Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 65. Afati i mbrojtjes së të drejtave ekonomike

1. Të drejtat ekskluzive ekonomike dhe të drejtat në shpërblim të parapara me këtë Ligj për veprat (në tekstin e mëtejmë: të drejtat ekonomike), mbrohen gjatë gjithë jetës së autorit dhe për shtatëdhjetë (70) vjet pas vdekjes së tij, duke llogaritur nga 1 janari i vitit pas vdekjes së tij.

2. Të drejtat ekonomike në veprën me bashkautorësi, mbrohen deri në vdekjen e autorit të fundit të përbashkët të mbijetuar dhe pas vdekjes së tij shtatëdhjetë (70) vjet, duke llogaritur nga 1 janari i vitit pas vdekjes së tij.

3. Të drejtat ekonomike në veprën audiovizuale, mbrohen deri në vdekjen e autorit të fundit të përbashkët të mbijetuar dhe pas vdekjes së tij shtatëdhjetë (70) vjet duke llogaritur nga 1 janari i vitit pas vitit të vdekjes së mbijetuarit të fundit prej bashkautorëve të mëposhtëm:

3.1. drejtori kryesor;

3.2. autori i skenarit;

3.3. autori i dialogut;

3.4. kompozitorin e muzikës së krijuar posaçërisht për përdorim në veprën audiovizuale.

4. Të drejtat ekonomike në veprën anonime ose me pseudonim mbrohen për shtatëdhjetë (70) vjet, duke llogaritur nga 1 janari i vitit pas vitit kur vepra ligjërisht është vënë në dispozicion të publikut. Kur një vepër e tillë nuk bëhet ligjërisht e disponueshme për publikun brenda shtatëdhjetë (70) viteve nga krijimi i saj, mbrojtja e të drejtës së autorit për të njëjtën përfundon. Megjithatë, kur një pseudonim i adoptuar nga autori nuk lë asnjë dyshim për identitetin e tij, do të zbatohen dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni. Dispozitat e paragrafit 1. të këtij neni do të zbatohen edhe kur autori i veprës anonime ose me pseudonim zbulon identitetin e tij ose nëse identiteti i tij bëhet i njohur ose i kuptueshëm gjatë asaj periudhe kohore.

5. Për kohëzgjatjen e mbrojtjes së të drejtave ekonomike në veprat kolektive do të zbatohen dispozitat e paragrafit 4.të këtij neni. Megjithatë, kur mund të identifikohen autorët e kontributeve në veprën kolektive, në lidhje me ato kontribute, zbatohen respektivisht dispozitat e paragrafit

1. ose 2. të këtij neni.

6. Kur një vepër botohet në vëllime, pjesë, pjesë të ndara, botime ose episode, afati i mbrojtjes fillon nga koha kur vepra ligjërisht është vënë në dispozicion të publikut, kushtet e mbrojtjes të përcaktuara në paragrafët 1. deri në 5. të këtij neni do të zbatohet për secilin artikull të tillë veç e veç.

7. Nëse afati i mbrojtjes së të drejtave ekonomike të veprës në vendin e origjinës është më i gjatë se afati i mbrojtjes i paraparë me këtë Ligj, zbatohen dispozitat e këtij Ligji; nëse është më i shkurtër, do të zbatohet afati i mbrojtjes i përcaktuar në vendin e origjinës (krahasimi i afateve të mbrojtjes).

8. Të drejtat ekonomike dhe të drejtat tjera që zgjasin pas vdekjes së autorit, barten në përputhje me dispozitat për trashëgiminë.

9. Me kalimin e afatit të mbrojtjes së të drejtave ekonomike, veprat hyjnë në domen publik. Veprat në domenin publik mund të përdoren lirisht, duke iu nënshtruar respektimit të të drejtave morale të autorëve siç përcaktohen në nenin 64 paragrafi 1. të këtij ligji dhe të drejtave të përcaktuara në nenet 66 dhe 67 të këtij ligji.

10. Kur afati i mbrojtjes së një vepre të artit pamor ka skaduar, çdo material që rezulton nga një akt riprodhimi i asaj vepre nuk i nënshtrohet të drejtës së autorit ose të drejtave të përafërta, përveç nëse materiali që rezulton nga ai akt riprodhimi është origjinal në kuptim që është krijim intelektual i vetë autorit.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Neni 65. Afati i mbrojtjes së të drejtave ekonomike, Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta