Dosja
Ligji për të drejtën e autorit dhe të drejtat e përafërta, 08/L-205

Neni 27. Ushtrimi i të drejtës së ritransmetimit kabllor

1. E drejta e ritransmetimit e parashikuar në nenin 23, nën-paragrafin 1.7. të këtij ligji dhe e drejta e ritransmetimit kabllor e parashikuar në nenin 23, nën-paragrafi 1.8. të këtij ligji mund të ushtrohet vetëm përmes një organizate të menaxhimit kolektiv. Masa e shpërblimit për autorizimin e dhënë nga organizata e menaxhimit kolektiv do të përcaktohet në bazë të çdo pagese që anëtarët e publikut duhet t’u paguajnë operatorëve të rrjetit kabllor për shërbimet e tyre përkatëse dhe operatorëve të shërbimeve ritransmetuese.

2. Për përcaktimin e lartësisë së shpërblimit dhe kushteve të tjera, si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të mundshme ndërmjet palëve të interesuara, zbatohen nenet 122 dhe 123 të këtij ligji.

3. Shpërblimi i përmendur në paragrafin 1. të këtij neni:

3.1. do të mblidhet nga një organizatë e menaxhimit kolektiv së cilës i është besuar ky funksion me një marrëveshje të përbashkët të përfaqësuesve të pronarëve të të drejtave, dhe në mungesë të marrëveshjes, organizata e menaxhimit kolektiv do të përcaktohet nga Zyra;

3.2. pas zbritjes së kostos aktuale të menaxhimit, përveç rasteve kur parashikohet ndryshe në një marrëveshje ndërmjet përfaqësuesve të pronarëve të të drejtave, tre (3) muaj para përfundimit të çdo viti kalendarik, do të shpërndahet në mënyrën e mëposhtme:

3.2.1. në rastin e programeve televizive të ritransmetuara me kabllo, gjashtë dhjetë për qind (60 %) autorëve ose mbajtësve të tjerë të së drejtës së autorit në veprat audiovizuale, tridhjetë për qind (30%) interpretuesve të veprave audiovizuale, pesë për qind (5%) për interpretuesit interpretimet e të cilëve janë të fiksuara në fonograme dhe pesë (5%) prodhuesve të fonogrameve;

3.2.2. në rastin e radio programeve të ritransmetuara me kabllo, tridhjetë për qind (30%) e autorëve ose mbajtësve të tjerë të së drejtës së autorit në veprat muzikore, dhjetë për qind (10%) autorëve ose mbajtësve të tjerë të së drejtës së autorit në veprat letrare, tridhjetë për qind (30%) interpretuesve dhe tridhjetë për qind (30%) prodhuesve të fonogrameve.

4. Organizata e menaxhimit kolektiv e përmendur në paragrafin 3., nën-paragrafin 3.1., të këtij neni pas zbritjes së shpenzimeve përkatëse, do t’i transferojë pjesët e shpërblimit tek pronarët e të drejtave të përmendur në paragrafin 3. nën-paragrafin 3.2. të këtij neni, ndërsa pjesën tjetër që ju takon pronarëve të të drejtave që nuk përfaqësohen prej saj, tek organizata e menaxhimit kolektiv ose tek subjektet e tjera përfaqësuese të pronarëve të të drejtave në fjalë.

Numri
08/L-205
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
12 tetor 2023, 22/2023
Hyrja në fuqi
27 tetor 2023
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.