Neni 85. Funksionet, të drejtat dhe detyrimet e organizatave të menaxhimit kolektiv
1. Organizatat e menaxhimit kolektiv, në emër të pronarëve të të drejtave dhe në bazë të kompetencave që u janë dhënë, kanë këto funksione:
1.1. të negociojnë me përdoruesit vlerën e shpërblimit dhe kushtet e tjera, për përdorimin e veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta në lidhje me të cilat ato kanë mandat për të menaxhuar të drejtat;
1.2. t’i licencojnë përdoruesit për përdorimin e veprave ose objekteve të drejtave të përafërta, për të cilat u është dhënë mandati për menaxhimin e të drejtave;
1.3. të mbledhin shpërblimet e përcaktuara nga licencat në përputhje me nën-paragrafin
1.2. të këtij neni ose që duhet të paguhen në bazë të një të drejte në një shpërblim të menaxhuar prej tyre;
1.4. të shpërndajnë dhe paguajnë në kohën e duhur shpërblimin e mbledhur prej tyre, në mënyrë të barabartë dhe sa më shumë në proporcion me vlerën dhe përdorimin aktual të veprave dhe objekteve të të drejtave të përafërta në fjalë;
1.5. të përfaqësojnë pronarët e të drejtave, të drejtat e të cilëve ato i menaxhojnë në procedurat gjyqësore ose administrative, dhe të kryejnë çdo akt tjetër ligjor të nevojshëm për mbrojtjen dhe zbatimin e të drejtave të menaxhuara prej tyre;
1.6. të kryejnë çdo veprimtari tjetër në përputhje me autorizimet e marra nga pronarët e të drejtave.
2. Organizatat e menaxhimit kolektiv kanë të drejtë t’u kërkojnë përdoruesve të veprave dhe objekteve të të drejtave të përafërta, që t’u ofrojnë atyre në kushte të arsyeshme, programe dhe dokumente të tjera që përcaktojnë veprat dhe objektet e të drejtave të përafërta, në lidhje me çdo përdorim që u bëhet atyre dhe që mbulohet nga një e drejtë që menaxhohet në mënyrë kolektive, si dhe çdo informacion të nevojshëm për llogaritjen, mbledhjen dhe shpërndarjen e shpërblimit.
3. Organizata e menaxhimit kolektiv ka për obligim, që në interes të bartësve të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta:
3.1. të përdorë shpërblimin e marrë ekskluzivisht për shpërndarjen dhe pagesën për pronarët e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta. Megjithatë, në kuptim që ato do të kenë të drejtë të zbresin nga shuma e shpërblimit të mbledhur, shumën e nevojshme për të mbuluar kostot aktuale të bëra në lidhje me menaxhimin kolektiv të të drejtave dhe çdo shumë të destinuar për një fond të veçantë të krijuar nga organizata, në masën që është autorizuar nga pronarët e të drejtave ose drejtpërdrejtë ose në rastin e pronarëve të huaj të të drejtave, nga organizatat e menaxhimit kolektiv që i përfaqësojnë ata;
3.2. të shpërndajë, pas zbritjes së shumave të përmendura në nën-paragrafin 3.1. të këtij neni, shpërblimin e mbledhur dhe të kryejnë pagesën e rregullt të tij, në përpjesëtim ose proporcion me përdorimin aktual të veprave dhe objekteve të të drejtave të përafërta;
3.3. njëkohësisht me pagesën e shpërblimit, t’u jap llogari pronarëve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta për përdorimin e të drejtave të tyre.
4. Në rastin e menaxhimit kolektiv të zgjeruar, ata pronarë të drejtave të autorit ose të drejtave të përafërta, të cilët as nuk janë anëtarë të organizatës së menaxhimit kolektiv dhe as që ia kanë besuar asaj menaxhimin e të drejtave të tyre, dhe që nuk i kanë hequr të drejtat e tyre nga repertori i organizatës në pajtim me nenin 86 paragrafin 3. të këtij ligji, kanë të drejtë në shpërblim të njëjtë si anëtarët e organizatës dhe si ata që përndryshe ia kanë besuar menaxhimin e të drejtave të tyre asaj.
5. Organizata e menaxhimit kolektiv ka të drejtë të disponojë me shumat e shpërblimit të mbledhur nga shfrytëzuesit, të cilat nuk i janë kërkuar në afat prej tre (3) vjetësh, nga fundi i vitit në të cilin janë mbledhur, qoftë duke i shtuar në shumat që do të shpërndahen ose duke i shpërndarë ato për qëllime të tjera në dobi të pronarëve të së drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.