Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 12. E drejta e autorit në veprat kolektive

1. Personi fizik me iniciativën dhe nën drejtimin e të cilit është krijuar një vepër kolektive (si enciklopedi, fjalor, koleksione të tjera të ngjashme, gazeta, recensione dhe revista të tjera periodike) dhe në emër të të cilit është botuar, gëzon të drejtën e autorit si pasardhës në titull i kontributeve krijuese të veprës, sikur të ishte autori i veprës. Një person ose subjekt i tillë ka të drejtë të vendos ose tregoj emrin ose emërtimin e tij dhe të kërkojë që emri i tij të tregohet, në lidhje me çdo përdorim publik të veprave kolektive.

2. Në zbatim të këtij neni, “vepër kolektive” nënkupton veprën e krijuar si rezultat i një sërë kontributesh të ndryshme, të cilat bashkohen në tërësinë e veprës në atë mënyrë që identifikimi i tyre është i pamundur ose shumë vështirë i realizueshëm.

3. Përveç nëse është rënë dakord ndryshe në kontratën ndërmjet autorëve dhe personit fizik të përmendur në paragrafin 1. të këtij neni, autorët e atyre veprave të përfshira në një vepër kolektive që mund të identifikohen si autor të krijimeve të tyre, do të ruajnë të drejtat në veprat e tyre të parashikuara në këtë ligj dhe mund t’i shfrytëzojnë ato në mënyrë të pavarur nga vepra kolektive në tërësi.

4. Pavarësisht nga dispozita e paragrafit 3. të këtij neni, kalimi ekskluziv i të drejtave të shfrytëzimit të veprës së caktuar nuk e ndalon autorin ta shfrytëzojë atë vepër në koleksion të veprave të zgjedhura të tij, apo në koleksion të të gjitha veprave të tij.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.