Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 41. Shpërblimi i autorit

1. Pagesa që i bëhet autorit nga pala tjetër kontraktuese sipas marrëveshjeve juridike që kanë të bëjnë me bartjen e të gjithë ose një pjese të së drejtave ekonomike, dhënien në shfrytëzim ose licencën e shfrytëzimit, përcaktohet me marrëveshje të lirë ndërmjet palëve. Përllogaritja e përqindjes bazohet në të hyrat bruto pa përjashtim ose në shpenzimet bruto, ose në të ardhurat dhe shpenzimet bruto të kombinuara të realizuara nga veprimtaria e palës tjetër kontraktuese gjatë shfrytëzimit të veprës.

2. Përjashtimisht, në rrethanat e mëposhtme, pagesa e autorit mund akordohet si një shumë e përgjithshme:

2.1. kur është praktikisht e pamundur të vendoset baza për llogaritjen e një pagese në një vlerë të shprehur në përqindje ose kur nuk ka mundësi ose mjete për të monitoruar zbatimin e një marrëveshjeje me përqindjeje;

2.2. kur shpenzimet që kërkohen për llogaritjen dhe monitorimin ka të ngjarë të jetë jashtë proporcionit të arsyeshëm me pagesën që do të realizohet;

2.3. kur natyra ose kushtet e shfrytëzimit e bëjnë të pamundur zbatimin e një përqindjeje, veçanërisht kur kontributi i autorit nuk është një element thelbësor në krijimin intelektual në tërësi, ose kur përdorimi i veprës është dytësor në lidhje me objektin i shfrytëzimit.

3. Rregullimi i përqindjes obligative të pagesës nga paragrafi 1. i këtij neni më lartë, zbatohet në të gjitha rrethanat, me kusht që me këtë ligj të mos përcaktohet ndryshe dhe nëse nuk ka të bëjë me veprat e krijuara nga punëtorët në përmbushjen e një kontrate pune, dhe në lidhje me programe kompjuterike ose reklama.

4. Nëse shpërblimi i autorit nuk është i caktuar me kontratë, ai caktohet sipas pagesave të zakonshme për llojin e veprës, sipas kohëzgjatjes dhe vëllimit të përdorimit si dhe rrethanave të tjera.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Neni 41. Shpërblimi i autorit, Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta