Neni 124. Sanksionet civile
1.Në çdo rast shkeljeje ose kërcënimi për shkelje të së drejtës së autorit ose të drejtave të përafërta, autori ose mbajtësi i së drejtës mund të kërkojë njohjen e kësaj të drejte, ndërprerjen e shkeljes dhe mospërmbushjen e saj në të ardhmen. Ndërprerja e shkeljes mund të përfshijë, me kërkesë të aplikantit:
1.1. tërheqjen nga kanalet e tregtimit të mallrave që ata kanë gjetur se shkelin të drejtat sipas këtij ligji dhe, në rastet e duhura, në lidhje me materialet dhe mjetet e përdorura kryesisht në krijimin ose prodhimin e këtyre mallrave; 1.2.largimin përfundimtar nga kanalet e tregtimit; ose 1.3.shkatërrimin.
2. Një person që me dashje ose nga pakujdesia shkel të drejtën e autorit ose një të drejtë të lidhur me një person tjetër, do ta dëmshpërblejë atë person për dëmin moral të shkaktuar dhe do të jetë përgjegjës për pagimin e dëmeve prej jo më pak se sa kompensimi i kërkuar ligjor ose normalisht i pagueshëm për formën e shfrytëzimin që pala shkelëse e ka kryer pa licencë.
3. Shkelje e të drejtës së autorit të një programi kompjuterik konsiderohet:
3.1. çdo akt i vënies në qarkullim të një kopjeje të një programi kompjuterik duke ditur, ose duke pasur arsye për të besuar, se është një kopje e shkelur;
3.2. posedimi, për qëllime komerciale, i një kopjeje të një programi kompjuterik duke ditur, ose duke pasur arsye për të besuar, se është një kopje e shkelur;
3.3. çdo akt i vënies në qarkullim, ose posedimit për qëllime tregtare të çdo mjeti, qëllimi i vetëm i të cilit është të lehtësojë heqjen ose anashkalimin e paautorizuar të çdo pajisjeje teknike, që mund të jetë aplikuar për të mbrojtur një program kompjuterik.
4. Ndëshkimet civile të këtij neni zbatohen edhe në rast të shkeljes së pronësisë intelektuale të autorit të bazës së të dhënave dhe të së drejtës sui generis të krijuesit të bazës së të dhënave.
5. Procedurat dhe përgjegjësia e parashikuar në këtë nen rregullohen me dispozitat e këtij neni dhe për atë që nuk është paraparë me këtë nen me dispozitat e ligjit për marrëdhëniet e detyrimeve dhe ligjit për procedurën civile.
6. Procedura lidhur me shkeljen e të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta është e shpejtë. Gjykata do të caktojë seancën e parë dëgjimore jo më vonë se brenda tre (3) muajve që nga dita e pranimit të kërkesëpadisë.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.