Neni 98. Rregullat lidhur me shpërndarjen e shumave që u takojnë mbajtësve të të drejtave
1. Secila organizatë kolektive është e obliguar që rregullisht, me kujdes dhe saktësi të shpërndajë të gjitha të ardhurat e realizuara nga veprimtaria e saj, bartësve të së drejtës që me të kanë lidhur kontratën nga neni 91 paragrafi 1. të këtij Ligji, si dhe atyre që menaxhojnë të drejtat në Republikën e Kosovës në bazë të kontratës së lidhur ndërmjet asaj organizate kolektive dhe një organizate kolektive të huaj, në përputhje me planin vjetor të miratuar nga Kuvendi i Përgjithshëm i organizatës kolektive.
2. Me statutin e organizatës kolektive përcaktohen parimet dhe rregullat themelore të shpërndarjes së të hyrave, duke siguruar që shpërndarja të jetë proporcionale, e përshtatshme dhe e drejtë dhe në mënyrë efektive të parandalohet çdo arbitraritet.
3. Organizatat e menaxhimit kolektiv ose anëtarët e tyre të cilët janë subjekte që përfaqësojnë mbajtësit e të drejtave, duhet t’ua shpërndajnë dhe t’ua paguajnë ato shuma mbajtësve të së drejtave sa më shpejtë që të jetë e mundur, por jo më vonë se nëntë (9)muaj nga fundi i vitit financiar në të cilin janë mbledhur të ardhurat nga të drejtat, përveç nëse për arsye objektive që kanë të bëjnë veçanërisht me raportimin nga përdoruesit, identifikimin e të drejtave, mbajtësit e të drejtave ose përputhjen e informacionit mbi veprat dhe çështjet e tjera me mbajtësit e të drejtave, pengojnë organizatën e menaxhimit kolektiv ose, sipas rastit, anëtarët e saj që të përmbushin obligimin në atë afat.
4. Kur shumat që u takojnë mbajtësve të së drejtës, nuk mund të shpërndahen brenda afatit të caktuar në paragrafin 3.të këtij neni, për shkak se mbajtësit përkatës të të drejtave nuk mund të identifikohen ose gjenden dhe përjashtimi në atë afat nuk zbatohet, ato shuma mbahen të ndara në llogaritë e organizatës së menaxhimit kolektiv.
5. Organizata e menaxhimit kolektiv do të marrë të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me paragrafët 2. dhe 3. të këtij neni, për të identifikuar dhe gjetur mbajtësit e të drejtave. Në veçanti, jo më vonë se tre (3)muaj pas skadimit të afatit të përcaktuar në paragrafin 3. të këtij neni, organizata e menaxhimit kolektiv për veprat dhe lëndët tjera të mbrojtura, për të cilat një ose më shumë bartës të së drejtave nuk janë identifikuar ose gjetur, do të vërë në dispozicion informacionin për:
5.1. bartësit e të drejtave që ajo përfaqëson ose subjektet që përfaqësojnë bartësit e të drejtave, kur këto subjekte janë anëtarë të organizatës së menaxhimit kolektiv;
5.2. të gjitha organizatat e menaxhimit kolektiv me të cilat ka lidhur marrëveshje përfaqësimi;
5.3. Informacioni i përmendur në nën-paragrafin 5.1. të këtij neni do të përfshijë, kur është e mundur, sa vijon:
5.3.1. titullin e veprës ose lëndë tjetër;
5.3.2. emrin e mbajtësit të së drejtës;
5.3.3. emrin e botuesit ose prodhuesit përkatës;
5.3.4. çdo informacion tjetër përkatës, të disponueshëm që mund të ndihmojë në identifikimin e mbajtësit të së drejtës.
5.4. Organizata e menaxhimit kolektiv do të verifikojë gjithashtu të dhënat nga neni 91 paragrafi 4. i këtij ligji dhe të dhënat e tjera të disponueshme. Nëse masat e sipërpërmendura nuk japin rezultate, organizata e menaxhimit kolektiv do ta vërë në dispozicion të publikut atë informacion jo më vonë se një (1)vit pas skadimit të periudhës tre (3)mujore.
6. Kur shumat që u detyrohen bartësve të së drejtës, nuk mund të shpërndahen pas tre (3) vjetësh nga fundi i vitit financiar në të cilin ka ndodhur mbledhja e të ardhurave të të drejtave, me kusht që organizata e menaxhimit kolektiv të ketë marrë të gjitha masat e nevojshme për të identifikuar dhe gjetur mbajtësit e të drejtave të përmendura në paragrafin 3. të këtij neni, ato shuma do të konsiderohen të pashpërndara.
7. Kuvendi i përgjithshëm i anëtarëve të organizatës së menaxhimit kolektiv vendos për përdorimin e shumave të pashpërndara, në përputhje me nën-paragrafin 4.2. të nenit 93 të këtij ligji, pa cenuar të drejtën e mbajtësve të të drejtave për të kërkuar shumat e tilla nga organizata e menaxhimit kolektiv. NËNKAPITULLI V MENAXHIMI I TË DREJTAVE NË EMËR TË ORGANIZATAVE TË TJERA TË MENAXHIMIT KOLEKTIV
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.