Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 93. Asambleja e përgjithshme e anëtarëve të organizatës së menaxhimit kolektiv

1. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve thirret së paku një herë në vit.

2. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve vendos për çdo ndryshim të statutit dhe të kushteve të anëtarësimit në organizatën e menaxhimit kolektiv, kur ato kushte nuk janë të rregulluara me statut. Statuti duhet të jetë publik.

3. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve vendos për emërimin ose shkarkimin e drejtorëve, shqyrton punën e tyre të përgjithshme dhe miraton shpërblimin e tyre dhe përfitimet e tjera, siç janë përfitimet monetare dhe jo monetare, shpërblimet dhe të drejtat pensionale, të drejtat për shpërblime tjera dhe të drejtat lidhur me largimin nga ose shkurtimin e vendeve të punës. Drejtorë janë anëtarët e bordit drejtues dhe bordit mbikëqyrës:

3.1. në një organizatë të menaxhimit kolektiv me një sistem bordi të dyfishtë, asambleja e përgjithshme e anëtarëve, nuk do të vendosë për emërimin ose shkarkimin e anëtarëve të bordit drejtues ose të miratojë shpërblimin e tyre dhe përfitimet e tjera, kur kompetenca për të marrë vendime të tilla i delegohet bordit mbikëqyrës.

4. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve vendos së paku për këto çështje:

4.1. politikën e përgjithshme për shpërndarjen e shumave që u detyrohen bartësve të së drejtave;

4.2. politikën e përgjithshme për përdorimin e shumave të pashpërndara;

4.3. politikën e përgjithshme të investimit në lidhje me të ardhurat nga të drejtat dhe çdo të ardhur që rrjedh nga investimi i të ardhurave nga të drejtat;

4.4. politikën e përgjithshme për zbritjet nga të ardhurat e të drejtave dhe nga çdo e ardhur që rrjedh nga investimi i të ardhurave nga të drejtat;

4.5. përdorimin e shumave të pashpërndara;

4.6. politikën e menaxhimit të rrezikut;

4.7. miratimin e çdo blerjeje, shitjeje ose hipotekimi të pronës së paluajtshme;

4.8. miratimin e bashkimeve dhe aleancave, krijimin e filialeve ose subjekteve vartëse dhe blerjen e subjekteve të tjera, aksioneve ose të drejtave në subjekte të tjera;

4.9. miratimin e marrjes së kredive, huadhënies ose sigurimin e huadhënies.

5. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve e kontrollon veprimtarinë e organizatës së menaxhimit kolektiv, së paku, duke vendosur për emërimin dhe shkarkimin e auditorit dhe miratimin e raportit vjetor të transparencës. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve mund t’ia delegojë kompetencat e renditura në nën-paragrafët 4.5, 4.6, 4.7 dhe 4.8 të paragrafit 4. të këtij neni, me vendim ose me një dispozitë në statut, organit që ushtron funksionin mbikëqyrës.

6. Të gjithë anëtarët e organizatës së menaxhimit kolektiv, kanë të drejtë të marrin pjesë dhe të ushtrojnë të drejtën e votës në kuvendin e përgjithshëm të anëtarëve. Kufizimet në të drejtën e anëtarëve të organizatës së menaxhimit kolektiv, për të marrë pjesë dhe për të ushtruar të drejtën e votës në kuvendin e përgjithshëm të anëtarëve, lejohen në bazë të njërit ose të dy kritereve të mëposhtme:

6.1. kohëzgjatja e anëtarësimit;

6.2. shumat e marra ose kompensimi që i detyrohet një anëtari.

7. Kriteret e tilla të parapara në paragrafin 6.të këtij neni, përcaktohen dhe zbatohen në mënyrë të drejtë dhe proporcionale, dhe përfshihen në statutin ose kushtet e anëtarësimit të organizatës së menaxhimit kolektiv dhe do të bëhen të disponueshme për publikun.

8. Çdo anëtar i organizatës së menaxhimit kolektiv ka të drejtë të emërojë çdo person ose subjekt tjetër, si përfaqësues për të marrë pjesë dhe votuar në kuvendin e përgjithshëm të anëtarëve në emër të tij, me kusht që emërimi i tillë të mos rezultojë në një konflikt interesi që mund të ndodhë, për shembull, kur anëtari që bën emërimin dhe përfaqësuesi, i përkasin kategorive të ndryshme të bartësve të të drejtave brenda organizatës së menaxhimit kolektiv.

9. Çdo përfaqësues do të jetë i vlefshëm për përfaqësim, për vetëm një kuvend të përgjithshme të anëtarëve. Përfaqësuesi gëzon të njëjtat të drejta në kuvendin e përgjithshëm të anëtarëve, si ato për të cilat do të kishte të drejtë anëtari që e emëron. Përfaqësuesi është i obliguar votojë në përputhje me udhëzimet e nxjerra nga anëtari që emëron.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.