Neni 87. Themelimi i organizatave të menaxhimit kolektiv
1. Autorët, interpretuesit, prodhuesit e fonogrameve dhe pronarët e tjerë të të drejtave autorit dhe të drejtave të përafërta mund të themelojnë organizata për menaxhimin kolektiv të të drejtave të tyre ekonomike (në tekstin e mëtejmë: organizatat e menaxhimit kolektiv).
2. Me përjashtim të rasteve kur menaxhimi kolektiv i të drejtave të autorit ose të drejtave të përafërta nuk rrjedh drejtpërdrejtë nga dispozitat e këtij ligji, organizata e menaxhimit kolektiv themelohet vullnetarisht nga pronarët e të drejtave në bazë të bartjes së të drejtave të tyre në organizatë në pajtim me statutet e organizimit për qëllime të menaxhimit kolektiv të tyre. Në rast të çdo dyshimi, supozohet se pronari i të drejtave i transferon të drejtat e tij për një qëllim të tillë, si për veprat e tij ekzistuese ashtu edhe për çdo vepër që ai krijon gjatë vlefshmërisë së marrëveshjes së tij me organizatën e menaxhimit kolektiv.
3. Organizatat e menaxhimit kolektiv kryejnë veprimtarinë e tyre në pajtim me dispozitat e këtij ligji dhe ligjeve tjera relevante të Republikës së Kosovës, në bazë të statutit të tyre dhe brenda kufijve të mandatit që e marrin nga pronarët e të drejtave të e autorit ose të drejtave të përafërta.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.