Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 89. Standardet e funksionimit të organizatave të menaxhimit kolektiv

1. Organizatat e menaxhimit kolektiv duhet t’i kryejnë të gjitha detyrat nga fusha e veprimtarisë së tyre, në atë mënyrë që të sigurojnë arritjen e nivelit maksimal të mundshëm të efektivitetit, praktikës së mirë afariste, efikasitetit ekonomik dhe transparencës.

2. Organizatat e menaxhimit kolektiv veprojnë në interesin më të mirë të bartësve të të drejtave, të drejtat e të cilëve ata i përfaqësojnë dhe që nuk u imponojnë atyre detyrime që nuk janë objektivisht të nevojshme për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të tyre ose për menaxhimin efektiv të të drejtave të tyre. “Pagesa për menaxhim”, nënkupton shumat e ngarkuara, zbritura ose kompensuara nga një organizatë e menaxhimit kolektiv nga të ardhurat e të drejtave ose nga çdo e ardhur, që rrjedh nga investimi i të ardhurave të të drejtave në mënyrë që të mbulojë kostot e menaxhimit të drejtave të autorit ose të drejtave të përafërta.

3. Përjashtimisht, me statutin e organizatës së menaxhimit kolektiv, organizata mund të përcaktoj që një pjesë e caktuar e mjeteve të tilla do të ndahet për qëllime kulturore dhe për përmirësimin e gjendjes pensionale, shëndetësore dhe sociale të anëtarëve të saj. Shuma e fondeve të ndara për qëllime të tilla nuk duhet të kalojë dhjetë për qind (10%) të të ardhurave neto të organizatës së menaxhimit kolektiv.

4. Organizatat e menaxhimit kolektiv duhet t’u përmbahen rregullave, standardeve dhe parimeve ndërkombëtare përgjithësisht të pranuara, të cilat zbatohen në praktikë për menaxhimin e të drejtave kolektive, veçanërisht për ato që kanë të bëjnë me shërbimin e ndihmës profesionale, përcaktimin e shkallës së shpërblimit për shfrytëzimin e veprave, dokumentacionin dhe shkëmbimin ndërkombëtar të tyre, si dhe për llogaritjen dhe shpërndarjen e shpërblimeve për autorët vendas dhe të huaj.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.