Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 102. Përcaktimi i tarifave, shumat e shpërblimit dhe kushtet përkatëse të lejimit të përdorimit

të të drejtave

1. Mbajtësit e të drejtave marrin shpërblimin e duhur për shfrytëzimin e të drejtave të tyre siç është përcaktuar në nenin 41 të këtij ligji. Tarifat për të drejtat ekskluzive dhe të drejtat në shpërblim do të jenë të arsyeshme në lidhje, ndër të tjera, me vlerën ekonomike të përdorimit të të drejtave në tregti ose biznes, duke marrë parasysh natyrën dhe shtrirjen e përdorimit të veprave dhe lëndëve të tjera të mbrojtura, si dhe në lidhje me vlerën ekonomike të shërbimit të ofruar nga organizata e menaxhimit kolektiv. Organizata e menaxhimit kolektiv është e obliguar të informojë përdoruesin në fjalë për kriteret e përdorura për vendosjen e këtyre tarifave.

2. Me rastin e përcaktimit të tarifave, veçanërisht duhet të merren parasysh këto kritere:

2.1. të ardhurat që mund të përfitohen si rezultat i përdorimit të një vepre ose objekti të të drejtave të përafërta;

2.2. kapacitetin e vendit ku përdoren veprat ose objektet e të drejtave të përafërta;

2.3. madhësinë e publikut të cilit i vihen në dispozicion veprat ose objektet e të drejtave të përafërta;

2.4. vendndodhjen gjeografike të përdorimit të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta që mund të kenë ndikim në intensitetin e përdorimeve dhe/ose burimet financiare të përdoruesve;

2.5. kur të ardhurat nuk pasqyrojnë natyrën e përdorimit të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta, atëherë merren parasysh kostot që dalin nga përdorimi i tyre ose ndikimi në shfrytëzimin normal të tyre nga pronarët e të drejtave;

2.6. rëndësinë e përdorimit të veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta për aktivitetet përkatëse të përdoruesve;

2.7. proporcionin ndërmjet veprave të mbrojtura dhe jo të mbrojtura ose objekteve të të drejtave të përafërta të përdorura;

2.8. krahasimin e tarifave të propozuara, me tarifat e organizatave të ngjashme kolektive të vendeve të tjera, në veçanti me ato që janë pak a shumë të ngjashme me Republikën e Kosovës nga pikëpamja e gjendjes së tyre ekonomike dhe standardit të jetesës.

3. Brenda afatit prej gjashtë (6) muaj, ndërsa në rastin e tarifave për ritransmetim dhe për ritransmetim kabllor, nëntë (9) muaj para fillimit të çdo viti kalendarik, organizata e menaxhimit kolektiv, i dorëzon Zyrës draft tarifat e shpërblimit, që duhet t’i paguajnë përdoruesit e veprave ose lëndëve të tjera të mbrojtura, në lidhje me të cilat organizata kryen menaxhimin kolektiv të të drejtave ose nga ata që janë të detyruar të paguajnë shpërblim për të drejtat e menaxhuara nga organizata kolektive.

4. Tarifat e aplikuara për përdorimin e veprave ose objekteve të të drejtave të përafërta nga organizatat transmetuese dhe ofruesit e përmbajtjes në internet, duhet të diferencohen në përputhje me natyrën e të ardhurave të këtyre organizatave dhe ofruesve të përmbajtjes, në kuptimin që ato duhet të jenë më të ulëta në rastin kur të ardhurat për mbulimin e kostove operacionale janë nga subvencionet, e më të larta në rastet kur të ardhurat janë nga shërbimet e abonimit dhe veçanërisht më të larta në rastin e të ardhurave të marra nga reklamuesit dhe sponsorët komercial. Kur nuk mund të identifikohet asnjë burim i të ardhurave të ofruesve të shërbimeve të internetit, tarifa duhet të përcaktohet si një shumë e përgjithshme, duke marrë parasysh madhësinë e publikut të cilit i janë vënë në dispozicion veprat ose objektet e të drejtave të përafërta dhe ndikimin e një përdorimi të tillë mbi shfrytëzimin normal të veprave ose të objekteve të të drejtave të përafërta nga pronarët e të drejtave.

5. Tarifat e aplikuara për ritransmetim dhe ritransmetim kabllor duhet të pasqyrojnë edhe numrin e amvisërive ose subjekteve të kyçura në sistemet kabllore, si dhe numrin dhe natyrën e programeve të ritransmetuara.

6. Brenda periudhës së përmendur në paragrafin 1. të këtij neni organizata e menaxhimit kolektiv ose duhet të publikojë draft tarifat në faqen e saj të internetit ose do të kërkojë që Zyra, të publikojë ato në faqen e saj të internetit. Kur draft tarifat publikohen në faqen e internetit të organizatës së menaxhimit kolektiv, Zyra do të publikojë në faqen e saj të internetit një njoftim për disponueshmërinë elektronike të tyre.

7. Nëse në afat prej tridhjetë (30) ditësh nga publikimi i tarifave, asnjë organizatë përfaqësuese ose përfaqësues tjetër i përbashkët i autorizuar i përdoruesve të interesuar ose persona të tjerë fizikë ose juridikë të detyruar të paguajnë shpërblimin (në tekstin e mëtejmë: përfaqësuesit e përdoruesve) nuk e njofton organizatën e menaxhimit kolektiv dhe Zyrën se nuk i pranon tarifat, do të konsiderohet se tarifat janë miratuar për vitin kalendarik në vijim.

8. Kur përfaqësuesi i përdoruesve, në afatin e përmendur në paragrafin 7. të këtij neni, e informon organizatën e menaxhimit kolektiv dhe Zyrën se ajo ose ai nuk i pranon tarifat, miratimi i tarifave pezullohet për maksimum gjashtëdhjetë (60) ditë, dhe në rastin e tarifave për ritransmetimin kabllor për maksimum njëqind e njëzet (120) ditë, të llogaritura nga përfundimi i afatit të përmendur në paragrafin 6. të këtij neni. Gjatë gjashtëdhjetë (60) ose njëqind e njëzet (120) ditëve, përkatësisht, organizata e menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesi i përdoruesve duhet të zhvillojnë negociata me mirëbesim me qëllim për të arritur marrëveshje për tarifat, gjatë kësaj periudhe kohore palët mund të kërkojnë shërbimin e ndërmjetësimit, siç përcaktohet në nenin 122 të këtij ligji. Ndërmjetësimi mund të iniciohet vetëm brenda afatit të përmendur në këtë paragraf. Në rast të marrëveshjes së arritur ndërmjet organizatës së menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesit të përdoruesve brenda afatit gjashtëdhjetë (60) ose njëqind e njëzet (120) ditësh, ata informojnë për këtë Zyrën dhe do të konsiderohet se tarifat janë miratuar për vitin vijues kalendarik.

9. Kur organizata e menaxhimit kolektiv dhe përfaqësuesi i shfrytëzuesve nuk janë në gjendje të arrijnë marrëveshje brenda afatit të përmendur në paragrafin 8. të këtij neni, dhe nuk është realizuar ndërmjetësimi ose, edhe pse ndërmjetësimi është realizuar, asnjë propozim për zgjidhje nuk është paraqitur nga ndërmjetësuesit ose propozimi është kundërshtuar nga palët, përfaqësuesi i përdoruesve mund të iniciojnë brenda dhjetë (10) ditëve një procedurë arbitrazhi siç përcaktohet në nenin 123 të këtij ligji ose të ngrejë padi në gjykatën kompetente. Shprehja e kundërshtimit mund të konsiderohet e vlefshme vetëm nëse pala e interesuar në të njëjtën kohë fillon një procedurë arbitrazhi ose ngrit një padi para gjykatës kompetente. Nëse afati dhjetë (10) ditor skadon pa fillimin e procedurës së arbitrazhit ose ngritjes së padisë, tarifat do të konsiderohen të miratuara për vitin pasardhës.

10. Kur tarifat janë miratuar ose në bazë të paragrafëve të mësipërm ose si rezultat i procedurës së arbitrazhit ose procedurës së mundshme gjyqësore, tarifat duhet të publikohen në faqen e internetit të Zyrës për të Drejtat e Autorit dhe në faqen e internetit të organizatës së menaxhimit kolektiv.

11. Kur tarifat nuk janë miratuar para fillimit të vitit kalendarik vijues, përderisa nuk janë miratuar, do të zbatohen tarifat e miratuara më parë. Kur nuk ka tarifa të miratuara më parë, përdoruesit ose personat e tjerë fizikë dhe juridikë, të cilët janë të detyruar të paguajnë shpërblim, për sa kohë që tarifat e reja nuk janë miratuar, janë të obliguar të paguajnë organizatave të menaxhimit kolektivit gjashtëdhjetë për qind (60%) të shumës së draft tarifave.

12. Kur me vendimin përfundimtar të arbitrazhit ose me vendim gjyqësor shuma e tarifave përcaktohet në një nivel më të ulët se gjashtëdhjetë për qind (60%) e shumës së draft tarifave, organizata e menaxhimit kolektiv, është e obliguar ti kthej diferencën atyre nga të cilit i ka mbledhur shpërblimet sipas paragrafit 11. të këtij neni.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.