Neni 52. Përdorimet e lejuara të veprave jetime
1. Organizatat e përmendura në paragrafin 5. të këtij neni mund të përdorin veprat jetime që gjenden në koleksionet e tyre në mënyrat e mëposhtme:
1.1. duke vënë në dispozicion të publikut veprën jetime;
1.2. me akte riprodhimi, për qëllime digjitalizimi, vënie në dispozicion të publikut, indeksimin, katalogimi, ruajtjes ose restaurimit.
2. Organizatat e përmendura në paragrafin 5. të këtij neni, janë të obliguara të përdorin një vepër jetime në pajtim me paragrafin 1. të këtij neni, vetëm me qëllim të përmbushjes së misionit të tyre në interes të publikut, përkatësisht për ruajtjen, restaurimin, si dhe ofrimin e qasjes për qëllime kulturore dhe arsimore të veprave dhe fonogrameve, që gjenden në koleksionin e tyre.
3. Organizatat e përmendura në paragrafin 5. të këtij neni, mund të gjenerojnë të ardhura gjatë përdorimit të veprave jetime, me qëllimin e vetëm për të mbuluar shpenzimet e digjitalizimit të veprave jetime, si dhe të vënies së të tyre në dispozicion të publikut.
4. Organizatat e përmendura në paragrafin 5. të këtij neni, janë të obliguara të vënë emrin e autorëve të identifikuar dhe të mbajtësve të tjerë të drejtave në çdo përdorim të veprës jetime.
5. Organizatat që mund të përdorin veprat jetime janë bibliotekat, institucionet arsimore dhe muzetë që ofrojnë qasje publike, si dhe arkivat, institucionet e trashëgimisë audio apo të filmit dhe organizatat publike transmetuese, të themeluara në Republikën e Kosovës, në mënyrë që të përmbushin qëllimet e tyre lidhur me misionin e interesit publik.
6. Mbrojtja me këtë Ligj nuk cenon lirinë e kontraktimit të organizatave në fjalë, në përmbushjen e misionit të tyre të interesit publik, veçanërisht në marrëveshjet e partneritetit publiko-privat.
7. Në rast se një mbajtës i të drejtës së autorit, më vonë bëhet i njohur ose gjendet, organizatat e përmendura në paragrafin 5. të këtij neni, duhet që menjëherë të ndalojnë përdorimin e veprës dhe janë të detyruar t’i paguajnë mbajtësit të të drejtës së autorit, një kompensim të arsyeshëm për përdorimin e bërë të veprës, sipas paragrafit 11. të këtij neni.
8. Kur ka më shumë se një mbajtës të drejtave në një vepër ose fonogram dhe jo të gjithë janë identifikuar, edhe nëse janë identifikuar, por nuk gjenden edhe pas një kërkimi të plotë dhe të regjistruar sipas nenit 53 të këtij ligji, vepra ose fonogrami mund të përdoren në përputhje me këtë Ligj, në rast se mbajtësit e të drejtave të identifikuar dhe të gjetur kanë autorizuar organizatën e referuar në paragrafin 5. të këtij neni, të kryejë veprimet e riprodhimit dhe vënies në dispozicion të publikut të mbuluar.
9. Paragrafi 8. i këtij neni do të zbatohet përshtatshmerisht për bartësit e së drejtës që nuk janë identifikuar dhe gjetur për veprat nga paragrafi në fjalë.
10. Paragrafi 8. i këtij neni nuk cenon të drejtat në veprën ose fonogramin e bartësve të së drejtave që janë identifikuar dhe gjetur.
11. Kompensimi do të jetë sa gjysma e shpërblimit që zakonisht ose sipas ligjit, paguhet për llojin e përdorimit që është bërë nga përfituesi i veprave të veçanta dhe pagesa e këtij kompensimi do të bëhet brenda dy (2) muajve nga mbarimi i statusit të veprës së tillë të veçantë. Nëse palët nuk arrijnë marrëveshje, kushtet, periudha dhe shkalla e kompensimit përcaktohen me vendim të ministrit të kulturës së Republikës së Kosovës.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.