arbitrazhit – duke përfshirë tarifat që duhet të paguhen për procedurat e saj rregullohen me dispozitat e ligjit për arbitrazhin e Kosovës, përveç nëse me këtë ligj parashihet ndryshe.

3. Me akt nënligjor të nxjerr nga ministri do të përcaktohet detajisht procedura e përzgjedhjes si dhe shkalla e arsimimit të arbitrave dhe kushtet tjera që duhet të plotësohen. KAPITULLI VIII ZBATIMI I TË DREJTAVE, PROCEDURAT DHE SANKSIONET CIVILE

Neni 124Sanksionet civile

1.Në çdo rast shkeljeje ose kërcënimi për shkelje të së drejtës së autorit ose të drejtave të përafërta, autori ose mbajtësi i së drejtës mund të kërkojë njohjen e kësaj të drejte, ndërprerjen e shkeljes dhe mospërmbushjen e saj në të ardhmen. Ndërprerja e shkeljes mund të përfshijë, me kërkesë të aplikantit:

1.1. tërheqjen nga kanalet e tregtimit të mallrave që ata kanë gjetur se shkelin të drejtat sipas këtij ligji dhe, në rastet e duhura, në lidhje me materialet dhe mjetet e përdorura kryesisht në krijimin ose prodhimin e këtyre mallrave; 1.2.largimin përfundimtar nga kanalet e tregtimit; ose 1.3.shkatërrimin.

2. Një person që me dashje ose nga pakujdesia shkel të drejtën e autorit ose një të drejtë të lidhur me një person tjetër, do ta dëmshpërblejë atë person për dëmin moral të shkaktuar dhe do të jetë përgjegjës për pagimin e dëmeve prej jo më pak se sa kompensimi i kërkuar ligjor ose normalisht i pagueshëm për formën e shfrytëzimin që pala shkelëse e ka kryer pa licencë.

3. Shkelje e të drejtës së autorit të një programi kompjuterik konsiderohet:

3.1. çdo akt i vënies në qarkullim të një kopjeje të një programi kompjuterik duke ditur, ose duke pasur arsye për të besuar, se është një kopje e shkelur;

3.2. posedimi, për qëllime komerciale, i një kopjeje të një programi kompjuterik duke ditur, ose duke pasur arsye për të besuar, se është një kopje e shkelur;

3.3. çdo akt i vënies në qarkullim, ose posedimit për qëllime tregtare të çdo mjeti, qëllimi i vetëm i të cilit është të lehtësojë heqjen ose anashkalimin e paautorizuar të çdo pajisjeje teknike, që mund të jetë aplikuar për të mbrojtur një program kompjuterik.

4. Ndëshkimet civile të këtij neni zbatohen edhe në rast të shkeljes së pronësisë intelektuale të autorit të bazës së të dhënave dhe të së drejtës sui generis të krijuesit të bazës së të dhënave.

5. Procedurat dhe përgjegjësia e parashikuar në këtë nen rregullohen me dispozitat e këtij neni dhe për atë që nuk është paraparë me këtë nen me dispozitat e ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve dhe ligjit për procedurën civile.

6. Procedura lidhur me shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta është e shpejtë. Gjykata do të caktojë seancën e parë dëgjimore jo më vonë se brenda tre (3) muajve që nga dita e pranimit të kërkesëpadisë.

Neni 125Personat që kanë të drejtë të kërkojnë zbatimin e masave, procedurave dhe mjeteve

juridike

1. Bartësit ligjor të të drejtave të njohura dhe të garantuara me këtë Ligj, kanë të drejtë të kërkojnë nga gjykatat mbrojtjen e të drejtave të tyre përkatëse, njohjen e shkeljes së kryer dhe mjetin përkatës.

2. Të drejtat nga paragrafi 1.i këtij neni i gëzojnë edhe:

2.1. individët që janë autorizuar ose licencuar nga titullari i së drejtës për të përdorur të drejtat e mbrojtura nga ky ligj, në përputhje me autorizimin që u është dhënë për këtë qëllim;

2.2. organizata e menaxhimit kolektiv të të drejtave të drejtave të autorit. Pavarësisht nëse autorizimi i saj mbështetet në një bartje të të drejtave ose në autorizim përfaqësimi, një organizatë kolektive në çdo rrethanë ka të drejtë të fillojë veprime gjyqësore ose jashtëgjyqësore në emër të saj dhe të ushtrojë me legjitimitet të plotë të gjitha të drejtat që i janë bartur, ose për të cilën ka autorizimin e përfaqësimit;

2.3. Organizatat ose trupat profesionale të mbrojtjes dhe shoqatat përfaqësuese që janë të autorizuara të përfaqësojnë mbajtësit e të drejtave.

Neni 126Provat

1. Me kërkesë të një pale, e cila paraqet prova të arsyeshme, të mjaftueshme për të mbështetur pretendimin e saj, dhe për të provuar këto pretendime ekzistojnë prova të veçanta, të cilat prova janë nën kontrollin e palës kundërshtare, Gjykata mund të urdhërojë që këto prova të paraqiten nga pala e kundërshtare, duke ju nënshtruar rregullave mbi mbrojtjen e informacionit konfidencial. Provë e arsyeshme nga autoritetet kompetente gjyqësore konsiderohet një mostër e arsyeshme e një numri konsiderueshëm kopjesh të veprave, ose çdo objekti tjetër të mbrojtur.

2. Në rrethana të njëjta, kur kryhet shkelje në nivel komercial Gjykata mund të urdhëroj, kur është e nevojshme, me kërkesë të palës propozuese, paraqitjen e dokumenteve bankare, financiare ose komerciale të palës kundërshtare, dokumente që janë subjekt i mbrojtjes së informacionit konfidencial.

Neni 127Masat për sigurimin e provave

1. Bartësit e të drejtave ose përfaqësuesit e tyre nga neni 127 i këtij ligji, të cilët kanë paraqitur prova të arsyeshme, të mjaftueshme për të mbështetur pretendimet e tyre, mund të kërkojnë nga Gjykata, para fillimit të procesit gjyqësor, të marrë masa për sigurimin e provave ose të konstatoj situatën faktike, kur ekziston rreziku i cenimit të të drejtave të përcaktuara nga ky ligj, si dhe kur ekziston rreziku i asgjësimit të elementeve të provës. Këto masa do të merren, nëse është e nevojshme, pa u dëgjuar pala tjetër, veçanërisht kur çdo vonesë ka mundësi të shkaktojë dëme të parikuperueshme për bartësin e të drejtave, ose kur ka rrezik të dukshëm për shkatërrimin e provave.

2. Kur masat për ruajtjen e provave merren pa u dëgjuar pala tjetër, palët e prekura do të njoftohen pa vonesë më së voni pas ekzekutimit të masave. Një rishikim, duke përfshirë të drejtën për t’u dëgjuar, do të bëhet me kërkesë të palëve të prekura, me qëllim që të vendoset, brenda një periudhe të arsyeshme pas njoftimit të masave, nëse masat do të modifikohen, revokohen ose konfirmohen.

3. Masat e përmendura në paragrafin 1. të këtij neni mund të përmbajnë një përshkrim të hollësishëm të mallrave që shkelin të drejtat, me ose pa marrjen e mostrave të tyre ose sekuestrim fizik, kur vlerësohet edhe të materialeve dhe mjeteve të përdorura për të prodhuar dhe/ose shpërndarë këto mallra, si dhe dokumentet përkatëse. Këto masa do të merren në përputhje me dispozitat e Procedurës Civile.

4. Masat e urdhëruara nga gjykata për sigurimin e provave ose për gjendjen faktike lidhur me shkeljen zbatohen nga personi zyrtar. Bartësit e të drejtave ose përfaqësuesit e tyre, të drejtat e të cilëve supozohet se janë shkelur ose janë në rrezik për të u shkelur, lejohet të marrin pjesë në procedurën për zbatimin e masave të sigurimit të provave dhe ose të vëzhgimit të shqyrtimit faktik në vend.

5. Masat për sigurimin e provave mund të jenë objekt i kushtëzimit me garanci financiare nga pala propozuese, për të garantuar në mënyrë të mjaftueshme e të barasvlershme, kompensimin për çdo cenim që mund të pësojë pala e kundërshtare.

6. Masat për sigurimin e provave revokohen ose pushojnë të kenë efekt, me kërkesë të palës kundërshtare, në rast se pala propozuese, brenda një periudhe të arsyeshme, nuk inicion procedurë në gjykatën kompetente për të gjykuar çështjen në mënyrë meritore, por pa cenuar dëmshpërblimin i cili mund të kërkohet, periudha duhet të caktohet nga gjykata kompetente që ka urdhëruar masat, ose në mungesë të këtij përcaktimi, brenda një periudhe jo më të gjatë se njëzet (20) ditë pune ose tridhjetë e një (31) ditë kalendarike, cilado qoftë më e gjatë.

7. Kur masat për sigurimin e provave janë revokuar, ose janë hequr për shkak të çdo veprimi ose mos veprimi nga pala propozuese, ose kur në vijim rezulton se nuk ka pasë shkelje ose rrezik për shkelje të të drejtave të autorit, të objektit të të drejtave të përafërta ose të një të drejte të mbrojtur me këtë Ligj, gjykata kompetente mund urdhërojë palën propozuese sipas kërkesë së palës kundërshtare, t’i i jap kësaj të fundit kompensimin e duhur për çdo dëm të shkaktuar nga këto masa.

8. Kundër vendimit të gjykatës, me anë të cilit është marrë vendim për të pranuar apo refuzuar sigurimin e provave mund të parashtrohet ankesë e veçantë.

9. Procedura për sigurimin e provave zbatohet brenda shtatë (7) ditëve nga parashtrimi i kërkesës.

Neni 128E drejta e informimit

1. Në kontekstin e procedurave në lidhje me shkeljen e të drejtës së autorit ose të një të drejte të përafërt dhe në përgjigje të një kërkese të arsyetuar dhe proporcionale të paditësit, gjykata kompetente mund të urdhërojë që informacioni mbi origjinën dhe rrjetet e shpërndarjes së mallrave ose shërbimeve, të cilat cenojnë një të drejtë të mbrojtur me këtë ligj, të ofruara nga shkelësi dhe/ose çdo person tjetër që:

1.1. ka në posedim mallra që shkelin të drejtat në shkallë komerciale;

1.2. zbulohet se ka përdorur shërbimet që shkelin të drejtat në shkallë komerciale;

1.3. gjendet duke ofruar shërbime në shkallë komerciale të përdorura në veprimtari që përbejnë shkelje; ose

1.4. është përmendur nga personi i përmendur në nën-paragrafët 1.1. dhe 1.2. të këtij neni, dhe

1.5. si i përfshirë në prodhimin, fabrikimin ose shpërndarjen e mallrave ose ofrimin e shërbimeve.

2. Informatat e përmendura në paragrafin 1. të këtij neni, kur është e nevojshme duhet të përfshijnë:

2.1. emrat dhe adresat e prodhuesve, fabrikuesve, shpërndarësve, furnizuesve dhe mbajtësve të tjerë të mëparshëm të mallrave ose shërbimeve, si dhe shitësve me shumicë dhe pakicë të synuar;

2.2. informacion mbi sasinë e prodhuar, fabrikuar, dorëzuar, të marrë ose të porositur, si dhe çmimin e marrë për mallrat ose shërbimet në fjalë.

3. Paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni nuk gjejnë zbatim në rastet kur:

3.1. dispozitat të tjera i japin bartësit të së drejtës, të drejtën për të marrë informacion më të plotë;

3.2. rregulla të ndryshme që rregullojnë përdorimin e informacionit të komunikuar në përputhje me këtë Nen në procedurat civile ose penale;

3.3. gjykata në bazë të informacionit që ka në dispozicion, ka arsye të supozojë se e drejta e informimit është keqpërdorur:

3.3.1. dhënia e informacionit të kërkuar do ta detyronte personin e përmendur në paragrafin 1. të këtij neni, të pranojë pjesëmarrjen e tij/saj ose të të afërmve të tij/ saj të afërt në një shkelje të së drejtës së autorit ose të një të drejte të përafërt;

3.3.2. zbulimi i informacionit nuk lejohet në përputhje me rregullat që rregullojnë mbrojtjen e konfidencialitetit të burimeve të informacionit ose përpunimin e të dhënave personale.

Neni 129Masat e përkohshme dhe paraprake

1. Me kërkesë të palës propozuese, Gjykata mund:

1.1. të lëshojë urdhër të përkohshëm kundër shkelësit të supozuar, me qëllim të ndalimit të shkeljes së mundshme të të drejtave të mbrojtura me këtë ligj, ose të ndalojë, në mënyrë të përkohshme, vazhdimin e shkeljes së pretenduar të të drejtave, ose të bëjë këtë subjekt të garancisë financiare me qëllim kompensimin e mbajtësit të të drejtës; një urdhër i përkohshëm mund të lëshohet gjithashtu edhe kundër një ndërmjetësi, shërbimet e të cilit përdoren nga një palë e tretë për të shkelur të drejtat e mbrojtura me këtë ligj;

1.2. të urdhërojë sekuestrimin ose dorëzimin e mallrave të dyshuara për shkelje të një të drejte që mbrohet me këtë Ligj, në mënyrë që të parandalohet hyrja ose qarkullimi i tyre komercial;

1.3. të urdhërojë kur është e nevojshme, në rast të moszbatimit të një mase sigurie të urdhëruar, një pagesë të përsëritur penaliteti ose gjobe, me synimin për të garantuar zbatimin e saj.

2. Në rastin e shkeljes së kryer në nivel komercial, nëse pala e dëmtuar dëshmon se rrethanat rrezikojnë marrjen e dëmshpërblimit, Gjykata mund të vendos bllokimin paraprak të pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme të shkelësit të pretenduar, përfshirë bllokimin e llogarive bankare dhe pasurive të tjera. Për këtë qëllim, gjykata kompetente mund të kërkojnë informacione relevante ose qasje në dokumentet bankare, financiare ose dokumentet komerciale.

3. Në lidhje me masat e përcaktuara në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, është në kompetencë të gjykatës, t’i kërkojë palës propozuese të ofrojë çdo provë të arsyeshme që ka në dispozicion, me qëllim që të provohet në shkallë të mjaftueshme, se pala propozuese është mbajtës i së drejtës dhe se të drejtat e tij janë shkelur, apo një shkelje e tillë është afër për të ndodhur.

4. Masat e përkohshme të përmendura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, në rastet kur është e nevojshme, mund të merren pa dëgjuar palën kundërshtare, veçanërisht kur çdo vonesë do t’i shkaktonte bartësit të së drejtës dëme të pariparueshme. Në këtë rast palët njoftohen në kohë, më së voni pas ekzekutimit të masave. Një rishikim, duke përfshirë të drejtën për t’u dëgjuar, do të bëhet sipas kërkesë të palës kundërshtare apo shkelësit të supozuar, brenda një kohe të arsyeshme pas njoftimit të ekzekutimit të masave, me qëllim që të vendoset nëse ato masa do të modifikohen, revokohen ose konfirmohen.

5. Masat e përkohshme të përmendura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, revokohen ose pushojnë të kenë efekt, me kërkesë të palës kundërshtare, në rast se pala propozuese, brenda një periudhe të arsyeshme, nuk merr veprim për të iniciuar procedurën përpara gjykatës kompetente për të gjykuar çështjen në mënyrë meritore, periudha përcaktohet nga gjykata kompetente që ka dhënë masat, ose në mungesë të këtij përcaktimi të tillë nga data kur masa e përkohshme ka filluar, përkatësisht brenda një periudhe e cila nuk duhet të kalojë njëzet (20) ditë pune ose tridhjetë e një (31) ditë kalendarike, cilado qoftë me e gjatë.

6. Gjykata mund të kushtëzojë masat e përkohshme të përmendura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, me garanci financiare ose siguri të përshtatshme ekuivalente, nga pala propozuese, për të garantuar kompensim për çdo cenim që mund të pësojë pala kundërshtare kur masat e përkohshme revokohen ose pushojnë për shkak të veprimit ose mos veprimit të palës propozuese, ose kur në vijim rezulton që nuk ka pas shkelje ose rrezik për shkelje të të drejtave të mbrojtura me këtë Ligj, gjykata kompetente mund të urdhërojë palën propozuese me kërkesë të palës kundërshtare, dhënien e kompensimit të duhur për çdo dëm të shkaktuar nga këto masa.

7. Kundër vendimit të gjykatës që ka vendosur masat e përkohshme ose paraprake, mund të ushtrohet ankesë e veçantë, për ndryshimin ose heqjen e masave. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.

8. Garancia e dhënë në përputhje me paragrafin 6. të këtij neni, i kthehet palës propozuese, në rast se pala tjetër nuk ngrit padi për kompensimin e dëmit të pësuar për shkak të tillë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita kur është bërë i parevokueshëm vendimi i Gjykatës që deklaroi se nuk ka pasur shkelje.

9. Procedura për sigurimin e provave Zbatohet brenda shtatë (7) ditëve nga parashtrimi i kërkesës.

Neni 130Masat korrigjuese

1. Pa paragjykuar dëmet e shkaktuara ndaj bartësit të së drejtës për shkak të shkeljes dhe pa kompensim të çfarëdo lloji, Gjykata mund të urdhërojë, me kërkesë të paditësit, që të merren masat e duhura në lidhje me mallrat që ata kanë gjetur se shkelin të drejtën e autorit ose një të drejtë të përafërt dhe, në rastet kur është nevojshme, në lidhje me materialet dhe mjetet e përdorura kryesisht në krijimin ose prodhimin e këtyre mallrave. Masat e tilla do të përfshijnë:

1.1. tërheqjen nga kanalet e tregtisë;

1.2. largimin përfundimtar nga kanalet e tregtisë; ose

1.3. shkatërrimin.

2. Gjykata do të urdhërojë ekzekutimin e masave nga paragrafi 1. i këtij neni, me shpenzimet e shkelësit, përveç rastit kur ai/ajo ka arsye të bazuar se nuk mund t’i përballojë shpenzimet e tilla.

3. Masat nga paragrafi 1. i këtij neni mund të propozohen nga prokurori edhe kur rasti është në procedurë penale.

4. Me rastin e caktimit të masave nga paragrafi 1. i këtij neni, gjykata do të marrë parasysh parimin e proporcionalitetit, në krahasim me ashpërsinë e shkeljes së të drejtave të mbrojtura me ligj, si dhe do të marrë parasysh edhe interesat e palëve të treta të prekura nga masat e tilla.

Neni 131Urdhëresat

1. Kur merret një vendim meritor gjyqësor që ka konstatuar shkeljen e një të drejte të autorit ose të një të drejte të përafërt, Gjykata mund të nxjerrë kundër shkelësit një urdhër që synon të ndalojë vazhdimin e shkeljes.

2. Gjykata mund të urdhërojë kur është e përshtatshme, në rast të moszbatimit të një urdhri, një pagesë të përsëritur penaliteti ose gjobe, me synimin për të siguruar përputhshmërinë.

3. Bartësit e të drejtave mund të aplikojnë për një urdhër gjyqësor kundër ndërmjetësve, shërbimet e të cilëve përdoren nga një palë e tretë për të shkelur një të drejtë autori ose një të drejtë të përafërt.

Neni 132Shpërblimi për dëmin

1. Gjykata, me kërkesën e të dëmtuarit, urdhëron shkelësin, i cili e ka ditur ose ka pas arsye të bazuara për ta ditur, ka kryer një shkelje, t’i paguajë bartësit të së drejtës dëmshpërblim në përputhje me dëmin që ka pësuar si pasojë e shkeljes.

2. Kur Gjykata përcakton dëmshpërblimin:

2.1. do të marrë parasysh të gjitha aspektet e duhura, të tilla si pasojat negative ekonomike që ka pësuar pala e dëmtuar, duke përfshirë fitimet e humbura, çdo fitim të padrejtë të bërë nga shkelësi dhe në rastet e caktuara edhe elemente të ndryshme nga faktorët ekonomikë, të tillë si dëmin moral të shkaktuar ndaj bartësit të së drejtës nga shkelja; ose

2.2. si një alternativë ndaj nën-paragrafit 2.1. të këtij neni, në raste të përshtatshme, mund të vendosë lidhur me dëmin si një shumë të përgjithshme, në bazë të elementeve të tilla si dyfishi i shumës së honorarëve ose tarifave që do të ishin paguar nëse shkelësi do të kishte kërkuar pëlqimin për të përdorur të drejtën në fjalë. Nëse një shkelje e tillë është kryer për qëllime të përfitimit komercial, mbajtësi i së drejtës mund të kërkojë një tarifë ose shpërblim në trefishin e shumës së tillë.

3. Në rast se shkelësi ka vepruar pa e ditur ose nuk ka pasur arsyeje të bazuara për të ditur se ka kryer veprimtari shkelëse, gjykata mund të urdhërojë kthimin e fitimeve ose pagesën e dëmeve, të cilat mund të përcaktohen.

4. Padia për shkeljen e të drejtave mund të paraqitet në gjykatë në afat prej tre (3) vjetësh nga dita kur paditësi ka marrë dijeni për shkeljen dhe identitetin e shkelësit.

Neni 133Shpenzimet juridike të procedurës

Shpenzimet ligjore të arsyeshme dhe proporcionale dhe shpenzimet e tjera të bëra nga pala fituese, si rregull i përgjithshëm, do t’i ngarkohen palës së humbëse, përveç në rastet kur drejtësia nuk e lejon një gjë e tillë.

Neni 134Publikimi i Masave Gjyqësore

Gjykata mund të urdhërojë, me kërkesën e paditësit dhe me shpenzimet e shkelësit masat e duhura për shpërndarjen e informacionit në lidhje me vendimin, duke përfshirë publikimin e vendimit të tillë, tërësisht ose pjesërisht, në mjetet e informimit masiv, në rrethana të njëjta, gjykata mund të urdhërojë masa shtesë njoftimi, në përputhje me kërkesat e veçanta të çështjes, duke përfshirë një publicitet të lartë.

Neni 135Kodet e Sjelljes

Organet kompetente shtetërore ose organizatat e licencuara, bazuar në ligj, hartojnë dhe miratojnë kodet e sjelljes dhe standardet e konformitetit, me qëllim garantimin e mbikëqyrjes së të drejtave të përcaktuara në këtë ligj, veçanërisht në lidhje me përdorimin e kodeve të tilla që lejojnë identifikimin e prodhuesit e fiksuar në një disk optik. Zyra do t’i publikojë dhe shpërndajë kodet e tilla në faqen e saj zyrtare të internetit. KAPITULLI IX SANKSIONET DHE OBLIGIMET ADMINISTRATIVE

Neni 136Gjobat

1. Me gjobë prej jo më pak se pesëmijë (5.000) deri në njëzetmijë (20.000) euro, dënohet personi juridik, ndërsa me gjobë prej jo më pak se njëmijë (1.000) deri në dymijë (2.000) euro, dënohet personi përgjegjës nëse në veprimtarinë e tij ose në biznes me të tjerët përdor një vepër të autorit ose një lëndë të të drejtave të përafërta pa autorizim.

2. Me gjobë prej jo më pak se pesëqind (500) deri në tre mijë (3.000) mijë euro dënohet biznesi individual, nëse në veprimtarinë e tij ose në biznes me të tjerët përdor një vepër të autorit ose një lëndë të të drejtave të përafërta pa autorizim.

3. Me gjobë prej pesëmijë (5.000) deri në njëzet mijë (20.000) euro, dënohet për kundërvajtje çdo person juridik, nëse në kuadër të veprimtarisë së tij ose në bashkëpunim afarist:

3.1. kryen çdo veprim të shmangies të masave efektive teknologjike të mbrojtjes;

3.2. kryen çdo veprim ose heqje ose ndryshim të informacionit elektronik të menaxhimit të të drejtave.

4. Me gjobë prej pesëqind (500) deri në tremijë (3.000) euro, dënohet për kundërvajtje çdo biznes individual, nëse në kuadër të veprimtarisë së tij ose në bashkëpunim afarist:

4.1. kryen çdo veprim të shmangies të masave efektive teknologjike të mbrojtjes;

4.2. kryen çdo veprim ose heqje ose ndryshim të informacionit elektronik të menaxhimit të të drejtave.

5. Dënohet me gjobë prej njëmijë (1.000) deri në dymijë (2.000) euro, personi përgjegjës. që kryen kundërvajtjen nga paragrafi 3. i këtij neni.

6. Me gjobë prej jo më pak se pesëmijë (5.000) deri në njëzet mijë (20.000) euro, dënohet për kundërvajtje çdo person juridik ndërsa me gjobë prej jo më pak se pesëqind (500) euro deri në tre mijë (3.000) euro dënohet për kundërvajtje çdo biznes individual:

6.1. që nuk i dorëzon organizatës kolektive kompetente informacion për llojet dhe numrin e pajisjeve të shitura ose të importuara për fiksimin e zërit ose të pamjes, aparatet fotokopjuese, bartësit bosh të zërit ose imazheve, si dhe informacionin për fotokopjet e shitura, të cilat janë të nevojshme për llogaritjen e shpërblimit të veçantë;

6.2. që nuk i dorëzon organizatës kolektive kompetente, në mënyrën dhe afatin kohor të përcaktuar me këtë Ligj, raportet ose informacionet ose programet, të rëndësishme për llogaritjen e shpërblimit përkatës.

7. Me gjobë prej jo më pak se njëmijë (1.000) deri në dymijë (2.000) euro, dënohet personi përgjegjës i personit juridik që kryen kundërvajtjen nga paragrafi 5. i këtij neni.

8. Me gjobë prej jo më pak se pesëmijë (5.000) deri në njëzet mijë (20.000) euro, dënohet për kundërvajtje organizata kolektive, nëse:

8.1. nuk mban ose me pakujdesi mbanë evidencat dhe kontabilitetin;

8.2. nuk i shpërndan bartësve të së drejtës të ardhurat e realizuara nga honorarët e mbledhura nga përdoruesit e lëndëve të mbrojtura;

8.3. nuk i përmbahet kërkesës për inspektim të veprimtarisë së saj nëpërmjet auditorëve të pavarur;

8.4. nuk përmbush detyrimet e saj ndaj zyrës ose nuk merr masa pasi të jenë të urdhëruara nga Zyra për korrigjimin e punës së saj.

9. Me gjobë prej jo më pak se njëmijë (1.000) deri në dymijë (2.000) euro dënohet, personi përgjegjës i organizatës kolektive i cili kryen kundërvajtjen nga paragrafi 1. i këtij neni.

10. Inspektorati përkatës i tregut ka për kompetencë që të mbikëqyr mbrojtjen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta në treg.

11. Kërkesën për fillimin e procedurës për kundërvajtje mund ta paraqes organi inspektues, policia.

12. Gjobat e përcaktuara në këtë nen i shqipton gjykata kompetente për kundërvajtje.

13. Materialet dhe mjetet e përdorura për kryerjen e kundërvajtjes nga paragrafi 1. deri në paragrafin 9.të këtij neni duhet të konfiskohen.

Neni 137Transmetimi dhe ritransmetimi i përmbajtjes programore audiovizuale

1. Ofruesit e shërbimeve mediale si dhe operatorët kabllorë dhe operatorët tjerë, të licencuara nga Komisioni i Pavarur për Media (në tekstin e mëtejmë KPM) të cilët pa marrë parasysh teknologjinë që përdorin dhe ofrojnë përmbajtje audiovizuale, janë të obliguara të bëjnë transmetimin dhe ritransmetimin e programeve në bazë të marrëveshjeve të vlefshme për të drejtën e autorit.

2. Marrëveshjet që kanë të bëjnë me ritransmetimin e programeve audiovizuale, janë të vlefshme vetëm pasi të jenë regjistruar nga organizatat e menaxhimit kolektiv të licencuara nga Ministria e Kulturës, në pajtim me nenin 88 të këtij ligji.

3. Të gjitha ankesat lidhur me shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, gjatë transmetimit dhe ritransmetimit të programeve do të procedohen nga KPM.

4. Mos përmbushja e obligimeve dhe përgjegjësive nga ana e organizatave transmetuese dhe subjekteve të tjera të përmendura në paragrafin 1. të këtij neni, për transmetimin dhe ritransmetimin e programeve, të përcaktuara me këtë ligj, do të shqyrtohet nga KPM-ja në pajtim me dispozitat e Ligjit për Komisionin e Pavarur për Media. KAPITULLI X MBROJTJA E TË HUAJVE

Neni 138Trajtimi Kombëtar

1. Personat e huaj fizikë ose juridikë gëzojnë të njëjtën mbrojtje të së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta, sikurse personat vendas, nëse këtë e parashikojnë marrëveshjet ndërkombëtare ose ky ligj, ose nëse ekziston reciprociteti faktik.

2. Autorët dhe interpretuesit e huaj gëzojnë të njëjtën mbrojtje të të drejtave morale të njohura me këtë ligj.

3. Autorët e huaj të veprave artistike gëzojnë mbrojtjen e këtij ligji për të drejtën e rishitjes vetëm kur ekziston reciprociteti faktik.

Neni 139Autorët e huaj

1. Mbrojtje sipas këtij ligji gëzojnë autorët e huaj:

1.1. të cilët kanë vendbanim të përhershëm në Kosovë;

1.2. për veprat e tyre të publikuara për herë të parë në Kosovë ose brenda tridhjetë (30) ditëve pas botimit në një shtet tjetër.

2. Nëse vepra është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta krijuese të dy ose më shumë autorëve, të gjithë gëzojnë mbrojtje sipas këtij ligji, edhe nëse vetëm njëri prej tyre i plotëson kushtet nga paragrafi 1. i këtij neni.

Neni 140Interpretuesit

1. Mbrojtje sipas këtij ligji gëzojnë interpretuesit e huaj:

1.1. të cilët kanë vendbanim të përhershëm në Kosovë;

1.2. interpretimi i tyre kryhet në territorin e Republikës së Kosovës;

1.3. interpretimi i të cilëve është fiksuar në fonogram që gëzojnë mbrojtjen sipas këtij ligji;

1.4. interpretimi i tyre i fiksuar në fonogram, përfshihet në një transmetim të bërë që gëzon mbrojtjen sipas këtij Ligji.

2. Nëse interpretimi është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta krijuese të dy ose më shumë interpretuesve, të gjithë gëzojnë mbrojtje sipas këtij Ligji, edhe kur vetëm njëri prej tyre i plotëson kushtet nga paragrafi 1. i këtij neni.

Neni 141Bartës të tjerë të huaj të të drejtave të përafërta

1. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzojnë bartësit e tjerë të huaj të të drejtave të përafërta, të cilët e kanë vendbanimin ose selinë e përbashkët të regjistruar në Republikën e Kosovës.

2. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon prodhuesi i fonogramit dhe producenti i filmit nëse fonogrami ose filmi i tyre është publikuar për herë të parë në Republikën e Kosovës.

3. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon botuesi në lidhje me të drejtat e tij të përafërta, nëse botimi i tij për herë të parë është publikuar në Republikën e Kosovës ose brenda tridhjetë (30) ditëve nga publikimi në një shtet tjetër.

4. Mbrojtjen sipas këtij ligji e gëzon transmetuesi që transmeton transmetimin e tij, nga transmetuesit që ndodhen në territorin e Republikës së Kosovës.

5. E drejta nga neni 78 i këtij ligji vlen edhe për ndërmarrjet dhe kompanitë e formuara në pajtim me legjislacionin e Republikës së Kosovës dhe që kanë selinë e tyre, administratën qendrore ose vendin kryesor të biznesit në territorin e Republikës së Kosovës. Megjithatë, kur një kompani apo firmë e tillë ka vetëm selinë e saj të regjistruar në territorin e Republikës së Kosovës, operacionet e saj gjithashtu duhet të jenë të lidhura realisht në baza të vazhdueshme me ekonominë e Republikës së Kosovës.

6. Marrëveshjet që shtrijnë të drejtën nga neni 78 i këtij ligji në bazat e të dhënave të bëra në vendet e treta dhe që bien jashtë dispozitave të paragrafit 5. të këtij neni, mbrohen në bazë të një traktati ndërkombëtar në të cilin Republika e Kosovës do të bëhet palë. Afati i çdo mbrojtjeje të shtrirë në bazat e të dhënave të krijuara në vende të tjera nuk do të kalojë atë të përcaktuar në nenin 78 të këtij ligji.

Neni 142Personat pa shtetësi ose refugjatët

1. Autorët ose bartësit e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta, të cilët nuk kanë shtetësi ose kur e njëjta nuk mund të vërtetohet, gëzojnë të njëjtën mbrojtje si bartësit vendas të të drejtave, nëse kanë vendbanim të përkohshëm në Kosovë.

2. Nëse nuk kanë vendbanim të përhershëm ose vendbanimi i tyre nuk mund të verifikohet, gëzojnë të njëjtën mbrojtje si bartësit e të drejtave vendase të të drejtave, nëse kanë qëndrim të përkohshëm në Kosovë.

3. Nëse nuk kanë vendbanim të përhershëm apo të përkohshëm në Kosovë, gëzojnë mbrojtje në Kosovë, sikurse qytetarët e vendeve ku ata kanë qëndrim të përhershëm apo të përkohshëm.

4. Dispozitat e këtij ligji zbatohen njëjtë edhe për autorët dhe bartësit e të drejtave të përafërta, të cilët në pajtim me marrëveshjet ndërkombëtare ose me ligjin në Kosovë gëzojnë statusin e refugjatit.

Neni 143Reciprociteti faktik

Reciprociteti duhet të provohet nga personi që i referohet. KAPITULLI XI DISPOZITAT KALIMTARE DHE PËRFUNDIMTARE

Neni 144Dispozitat kalimtare

1. Rregullorja Nr. 20/2018 për të drejtën për kompensim të veçantë dhe reprografik zbatohet deri në miratimin e tarifave të reja në këtë fushë.

2. Aktet normative të organizatave për menaxhimin kolektiv të të drejtave zbatohen edhe pas hyrjes në fuqi të këtij ligji dhe duhet harmonizohen me dispozitat e të njëjtit, në afat prej dymbëdhjetë (12) muajsh nga hyrja në fuqi e këtij Ligji.

3. Mbrojtja me këtë ligj sa i takon të drejtës së autorit, do të jetë e vlefshme për bazën e të dhënave të krijuara përpara 1 janari 1998, të cilat në atë moment përmbushnin kërkesat e parashikuara me këtë ligj, sa i takon mbrojtës së bazës të të dhënave nga e drejta e autorit. Mbrojtja e parashikuar në këtë paragraf nuk do të cenojë asnjë veprim juridik të bërë dhe të drejtat e fituara përpara 1 janari 1998.

4. Mbrojtja bazuar në dispozitat e këtij ligji, sa i takon të drejtave të parapara në nenin 78 të këtij ligji, vlen edhe për bazat e të dhënave, krijimi i të cilave ka përfunduar jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) vjet përpara datës 1 janar 1998, dhe të cilat në atë moment përmbushnin kërkesat e parapara në nenin 78 të këtij ligji. Mbrojtja e paraparë në këtë paragraf nuk do të cenojë asnjë veprim juridik të bërë dhe të drejtat e fituara përpara 1 janari 1998.

5. Në rastin e bazës së të dhënave, krijimi i së cilës ka përfunduar jo më shumë se pesëmbëdhjetë (15) vjet përpara datës 1 janar 1998, afati i mbrojtjes për të drejtat e parashikuara në nenin 78 të këtij ligji, do të përfundojë pesëmbëdhjetë (15) vjet pas 1 janarit në vijim të asaj date.

6. Me pranimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian, shuarja e të drejtës së shpërndarjes, përmendur në nenin 23, nën-paragrafin 1.2. të këtij ligji, do të aplikohet për çdo shitje të parë apo transferim të pronësisë të një origjinali apo kopje të veprës, të bërë kudo në Bashkimin Evropian ose në Zonën Ekonomike Evropiane.

7. Dispozitat e kapitullit për Licencimin shumë territorial të të drejtave në internet në veprat muzikore nga organizatat e menaxhimit kolektiv do të hyjë në fuqi me pranimin e Republikës së Kosovës në Bashkimin Evropian.

8. Kur nënshkruhet traktati i Marrakeshit ose kur Republika e Kosovës bëhet anëtare e BE- së, një subjekt i autorizuar i themeluar në Republikën e Kosovës, mund të kryejë veprimet e referuara në nenin 49 paragrafin 2. të këtij ligji, për një person me shikim të dëmtuar ose paaftësi leximi ose një entitet tjetër i autorizuar të krijuar në cilindo Shtet Anëtar të BE-së ose ndonjë palë kontraktuese e Traktatit të Marrakeshit miratuar më 27 qershor 2013. Po ashtu, një person me shikim të dëmtuar ose paaftësi leximi ose një subjekt i autorizuar i vendosur në territorin e tyre, mund të marrë ose mund të ketë qasje në një kopje të formatit të qasshëm të një subjekti të autorizuar i themeluar në çdo shtet anëtar.

9. Marrëveshjet për ushtrimin e të drejtës së autorit dhe të drejtave të lidhura me aktet e komunikimit me publikun të veprave ose lëndëve të tjera të mbrojtura, me mjete me tela apo pa tela, dhe vënien në dispozicion të publikut të veprave ose temave të tjera të mbrojtura, më mjete me tela apo pa tela, në atë mënyrë që anëtarët e publikut të mund t’iu qasen atyre nga një vend dhe në një kohë të zgjedhur individualisht prej tyre, që ndodh gjatë ofrimit të një shërbimi ndihmës online si dhe për aktet e riprodhimit që janë të nevojshme për ofrimin e qasjes ose përdorimit të një shërbimi të tillë online, që janë në fuqi më 7 qershor 2021, i nënshtrohet nenit 29 të këtij ligji nga data 7 qershor 2023, nëse skadojnë pas kësaj date. Autorizimet e marra për aktet e komunikimit me publikun sipas nenit 28 të këtij ligji, të cilat janë në fuqi më 7 qershor 2021, i nënshtrohen nenit 28 të këtij ligji që nga data 7 qershor 2025, nëse skadojnë pas kësaj date.

Neni 145Aktet nënligjore

Aktet nënligjore të përcaktuar në nenin 88 paragrafin 8. dhe në nenin 122 paragrafin 9. të këtij ligji si dhe neni 123 paragrafin 3. të këtij Ligji nxirren brenda periudhës njëvjeçare nga dita e hyrjes në fuqi të këtij Ligji, si dhe nga neni 121 paragrafi 2. i këtij ligji.

Neni 146Dispozita shfuqizuese

Me hyrjen në fuqi të këtij ligji, shfuqizohet: Ligji nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës / Nr.27/30 Nëntor 2011, Prishtinë); Ligji nr. 05/L-047 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr.04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës/Nr. 37 / 03 Nëntor 2016, Prishtinë) dhe Ligj Nr. 06/L-120 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-065 për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta i Ndryshuar dhe Plotësuar me Ligjin Nr. 05/L-047 (Gazeta Zyrtare e Republikës së Kosovës /Nr.13/04 Korrik 2019, Prishtinë). Si dhe të gjitha aktet e tjera nënligjore të cilat bien në kundërshtim me këtë ligj.

Neni 147Hyrja në fuqi

Ky ligj hyn në fuqi pesëmbëdhjetë (15) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës. Ligji Nr. 08/L-205 21 shtator 2023 Shpallur me dekretin Nr. DL-163/2023, datë 09.10.2023 nga Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu