Neni 77. Afati i mbrojtjes së të drejtave të përafërta
1. Dispozitat e nenit 64 paragrafi 1. të këtij ligji për kohëzgjatjen e mbrojtjes së të drejtave morale të autorëve, përshtatshmërisht zbatohen edhe për të drejtat morale të interpretuesve.
2. Të drejtat ekonomike të interpretuesit zgjasin pesëdhjetë (50) vjet që nga interpretimi i bërë. Nëse fiksimi i interpretimit nuk është në fonogram, por brenda kësaj periudhe në mënyrë të ligjshme transmetohet ose publikohet, i komunikohet publikut, ose vihet në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese brenda pesëdhjetë (50) viteve nga data e interpretimit, të drejtat e interpretuesit zgjasin pesëdhjetë (50) vjet nga data kur është bërë për herë të parë njëra nga veprimet si publikimi, transmetimi, komunikimi publik ose vënia në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese, varësisht se cili veprim ka ndodhur i pari. Nëse interpretimi i fiksuar në një fonogram është publikuar në mënyrë të ligjshme ose në mënyrë të ligjshme transmetuar, komunikuar publikut apo në mënyrë të ligjshme është vënë në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese, të drejtat zgjasin shtatëdhjetë (70) vjet, nga data kur është bërë për herë të parë njëra nga veprimet si publikimi, transmetimi, komunikimi publik ose vënia në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese, varësisht se cili veprim ka ndodhur i pari. 3.Afati i mbrojtjes së të drejtave të prodhuesve të fonogramit përfundon pesëdhjetë (50) vjet pas fiksimit të fonogramit. Megjithatë, nëse fonogrami është botuar në mënyrë të ligjshme brenda kësaj periudhe, të drejtat e përmendura do të skadojnë shtatëdhjetë (70) vjet nga data e publikimit të parë të ligjshëm. Nëse nuk është bërë publikimi i ligjshëm brenda periudhës së përmendur në fjalinë e parë, dhe nëse fonogrami i është komunikuar publikut në mënyrë të ligjshme brenda kësaj periudhe, të drejtat e përmendura mbarojnë shtatëdhjetë (70) vjet nga data e komunikimit të parë të ligjshëm për publikun. Nëse sipas këtij ligji, afati i mbrojtjes ka skaduar më 22 dhjetor 2002, atëherë të drejtat e prodhuesve të fonogrameve nuk mbrohen.
4. Afati i mbrojtjes së të drejtave të prodhuesve ose producentëve të filmave përfundon pesëdhjetë (50) vjet pas fiksimit. Megjithatë, nëse filmi publikohet ose transmetohet në mënyrë të ligjshme, i komunikohet publikut ose vihet në dispozicion në mënyrë ndërvepruese gjatë kësaj periudhe, të drejtat skadojnë nga data e publikimit ose transmetimit të parë të tillë, komunikimit publik të parë ose vënies në dispozicion në mënyrë ndërvepruese për herë të parë për publikun, varësisht se cili veprim ka ndodhur i pari.
5. Afati i mbrojtjes së të drejtave të organizatave transmetuese skadon pesëdhjetë (50) vjet pas transmetimit të parë.
6. Afati i mbrojtjes së të drejtave të botuesve në publikimet e shtypit nga Neni 76 paragrafi 1 i këtij ligji skadon dy (2) vjet pas publikimit të botimit në shtyp. Ky afat do të llogaritet nga 1 janari i vitit që pason datën në të cilën publikimi i shtypit është publikuar. Ky paragraf nuk zbatohet për botimet e shtypit të botuara për herë të parë përpara datës 6 qershor 2019.
7. Afati i mbrojtjes nga paragrafët 2. deri në 6. të këtij neni, llogaritet nga 1 janari i vitit që pason vitin në të cilin ka ndodhur ngjarja, që shërben si bazë për llogaritjen e saj.
8. Neni 65 paragrafi 7. i këtij ligji për krahasimin e afateve të mbrojtjes zbatohet përshtatshmërisht për kushtet e mbrojtjes së të drejtave të përafërta. KAPITULLI IV MBROJTJA SUI GENERIS E TË DREJTAVE TË PRODHUESVE TË BAZAVE TË TË DHËNAVE
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.