Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 119. Mbrojtja e masave teknologjike

1. Ndalohen veprimet e mëposhtme, pavarësisht nëse si pasojë e tyre mund të ketë apo jo shkelje të së drejtës së autorit, të drejtave të përafërta ose të drejtave të tjera të mbrojtura me këtë ligj:

1.1. shmangien e çdo mase teknologjike efektive nga një person që kryen aktin e shmangies duke ditur, ose që ka baza të arsyeshme për të ditur, se personi po ndjek këtë objektiv;

1.2. prodhimin, importimin, shpërndarjen, shitjen, dhënien me qira, reklamimin për shitje ose dhënien me qira, ose posedimin për qëllime komerciale të pajisjeve, produkteve ose komponentëve ose ofrimin e shërbimeve të cilat:

1.2.1. promovohen, reklamohen ose tregtohen për qëllime të shmangies; ose

1.2.2. kanë vetëm një qëllim të kufizuar tregtar ose përdorim të ndryshëm nga shmangia; ose

1.2.3. janë projektuar, prodhuar, përshtatur ose punuar kryesisht për të mundësuar ose lehtësuar shmangien e çdo mase teknologjike efektive.

2. Masat teknologjike do të konsiderohen efektive, kur përdorimi i një vepre të mbrojtur ose objekti i të drejtave të përafërta, kontrollohet nga pronari i të drejtave nëpërmjet aplikimit të një kontrolli të qasjes ose procesit të mbrojtjes, siç është kriptimi, ndryshimi që bën të pamundur qasjen pa dekodim ose transformimi tjetër i veprës ose i objektit të drejtave të përafërta ose një mekanizëm kontrolli të kopjimit, i cili në rrjedhën normale të funksionimit të tij, arrin objektivin e mbrojtjes.

3. Pavarësisht nga mbrojtja juridike e përcaktuar në paragrafin 1. të këtij neni, në mungesë të masave vullnetare të ndërmarra nga pronarët e të drejtave, përfshirë marrëveshjet ndërmjet tyre dhe palëve të tjera të interesuara, përfituesit e përjashtimeve dhe kufizimeve të përcaktuar në nenet 47, 48 paragrafit 2. dhe nenit 49 nën-paragrafëve 1.2., 1.8., 1.9., dhe 1.10. të këtij ligji dhe paragrafit 2. i këtij neni, dhe nenit 57 paragrafit 1. të këtij ligji ose organizatat e tyre përfaqësuese, mund të iniciojnë një procedurë ndërmjetësimi ose një procedurë arbitrazhi për të siguruar që pronarët e të drejtave të vënë në dispozicion të tyre mjetet e përfitimit nga ky përjashtim ose kufizim, në masën e nevojshme për të përfituar nga ai përjashtim ose kufizim, kur ata kanë akses/qasje ligjor në veprën ose objektet e mbrojtura të të drejtat e përafërta ose të drejta të tjera të parashikuara me këtë ligj.

4. Kur një procedurë ndërmjetësimi ose arbitrazhi është nisur nga një organizatë që përfaqëson përfituesit e përjashtimeve ose kufizimeve, zgjidhja e ndërmjetësimit ose vendimi i arbitrazhit ose vendimi i gjykatës, përkatësisht, i miratuar në mosmarrëveshje do të zbatohet për të gjithë anëtarët e organizatës.

5. Masat teknologjike të zbatuara vullnetarisht nga pronarët e të drejtave, duke përfshirë ato të zbatuara në zbatimin e marrëveshjeve vullnetare, ose ato të zbatuara si rezultat i procedurës së ndërmjetësimit ose arbitrazhit të përmendur në paragrafin 3. të këtij neni ose një vendim gjykate, gëzojnë gjithashtu mbrojtje ligjore parashikuar në këtë nen.

6. Dispozitat e paragrafëve 3. dhe 4. të këtij neni nuk do të zbatohen për veprat ose objektet me të drejta të përafërta ose të drejta të tjera të parashikuara në këtë ligj të vëna në dispozicion sipas kushteve kontraktuale të rëna dakord në formën e vënies në dispozicion të publikut.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.