Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 132. Shpërblimi për dëmin

1. Gjykata, me kërkesën e të dëmtuarit, urdhëron shkelësin, i cili e ka ditur ose ka pas arsye të bazuara për ta ditur, ka kryer një shkelje, t’i paguajë bartësit të së drejtës dëmshpërblim në përputhje me dëmin që ka pësuar si pasojë e shkeljes.

2. Kur Gjykata përcakton dëmshpërblimin:

2.1. do të marrë parasysh të gjitha aspektet e duhura, të tilla si pasojat negative ekonomike që ka pësuar pala e dëmtuar, duke përfshirë fitimet e humbura, çdo fitim të padrejtë të bërë nga shkelësi dhe në rastet e caktuara edhe elemente të ndryshme nga faktorët ekonomikë, të tillë si dëmin moral të shkaktuar ndaj bartësit të së drejtës nga shkelja; ose

2.2. si një alternativë ndaj nën-paragrafit 2.1. të këtij neni, në raste të përshtatshme, mund të vendosë lidhur me dëmin si një shumë të përgjithshme, në bazë të elementeve të tilla si dyfishi i shumës së honorarëve ose tarifave që do të ishin paguar nëse shkelësi do të kishte kërkuar pëlqimin për të përdorur të drejtën në fjalë. Nëse një shkelje e tillë është kryer për qëllime të përfitimit komercial, mbajtësi i së drejtës mund të kërkojë një tarifë ose shpërblim në trefishin e shumës së tillë.

3. Në rast se shkelësi ka vepruar pa e ditur ose nuk ka pasur arsyeje të bazuara për të ditur se ka kryer veprimtari shkelëse, gjykata mund të urdhërojë kthimin e fitimeve ose pagesën e dëmeve, të cilat mund të përcaktohen.

4. Padia për shkeljen e të drejtave mund të paraqitet në gjykatë në afat prej tre (3) vjetësh nga dita kur paditësi ka marrë dijeni për shkeljen dhe identitetin e shkelësit.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.