Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 104. Informacioni që u jepet bartësve të të drejtave për menaxhimin e të drejtave të tyre

1. Një organizatë e menaxhimit kolektiv, është e obliguar që jo më pak se një (1) herë në vit, për çdo bartës të së drejtave, të cilit i ka atribuuar të ardhura nga të drejtat ose ka bërë pagesa në periudhën me të cilën lidhet informacioni, të vë në dispozicion të paktën informacionin e mëposhtëm:

1.1. çdo detaj kontakti që bartësi i së drejtës ka autorizuar organizatën e menaxhimit kolektiv të përdorë për të identifikuar dhe gjetur mbajtësin e së drejtës;

1.2. të ardhurat nga të drejtat që i atribuohen bartësit të së drejtës;

1.3. shumat e paguara nga organizata e menaxhimit kolektiv për bartësin e së drejtës për kategorinë e të drejtave të menaxhuara dhe për llojin e përdorimit;

1.4. periudhën gjatë së cilës ka ndodhur përdorimi për të cilën shumat i janë atribuuar dhe paguar bartësit të së drejtës, përveç rastit kur ka arsye objektive në lidhje me raportimin nga përdoruesit, që e pengojnë organizatën e menaxhimit kolektiv të japë këtë informacion;

1.5. zbritjet e bëra në lidhje me tarifat e menaxhimit;

1.6. zbritjet e bëra për çfarëdo qëllimi tjetër përveç tarifave të menaxhimit, duke përfshirë ato që mund të kërkohen nga ky ligj për ofrimin e çdo shërbimi social, kulturor ose arsimor;

1.7. çdo të ardhur nga të drejtat që i atribuohet mbajtësit të së drejtës, e cila është e papaguar për një periudhë.

2. Kur një organizatë e menaxhimit kolektiv ia atribuon të ardhurat nga të drejtat dhe ka si anëtarë subjektet që janë përgjegjëse për shpërndarjen e të ardhurave nga të drejtat mbajtësve të të drejtave, organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar t’u sigurojë informacionin e paraparë në paragrafin 1.të këtij neni atyre subjekteve, nëse ata nuk e kanë atë informacion në posedim të tyre. Këto subjekte duhet informacionin e renditur në paragrafin 1. të këtij neni, të vënë në dispozicion të paktën jo më pak se një herë në vit, secilit mbajtës të së drejtës të cilit i kanë atribuuar të ardhurat nga të drejtat ose kanë bërë pagesa në periudhën me të cilën lidhet informacioni.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.