Neni 86. Menaxhimi kolektiv i detyrueshëm dhe i zgjeruar
1. Në pajtim me dispozitat përkatëse të këtij ligji, të drejtat e mëposhtme mund të ushtrohen vetëm përmes organizatës kolektive të menaxhimit të licencuar për këtë qëllim nga Zyra:
1.1. e drejta për shpërblim të drejtë për kopjimin privat të veprave dhe objekteve të të drejtave të përafërta, siç parashikohet në nenin 47, paragrafin 1. të këtij ligji;
1.2. e drejta për shpërblim të drejtë për riprodhimin reprografik siç parashikohet në nenin 48, paragrafin 2. të këtij ligji;
1.3. e drejta për shpërblim të drejtë të autorëve dhe interpretuesve, e ruajtur pas transferimit të së drejtës së tyre ekskluzive të qiradhënies te prodhuesit e fonogrameve ose veprave audiovizuale, siç përcaktohet në nenin 25 të këtij ligji;
1.4. e drejta për shpërblim për huadhënien siç parashikohet në nenin 31 paragrafin 2. të këtij ligji;
1.5. e drejta e autorit për të marrë një të drejtë të tillë bazuar në çmimin e shitjes që mungon për çdo akt rishitjeje pas transferimit të parë të pronësisë së një vepre arti origjinale nga autori i saj, siç parashikohet në nenin 32, paragrafin 1.të këtij ligji;
1.6. e drejta e interpretuesve dhe prodhuesve të fonogrameve për një shpërblim të vetëm të drejtë, për transmetimin dhe komunikimin publik të fonogrameve të publikuara për qëllime komerciale, siç parashihet në nenin 73 të këtij ligji;
1.7. e drejta e ritransmetimit të veprave dhe objekteve të të drejtave të përafërta siç parashikohet në nenin 23, nën-paragrafin 1.7. të këtij ligji me përjashtim të transmetimit të organizatave transmetuese, pavarësisht nëse të drejtat në fjalë janë të tyre apo u janë caktuar atyre nga mbajtës të tjerë të të drejtave;
1.8. e drejta për e ritransmetim kabllor të veprave dhe objekteve të të drejtave të përafërta siç parashihet në nenin 23 nën-paragrafin 1.8. të këtij ligji përveç transmetimeve vetanake të organizatave transmetuese, pavarësisht nëse ka të bëjë me të drejtat e tyre apo të drejtat e kaluara nga bartësit e tjerë të të drejtave;
1.9. e drejta për të marrë një shpërblim vjetor suplementar ose shtesë, siç parashikohet në nenin 71 paragrafin 4.të këtij ligji.
2. Në rastin e të drejtave në vijim, efekti i licencës për përdorimet e dhëna nga organizata e menaxhimit kolektiv në emër të atyre pronarëve të të drejtave, të cilët janë anëtarë të saj, ose që përndryshe ia kanë besuar menaxhimin e të drejtave të tyre, do të shtrihet edhe për ata pronarë të të drejtave të cilët as nuk janë anëtarë të saj dhe përndryshe as nuk i kanë besuar menaxhimin e të drejtave të tyre, me kusht që pronarët e të drejtave në fjalë të mos i kenë tërhequr të drejtat e tyre nga repertori i organizatës së menaxhimit kolektiv në bazë të paragrafit
3. të këtij neni:
2.1. të drejtën e interpretimit publik, transmetimit, me përjashtim të transmetimit me satelit, kur nuk është i njëkohshëm me një transmetim tokësor nga e njëjta organizatë transmetuese, komunikimin publik, komunikimin publik me altoparlant ose çdo instrument tjetër që transmeton me tinguj të veprave të transmetuara, dhe vënien në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese në lidhje me veprat muzikore jo dramatike dhe fragmentet nga veprat dramatiko-muzikore;
2.2. të drejtën e regjistrimit të veprave muzikore në fonograme, në ato raste kur autorët e kanë autorizuar tashmë një regjistrim të tillë për një prodhues të fonogrameve;
2.3. e drejta për kompensim të drejtë të autorëve dhe interpretuesve e ruajtur pas transferimit të të drejtave të tyre ekskluzive prodhuesve të veprave audiovizuele, siç parashikohet në nenet 14, paragrafët 3. dhe 4. dhe neni 70, paragrafin 4. të këtij ligji;
2.4. të drejtën e interpretuesve për vënien në dispozicion të publikut të interpretimeve të tyre të fiksuara në fonograme;
2.5. të drejtën e riprodhimit, shpërndarjes, komunikimit publik ose vënies në dispozicion të publikut, të veprave jashtë qarkullimit ekonomik ose lëndëve të tjera të mbrojtura që janë përgjithmonë në koleksionin e institucioneve të trashëgimisë kulturore me anë të një licence jo ekskluzive, për qëllime jo komerciale me institucionin e trashëgimisë kulturore;
2.6. të drejtën e vënies në dispozicion të publikut dhe të drejtën e riprodhimit, për qëllime të dixhitalizimit, vënies në dispozicion të publikut, indeksimit, katalogimit, ruajtjes ose restaurimit të veprave jetime, të cilat janë në biblioteka, institucione arsimore dhe muze të qasshme nga publiku, si dhe nga arkivat, institucionet e trashëgimisë filmike apo audio dhe organizatat transmetuese publike, të themeluara në Republikën e Kosovës;
2.7. të drejtën e komunikimit publik dhe të drejtën për t’i vënë në dispozicion publikut veprat dhe lëndët e tjera, të përdorura nga ofruesit e shpërndarjes së përmbajtjes në internet kur ata nuk veprojnë mbi baza komerciale ose kur aktiviteti i tyre nuk gjeneron të ardhura të konsiderueshme (menaxhimi i zgjeruar kolektiv).
3. Në rastin e menaxhimit kolektiv të zgjeruar, të paraparë në paragrafin 2. të këtij neni, të gjithë mbajtësit e të drejtave, në çdo kohë, lehtësisht dhe në mënyrë efektive mund t’i përjashtojnë ose heqin veprat e tyre ose lëndët e tjera nga mekanizmi i licencimit. Ata duhet të njoftojnë me shkrim organizatën e menaxhimit kolektiv jo më vonë se gjashtë (6) muaj përpara përfundimit të çdo viti kalendarik, se heqin të drejtat e tyre nga sistemi i menaxhimit kolektiv. Një tërheqje e tillë do të hyjë në fuqi më 1 janar të vitit pas të cilit është bërë një njoftim i tillë.
4. Organizata e menaxhimit kolektiv, në përputhje me mandatet e saj nga titullarët e të drejtave, mund të jep një licencë kolektive të zgjeruar ose të përgjithshme, pavarësisht nëse të gjithë mbajtësit e të drejtave të përfshira në licencë e kanë mandatuar organizatën e menaxhimit kolektiv, me kusht që:
4.1. organizata e menaxhimit kolektiv, në bazë të mandateve të saj, është përfaqësuese e mjaftë bartësve të të drejtave, në llojin përkatës të veprave ose lëndës tjetër të mbrojtur dhe të të drejtave që janë objekt i licencës;
4.2. të gjithë bartësve të të drejtave u garantohet trajtim i barabartë në lidhje me kushtet e licencës;
4.3. informacioni në lidhje me aftësinë e organizatës së menaxhimit kolektiv për të licencuar veprat ose lëndën tjetër të mbrojtur, për licencimin që kryhet në përputhje me këtë nen dhe për opsionet në dispozicion të mbajtësve të të drejtave të përmendura në paragrafin 3. të këtij neni, i është vënë në dispozicion publikut, përmes një faqe në internet lehtësisht të qasshme për publikun, të paktën gjashtë (6) muaj përpara se veprat ose lënda tjetër e mbrojtur përdoret sipas licencës së përcaktuar në paragrafin 2. të këtij neni.
5. Duhet të zhvillohet dialog i rregullt ndërmjet organizatave përfaqësuese të përdoruesve dhe mbajtësve të të drejtave, duke përfshirë organizatat e menaxhimit kolektiv, dhe çdo organizate tjetër përkatëse të palëve të interesuara, mbi baza specifike sektoriale, për të nxitur rëndësinë dhe përdorimin e mekanizmave të licencimit të përcaktuara në paragrafin 2. të këtij neni dhe për të siguruar që masat mbrojtëse për mbajtësit e të drejtave të përmendura në këtë nen janë efektive dhe të realizueshme. NËNKAPITULLI II AUTORIZIMI PËR TË USHTRUAR MENAXHIMIN KOLEKTIV
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.