Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 32. E drejta e rishitjes (droit de suite)

1. Pas bartjes së parë të pronësisë së një vepre artistike origjinale nga autori i saj, autori ka të drejtë të patjetërsueshme dhe nga e cila nuk mund te heq dorë, për të marrë një kompensim në bazë të çmimit të shitjes të fituar për çfarëdo akti të rishitjes. Kjo e drejtë do të zbatohet për të gjitha aktet e rishitjes që përfshijnë si shitës, blerës ose ndërmjetës profesionistë të tregut të artit, të tillë si shitje në ankandet e shitjes, në galeritë e artit dhe, në përgjithësi, nga çdo tregtar i veprave të artit. E drejta për të marrë një kompensim të tillë mund të ushtrohet vetëm nëpërmjet një organizate të menaxhimit kolektiv.

2. Kompensimi caktohet sipas njësive pasuese të mëposhtme të çmimit, duke siguruar që shuma e përgjithshme e kompensimit të mos jetë më e madhe se dymbëdhjetë mijë e pesëqind (12.500) euro:

2.1. katër për qind (4%) nga pjesa e çmimit të shitjes mbi dymijë (2.000) euro deri në shumën pesëdhjetë mijë (50.000) euro;

2.2. tre për qind (3%) nga pjesa e çmimit të shitjes ekuivalente me pesëdhjetë mijë euro e një cent (50.000,01) euro deri në dyqind mijë (200.000) euro;

2.3. një për qind (1%) nga pjesa e çmimit të shitjes ekuivalente me dyqind mijë euro e një cent (200.000,01) deri në treqind e pesëdhjetë mijë (350.000) euro;

2.4. zero presje pesë për qind (0,5) nga pjesa e çmimit të shitjes ekuivalente nga treqind e pesëdhjetë mijë euro e një cent (350.000,01) deri në pesëqind mijë (500.000) euro;

2.5. zero presje njëzet e pesë për qind (0,25 %)nga pjesa e çmimit të shitjes mbi shumën ekuivalente prej pesëqind mijë (500.000) euro.

3. Çmimet e shitjes nga paragrafi 2. i këtij neni janë neto, pa taksa. Asnjë kompensim nuk do të paguhet kur çmimi i shitjes është më i ulët se dy mijë (2.000) euro.

4. Kompensimi i paguhet organizatës se menaxhimit kolektiv nga tregtari i veprave artistike. Nëse në transaksionin e kalimit të pronësisë është i përfshirë më shumë se një tregtar i veprave të artit, ata kanë përgjegjësi solidare për pagesën e kompensimit. Në një rast të tillë, përveç rastit kur tregtarët e veprave të artit bien dakord ndryshe, shitësi është i detyruar të paguajë kompensimin. Nëse asnjë nga tregtarët e veprave të artit të përfshirë në transaksion nuk merr pjesë në transferim si shitës, kompensimi do të paguhet nga blerësi, përveç nëse është rënë dakord ndryshe ndërmjet tyre.

5. Tregtari dhe blerësi i veprave artistike është i detyruar të paguajë kompensimin çdo tremujor, deri në ditën e njëzetë të muajit pas tremujorit kalendarik në fjalë. Me rastin e pagesës së kompensimit komunikohet informacioni në vijim: emri i autorit, përveç rastit kur rezulton i pamundur, si dhe titulli, çmimi i shitjes së veprës artistike dhe shuma e kompensimit. Organizata e menaxhimit kolektiv ia transferon kompensimin autorit ose pasardhësit të tij në titull.

6. Për një periudhë prej tre (3) vjetësh pas rishitjes, organizata e menaxhimit kolektiv mund të kërkojë nga tregtari i veprave të artit t’i japë çdo informacion që mund të jetë i nevojshëm për të mbledhur kompensimin.

7. Dispozitat e paragrafëve 1. deri në 6. të këtij neni do të zbatohen për:

7.1. autorin i cili është shtetas ose ka vendbanimin e tij në Republikën e Kosovës ose në ndonjë nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian ose pasardhësin e tij në titull;

7.2. shtetasit e cilitdo prej shteteve jashtë Bashkimit Evropian, me kusht që legjislacioni në shtetin e të cilit autori ose pasardhësi i tij në titull është shtetas, siguron të drejtën e kompensimit edhe për shtetasit e Republikës së Kosovës. NËNKAPITULLI VII E DREJTA E AUTORIT NË KATEGORI TË CAKTUARA VEPRASH

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.