Neni 91. Rregullat e anëtarësimit në organizatat e menaxhimit kolektiv
1. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të pranojë për anëtarë bartësit e të drejtave dhe subjektet që përfaqësojnë bartësit e të drejtave, duke përfshirë edhe organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv dhe shoqatat e bartësve të të drejtave, nëse i plotësojnë kushtet për anëtarësim, të cilat bazohen në kritere objektive, transparente dhe jo diskriminuese. Këto kërkesa për anëtarësim do të përfshihen në statutin ose kushtet e anëtarësimit të organizatës së menaxhimit kolektiv dhe do të vihen në dispozicion të publikut. Në rastet kur një organizatë e menaxhimit kolektiv refuzon të pranojë një kërkesë për anëtarësim, ajo duhet t’i japë titullarit të së drejtës një shpjegim të qartë të arsyeve të vendimit të saj.
2. Statuti i organizatës për menaxhim kolektiv do të përcaktoj mekanizma të përshtatshëm dhe efektiv për pjesëmarrjen e anëtarëve të saj në procesin e vendimmarrjes të organizatës. Përfaqësimi i kategorive të ndryshme të anëtarëve në procesin e vendimmarrjes duhet të jetë i drejtë dhe i balancuar.
3. Organizata e menaxhimit kolektiv do t’u lejojë anëtarëve të saj të komunikojnë me të me mjete elektronike, përfshirë edhe për qëllime të realizimit të të drejtave të anëtarëve.
4. Organizata e menaxhimit kolektiv mban evidencë për anëtarët e saj dhe rregullisht i përditëson ato evidenca.
5. Të paktën tridhjetë për qind (30%) anëtarë të organizatës së menaxhimit kolektiv të të drejtave mund të kërkojnë që një apo me shumë auditorë të pavarur të bëjnë auditimin e punës së shoqatës.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.