Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 90. Të drejtat e bartësve të të drejtave

1. Bartësit e të drejtave kanë të drejtë të autorizojnë organizatën e menaxhimit kolektiv, sipas zgjedhjes së tyre për të menaxhuar të drejtat, kategoritë e të drejtave ose llojet e veprave dhe lëndës tjetër të mbrojtur. Me përjashtim të rastit kur organizata e menaxhimit kolektiv ka arsye objektive për të refuzuar menaxhimin, ajo është e detyruar të menaxhojë këto të drejta, kategori të drejtash ose lloje të veprave dhe lënde tjetër të mbrojtur, me kusht që menaxhimi i tyre të jetë në fushën e veprimtarisë së saj.

2. Bartësit e të drejtave kanë të drejtë të japin licenca për përdorime jo komerciale të çfarëdo të drejte, kategorie të të drejtave ose llojeve të veprave dhe lëndëve të tjera që mund të zgjedhin.

3. Bartësit e të drejtave sipas zgjedhjes së tyre kanë të drejtë të ndërpresin autorizimin për të menaxhuar të drejtat, kategoritë e të drejtave ose llojet e veprave dhe lëndëve të tjera të dhëna prej tyre organizatës së menaxhimit kolektiv ose të heqin nga organizata e menaxhimit kolektiv ndonjë nga të drejtat, kategoritë e të drejtave ose llojeve të veprave dhe lëndëve të tjera, me dhënien e njoftimit të arsyeshëm jo më vonë se gjashtë (6) muaj para përfundimit të vitit kalendarik. Organizata e menaxhimit kolektiv mund të vendosë që një përfundim ose tërheqje e tillë të hyjë në fuqi vetëm në fund të vitit financiar.

4. Nëse ka shuma që i takojnë mbajtësit të së drejtës për veprimet e shfrytëzimit që kanë ndodhur para përfundimit të autorizimit ose heqjes së të drejtave nga menaxhimi i organizatës përkatëse, ose sipas licencës së dhënë para se kjo ndërprerje ose tërheqje të hyjë në fuqi, bartësi i të drejtave i mban të drejtat e tij sipas këtij ligji.

5. Organizata e menaxhimit kolektiv nuk do të kufizojë ushtrimin e të drejtave të përcaktuara në paragrafët 3. dhe 4. të këtij neni duke kërkuar, si kusht për ushtrimin e këtyre të drejtave, që menaxhimi i të drejtave ose kategorive të të drejtave ose llojeve të veprave dhe çështjet e tjera që i nënshtrohen përfundimit ose tërheqjes t’i besohen një organizate tjetër të menaxhimit kolektiv.

6. Në rastet kur bartësi i së drejtës autorizon organizatën e menaxhimit kolektiv për të menaxhuar me të drejtat e tij, ai jep pëlqimin në mënyrë të veçantë për secilën të drejtë ose kategori të të drejtave ose lloj të veprave dhe lëndët e tjera për të cilat autorizon organizatën e menaxhimit kolektiv. Çdo pëlqim i tillë duhet të evidentohet në formë të dokumentuar.

7. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar ti informojë mbajtësit e të drejtave për të drejtat e tyre sipas paragrafëve 1. deri në 6. të këtij neni, si dhe për çdo kusht që i bashkëngjitet të drejtës së përcaktuar në paragrafin 2. të këtij neni, para se të marrë pëlqimin e tyre për të menaxhuar ndonjë të drejtë ose kategori të drejtave ose lloji të veprave dhe lëndëve tjera.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.