Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 88. Licencimi i organizatave të menaxhimit kolektiv

1. Një organizatë mund të funksionojë si një organizatë e menaxhimit kolektiv, nëse:

1.1. ka statusin e një organizate jo-fitim prurëse;

1.2. është e licencuar si një organizatë e menaxhimit kolektiv nga Ministri me propozim të Zyrës.

2. Zyra i propozon ministrit të jep licencimin një organizate për të funksionuar si organizatë e menaxhimit kolektiv nëse i plotëson kriteret e mëposhtme:

2.1. anëtarësia, ose rrethi i pronarëve të të drejtave që përndryshe i kanë besuar menaxhimin e të drejtave, shtrihet në një pjesë të konsiderueshme të pronarëve të të drejtave dhe çdo pronar i të drejtave në të njëjtën kategori mund t’i bashkohet asaj në përputhje me statutin e saj;

2.2. ka bërë marrëveshje reciproke përfaqësimi me organizata që përfaqësojnë pronarë të huaj të të drejtave të së njëjtës kategori, ose të paktën bën të gjitha përpjekjet e nevojshme për të lidhur marrëveshje të tilla;

2.3. ka kapacitetin për të menaxhuar të drejtën ekonomike në fjalë apo të kategorisë përkatëse, duke përfshirë stafin e duhur dhe pajisjet teknike;

2.4. ka në dispozicion mekanizmat e duhur për mbledhjen, shpërndarjen dhe pagesën e shpërblimit;

2.5. garanton trajtim të barabartë si për pronarët e të drejtave ashtu edhe për përdoruesit;

2.6. aktivitetet e saj nuk shtrihen në Ndonjë qëllim komercial ose qëllim tjetër fitimprurës;

2.7. statuti dhe rregulloret tjera të saj janë në përputhje me dispozitat e këtij Ligji dhe ligjet tjera relevante të Republikës së Kosovës.

3. Organizata që paraqet kërkesë për licencim në Zyrë duhet t’i vë në dispozicion të gjitha informatat dhe dokumentet relevante që janë të nevojshme që Zyra të propozoj ministrit të marrë vendim për kërkesën.

4. Akti i licencimit të shoqatës si organizatë për menaxhim kolektiv, së bashku me shënimin e të drejtave dhe kategorive të pronarëve të të drejtave në të cilat shtrihet udhëheqja kolektive, publikohet në faqen e internetit të ministrisë.

5. Kur më shumë se një organizatë paraqesin kërkesa për licencim për të kryer menaxhim kolektiv të kategorisë së njëjtë të të drejtave, të së njëjtës kategori të pronarëve të të drejtave, do të licencohet organizata e cila më së miri i plotëson kushtet e përmendura në paragrafin 2.të këtij neni.

6. Licencimi mund të refuzohet vetëm nëse:

6.1. statuti i organizatës së menaxhimit kolektiv nuk është në përputhje me dispozitat e këtij ligji;

6.2. ka një arsye për të besuar se një person i autorizuar nga ligji ose statuti për të përfaqësuar organizatën e administrimit kolektiv nuk zotëron besueshmërinë e nevojshme për ushtrimin e funksioneve të tij/saj; ose

6.3. nuk ka gjasa, duke pasur parasysh bazën ekonomike të organizatës së menaxhimit kolektiv, që të drejtat që i janë besuar do të menaxhohen në mënyrë efektive.

7. Kur refuzohet licencimi i një organizate, si organizatë e menaxhimit kolektiv, organizata mund të paraqesë padi kundër vendimit në gjykatë.

8. Ministria përkatëse për Kulturë, me akt nënligjor përcakton procedurën dhe kushtet tjera që duhet të plotësohen në pajtim me këtë ligj për licencimin, refuzimin dhe revokimin e licencimit të organizatave të menaxhimit kolektiv. NËNKAPITULLI III PËRFAQËSIMI I BARTËSVE TË TË DREJTAVE, ANËTARËSIMI DHE ORGANIZIMI I ORGANIZATAVE TË MENAXHIMIT KOLEKTIV

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.