Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 94. Këshilli mbikëqyrës i organizatës së menaxhimit kolektiv

1. Përveç asamblesë së përgjithshme të anëtarëve, secila organizatë e menaxhimit kolektiv themelon një këshill mbikëqyrës, për sigurimin e kontrollit të vazhdueshëm të veprimtarisë së organizatës së menaxhimit kolektiv, ushtrimin e kompetencave të deleguara nga mbledhja e kuvendit të përgjithshëm, monitorimin e aktiviteteve të saj siç parashihet me statutin e organizatës së menaxhimit kolektiv.

2. Përfaqësuesit e kategorive të ndryshme të bartësve të të drejtave, të cilët janë anëtarë të organizatës së menaxhimit kolektiv, duhet të përfaqësohen në mënyrë të drejtë dhe të balancuar në këshillin mbikëqyrës. Palët e treta që nuk janë anëtarë të organizatës së menaxhimit kolektiv, mund të jenë anëtarë të këshillit mbikëqyrës, me kusht që përvoja e tyre profesionale t’u mundësojë ushtrimin e funksioneve mbikëqyrëse.

3. Këshilli mbikëqyrës i raporton Kuvendit të përgjithshëm të anëtarëve të organizatës së menaxhimit kolektiv të paktën një herë në vit.

4. Përveç raportit për punën e Këshillit Mbikëqyrës, përfaqësuesit e tij çdo vit i raportojnë Kuvendit të Përgjithshëm të anëtarëve të organizatës së menaxhimit kolektiv, për mungesën ose praninë e konflikteve të mundshme të interesit që i pengojnë ata në kryerjen e mëtejshme të detyrave të tyre.

5. Anëtarët e organizatave të menaxhimit kolektiv ose organizatat në emër të të cilëve menaxhojnë të drejtat sipas një marrëveshjeje përfaqësimi, kanë të drejtë të paraqesin një kërkesë me shkrim për ndërmjetësim në Këshillin Mbikëqyrës, veçanërisht në lidhje me autorizimin për të menaxhuar të drejtat dhe për përfundimin ose tërheqjen e të drejtave, kushtet e anëtarësimit, mbledhjen e shumave që i detyrohen bartësve të së drejtës, zbritjet dhe shpërndarjet.

6. Organizatat e Menaxhimit Kolektiv, janë të obliguara t’u përgjigjen me shkrim ankesave të anëtarëve ose atyre nga organizatat e menaxhimit kolektiv në emër të të cilave ato menaxhojnë të drejtat sipas një marrëveshjeje përfaqësimi. Kur organizata e menaxhimit kolektiv refuzon një ankesë, ajo duhet të arsyetojë atë.

7. Këshilli Mbikëqyrës do të diskutojë menjëherë për mënyrën e realizimit të ndërmjetësimit dhe palëve u jep përgjigje me shkrim, me të cilën i informon për mënyrën e kryerjes së ndërmjetësimit. Në kryerjen e ndërmjetësimit, Këshilli Mbikëqyrës udhëhiqet nga kërkesat e palëve dhe i trajton ato me drejtësi dhe paanshmëri. Secila palë do të veprojë me mirëbesim gjatë gjithë procesit të ndërmjetësimit.

8. Këshilli Mbikëqyrës mund të kërkojë raporte nga Kryetari, Drejtori i Përgjithshëm dhe Udhëheqësit e Seksioneve. Këshilli Mbikëqyrës është i detyruar të shqyrtojë raportin vjetor, buxhetin, bilancin dhe llogarinë e të ardhurave dhe shpenzimeve, përpara çdo vendimi.

9. Procedurat e ndërmjetësimit ndërpriten menjëherë, pasi të ndodhë:

9.1. nënshkrimi nga palët i një marrëveshjeje;

9.2. njoftimi me shkrim drejtuar Këshillit Mbikëqyrës nga cilado palë, në çdo kohë pasi të ketë marrë përgjigjen e Këshillit Mbikëqyrës të përmendur në paragrafin 6. të këtij neni, se kjo palë ka vendosur të mos ndjekë më ndërmjetësimin;

9.3. njoftimi me shkrim nga Këshilli Mbikëqyrës për palët se, sipas mendimit të Këshillit Mbikëqyrës, ndërmjetësimi nuk do të zgjidhë mosmarrëveshjen ndërmjet palëve;

9.4. njoftimi me shkrim nga këshilli mbikëqyrës për palët se çdo afat kohor i caktuar për procedurat, duke përfshirë çdo zgjatje të tij, ka skaduar.

10. Nëse nuk arrihet marrëveshje ndërmjet palëve, duhet të vendosë gjykata.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.