Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 5. Veprat e Mbrojtura

1. “Vepër” nënkupton çdo krijim në fushën e letërsisë, artit ose shkencës që është origjinal, në kuptimin që është krijim intelektual i vetë autorit. Asnjë kriter tjetër nuk do të aplikohet që një krijim i tillë të cilësohet si vepër.

2. Mbrojtja e të drejtës së autorit shtrihet në çdo vepër, pavarësisht nga mënyra ose forma e shprehjes së saj, objektivi, rëndësia ose vlera estetike, në të tilla si:

2.1. vepra letrare (të shprehura me shkrim ose me gojë);

2.2. veprat e shkruara siç janë tekstet në libra, broshura dhe tekste të tjera në lëmin shkencore, profesionale si dhe programet kompjuterike;

2.3. veprat dramatike dhe dramatiko-muzikore;

2.4. vepra muzikore, me ose pa fjalë;

2.5. vepra koreografike dhe pantomimat;

2.6. veprat kinematografike dhe veprat e tjera audiovizuale (në tekstin e mëtejmë së bashku: “vepra audiovizuale”);

2.7. veprat e artit si: piktura, vizatime, skulptura, instalacione, arti publik e të tjera si dhe veprat e arteve të aplikuara;

2.8. veprat e arkitekturës;

2.9. veprat fotografike, duke përfshirë veprat e shprehura nga çdo proces i ngjashëm me fotografinë;

2.10. harta, plane, skica dhe punime tredimensionale që kanë të bëjnë me gjeografinë, topografinë, arkitekturën dhe shkenca të tjera.

3. Çdo pjesë ose element tjetër i veprës (përfshirë titullin ose personazhin e shprehur në të) që në vetvete paraqet krijim intelektual do të mbrohet si i tillë me të drejtën e autorit. Përdorimi i titullit të veprës nuk lejohet nëse ai titull është përdorur më parë për të njëjtin lloj vepre, nëse ky titull krijon konfuzion në lidhje me autorësinë e veprës.

4. Pa cenuar mbrojtjen e të drejtës së autorit në veprat origjinale, me të drejtën e autorit si vepra mbrohen edhe ato vepra dhe koleksione të prejardhura që bazohen në një ose më shumë vepra para ekzistuese dhe/ose ndonjë material tjetër; veçanërisht:

4.1. përkthimet, përshtatjet, shënimet, aranzhimet muzikore dhe transformime të tjera të ngjashme të veprave ose shprehjeve të folklorit, me kusht që ato të jenë rezultat i krijimit intelektual (vepra të prejardhura);

4.2. koleksionet e veprave, të tilla si enciklopeditë dhe antologjitë, si dhe përmbledhjet e materialeve ose të dhënave të tjera, pavarësisht nëse janë të mbrojtura apo jo, duke përfshirë bazat e të dhënave, me kusht që ato, për shkak të përzgjedhjes ose aranzhimit të përmbajtjes së tyre, janë rezultat i krijimit intelektual.

5. Mbrojtja e të drejtës së autorit të bazave të të dhënave nuk zbatohet për përmbajtjen e bazave të të dhënave dhe nuk cenon të drejtat që ekzistojnë në vetë ato përmbajtje.

6. Mbrojtja e të drejtës së autorit të bazave të të dhënave nuk do të zbatohet për programet kompjuterike të përdorura në krijimin ose funksionimin e bazave të të dhënave të qasshme me mjete elektronike.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.