Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 48. Riprodhimi reprografik

1.Riprodhimi reprografik lejohet pa pëlqimin e autorit ose pronarëve të tjerë të së drejtës së autorit dhe pa pagesën e shpërblimit:

1.1. të një vepre të botuar ligjërisht nëse riprodhimi, në një kopje, është bërë nga një bibliotekë ose një shërbim arkivi, i cili nuk është për përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta ekonomike dhe nëse qëllimi i tij është të zëvendësojë kopjet që kanë humbur, janë shkatërruar ose janë bërë të papërdorshme ose për të bërë një kopje të disponueshme për bibliotekat e tjera ose shërbime të ngjashme arkivore për të zëvendësuar në koleksionet e tyre veprat që kanë humbur, shkatërruar ose janë bërë të papërdorshme, atëherë kur është e pamundur të merren kopje të veprës nëpërmjet kanaleve të zakonshme komerciale;

1.2. të artikujve dhe veprave të tjera të përmbledhura ose ekstrakteve të shkurtra të veprave letrare (përveç programeve kompjuterike) dhe pjesëve të veçanta të librave që janë botuar ligjërisht dhe atë vetëm në një mase të kufizuar, me kusht që një riprodhim i tillë, në një kopje, të bëhet nga një bibliotekë ose arkiv që nuk është për përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta ekonomike, për të plotësuar nevojat e personave fizikë që do të përdorin kopjen e marrë në ketë mënyrë për qëllime studimi personal ose hulumtimi jo-komercial;

1.3. të artikujve të veçuar dhe veprave të tjera të përmbledhura ose ekstrakteve të shkurtra të veprave letrare (përveç programeve kompjuterike) dhe pjesëve të veçanta të librave që janë botuar ligjërisht dhe atë vetëm në një mase të kufizuar, me kusht që ky riprodhim të bëhet nga një institucion arsimor, dhe të mos jetë për përfitime të drejtpërdrejta apo të tërthorta ekonomike, si dhe në një numër kopjesh të nevojshme për ilustrim në klasë.

2. Nëse riprodhimi reprografik i veprave dhe pjesëve të veprave të përmendura në paragrafin 1.të këtij neni, bëhet nga persona fizikë ose juridikë të ndryshëm nga ato të përmendura në paragrafin 1.të këtij neni, do të lejohet pa pëlqimin e autorit ose bartësit tjetër të së drejtës së autorit, por është subjekt i pagesës së një shpërblimi të drejtë për të bërë riprodhimin reprografik të një vepre të tillë ose të një pjese të një vepre. E drejta e shpërblimit të drejtë mund të ushtrohet vetëm nëpërmjet një organizate të menaxhimit kolektiv.

3. Shpërblimi i drejtë nga paragrafi 2. i këtij neni do të paguhet:

3.1. nga personat fizikë ose personat juridikë të cilët prodhojnë ose importojnë pajisje që përdoren për riprodhim reprografik (shpërblimi për pajisjet); dhe

3.2. nga çdo person fizik ose person juridik që ushtron veprimtarinë e tij me pajisje për riprodhim reprografik në një vend të hapur për publikun (shpërblimi nga operatorët).

4. Shpërblimi për pajisjet e përmendura në paragrafin 2.të këtij neni:

4.1. paguhet nga prodhuesit ose importuesit e pajisjeve të përmendura në nën-paragrafin 3.1.të këtij neni, për organizatën e menaxhimit kolektiv të përmendur në paragrafin 2. të këtij neni, përpara se të vihen në qarkullim, ose të përfshihet në zinxhirin e shpërndarjes menjëherë pas prodhimit ose importimit;

4.2. bëhet duke marrë parasysh edhe shpërblimin nga operatorët, që duhet jetë i mjaftueshëm për kompensimin e autorëve dhe botuesve, ose për veprat e botimet e të cilëve mund të supozohet se janë riprodhuar në bazë të paragrafit 2.të këtij neni.

5. Për përcaktimin e fushës së pajisjeve për të cilat zbatohet paragrafi 2. i këtij neni dhe lartësinë e shpërblimit që duhet paguar dhe kushtet e tjera të pagesës së saj, zbatohen paragrafi 3. dhe paragrafët 6. deri 12. të neni 102 të këtij Ligji, duke kuptuar këtu që palët e interesuara që do të përpiqen të përcaktojnë shumën e shpërblimit janë organizata e menaxhimit kolektiv e përmendur në paragrafin 2. të këtij neni nga njëra anë, dhe përfaqësuesit e atyre personave fizikë dhe juridikë të cilët janë të detyruar të paguajnë shpërblimin e drejtë, nga ana tjetër.

6. Prodhuesit dhe importuesit, kur vënë në qarkullim pajisjet e përmendura në nën-paragrafin

3.1. të këtij neni janë të obliguar:

6.1. të informojnë organizatën e menaxhimit kolektiv të përmendur në paragrafin 2. të këtij neni për pagesën e shpërblimit të drejtë dhe do t’i vënë në dispozicion dokumentet e nevojshme që tregojnë numrin e pajisjeve të prodhuara ose të importuara dhe identitetin e shpërndarësve nëpërmjet të cilëve janë vënë në qarkullim;

6.2. t’u dorëzojnë shpërndarësve nëpërmjet të cilëve ata vënë në qarkullim pajisjet, të gjitha dokumentet e nevojshme që vërtetojnë faktin se shpërblimi i drejtë i është paguar organizatës së menaxhimit kolektiv.

7. Prodhuesit dhe importuesit ose shpërndarësit, kur shesin, marrin me qira ose transferojnë në ndonjë mënyrë tjetër pronën ose posedimin e një pajisjeje të përmendur në nën-paragrafin 3.1.të këtij neni, çdo operatori të një pajisjeje të tillë do t’i dorëzojnë dokumentet e përmendura në nën-paragrafin 6.2. të këtij neni.

8. Shpërndarësit në çdo pikë të zinxhirit të shpërndarjes, duke përfshirë pikat e rishitjes si dhe operatorët, të cilët janë në posedim të pajisjeve të përmendura në nën-paragrafin 3.1.të këtij neni, kanë obligim të jenë në gjendje të provojnë, në bazë të dokumenteve të vlefshme, se shpërblimi i drejtë i përmendur në paragrafin 2.të këtij neni është paguar për pajisjen. Shpërndarësit ose operatorët, me kërkesë të organizatës së menaxhimit kolektiv, janë të detyruar të vënë në dispozicion çdo dokument përkatës dhe të zbulojnë identitetin dhe të dhënat e kontaktit të prodhuesit ose importuesit, ose çdo personi fizik ose juridik në zinxhirin e shpërndarjes nga kush ose nga i cili kanë marrë pajisjet.

9. Shpërndarësit ose operatorët të cilët nuk janë në gjendje t’i paraqesin organizatës së menaxhimit kolektiv të përmendur në paragrafin 2. të këtij neni, dokumentet e nevojshme dhe të dhënat e kontaktit të përmendura në paragrafin 8.të këtij neni që janë të nevojshme për të verifikuar që shpërblimi i drejtë është paguar, janë përgjegjës bashkërisht dhe individualisht për të paguar shpërblimin e drejtë.

10. Përveç nëse parashihet ndryshe në marrëveshjen ndërmjet përfaqësuesve të autorëve dhe botuesve, shpërblimi i drejtë i mbledhur nga organizata e menaxhimit kolektiv, pas zbritjes së kostos reale të menaxhimit, do të paguhet në pjesë të barabarta pesëdhjetë për qind (50%) për autorët e veprave, dhe pesëdhjetë për qind (50%) për botuesit për botimet e të cilëve mund të supozohet se janë riprodhuar sipas të paragrafit 2. të këtij neni.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.