Neni 40. Zbatimi i kontratave të së drejtës së autorit
1. Përfituesi ose i licencuari është i detyruar të deklarojë pranimin e veprës që i është dorëzuar me kontratën, në lidhje me veprën që do të krijohet në të ardhmen në afatin e paraparë në kontratë dhe në mungesë të këtij afati kohor, brenda dy (2) muajve nga data e dorëzimit të veprës tek ai. Kur asnjë deklaratë nuk është bërë nga përfituesi ose i licencuari brenda një afati të tillë kohor, vepra do të konsiderohet e pranuar.
2. Përfituesi ose i licencuari mund t’ia kthejë veprën autorit për korrigjime që do të bëhen në të, në bazë të arsyeve të justifikuara dhe duke caktuar një afat të arsyeshëm për përfundimin e tyre. Nëse autori refuzon të bëjë korrigjimet pa arsye të justifikueshme, ose nuk arrin të bëjë korrigjimet brenda afatit të caktuar, përfituesi ose i licencuari mund të zgjidhë kontratën pa paguar shpërblimin.
3. Nëse autori e autorizon shfrytëzimin e veprës së tij, është i detyruar t’i kryejë mbi të ndryshimet që nuk ndikojnë në thelbin e saj, por janë të domosdoshme për shfrytëzimin e veprës të paraparë me kontratë. Nëse ai refuzon ose nuk është në gjendje të përmbushë këtë detyrim, përfituesi ose i licencuari mund të kryejë ndryshimet pa pëlqimin e tij.
4. Autori mund të zgjidhë në mënyrë të njëanshme kontratën për të drejtën e autorit nëse:
4.1. i licencuari nuk arrin të fillojë përdorimin e veprës brenda periudhës së përcaktuar në kontratë ose – në mungesë të një periudhe të caktuar – brenda periudhës që pritet në mënyrë të arsyeshme për situatën e dhënë; ose
4.2. i licencuari e përdor veprën në një mënyrë dukshëm të papërshtatshme nga pikëpamja e natyrës dhe nivelit të përdorimit të veprës së parashikuar në kontratë.
5. Autori nuk mund të heqë dorë paraprakisht nga e drejta zgjidhjes së kontratës në paragrafin
4. të këtij neni. Heqje dorë e nga e drejta e tillë mund të përjashtohet me kontratë vetëm për një periudhë pesëvjeçare pas lidhjes së kontratës ose dorëzimit të veprës, nëse kjo ndodh në një datë të mëvonshme se ajo e lidhjes së kontratës.
6. Nëse plotësohen kushtet në paragrafin 4. të këtij neni, në vend të zgjidhjes së kontratës, autori mund të ndërpresë ekskluzivitetin e licencës me një ulje proporcionale të njëkohshme të vlerës që duhet t’i paguhet për përdorimin.
7. Për zbatimin e kontratës të së drejtës së autorit zbatohen dispozitat përkatëse për marrëdhënien e detyrimeve, nëse me këtë ligj nuk parashihet ndryshe.
- Numri
- 08/L-205
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 12 tetor 2023, 22/2023
- Hyrja në fuqi
- 27 tetor 2023
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.