Neni 3. Përkufizimet
1. Shprehjet e përdorura në këtë Ligj kanë këtë kuptim:
1.1. “Interpretues”- janë aktorët, këngëtarët, muzikantët, vallëzuesit, instrumentistët dhe personat e tjerë, që me anë të aktrimit, këndimit, gjuhës së gjesteve apo të lëvizjeve, recitimit apo ndonjë mënyre tjetër interpretojnë vepra të autorit ose shprehje të folklorit, si dhe regjisori i shfaqjes teatrore, dirigjenti i orkestrës, dirigjenti i korit, mjeshtri i tonit dhe artistët e cirkut e të varietesë;
1.2. “Fonogram” - nënkupton fiksimin e tingujve të një interpretimi ose të tingujve të tjerë, ose të paraqitjes së tingujve, përveç në formën e një fiksimi të përfshirë në një vepër kinematografike ose në një vepër tjetër audiovizuale;
1.3. “Prodhues i fonogramit” - është personi fizik ose personi juridik i cili merr iniciativën dhe ka përgjegjësinë për realizimin e fonogramit;
1.4. “Film” - nënkupton veprën kinematografike, audiovizuale ose imazhet lëvizëse, të shoqëruara me ose pa tinguj apo shprehje zanore;
1.5. “Vepra audiovizuale” - sipas këtij ligji janë veprat kinematografike, televizive dhe të animuara, videot-muzikore të shkurtra me fotografi, veprat reklamuese, dokumentarë dhe vepra të tjera audiovizuale të paraqitura në një sekuencë imazhesh me ose pa tingull shoqërues, që mund të bëhen të dukshme dhe kur shoqërohen me tinguj, dhe të bëhen të dëgjueshme me anë të një pajisjeje të përshtatshme, pavarësisht nga bartësi fizik ku janë fiksuar;
1.6. “Fiksim” - është vendosja e një vepre ose objekti të të drejtave të përafërta në një formë materiale, përfshirë ruajtjen në një memorie elektronike (kompjuterike), në një formë mjaftueshëm të qëndrueshme, nga e cila vepra ose objekti i të drejtave të përafërta, mund të perceptohet, riprodhohet ose komunikohet për publikun;
1.7. “Producent filmi” - nënkupton çdo person fizik ose juridik që inicion dhe mban përgjegjësi për realizimin e fiksimit të parë të një serie të imazheve me ose pa tingull;
1.8. “Program kompjuterik” - është një grup udhëzimesh të shprehura me fjalë, kode, skema ose në çfarëdo forme tjetër, që kur përfshihen në një medium të lexueshëm nga makina, mundëson një “kompjuter” - një pajisje elektronike ose të ngjashme që ka aftësi për përpunimin e informacionit - të kryej ose të arrijë një detyrë ose rezultat të caktuar. Sipas këtij ligji, termi “program kompjuterik” pavarësisht nga forma ose mënyra e shprehjes përfshin si kodin burimor ashtu edhe kodin e objektit, si dhe gjithashtu sistemet operative dhe programet aplikative, si dhe materialin e tyre përgatitor të projektimit;
1.9. “Vepër kolektive” - nënkupton një vepër në koleksionin e veprave ekzistuese të autorit ose materialet të tjera të cilat me përzgjedhjen, rregullimin dhe koordinimin e përmbajtjes se tyre paraqesin krijim intelektual origjinal, si: enciklopedi, fjalor, koleksione të tjera të ngjashme, gazeta, recensione dhe botime të tjera periodike, antologji, përmbledhje citatesh, poezi ose vepra në prozë, përmbledhje shprehjesh folklorike, dokumente dhe vendime gjyqësore;
1.10. “Baza e të dhënave” - do të thotë grumbullimi i veprave të pavarura, të dhënave ose materialeve të tjera të rregulluara në një mënyrë sistematike ose metodike dhe veç e veç të qasshme me mjete elektronike ose mjete të tjera;
1.11. “Nxjerrje” do të thotë transferimi i përhershëm ose i përkohshëm i të gjithë ose një pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes së bazës së të dhënave në një medium tjetër me çfarëdo mjeti ose forme;
1.12. “Ri-përdorim” do të thotë çdo formë e vënies në dispozicion të publikut të gjithë ose një pjesë të konsiderueshme të përmbajtjes së një baze të dhënash me shpërndarjen e kopjeve, me qira, nëpërmjet internetit ose forma të tjera të transmetimit;
1.13. “Prodhues i bazës së të dhënave” - nënkupton personin fizik ose juridik, që mund të gëzojë mbrojtje sui generis të bazave të të dhënave, nëse nga ana e tij ka pasur një investim të konsiderueshëm cilësor dhe/ose sasior në marrjen, verifikimin ose paraqitjen e përmbajtjes së bazës së të dhënave;
1.14. “Riprodhimi” - është bërja e një ose më shumë kopjeve të një vepre apo objekti të të drejtave të përafërta, qoftë drejtpërdrejtë apo tërthorazi, dhe qoftë mënyrë të përkohshme apo të përhershme, në çfarëdo lloj forme, në formë të plotë apo të pjesshme, përfshirë çdo regjistrim audio ose video, dhe ruajtje të përkohshme apo të përhershme të veprës apo objektit të të drejtave të përafërta në një medium elektronik;
1.15. “Shpërndarje” - nënkupton vënien e ligjshme në dispozicion të publikut të origjinaleve ose kopjeve të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta me anë të shitjes ose transferimit tjetër të pronës;
1.16. “Qiradhënie” - nënkupton vënien në dispozicion të publikut të origjinaleve ose kopjeve të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta për një periudhë të kufizuar kohore dhe për përfitime të drejtpërdrejta ose tërthorta ekonomike;
1.17. “Huadhënie publike” - nënkupton vënien në dispozicion të origjinaleve ose kopjeve të veprave apo objekteve të të drejtave të përafërta për një periudhë të kufizuar kohore dhe jo për përfitime të drejtpërdrejta ose tërthorta ekonomike, kur ajo bëhet nëpërmjet ndërmarrjeve që janë të qasshme për publikun; 1.18.“Interpretim Publik” - nënkupton prezantimin e veprave, drejtpërdrejtë ose me mjete teknike, në një vend, ku anëtarët e publikut janë të pranishëm ose që është i qasshëm për publikun; 1.19.“Organizatë Transmetuese”- nënkupton një radio dhe/ose organizatë televizive që transmeton vepra dhe objekte të të drejtave të përafërta;
1.20. “Transmetim” - nënkupton transmetimin me tel ose me mjete pa tel për tu pranuar nga publiku të tingujve ose imazheve dhe tingujve ose i paraqitjeve të tyre; me kuptimin:
1.20.1. se një transmetim i tillë i sinjaleve të koduara është “transmetues” kur mjetet për deshifrimin i jepen publikut nga organizata transmetuese ose nga dikush tjetër me pëlqimin e saj;
1.20.2. “transmetim me satelit” nënkupton aktin e futjes, nën kontrollin dhe përgjegjësinë e organizatës transmetuese, sinjale bartëse programesh të destinuara për tu pranuar nga publiku në një zinxhir të pandërprerë komunikimi që çon në satelit dhe poshtë drejt tokës. 1.21. “Satelit” - do të thotë çfarëdo sateliti që vepron në breza frekuencash, të cilat sipas Ligjit të telekomunikacioneve, janë rezervuar për transmetimin e sinjaleve të kapshme nga publiku ose të cilat janë rezervuar për komunikim të mbyllur, bazë-bazë (nga një pikë në një tjetër). Megjithatë, në rastin e fundit, në rrethanat në të cilat ndodh pranimi individual i sinjaleve, duhet të jetë i krahasueshëm me ato që zbatohen në rastin e parë; 1.22.“Ritransmetim kabllor” - ritransmetimi i njëkohshëm, i pandryshuar dhe i pashkurtuar nga një sistem kabllor ose mikrovalor për pranim nga publiku të një transmetimi fillestar, pavarësisht se si operatori i shërbimit ritransmetues kabllor merr sinjalet që bartin programin nga organizata transmetuese për qëllime ritransmetimi;
1.23. “Ritransmetim” - do të thotë çdo ritransmetim i njëkohshëm, i pandryshuar dhe i pashkurtuar, përveç ritransmetimit kabllor, i destinuar për t’u pranuar nga publiku, i një transmetimi fillestar të programeve televizive ose radiofonike të destinuara për t’u pranuar nga publiku, ku ky transmetim fillestar është me tel ose ajror, duke përfshirë atë satelitor, por jo përmes transmetimit online, me kusht që:
1.23.1. ritransmetimi të kryhet nga një palë e ndryshme nga organizata transmetuese e cila ka bërë transmetimin fillestar ose nën kontrollin dhe përgjegjësinë e së cilës është kryer transmetimi fillestar, pavarësisht se si pala që kryen ritransmetimin i merr sinjalet që bartin programin nga organizata transmetuese për qëllime të ritransmetimit;
1.23.2. kur ritransmetimi bëhet nëpërmjet një shërbimi të qasjes në internet, ai kryhet në një mjedis të menaxhuar.
1.24. “Mjedis i menaxhuar” - një mjedis në të cilin një operator i një shërbimi të ritransmetimit ofron një ritransmetim të sigurt për përdoruesit e autorizuar;
1.25. “Vënia në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese” - nënkupton vënien në dispozicion të publikut të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta, me tel ose pa tel, në atë mënyrë e cila i mundëson individit që atyre t’i qaset nga vendi dhe në kohën që ai e zgjedhë;
1.26. “Komunikimi publik” nënkupton:
1.26.1. në lidhje me të drejtën e autorit, nënkupton çdo transmetim të një vepre për publikun, anëtarët e të cilit ndodhen në një vend ose në vende të ndryshme nga vendi ku ka origjinën transmetimi, me kusht që një akt i tillë të mos jetë një akt transmetimi, ritransmetimi, ritransmetimi kabllor ose vënie në dispozicion të publikut në mënyrë ndërvepruese;
1.26.2. në lidhje me të drejtat e interpretuesve dhe prodhuesve të fonogrameve, përveç akteve të përmendura në nën nën-paragrafin 1.26.1 të këtij neni, nënkupton edhe prezantimin e një fonogrami me mjete teknike në një vend ku anëtarët e publikut janë të pranishëm ose vend që është i qasshëm për publikun.
1.27. “Publik” - do të thotë një grup i përbërë nga një numër i konsiderueshëm personash jashtë rrethit normal të një familjeje dhe nga rrethi i saj më i afërt shoqëror. Nuk është me rëndësi nëse grupi është mbledhur në të vërtetë në një vend; është e parëndësishme nëse anëtarët e publikut që kanë mundësi për të pranuar veprat ose objektet e të drejtave të përafërta mund ti pranojnë ato në të njëjtin vend ose në vende të ndryshme, dhe në të njëjtën kohë ose në kohë të ndryshme;
1.28. “Organizatë e menaxhimit kolektiv” - nënkupton çdo organizatë e cila është e autorizuar me ligj ose me bartje të të drejtave, licencë ose ndonjë marrëveshje tjetër kontraktuale për të menaxhuar të drejtat e autorit ose të drejtat e përafërta që ndërlidhen me të drejtën e autorit, në emër të më shumë se një bartësi të të drejtave, me qëllimin e vetëm ose kryesor për përfitim kolektiv të atyre bartësve të drejtave, dhe që plotëson një ose të dyja kriteret e mëposhtme:
1.28.1. zotërohet ose kontrollohet nga anëtarët e saj;
1.28.2. organizohet mbi baza jofitimprurëse.
1.29. “Shkallë komerciale” - nënkupton veprimet e tilla të një personi, të cilat kryhen për përfitime të drejtpërdrejta ose të tërthorta komerciale, duke përjashtuar aktet e kryera nga konsumatorët fundorë që veprojnë në mirëbesim;
1.30. “Publikim”- nënkupton vënien në dispozicion të publikut të kopjeve të një vepre ose një objekti të të drejtave të përafërta me pëlqimin e autorit ose pronarit të të drejtave të përafërta, përkatësisht, me kusht që disponueshmëria e këtyre kopjeve të ketë qenë e tillë që të përmbushë kërkesën e arsyeshme të publikut, duke pasur parasysh natyrën e veprës ose objektin e të drejtave të përafërta përkatësisht;
1.31. “Zyra” - nënkupton Zyra për të Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta, e themeluar në pajtim me dispozitat e këtij Ligji;
1.32. “Riprodhim reprografik” -nënkupton riprodhim faksimile të një vepre në të njëjtin format, i zmadhuar ose zvogëluar, me mjete të fotokopjimit ose me ndihmën e teknologjive të tjera të ngjashme, përveç atyre të botimit; dhe riprodhimit në një formë elektronike ose në çdo formë tjetër të lexueshme nga makina;
1.33 “Injektim i drejtpërdrejtë” – nënkupton një proces teknik me anë të të cilit një organizatë transmetuese transmeton sinjalet e saj bartëse të programit, tek një organizatë tjetër,, në mënyrë të tillë që sinjalet bartëse të programit të mos jenë të qasshme për publikun gjatë atij transmetimi;
1.34. “Shërbim ndihmës në internet” - nënkupton një shërbim në internet që konsiston në ofrimin për publikun, nga ose nën kontrollin dhe përgjegjësinë e një organizate transmetuese, të radio ose programeve televizive njëkohësisht me ose për një periudhë të caktuar kohore pas transmetimit të tyre nga organizata transmetuese; si dhe çdo material që është ndihmës për një transmetim të tillë;
1.35. “Organizatë hulumtuese” – nënkupton një universitet, përfshirë bibliotekat e tij, një institut hulumtimi ose çdo subjekt tjetër, qëllimi kryesor i të cilit është të kryejë hulumtime shkencore ose të kryejë aktivitete edukative që përfshijnë edhe kryerjen e kërkimit shkencor:
1.35.1. në baza jofitimprurëse ose duke riinvestuar të gjitha fitimet në kërkimin e saj shkencor, ose
1.35.2. në zbatim të një misioni me interes publik të njohur nga shteti.
1.36. “Vepra jetime” – nënkupton një vepër ose një fonogram, në rast se asnjëri nga mbajtësit e të drejtave në atë vepër apo fonogram nuk është i identifikuar, apo edhe nëse një ose më shumë prej tyre janë të identifikuar, por asnjëri prej tyre nuk gjendet pavarësisht se është bërë kërkim i plotë dhe i arsyeshëm për mbajtësit e të drejtave dhe është regjistruar në përputhje me këtë ligj:
1.36.1. veprat e botuara në formën e librave, revistave profesionale, gazetave, revistave ose shkrimeve të tjera;
1.36.2. veprat kinematografike ose audiovizuale dhe fonogramet;
1.36.3. veprat kinematografike ose audiovizuale dhe fonogramet e prodhuara nga organizatat transmetuese publike deri më 31 dhjetor 2002 dhe përfshirë në arkivat e tyre, të cilat mbrohen nga e drejta e autorit ose të drejtat e përafërta dhe që janë botuar për herë të parë në Republikën e Kosovës ose në mungesë të publikimit, janë transmetuar për herë të parë në Republikën e Kosovës;
1.36.4. veprat dhe lëndët e tjera të mbrojtura që janë të përfshira ose të integruara në, ose përbëjnë pjesë bazike të veprave ose fonogrameve të sipërpërmendura. Nëse këto vepra nuk botohen ose transmetohen, ato mund të përdoren nga përfituesit e veprave jetime vetëm nëse: janë bërë qasshme për publikun nga cilido prej përfituesve të veprave jetime (qoftë edhe në formën e një huadhënieje) me pëlqimin e bartësve të së drejtave dhe është e arsyeshme të supozohet se mbajtësit e të drejtave nuk do të kundërshtonin përdorimet e lejuara të përmendura në nenin 51 të këtij ligji. Ky paragraf do të zbatohet për veprat dhe fonogramet që janë depozituar në ato organizata përpara datës 29 Tetor 2014 të përfshira në koleksionet (zotërimet) e bibliotekave, institucioneve arsimore, muzeve, arkivave dhe institucioneve në fushën e trashëgimisë kinematografike dhe audio qasshme nga publiku, nëse zotërimet janë botuar tashmë, titullari i të cilave nuk mund të bëhet i njohur ose gjurmohej pavarësisht nga një kërkim i plotë.
1.37. “Nxjerrja e tekstit dhe e të dhënave”- çdo teknikë analitike e automatizuar që synon analizimin e tekstit dhe të dhënave në formë dixhitale me qëllim të gjenerimit të informacionit që përfshin, por nuk kufizohet në modele, trende dhe korrelacione;
1.38. “Institucion i trashëgimisë kulturore” – nënkupton një bibliotekë ose muze të qasshëm nga publiku, një arkiv ose një institucion i trashëgimisë audio ose filmike;
1.39. “Botim i shtypit”- nënkupton një përmbledhje e përbërë kryesisht nga vepra letrare me karakter publicistik, por që mund të përfshijë edhe vepra të tjera ose lëndë të tjera dhe që:
1.39.1. përbën një artikull individual brenda një botimi periodik ose të përditësuar rregullisht nën një titull të vetëm, si një gazetë ose një revistë me interes të përgjithshëm ose të veçantë;
1.39.2. ka për qëllim t’i sigurojë publikut të gjerë informacion në lidhje me lajme ose tema të tjera;
1.39.3. botohet në cilëndo media nën iniciativën, përgjegjësinë editoriale dhe kontrollin e një ofruesi të shërbimit. Revistat periodike që botohen për qëllime shkencore ose akademike, siç janë revistat shkencore, nuk janë botime shtypi për qëllimet e këtij Ligji.
1.40. “Shërbimi i shoqërisë së informacionit”- nënkupton çdo shërbim të shoqërisë së informacionit, çdo shërbim i ofruar me shpërblim, në një distancë, me mjete elektronike dhe me kërkesë individuale të marrësit të shërbimeve;
1.41. “Ofrues i shërbimit të shpërndarjes së përmbajtjes në internet”- nënkupton një ofrues i një shërbimi të shoqërisë së informacionit, qëllimi kryesor ose një nga qëllimet kryesore të të cilit është ruajtja dhe dhënia e qasjes publikut në një sasi të madhe veprash të mbrojtura nga e drejta e autorit ose lëndë të tjera të mbrojtura të ngarkuara nga përdoruesit e saj, të cilët i organizon dhe i promovon për qëllime fitimi. Ofruesit e shërbimeve, të tilla si enciklopeditë jofitimprurëse në internet, depot arsimore dhe shkencore jofitimprurëse, platformat e zhvillimit dhe shpërndarjes së softuerit me kod të hapur, ofruesit e shërbimeve të komunikimit elektronik, tregjet në internet, shërbimet në re/cloud nga biznesi në biznes dhe shërbimet në re/cloud që u mundësojnë përdoruesve të ngarkojnë përmbajtje për përdorimin e tyre personal, nuk janë “ofrues shërbimesh për shpërndarjen e përmbajtjes në internet” sipas kuptimit të këtij Ligji;
1.42. “Vepër origjinale e artit” - nënkupton çdo vepër të artit të bukur, të tilla si fotografi, kolazhe, pikturë, vizatime, gravura, printime, litografi dhe skulptura, vepra të tilla të arteve të aplikuara si arti i tekstilit, qeramika dhe qelqe dhe vepra fotografike, me kusht që të jenë të bëra nga vetë autori ose janë kopje që konsiderohen si vepra arti origjinale. Kopjet e veprave të artit do të konsiderohen si vepra origjinale nëse janë bërë në numër të kufizuar nga vetë autori ose nën autoritetin e tij. Kopjet e veprave të artit të cilat janë të numëruara, të nënshkruara ose ndryshe të autorizuara siç duhet nga autori, do të konsiderohen si kopje të tilla;
1.43. “Entitet i pavarur menaxhues” - nënkupton çdo organizatë e cila është e autorizuar me ligj ose me përcaktim, licencë ose me ndonjë marrëveshje tjetër kontraktuale për të menaxhuar të drejtat e autorit ose të drejtat e përafërta në emër të më shumë se një titullari, për përfitimin kolektiv të atyre bartësve të të drejtave, si qëllimi i tij i vetëm ose kryesor, dhe që është:
1.43.1. as në pronësi dhe as e kontrolluar, drejtpërdrejtë ose jo- drejtpërdrejtë, tërësisht ose pjesërisht, nga bartësit e të drejtave;
1.43.2. organizuar mbi baza fitimprurëse.
1.44. “Bartës i së drejtës” - nënkupton çdo person ose subjekt që zotëron të drejtën e autorit ose të drejtën e përafërt, ose sipas një marrëveshjeje për shfrytëzimin e të drejtave ose sipas ligjit ka të drejtën për një pjesë të të ardhurave nga të drejtat;
1.45. “Anëtar” - nënkupton një bartës të së drejtës ose një subjekt që përfaqëson mbajtësit e të drejtave, duke përfshirë organizatat e tjera të menaxhimit kolektiv dhe shoqatat e bartësve të të drejtave, që përmbushin kushtet e anëtarësimit të organizatës së menaxhimit kolektiv dhe të pranuar prej saj; 1.46.“Statut”- nënkupton memorandumin dhe dispozitat e asociimit, statutin, rregullat ose dokumentet e themelimit të një organizate të menaxhimit kolektiv;
1.47. “Asambleja e përgjithshme e anëtarëve” - nënkupton organin në organizatën e menaxhimit kolektiv, në të cilin anëtarët marrin pjesë dhe ushtrojnë të drejtën e votës, pavarësisht nga forma ligjore e organizatës;
1.48. “Të ardhurat nga të drejtat” - nënkuptojnë të ardhurat e mbledhura nga një organizatë e menaxhimit kolektiv në emër të bartësve të të drejtave, qoftë ato që rrjedhin nga një e drejtë ekskluzive, e drejta për shpërblim ose nga e drejta për kompensim;
1.49. “Tarifa e menaxhimit” - nënkupton shumat e ngarkuara, të zbritura ose të kompensuara nga një organizatë e menaxhimit kolektiv nga të ardhurat e të drejtave ose nga të hyrat që vijnë nga investimi i të ardhurave nga të drejtat, për të mbuluar kostot e menaxhimit të të drejtave të autorit ose të të drejtave të përafërta;
1.50. “Marrëveshje përfaqësimi” nënkupton çdo marrëveshje ndërmjet organizatave të menaxhimit kolektiv, sipas së cilës një organizatë e menaxhimit kolektiv mandaton një organizatë tjetër të menaxhimit kolektiv për të menaxhuar të drejtat që ajo përfaqëson, duke përfshirë një marrëveshje të lidhur sipas neneve 114 dhe115 të këtij ligji;
1.51. “Përdorues” nënkupton çdo person ose subjekt që kryen veprime që i nënshtrohen autorizimit të bartësve të të drejtave, shpërblimit të bartësve të së drejtës ose pagesës së kompensimit për bartësit e të drejtave dhe nuk vepron në cilësinë e konsumatorit;
1.52. “Repertor” nënkupton veprat në lidhje me të cilat një organizatë e menaxhimit kolektiv menaxhon të drejtat;
1.53. Licencimi – për qëllime të këtij ligji nënkupton:
1.53.1. të drejtën që organizata e menaxhimit kolektiv i jep përdoruesit për shfrytëzimin e të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta;
1.53.2. dhënien e lejes organizatave për menaxhim kolektiv nga ministri përkatës për kulturë, për menaxhimin kolektiv të të drejtave të autorit dhe të drejtave të përafërta.
1.54. Licencimi i të drejtave – për qëllime të këtij ligji nënkupton lejen për përdorim ose lejimin për të kryer një veprim me objektin/lëndën e mbrojtur që përndryshe do të ishte i ndaluar;
1.55. “Licencë shumë-territoriale” - nënkupton një licencë që mbulon territorin e më shumë se një shteti;
1.56. “Sasi të mjaftueshme” - nënkupton një sasi të tillë që plotëson kërkesat e arsyeshme të publikut për kopjet e regjistrimit zanor;
1.57. “Personat me dëmtim të shikimit ose aftësi të kufizuara në lexim” nënkupton personat të cilët nuk janë në gjendje, si rezultat i një dëmtimi fizik ose mendor ose të një paaftësie perceptuese, të lexojnë vepra letrare, qoftë edhe me ndihmën e një mjeti pamor, në të njëjtën masë sa personat pa një dëmtim ose paaftësi të tillë;
1.58. Personi përfitues nënkupton, pavarësisht nga çdo paaftësi tjetër, një person që:
1.58.1. është i verbër;
1.58.2. ka një dëmtim të shikimit që nuk mund të përmirësohet në mënyrë që t’i japë personit funksionin vizual në thelb të barabartë me atë të një personi që nuk ka një dëmtim të tillë dhe i cili, si rezultat, nuk është në gjendje të lexojë vepra të shtypura në të njëjtën shkallë si një person pa një dëmtim të tillë;
1.58.3. ka një paaftësi perceptuese ose lexuese dhe, si rezultat, nuk është në gjendje të lexojë vepra të shtypura në thelb të njëjtë si një person pa një paaftësi të tillë; ose
1.58.4. përndryshe nuk është në gjendje, për shkak të një paaftësie fizike, të mbajë ose të manipulojë një libër ose të përqendrojë ose lëvizë sytë në masën që normalisht do të ishte e pranueshme për lexim.
1.59. “Kopje e formatit të qasshëm” - nënkupton një kopje e një vepre ose një lënde tjetër të mbrojtur, që në një mënyrë ose formë alternative i jep një personi përfitues qasje në veprën ose lëndën tjetër, duke përfshirë lejimin e një personi të tillë që të ketë qasje në mënyrë të mundshme dhe të rehatshme si një person me shikim të dëmtuar ose me paaftësi për lexim;
1.60. “Subjekt i autorizuar” - nënkupton një subjekt që është i autorizuar ose i njohur nga Republika e Kosovës për të ofruar arsim, trajnim mësimor, lexim të adaptuar ose qasje në informacion për personat me shikim të dëmtuar të ose aftësi të kufizuara në lexim në baza jofitimprurëse. Gjithashtu përfshinë një institucion publik ose organizatë jofitimprurëse që ofron të njëjtat shërbime për personat përfitues si një nga aktivitetet e tij kryesore, detyrimet institucionale ose si pjesë e misioneve të tij me interes publik;
1.61. “Masat teknologjike” - do të thotë çdo teknologji, pajisje ose element që është projektuar për të parandaluar ose kufizuar veprimet në rrjedhën normale të funksionimit të saj, në lidhje me veprat ose objektet e të drejtave të përafërta, të cilat nuk janë të autorizuara nga pronari i të drejtave;
1.62. “Informacion për menaxhimin e të drejtave” nënkupton çdo informacion të dhënë nga autori ose pronari tjetër i së drejtës, që identifikon veprën ose objektet e të drejtave të përafërta, autorin ose pronarin tjetër të së drejtës, ose informacionin mbi kushtet e përdorimit të veprës ose objektit të mbrojtur, si dhe numrat dhe kodet që përfaqësojnë një informacion të tillë.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.