Neni 47. Riprodhimi i veprave për përdorim personal dhe privat
1. Riprodhimi i veprës së botuar në mënyrë të ligjshme do të lejohet pa pëlqimin e autorit, por kundrejt pagesës së një shpërblimi të drejtë, siç parashihet në paragrafët 3. deri në 11. të këtij neni, nëse është bërë nga personi fizik për përdorim ekskluziv personal dhe privat dhe për qëllime që nuk janë as drejtpërdrejtë as tërthortë komerciale. Kjo e drejtë për shpërblim mund të ushtrohet vetëm nëpërmjet një organizate të menaxhimit kolektiv. Për një kopjim të tillë me riprodhim reprografik, zbatohet neni 48 paragrafët 2. deri në 10 të këtij ligji. Pavarësisht përjashtimeve të përmendura në këtë paragraf nuk lejohet riprodhimi i veprës së shkruar në vëllim të plotë të librit.
2. Paragrafi 1. i këtij neni nuk zbatohet në lidhje me:
2.1. bazat e të dhënave elektronike;
2.2. programet kompjuterike, me përjashtim të rasteve të mbuluara nga neni 58 i këtij ligji; 2.3.veprat audiovizuale gjatë shfaqjes së tyre publike;
2.4. çdo vepër në bazë të një kopjeje ose nga një burim për të cilin personi që bën kopjen e din ose në rrethanat e dhëna, ai ka një arsye të dijë se është i paligjshëm.
3. Shpërblimin e drejtë të përmendur në paragrafin 1. të këtij neni e paguajnë personat fizik ose juridik të cilët prodhojnë ose importojnë ndonjë pajisje, dhe bartësit që mund të përdoret për riprodhimin e veprave audiovizuale dhe fonogrameve.
4. Asnjë shpërblim i drejtë nuk do të paguhet në lidhje me pajisjet për regjistrim dhe bartësit e përmendur në paragrafin 3. të këtij neni kur:
4.1. ato eksportohen;
4.2. janë projektuar, prodhuar ose përshtatur në një mënyrë që normalisht të mos përdoren për kopjim personal dhe privat, siç parashihet në paragrafin 1. të këtij neni;
4.3. importohen nga një person fizik për përdorimin e tij ekskluziv.
5. Shpërblimi i drejtë i përmendur në paragrafin 1.të këtij neni:
5.1. paguhet nga prodhuesit ose importuesit e pajisjeve ose bartësve të regjistrimit të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni, organizatës së menaxhimit kolektiv të përmendur në nën-paragrafin 10.1. të këtij neni, përpara se të vihet në qarkullim (që i bie përpara se të përfshihet në zinxhir të shpërndarjes menjëherë pas prodhimit ose importimit) të pajisjeve ose bartësve të tillë të regjistrimit;
5.2. duhet të jetë i mjaftueshëm jo vetëm për kompensimin e autorëve, veprat e të cilëve mund të riprodhohen në mënyrën e përmendur në paragrafin 1. të këtij neni, por edhe për kompensimin e interpretuesve dhe prodhuesve të veprave audiovizuale dhe fonogrameve, përkatësisht, interpretimet, veprat audiovizuale dhe fonogramet e të cilëve, mund të riprodhohet në mënyrën e përmendur në paragrafin 1. të këtij neni;
5.3. përcaktohet duke marrë parasysh aplikimin ose mosaplikimin e masave teknologjike nga pronarët e të drejtave në veprat audiovizuale dhe në fonograme.
6. Për përcaktimin e fushëveprimit në lidhje me pajisjet dhe bartësit në lidhje me të cilat zbatohet paragrafi 3 i këtij neni dhe shumën e shpërblimit që duhet paguar dhe kushtet e tjera të pagesës së tij zbatohen paragrafi 3 dhe paragrafët 6 deri 12 të neni 102 i këtij Ligji, në kuptim se palët e interesuara që do të përpiqen të bien dakord për këto çështje janë organizata e menaxhimit kolektiv të përmendur në nën-paragrafin 10.1 të këtij neni, nga njëra anë, dhe përfaqësuesit e atyre personave fizikë dhe juridikë, të cilët janë të detyruar të paguajnë shpërblimin e drejtë, nga ana tjetër.
7. Prodhuesit dhe importuesit, kur vënë në qarkullim pajisjet ose bartësit e përmendur në paragrafin 3. të këtij neni, janë të obliguar:
7.1. të informojnë organizatën e menaxhimit kolektiv të përmendur në nën-paragrafin
10.1. të këtij neni, për pagesën e shpërblimit të drejtë dhe do t’i venë në dispozicion dokumentet e nevojshme që tregojnë numrin e pajisjeve dhe/ose bartësve të prodhuar ose importuar, si dhe identitetin e shpërndarësve nëpërmjet të cilëve ose të cilët i kanë vënë në qarkullim pajisjet ose bartësit;
7.2. të dorëzojnë shpërndarësve nëpërmjet të cilëve ose të cilët vënë në qarkullim pajisjet e regjistrimit dhe/ose bartësit e regjistrimeve të gjitha dokumentet e nevojshme, që vërtetojnë faktin se organizatës së menaxhimit kolektiv i është paguar një shpërblim i drejtë.
8. Shpërndarësit në çdo pikë të zinxhirit të shpërndarjes, duke përfshirë njësitë e rishitjes të cilët ose që posedojnë pajisje ose bartës të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni për qëllime komerciale, janë të obliguar të dëshmojnë: në bazë të dokumenteve të vlefshme, se shpërblimi i drejtë i përmendur në paragrafin 1. të këtij neni është paguar për pajisjet ose bartësit në fjalë. Shpërndarësit, me kërkesë të organizatës së menaxhimit kolektiv të përmendur në nën- paragrafin 10.1.të këtij neni, janë të detyruar të vënë në dispozicion çdo dokument përkatës dhe të zbulojnë identitetin dhe të dhënat e kontaktit të prodhuesit ose importuesit ose çdo personi fizik ose juridik në zinxhirin e shpërndarjes nga kush ose nga i cili ata kanë marrë pajisjet ose bartësit.
9. Shpërndarësit të cilët nuk janë në gjendje t’i paraqesin organizatës së menaxhimit kolektiv të përmendur në nën-paragrafin 10.1. të këtij neni, dokumentet e nevojshme dhe/ose të dhënat e kontaktit të përmendura në paragrafin 8. të këtij neni që janë të nevojshme për të verifikuar nëse shpërblimi është paguar apo jo siç duhet, janë bashkërisht dhe individualisht përgjegjës për të paguar shpërblimin e drejtë.
10. Përveç nëse parashihet ndryshe në një marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të kategorive të ndryshme të pronarëve të të drejtave të përmendura në nën-paragrafin 5.2.të këtij neni, shpërblimi i drejtë:
10.1. mblidhet për të gjitha kategoritë e pronarëve të të drejtave nga një organizatë menaxhimit kolektiv, që i është besuar ky funksion me një marrëveshje të përbashkët të përfaqësuesve të kategorive të interesuara të pronarëve të të drejtave dhe, në mungesë të marrëveshjes, organizata e menaxhimit kolektiv përcaktohet nga Zyra;
10.2. pas zbritjes së kostos aktuale të menaxhimit, do të shpërndahet në mënyrën e mëposhtme: 10.2.1.në lidhje me riprodhimin e veprave audiovizuale, shpërndahet një e treta (1/3) për autorët e këtyre veprave, një e treta (1/3) për interpretuesit e veprave të tilla, dhe një e treta (1/3) për prodhuesit e veprave të tilla;
10.2.2. në lidhje me riprodhimin e fonogrameve një e treta (1/3) për autorët, veprat e të cilëve janë fiksuar në fonograme, një e treta (1/3) për interpretuesit interpretimet e të cilëve janë fiksuar në fonograme, dhe një e treta (1/3) për prodhuesit e fonogrameve, për të cilët ose mund të supozohet se veprat, interpretimet dhe respektivisht fonogramet e tyre, janë riprodhuar në mënyrën e përmendur në paragrafin 1.të këtij neni. Aksionet ose pjesët e përmendura në nën-nënparagrafët 10.2.1 dhe 10.2.2 të këtij neni për pronarët e të drejtave që nuk përfaqësohen nga organizata e menaxhimit kolektiv e përmendur në nën-paragrafin 10.1. të këtij neni do t’i transferohen organizatave të menaxhimit kolektiv që përfaqësojnë këta pronarë të të drejtave.
11. Pjesët e shpërblimit të drejtë të përmendura në nën-nënparagrafët 10.2.1. dhe 10.2.2. do të shpërndahen ndërmjet autorëve dhe pronarëve të tjerë të së drejtës së autorit, interpretuesve dhe prodhuesve të veprave audiovizuale dhe fonogrameve, përkatësisht nga organizatat e menaxhimit kolektiv në lidhje me veprat, interpretimet dhe fonogramet e të cilëve, mund të supozohen se janë riprodhuar në bazë të paragrafit 1. të këtij neni.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.