Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 118. Mbikëqyrja e veprimtarisë së organizatave të menaxhimit kolektiv

1. Mbikëqyrjen e veprimtarive të organizatave të menaxhimit kolektiv e kryen Zyra.

2. Për qëllime të një mbikëqyrjeje të tillë, organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i dorëzoj Zyrës:

2.1. statutin dhe rregulloret e tyre, si dhe çdo ndryshim të tyre;

2.2. kontratat e tyre të lidhura me organizatat e huaja të menaxhimit kolektiv;

2.3. informacion mbi personat e autorizuar për t’i përfaqësuar ata;

2.4. vendimet e organeve të tyre më të larta drejtuese;

2.5. raportin dhe bilancin e tyre vjetor sipas dispozitave ligjore në fuqi;

2.6. raportet e auditimit të brendshëm dhe të jashtëm të aktiviteteve të tyre;

2.7. çdo dokument tjetër i domosdoshëm për të verifikuar përputhshmërinë e aktiviteteve të organizatave me këtë Ligj dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës ose statutet e veta të tyre.

3. Zyra vlerëson veprimtaritë e organizatave të menaxhimit kolektiv një (1) herë në vit. Megjithatë, Zyra mund të kryejë gjithashtu një vlerësim specifik ndërmjet dy vlerësimeve të rregullta vjetore nëse merr informacion nga anëtarët e organizatës, nga pronarë të tjerë të të drejtave, nga përdoruesit ose nga ndonjë burim tjetër përkatës, në bazë të të cilave mund të lindin dyshime të arsyeshme nëse aktivitetet e organizatës janë në përputhje me dispozitat e këtij ligji dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës apo statutet e veta të saj.

4. Zyra mund të urdhërojë organizatën e menaxhimit kolektiv të sigurojë raportin e auditimit lidhur me ndonjë çështje specifike të përcaktuar nga Zyra, por jo më shumë se një herë në vit, me shpenzime të organizatës së menaxhimit kolektiv.

5. Zyra është e obliguar të përgatis një raport për rezultatet e secilit vlerësim të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni, i cili gjithashtu mund të përfshijë masat e parapara në paragrafin 6. të këtij neni. Organi më i lartë drejtues i organizatës së menaxhimit kolektiv është i detyruar ta përfshijë raportin në rendin e ditës të seancës së ardhshme, ta diskutojë atë dhe të informojë Zyrën për rezultatin e diskutimit dhe për çdo masë të marrë.

6. Nëse Zyra gjen se aktivitetet e një organizate të menaxhimit kolektiv nuk janë në pajtim me dispozitat e këtij Ligji dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës, ose me statutin e saj, ajo mund t’i kërkojë organizatës që të sjellë aktivitetet në përputhje me ato dispozita, duke përcaktuar edhe një afat të arsyeshëm për këtë. Kur organizata nuk e përmbush këtë detyrim, Zyra në varësi të rrethanave, propozon ministrit të revokohet/heq licencimin e dhënë organizatës së menaxhimit kolektiv.

7. Kur licencimi si organizatë e menaxhimit kolektiv është revokuar/hequr, ky fakt publikohet në faqen zyrtare të Ministrisë së Kulturës. Kur revokohet licencimi i një organizate të menaxhimit kolektiv, organizata mund të paraqesë padi kundër vendimit në gjykatë. KAPITULLI VI MASAT TEKNOLOGJIKE DHE TË DREJTAT PËR MENAXHIMIN E INFORMACIONIT

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.