Neni 55. Përdorimi i veprave që janë jashtë tregut dhe përdorimi i lëndëve të tjera nga
institucionet e trashëgimisë kulturore
1. Lejohet, pa pëlqimin e autorit, që institucionet e trashëgimisë kulturore të vënë në dispozicion, për qëllime jo-komerciale, vepra që nuk janë në treg ose lëndë të tjera që janë përherë në koleksionet e tyre, me kusht që:
1.1. tregohet emri i autorit ose i çdo bartësi tjetër të identifikueshëm të së drejtës, përveç rastit kur kjo rezulton e pamundur;
1.2. veprat e tilla ose lëndë të tjera janë të disponueshme në faqe të internetit jo- komerciale.
2. Përjashtimi ose kufizimi i parashikuar në paragrafin 1. të këtij neni, zbatohet vetëm për llojet e veprave ose lëndës tjetër të mbrojtur për të cilat nuk ekziston asnjë organizatë e menaxhimit kolektiv që, në bazë të mandateve të saj, është mjaftueshëm përfaqësuese e mbajtësve të të drejtave në llojin përkatës të veprave ose lëndës tjetër.
3. Një vepër ose një lëndë tjetër do të konsiderohet se është jashtë tregut, kur mund të supozohet me mirëbesim se e gjithë vepra ose lënda tjetër nuk është e disponueshme për publikun përmes kanaleve të zakonshme komerciale, pasi është bërë një përpjekje e arsyeshme për të përcaktuar nëse është e disponueshme për publikun.
4. Ky nen nuk do të zbatohet për grupet e veprave jashtë tregut ose lëndët tjera nëse, në bazë të përpjekjeve të arsyeshme të përmendura në paragrafin 3. të këtij neni, ka dëshmi se ato kryesisht përbëhen nga:
4.1. vepra ose lëndë tjetër, përveç veprave kinematografike ose audiovizuale, të botuara për herë të parë ose, në mungesë të botimit, të transmetuara për herë të parë në një vend tjetër;
4.2. vepra kinematografike ose audiovizuale, prodhuesit e të cilave kanë selinë ose vendbanimin e tyre të zakonshëm në një vend tjetër; ose
4.3. vepra ose lëndë tjetër e mbrojtur e shtetasve të vendeve të tjera, ku pas një përpjekjeje të arsyeshme nuk mund të përcaktohet asnjë vend tjetër në përputhje me nën paragrafët
4.1. dhe 4.2. të këtij neni.
5. Me përjashtim të nën-paragrafit 4.1. të këtij neni, ky nen zbatohet kur organizata e menaxhimit kolektiv është mjaftueshëm përfaqësuese e mbajtësve të të drejtave të vendit tjetër përkatës.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.