Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 129. Masat e përkohshme dhe paraprake

1. Me kërkesë të palës propozuese, Gjykata mund:

1.1. të lëshojë urdhër të përkohshëm kundër shkelësit të supozuar, me qëllim të ndalimit të shkeljes së mundshme të të drejtave të mbrojtura me këtë ligj, ose të ndalojë, në mënyrë të përkohshme, vazhdimin e shkeljes së pretenduar të të drejtave, ose të bëjë këtë subjekt të garancisë financiare me qëllim kompensimin e mbajtësit të të drejtës; një urdhër i përkohshëm mund të lëshohet gjithashtu edhe kundër një ndërmjetësi, shërbimet e të cilit përdoren nga një palë e tretë për të shkelur të drejtat e mbrojtura me këtë ligj;

1.2. të urdhërojë sekuestrimin ose dorëzimin e mallrave të dyshuara për shkelje të një të drejte që mbrohet me këtë Ligj, në mënyrë që të parandalohet hyrja ose qarkullimi i tyre komercial;

1.3. të urdhërojë kur është e nevojshme, në rast të moszbatimit të një mase sigurie të urdhëruar, një pagesë të përsëritur penaliteti ose gjobe, me synimin për të garantuar zbatimin e saj.

2. Në rastin e shkeljes së kryer në nivel komercial, nëse pala e dëmtuar dëshmon se rrethanat rrezikojnë marrjen e dëmshpërblimit, Gjykata mund të vendos bllokimin paraprak të pasurisë të luajtshme dhe të paluajtshme të shkelësit të pretenduar, përfshirë bllokimin e llogarive bankare dhe pasurive të tjera. Për këtë qëllim, gjykata kompetente mund të kërkojnë informacione relevante ose qasje në dokumentet bankare, financiare ose dokumentet komerciale.

3. Në lidhje me masat e përcaktuara në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, është në kompetencë të gjykatës, t’i kërkojë palës propozuese të ofrojë çdo provë të arsyeshme që ka në dispozicion, me qëllim që të provohet në shkallë të mjaftueshme, se pala propozuese është mbajtës i së drejtës dhe se të drejtat e tij janë shkelur, apo një shkelje e tillë është afër për të ndodhur.

4. Masat e përkohshme të përmendura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, në rastet kur është e nevojshme, mund të merren pa dëgjuar palën kundërshtare, veçanërisht kur çdo vonesë do t’i shkaktonte bartësit të së drejtës dëme të pariparueshme. Në këtë rast palët njoftohen në kohë, më së voni pas ekzekutimit të masave. Një rishikim, duke përfshirë të drejtën për t’u dëgjuar, do të bëhet sipas kërkesë të palës kundërshtare apo shkelësit të supozuar, brenda një kohe të arsyeshme pas njoftimit të ekzekutimit të masave, me qëllim që të vendoset nëse ato masa do të modifikohen, revokohen ose konfirmohen.

5. Masat e përkohshme të përmendura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, revokohen ose pushojnë të kenë efekt, me kërkesë të palës kundërshtare, në rast se pala propozuese, brenda një periudhe të arsyeshme, nuk merr veprim për të iniciuar procedurën përpara gjykatës kompetente për të gjykuar çështjen në mënyrë meritore, periudha përcaktohet nga gjykata kompetente që ka dhënë masat, ose në mungesë të këtij përcaktimi të tillë nga data kur masa e përkohshme ka filluar, përkatësisht brenda një periudhe e cila nuk duhet të kalojë njëzet (20) ditë pune ose tridhjetë e një (31) ditë kalendarike, cilado qoftë me e gjatë.

6. Gjykata mund të kushtëzojë masat e përkohshme të përmendura në paragrafët 1. dhe 2. të këtij neni, me garanci financiare ose siguri të përshtatshme ekuivalente, nga pala propozuese, për të garantuar kompensim për çdo cenim që mund të pësojë pala kundërshtare kur masat e përkohshme revokohen ose pushojnë për shkak të veprimit ose mos veprimit të palës propozuese, ose kur në vijim rezulton që nuk ka pas shkelje ose rrezik për shkelje të të drejtave të mbrojtura me këtë Ligj, gjykata kompetente mund të urdhërojë palën propozuese me kërkesë të palës kundërshtare, dhënien e kompensimit të duhur për çdo dëm të shkaktuar nga këto masa.

7. Kundër vendimit të gjykatës që ka vendosur masat e përkohshme ose paraprake, mund të ushtrohet ankesë e veçantë, për ndryshimin ose heqjen e masave. Ankesa nuk e pezullon ekzekutimin e vendimit.

8. Garancia e dhënë në përputhje me paragrafin 6. të këtij neni, i kthehet palës propozuese, në rast se pala tjetër nuk ngrit padi për kompensimin e dëmit të pësuar për shkak të tillë brenda pesëmbëdhjetë (15) ditëve, nga dita kur është bërë i parevokueshëm vendimi i Gjykatës që deklaroi se nuk ka pasur shkelje.

9. Procedura për sigurimin e provave Zbatohet brenda shtatë (7) ditëve nga parashtrimi i kërkesës.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.