Neni 63. Përdorimi i përmbajtjes së mbrojtur nga ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes së
përmbajtjes në internet
1. Një ofrues i shërbimit të shpërndarjes të përmbajtjes në internet kryen një akt komunikimi publik ose një akt të vënies në dispozicion të publikut, për qëllimet e këtij Ligji, kur i jep publikut qasje në veprat e mbrojtura me të drejtën e autorit ose në lëndë të tjera të mbrojtura të ngarkuara nga përdoruesit e saj. Prandaj, një ofrues i shërbimit të shpërndarjes të përmbajtjes në internet është i obliguar të marrë një autorizim nga mbajtësit e të drejtave duke lidhur një marrëveshje licencimi, me qëllim që t’i komunikojë publikut ose t’i vërë në dispozicion të publikut veprat ose lëndët e tjera të mbrojtura.
2. Kur një ofrues i shërbimit të shpërndarjes së përmbajtjes në internet merr një autorizim, duke lidhur një marrëveshje licencimi, ai autorizim do të mbulojë gjithashtu veprimet e kryera nga përdoruesit e shërbimeve të mbuluara nga e drejta e komunikimit publik dhe e drejta e vënien në dispozicion të publikut të veprave dhe lëndës tjetër të mbrojtur, kur ata nuk veprojnë mbi baza komerciale ose kur veprimtaria e tyre nuk sjell të ardhura të konsiderueshme.
3. Nëse nuk jepet autorizim, ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes të përmbajtjes në internet, do të jenë përgjegjës për veprimet e paautorizuara të komunikimit publik, duke përfshirë vënien në dispozicion të publikut, të veprave të mbrojtura nga e drejta e autorit dhe lëndës tjetër të mbrojtur, përveç nëse ofruesit e shërbimeve demonstrojnë se:
3.1. kanë bërë përpjekjet më të mira për të marrë një autorizim;
3.2. kanë bërë përpjekjet më të mira, në përputhje me standardet e larta të kujdesit profesional të industrisë, për të siguruar mos disponueshmerinë e veprave specifike dhe lëndës tjetër të mbrojtur, për të cilat mbajtësit e të drejtave u kanë ofruar ofruesve të shërbimeve informacionin përkatës dhe të nevojshëm; dhe në çdo rast; dhe
3.3. kanë vepruar me shpejtësi, pas marrjes së një njoftimi të argumentuar mjaftueshëm nga mbajtësit e të drejtave, për të pamundësuar qasjen ose hequr nga faqet e tyre të internetit, veprat ose lëndën tjetër të mbajtur për të cilën kanë marrë njoftimin, dhe kanë bërë përpjekjet më të mira për të parandaluar ngarkimet e tyre të ardhshme në përputhje me nën-paragrafin 3.2.të këtij neni.
4. Në vlerësimin nëse ofruesi i shërbimeve i ka përmbushur detyrimet e tij nga paragrafi 3. i këtij neni, dhe bazuar në parimin e proporcionalitetit, ndër të tjera do të merren parasysh elementet e mëposhtme:
4.1. llojin, audiencën dhe madhësinë e shërbimit dhe llojin e veprave ose lëndës tjetër të mbrojtur, të ngarkuar në internet nga përdoruesit e shërbimit;
4.2. disponueshmërinë e mjeteve të përshtatshme dhe efektive dhe koston e tyre për ofruesit e shërbimeve.
5. Në lidhje me ofruesit e rinj të shërbimit të shpërndarjes së përmbajtjes në internet, shërbimet e të cilëve janë në dispozicion të publikut në Kosovë për më pak se tre (3) vjet dhe që kanë një qarkullim vjetor nën dhjetë (10) milionë euro, kushtet sipas rregullimit të përgjegjësisë të përcaktuara në paragrafin 3. të këtij neni, kufizohen në pajtueshmërinë me nën-paragrafin
1. të paragrafit 3. të këtij neni, dhe në të vepruarit me shpejtësi, pas marrjes së një njoftimi mjaftueshëm të argumentuar, për të pamundësuar qasjen në veprat ose lëndën tjetër të mbrojtur, për të cilat është bërë njoftimi ose për të hequr ato vepra ose lëndën tjetër të mbrojtur nga faqet e tyre të internetit:
5.1. kur numri mesatar i vizitorëve unik mujor të ofruesve të tillë të shërbimeve tejkalon pesë (5) milionë, i llogaritur në bazë të vitit paraprak kalendarik, ata duhet të demonstrojnë gjithashtu se kanë bërë përpjekjet më të mira për të parandaluar ngarkimet e mëtejshme të veprave ose lëndës tjetër të mbrojtur për të cilat është marrë njoftimi, dhe për të cilat bartësit e të drejtave kanë dhënë informacionin përkatës dhe të nevojshëm.
6. Bashkëpunimi ndërmjet ofruesve të shërbimeve të shpërndarjes së përmbajtjes në internet dhe bartësve të të drejtave nuk duhet të rezultojë në parandalimin e ngarkimit nga përdoruesit, përkatësisht parandalimin e disponueshmërisë së veprave ose lëndës tjetër të mbrojtur, të cilat nuk shkelin ose cenojnë të drejtat e autorit dhe të drejtat e përafërta, duke përfshirë këtu kur vepra ose lëndën tjetër të tillë që mbulohet nga një përjashtim ose kufizim.
7. Në rast të kundër njoftimit nga përdoruesit e shërbimit të ofruar nga ofruesit e shërbimit të internetit, zbatohen rregullat e përcaktuara në nenin 60 të këtij ligji përshtatshmërisht.
8. Ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes të përmbajtjes në internet janë të obliguar t’i informojnë përdoruesit e tyre lidhur me kushtet, se si ata mund të përdorin veprat dhe lëndën tjetër të mbrojtur, sipas përjashtimeve ose kufizimeve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta të parapara në këtë Ligj.
9. Zbatimi i këtij neni nuk nënkupton ndonjë detyrim të përgjithshëm monitorimi. Ofruesit e shërbimeve të shpërndarjes të përmbajtjes në internet do t’u ofrojnë bartësve të të drejtave, me kërkesën e tyre, informacionin e duhur mbi funksionimin e praktikave të tyre në lidhje me bashkëpunimin e përmendur në paragrafin 3 të këtij neni, dhe kur janë lidhur marrëveshje licencimi ndërmjet ofruesve të shërbimeve dhe mbajtësve të të drejtave, informacion mbi përdorimin e përmbajtjes së mbuluar nga marrëveshjet e tilla.
10. Kur bartësit e të drejtave kërkojnë të kenë qasje në veprat e tyre specifike ose lëndën tjetër të mbrojtur, të cilat janë bërë të pa qasshme, ose kërkojnë që ato vepra ose lëndë tjetër të hiqen, ata duhet të arsyetojnë në mënyrë të duhur arsyet për kërkesat e tyre. Ofruesit e shërbimeve të shkëmbimit të përmbajtjes në internet do të vënë në dispozicion të përdoruesve të shërbimeve të tyre mundësinë e një kundërnjoftimi për ofruesin e shërbimit të shpërndarjes të përmbajtjes në internet për të kërkuar ripërfshirjen e materialit në sistemin e shërbimit të shkëmbimit të përmbajtjes në internet, ofruesi ose rivendosja e aksesit në të, përkatësisht. Kundër-njoftimet do të përpunohen pa vonesa të panevojshme dhe vendimet për të çaktivizuar aksesin ose për të hequr përmbajtjen e ngarkuar do t’i nënshtrohen shqyrtimit njerëzor. Nëse vendimi përfundimtar nga ofruesit e shërbimeve të ndarjes së përmbajtjes në internet në lidhje me përmbajtjen e bllokuar është që të mos disponohet përmbajtja, përdoruesit mund të nisin një procedurë ndërmjetësimi siç parashikohet në nenin 122, nën-paragrafin 1.5. të këtij ligji.
11. Dispozitat e këtij neni nuk do të prekin në asnjë mënyrë përdorimet legjitime, të tilla si përdorimet sipas përjashtimeve ose kufizimeve të përcaktuara në këtë Ligj, dhe nuk do të dërgojnë në identifikimin e përdoruesve individualë apo në përpunimin e të dhënave personale të tyre. NËNKAPITULLI XI KOHËZGJATJA E MBROJTJES SË TË DREJTAVE TË AUTORIT
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.