Neni 71. Kalimi i të drejtave pronësore të interpretuesit në një fonogram
1. Nëse, pesëdhjetë (50) vjet pasi fonogrami është publikuar në mënyrë të ligjshme, ose kur nuk është publikuar në mënyrë të tillë, pesëdhjetë (50) vjet pasi është komunikuar në publik në mënyrë të ligjshme, prodhuesi i fonogramit nuk ofron për shitje kopje të fonogramit në masë të mjaftueshme ose nuk vë në dispozicion të publikut, me mjete me tel ose pa-tel, në mënyrë të tillë që publiku mund t‘i qasen atij nga një vend dhe në një kohë të zgjedhur në mënyrë individuale prej tyre, interpretuesi ka të drejtë të ndërpresë kontratën nëpërmjet së cilës i ka kaluar ose bartur të drejtat për regjistrimin e interpretimit të prodhuesit të fonogramit.
2. E drejta e ndërprerjes së kontratës mbi kalimin ose bartjen e të drejtave mund të ushtrohet nëse prodhuesi, brenda një (1) viti nga marrja e njoftimit nga interpretuesi, me qëllim të ndërprerjes së kontratës mbi kalimin ose bartjen e të drejtave, nuk ka realizuar të dyja të drejtat e shfrytëzimit të përmendura në paragrafin 1.të këtij neni. Nëse në përfundim të periudhës dymbëdhjetë (12) mujore nga data e njoftimit, prodhuesi nuk i ka përmbushur kushtet e përmendura, marrëveshja e tij ndërpritet dhe e drejta e mbi fonogramin pushon me efekt të menjëhershëm. Nga e drejta për të ndërprerë kontratën interpretuesi nuk mund të tërhiqet.
3. Kur një fonogram përmban fiksimin e interpretimeve të një numri interpretuesish, ata mund të zgjidhin kontratat e tyre për kalimin ose bartjen e të drejtave. Nëse kontrata mbi kalimin ose bartjen zgjidhet sipas këtij paragrafi, të drejtat e prodhuesit të fonogramit në fonogram i mbarojnë.
4. Në rastin kur kontrata mbi bartjen ose kalimin i jep të drejtë interpretuesit të kërkoj një kompensim jo periodik ose të përsëritshëm, atëherë interpretuesi ka të drejtën e një kompensimi plotësues nga prodhuesi i fonogramit për çdo vit të plotë, menjëherë pas pesëdhjetë (50) vjetorit pasi fonogrami është publikuar në mënyrë të ligjshme, ose kur nuk është publikuar në mënyrë të tillë, pesëdhjetë (50) vjet pasi është komunikuar në publik në mënyrë të ligjshme. Interpretuesi nuk mund të tërhiqet nga e drejta për të përfituar kompensimin plotësues vjetor.
5. Shuma e përgjithshme e rezervuar nga prodhuesi i fonogramit për pagesën e kompensimit plotësues vjetor të parashikuar në paragrafin 3 të këtij neni, do të llogaritet në masën njëzet për qind (20%) të të ardhurave të vitit paraprak që janë përfituar nga prodhuesi si rezultat i riprodhimit, shpërndarjes dhe vënies në dispozicion të publikut të fonogramit në fjalë, duke filluar pas vitit të pesëdhjetë (50) nga data e publikimit të ligjshëm, apo në mungesë të këtij publikimi, pas vitit të pesëdhjetë (50) të komunikimit publik në mënyrë të ligjshme.
6. Prodhuesit e fonogramit në rast të një kërkese janë të obliguar, t’u ofrojnë interpretuesve të cilët kanë të drejtën e përfitimit të kompensimit plotësues vjetor siç përmendet në paragrafin 4 të këtij neni, çdo informacion të nevojshëm për të siguruar pagesën e kompensimit.
7. Kur interpretuesi ka të drejtën e kompensimit periodik, në këtë kompensim nuk aplikohet paradhënia dhe nuk bëhen zbritjet e përcaktuara kontraktuese nga kompensimet e bëra për interpretuesin duke filluar nga viti i pesëdhjetë (50) i publikimit të ligjshëm apo, në mungesë të këtij publikimi, pas vitit të pesëdhjetë (50) të komunikimit në publik në mënyrë të ligjshme. NËNKAPITULLI III TË DREJTAT E PRODHUESVE TË FONOGRAMEVE
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.