Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 113. Pagesa e saktë dhe në kohë për mbajtësit e të drejtave

1. Pa cenuar paragrafin 3. të këtij neni, Zyra siguron që një organizatë e menaxhimit kolektiv e cila jep licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore, është e obliguar të shpërndajë shumat që u takojnë mbajtësve të të drejtave të grumbulluara nga këto licenca, me saktësi dhe pa vonesë pasi të raportohet përdorimi aktual i veprës, përveç rasteve kur kjo nuk është e mundur për arsye që i atribuohen ofruesit të shërbimit në internet.

2. Pa cenuar paragrafin 3. të këtij neni, organizata e menaxhimit kolektiv, është e obliguar t’u sigurojë mbajtësve të së drejtave së paku informacionin e mëposhtëm, së bashku me çdo pagesë që bën sipas paragrafit 1. të këtij neni:

2.1. periudhën gjatë së cilës janë bërë përdorimet për të cilat shumat u detyrohen mbajtësve të së drejtës dhe territoret në të cilat janë kryer përdorimet;

2.2. shumat e mbledhura, zbritjet e bëra dhe shumat e shpërndara nga organizata e menaxhimit kolektiv për çdo të drejtë në internet në çdo vepër muzikore, të cilën mbajtësit e të drejtave e kanë autorizuar organizatën e menaxhimit kolektiv, tërësisht ose pjesërisht ta përfaqësojë;

2.3. shumat e mbledhura për mbajtësit e të drejtave, zbritjet e bëra dhe shumat e shpërndara nga organizata e menaxhimit kolektiv në lidhje me çdo ofrues të shërbimit në internet.

3. Kur një organizatë e menaxhimit kolektiv mandaton një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv që të japë licenca shumë-territoriale për të drejtat në internet në veprat muzikore sipas neneve 114 dhe 115 të këtij ligji, organizata e mandatuar e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i shpërndajë shumat e përmendura në paragrafin 1., me saktësi dhe pa vonesë, dhe t’i japë informacionin e përmendur në paragrafin 2. të këtij neni organizatës mandatuese të menaxhimit kolektiv. Organizata mandatuese e menaxhimit kolektiv do të jetë përgjegjëse për shpërndarjen e mëvonshme të shumave të tilla dhe dhënien e këtij informacioni për mbajtësit e të drejtave, përveç rasteve kur organizatat e menaxhimit kolektiv bien dakord ndryshe.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.