Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 112. Raportimi dhe faturimi i saktë dhe në kohë

1. Zyra siguron që organizata e menaxhimit kolektiv e cila ofron licenca shumë territoriale, monitoron përdorimin e të drejtave në internet të veprave muzikore të cilat i përfaqëson, tërësisht ose pjesërisht, nga ofruesit e shërbimeve në internet, të cilëve u ka dhënë licencë shumë territoriale për ato të drejta.

2. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’u ofrojë ofruesve të shërbimeve në internet, mundësinë e raportimit me mjete elektronike për shfrytëzimin aktual të të drejtave në internet për veprat muzikore dhe ofruesit e shërbimeve në internet, janë të obliguar të raportojnë me saktësi përdorimin aktual të atyre veprave. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të ofrojë përdorimin e të paktën një metode raportimi, e cila merr parasysh standardet ose praktikat vullnetare të industrisë të zhvilluara në nivel ndërkombëtar ose të Bashkimit Evropian, për shkëmbimin elektronik të këtyre të dhënave. Organizata e menaxhimit kolektiv mund të refuzojë të pranojë raportimin nga ofruesi i shërbimit në internet në një format të tij, nëse organizata lejon për raportim të përdoret një standard i industrisë për shkëmbimin elektronik të të dhënave.

3. Organizata e menaxhimit kolektiv e faturon ofruesin e shërbimeve në internet me mjete elektronike. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të ofrojë përdorimin e të paktën një formati që merr parasysh standardet ose praktikat vullnetare të industrisë të zhvilluara në nivel ndërkombëtar ose të Bashkimit Evropian. Fatura do të identifikojë veprat dhe të drejtat të cilat janë licencuar, tërësisht ose pjesërisht, në bazë të të dhënave të përmendura në listën e kushteve sipas nenit 109 paragrafit 2. të këtij ligji, dhe përdorimet aktuale përkatëse, në masë që kjo është e mundur në bazë të informacionit të dhënë nga ofruesi i shërbimit në internet dhe formati i përdorur për të dhënë atë informacion. Ofruesi i shërbimit në internetit nuk mund të refuzojë të pranojë faturën për shkak të formatit të saj, nëse organizata e menaxhimit kolektiv është duke përdor një standard të industrisë.

4. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’i faturojë me saktësi dhe pa vonesë ofruesit të shërbimit në internet, pas përdorimit aktual të të drejtave në internet në atë vepër muzikore, përveç kur kjo nuk është e mundur për arsye që i atribuohen ofruesit të shërbimit në internet.

5. Organizata e menaxhimit kolektiv duhet të ketë mekanizma adekuat që i mundësojnë ofruesit të shërbimit në internet, të sfidojë saktësinë e faturës, përfshirë kur ofruesi i shërbimit në internet merr fatura nga një ose më shumë organizata të menaxhimit kolektiv për të njëjtat të drejta në internet në të njëjtën vepër muzikore.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.