Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 107. Publikimi i informacionit për publikun

1. Organizata e menaxhimit kolektiv duhet t’i bëjë publike të paktën këto informacione:

1.1. statutin e saj;

1.2. kushtet e anëtarësimit dhe kushtet e përfundimit të autorizimit për menaxhimin e të drejtave, nëse këto nuk janë të përfshira në statut;

1.3. kontratat standarde të licencimit dhe tarifat standarde të aplikueshme, duke përfshirë zbritjet;

1.4. listën e personave të cilët drejtojnë organizatën;

1.5. politikën e saj të përgjithshme për shpërndarjen e shumave që u detyrohen bartësve të të drejtave;

1.6. politikën e përgjithshme për tarifat e menaxhimit;

1.7. politikën e përgjithshme për zbritjet, përveç tarifave të menaxhimit, nga të ardhurat e të drejtave dhe nga çdo e ardhur që rrjedh nga investimi i të ardhurave të të drejtave, përfshirë zbritjet që bëhen për qëllime të shërbimeve sociale, kulturore dhe arsimore;

1.8. një listë të marrëveshjeve të përfaqësimit që ka lidhur dhe emrat e organizatave të menaxhimit kolektiv me të cilat janë lidhur këto marrëveshje përfaqësimi;

1.9. politikën e përgjithshme për përdorimin e shumave të pashpërndara;

1.10. procedurat e trajtimit të ankesave dhe zgjidhjes së mosmarrëveshjeve në përputhje me nenet 94 dhe 102 dhe këtij ligji.

2. Organizata e menaxhimit kolektiv do të publikojë dhe përditësoj në faqen e saj publike të internetit të dhënat nga paragrafi 1. i këtij neni.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.