Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 9. E drejta e autorit në veprat me bashkautorësi

1. E drejta e autorit në një vepër e cila është rezultat i përpjekjeve të përbashkëta krijuese të dy ose më shumë autorëve u takon bashkërisht autorëve të tillë (bashkautorëve) pavarësisht nëse vepra përbën një tërësi të pandashme ose përbëhet nga pjesë të pavarura.

2. Marrëdhëniet ndërmjet bashkautorëve rregullohet me kontratë. Në mungesë të një kontrate të tillë, bashkautorët gëzojnë së bashku të drejtën e autorit mbi veprën dhe shpërblimi përkatës do të ndahet ndërmjet tyre, në përpjesëtim me kontributet e tyre, me kusht që ato të mund të përcaktohen. Kur kontributet e bashkautorëve nuk mund të përcaktohen, shpërblimi ndahet në pjesë të barabarta.

3. Nëse në marrëveshjen e bashkautorëve nuk është paraparë ndryshe, të drejtën e autorit në veprën në bashkautorësi ata do ta ushtrojnë bashkërisht. Megjithatë, nëse kontributi i një bashkautori mund të përdoret gjithashtu në mënyrë të pavarur nga pjesët e tjera të veprës, në lidhje me atë pjesë të veprës, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në një marrëveshje ndërmjet bashkautorëve, një bashkautor i tillë mund që gjithashtu të ushtrojë të drejtën e autorit vetëm në lidhje me pjesën e tij. Megjithatë, për përfshirjen në një vepër tjetër, të një pjese të tillë të veprës në bashkautorësi që mund të përdoret në mënyrë të pavarur, duhet autorizimi i bashkautorëve të tjerë.

4. Bashkautori mund të heqë dorë nga shfrytëzimi i pjesës së tij të të drejtave. Me deklaratën për heqje dorë, pjesa e tij do t’u kalojë autorëve të tjerë të përbashkët.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.