LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.
Neni 801Të drejtat e komitentit në kërkesat nga puna me të tretin
1. Komitenti mund të kërkojë përmbushjen e kërkesës nga puna të cilën e ka lidhur komisionari me të tretin dhe për llogari të tij vetëm nëse ai (komisionari) ia ka bartë (ceduar) atij kërkesat.
2. Në pikëpamje të marrëdhënieve të komitentit me komisionarin dhe me kreditorët e tij konsiderohen këto kërkesa si kërkesa të komitentit.
Neni 802Kufizimi i të drejtës së kreditorëve të komisionarit
Kreditorët e komisionarit nuk mund për arkëtimin e kërkesave të veta, as në rastin e falimentimit të tij të ndërmarrin masa përmbarimi në të drejtat dhe sendet të cilat komisionari, duke kryer urdhrin i ka fituar në emër të vet dhe për llogari të komitentit, përveç nëse është fjala për kërkesat e krijuara në lidhje me fitimin e këtyre të drejtave dhe të sendeve.
Neni 803Falimentimi i komisionarit
1. Në rastin e falimentimit të komisionarit, komitenti mund të kërkojë veçimin nga masa e falimentimit të sendeve që ia ka dorëzuar komisionarit për shitje për llogari të tij, si dhe të sendeve që i ka blerë komisionari për llogari të tij.
2. Në të njëjtin rast komitenti mund të kërkojë nga i treti, të cilit komisionari ia ka dorëzuar sendet që t’ia paguajë çmimin e tyre, përkatësisht pjesën e papaguar ende. PJESA XVII KONTRATA PËR PËRFAQËSIMIN TREGTAR KREU 1 DISPOZITA TE PERGJITHSHME
Neni 804Nocioni
1. Me kontratën mbi përfaqësimin tregtar, përfaqësuesi obligohet të kujdeset vazhdimisht që persona të tretë të lidhin kontrata me urdhërdhënësin e tij dhe që për këtë të ndërmjetësojë midis tyre dhe urdhërdhënësit, si dhe që pas marrjes së autorizimit të lidhë kontrata me persona të tretë në emër dhe për llogari të urdhërdhënësit, ndërsa ky obligohet që për çdo kontratë të lidhur t'i paguajë shpërblim të caktuar (provizion).
2. Përfaqësuesi, sipas paragrafit të parë të këtij neni, mund të jetë entitet ligjor apo person fizik i cili në mënyrë të pavarur dhe me qëllim të realizimit të fitimit kryen aktivitete të përfaqësimit si një aktivitet i regjistruar.
3. Përfaqësuesi tregtarë mundet po ashtu të lidhë kontratë mbi agjencinë tregtare si një urdhërdhënës.
4. Urdhërdhënësi mund të këtë në të njëjtën zonë dhe për të njëjtin lloj pune disa agjenta, përveç nëse parashihet ndryshe me kontratë.
5. Përfaqësuesi pa pëlqimin e urdhërdhënësit nuk mundet të marrë përsipër obligimin që në të njëjtën zonë dhe për të njëjtin lloj pune ose për të njëjtin rreth klientësh të punojë për një urdhërdhënës tjetër.
Neni 805Forma
1. Secila palë mund të kërkojë që të hartohet një dokument mbi përmbajtjen e kontratës, duke përfshirë të gjitha ndryshimet më të fundit, dhe që të nënshkruhet nga pala tjetër. Palët nuk mund të heqin dorë nga kjo e drejtë.
2. Përkundër paragrafit të parë të këtij neni, palët mund të merren vesh që forma e shkruar të jetë kusht për vlefshmërinë e kontratës dhe ndryshimeve në të.
Neni 806Lidhja e kontratës në emër të urdhërdhënësit
Përfaqësuesi mund të lidhë kontrata në emër dhe për llogari të urdhërdhënësit të vet, në qoftë se për këtë ka marrë autorizim të veçantë, apo të përgjithshëm.
Neni 807Pranimi i përmbushjes
Përfaqësuesi nuk mund të kërkojë dhe as të pranojë përmbushjen e kërkesave të urdhërdhënësit të vet, në qoftë se për këtë nuk është i autorizuar posaçërisht.
Neni 808Deklaratat e dhëna përfaqësuesit tregtar për urdhërdhënësin
Kur kontrata është lidhur me ndërmjetësimin e përfaqësuesit tregtar atëherë bashkëkontraktuesi i urdhërdhënësit mundet t'i bëjë në mënyrë të plotfuqishme përfaqësuesit tregtar deklarata qe i përkasin të metave të objekteve të kontratës, si dhe deklaratat të tjera lidhur me këtë kontratë, me qëllim të ruajtjes ose të ushtrimit të të drejtave nga kontrata.
Neni 809Deklaratat në emër të urdhërdhënësit
Përfaqësuesit tregtar është i autorizuar që me qëllim të mbrojtjes së të drejtave të urdhërdhënësit të vet t'i bëjë deklaratë të nevojshme bashkëkontraktuesit të tij.
Neni 810Masat e sigurimit
Me qëllim të mbrojtjes së interesave të urdhërdhënësit, përfaqësuesit tregtar mund të kërkojë marrjen e masave të nevojshme të sigurimit. KREU 2 DETYRIMET E PERFAQESUESIT TREGTAR
Neni 811Kujdesi për interesat e urdhërdhënësit
1. Përfaqësuesit tregtar ka për detyrë të kujdeset për interesat e urdhërdhënësit dhe në të gjitha punët që ndërmerr ka për detyrë të veprojë me kujdesin e ekonomistit të mirë.
2. Në këtë rast ka për detyrë të respektojë udhëzimet që ia ka dhënë urdhërdhënësi.
3. Ai ka për detyrë t'i jep urdhërdhënësit të gjithë njoftimet e nevojshme mbi situatën e tregut, sidomos ato që kanë rëndësi për çdo punë të veçantë.
Neni 812Informatat dhe raportimi
1. Përfaqësuesit tregtar duhet ti ofrojë urdhërdhënësit të gjitha informatat e nevojshme mbi situatën e tregut, veçanërisht për informata për secilën punë juridike të kryer.
2. Përfaqësuesit tregtar është i detyruar që ti raportojë mbi punën e tij rregullisht urdhërdhënësit, veçanërisht mbi personat e tretë që kanë dëshirë të negociojnë me urdhërdhënësin apo që të lidhin kontratë me të si dhe për kontratat e lidhura në emër të urdhërdhënësit.
3. Çdo marrëveshje që është në kundërshtim me paragrafin e parë dhe të dytë të këtij neni është e pavlefshme.
Neni 813Pjesëmarrja në kontraktimin e punëve
Përfaqësuesit tregtar ka për detyrë të marrë pjesë sipas udhëzimeve të urdhërdhënësit në kontraktimin e punëve deri në përfundimin e tyre të plotë.
Neni 814Ruajtja e sekreteve të punës
1. Përfaqësuesit tregtar ka për detyrë t'i ruajë sekretet e punës të urdhërdhënësit të tij për të cilat ka mësuar lidhur me punën që i është besuar.
2. Ai përgjigjet po që se i shfrytëzon ose ia zbulon tjetrit edhe pas pushimit të kontratës mbi agjencinë tregtare.
Neni 815Kthimi i sendeve të dhëna në përdorim
Pas pushimit të kontratës mbi përfaqësimin tregtare, përfaqësuesit tregtar ka për detyrë t'i kthejë urdhërdhënësit të gjitha sendet që ia ka dorëzuar ky për përdorim gjatë afatit të kontratës.
Neni 816Rasti i veçantë i përgjegjësisë
1. Përfaqësuesi tregtar i përgjigjët urdhërdhënësit për përmbushjen e detyrimeve nga kontrata për kontraktimin e së cilës përfaqësuesit tregtar ka ndërmjetësuar, ose të cilën në bazë të autorizimit ai e ka kontraktuar në emër të urdhërdhënësit, vetëm në qoftë se për këtë ka garantuar posaçërisht me shkrim.
2. Sigurimi i përmbushjes në kuptim të paragrafit të parë të këtij neni do të jetë i mundshëm vetëm për punët e veçanta juridike ose punët juridike me person të veçantë.
3. Përfaqësuesit tregtar i cili i ka ofruar sigurim urdhërdhënësit për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontrata e ndërmjetësuar nga përfaqësuesit tregtar, ka të drejtë edhe në shpërblim të posaçëm (provizion del credere). KREU 3 DETYRIMET E URDHERDHENESIT
Neni 817Rregulla e përgjithshme
1. Urdhërdhënësi, në marrëdhënien me përfaqësuesit tregtar, duhet të veprojë me sinqeritet dhe me mirëbesim. Urdhërdhënësi duhet të njoftojë përfaqësuesin tregtar nëse urdhërdhënësi nuk do të kryej ndonjë punë juridike me palën e tretë apo nëse pala e tretë nuk ka kryer ndonjë punë juridike.
2. Urdhërdhënësi duhet ti ofrojë përfaqësuesit tregtar në me shërbimet e tij të gjithë dokumentacionin e nevojshëm, shembujt, planet, listat e çmimeve, materialet reklamuese, rregullat dhe kushtet e përgjithshme të biznesit, etj. Shpenzimet e përkthimit dhe shtypjes së materialit reklamues në gjuhën zyrtare në Kosovë mbulohen nga përfaqësuesit tregtar.
3. Urdhërdhënësi duhet ti ofrojë përfaqësuesit tregtar të gjitha informacionet e nevojshme për ekzekutimin e kontratës mbi agjencinë tregtare.
Neni 818Detyra e njoftimit
1. Urdhërdhënësi mundet sipas dëshirës së vet të pranojë ose të refuzojë lidhjen e kontratës së përgatitur nga ana e përfaqësuesit tregtar , por ka për detyrë të njoftojë pa vonesë përfaqësuesit tregtar mbi vendimin e vet. Urdhërdhënësi duhet të njoftojë përfaqësuesin për në lidhje me kryerjen apo moskryerjen e punëve të kontraktuara me personat e tretë.
2. Urdhërdhënësi ka për detyrë të njoftojë përfaqësuesit tregtar pa vonesë mbi nevojën që volumi i punëve të kontraktuara me ndërmjetësimin e tij të reduktohet në një masë më të vogël nga sa përfaqësuesit tregtar ka mundur të presë në mënyrë të arsyeshme kështu që ky të zvogëlojë në kohën e duhur sipërmarrjen e vet në një masë përkatëse, përndryshe urdhërdhënësi do të përgjigjet për dëmin e pësuar.
Neni 819Natyra e detyrueshme e dispozitave
Çdo marrëveshje mes palëve që është në kundërshtim me nenet e mësipërme është e pavlefshme.
Neni 820Shpërblimi (provizioni)
1. Urdhërdhënësi ka për detyrë t'i paguajë përfaqësuesit tregtar shpërblimin për kontratat e lidhura me ndërmjetësimin e tij, si dhe për kontratat të cilat vetë agjenti i ka lidhur, në qoftë se për këtë ka qenë i autorizuar.
2. Përfaqësuesit tregtar ka të drejtë në shpërblimin edhe për kontratat të cilat urdhërdhënësi i ka lidhur drejtpërdrejtë me klientët që i ka gjetur përfaqësuesit tregtar.
3. Përfaqësuesit tregtar i cili sipas kontratës punon vetëm në një fushë të caktuar apo vetëm me palë të caktuara, ka të drejtë në shpërblimin për këto lloj kontratash të lidhura për urdhërdhënësin me palë nga kjo fushë apo me palët e veçanta edhe nëse janë bërë pa ndërmjetësimin e përfaqësuesit tregtar.
4. Përfaqësuesit tregtar i ka të drejtë vetëm në provizion për kontratën e lidhur pas përfundimit të marrëdhënies ndërmjet përfaqësuesit tregtar dhe urdhërdhënësit, nëse kontrata e tillë është si rezultat i përpjekjeve të përfaqësuesit tregtar gjatë marrëdhënies me urdhërdhënësin dhe është lidhur pas një kohë të arsyeshme nga përfundimi i kësaj marrëdhënie ose nëse oferta e personit të tretë për lidhjen e kontratës ka ardhur tek përfaqësuesit tregtar apo urdhërdhënësi para përfundimit të marrëdhënies së tyre dhe ka të bëjë me ndonjërën prej kontratave sipas paragrafit të parë dhe të dytë të këtij neni.
5. Paragrafi 2. dhe 3. i këtij neni nuk do të zbatohen nëse e drejta në provizion është shfrytëzuar nga përfaqësuesit tregtar i mëparshëm sipas paragrafit 4. të këtij neni, përveç nëse sipas rrethanave do të ishte e drejtë që provizioni të ndahej ndërmjet përfaqësuesve tregtar.
Neni 821Shuma e shpërblimit
1. Në qoftë se shuma e shpërblimit nuk është caktuar me kontratë, ose me tarifë, përfaqësuesit tregtar ka të drejtë në shpërblimin e zakonshëm në fushën në të cilën përfaqësuesit tregtar ka kryer aktivitetin për urdhërdhënësin, duke marrë parasysh natyrën punëve të agjencisë. Përfaqësuesit tregtar i cili ka ofruar shërbime për urdhërdhënësin në disa fusha ka të drejtë në provizionin e zakonshëm për këtë fushë në vendin ku ndodhet zyra kryesore.
2. Nëse nuk është e mundur të përcaktohet provizioni sipas nenit paraprak, përfaqësuesit tregtar ka të drejtë provizioni në një shumë që i merr parasysh të gjitha rrethanat e punës së kryer, veçanërisht numrin dhe vlerën e punëve juridike të kryera ndërmjet urdhërdhënësit dhe personit të tretë si dhe natyrën dhe vështirësinë e përpjekjeve të përfaqësuesit tregtar.
3. Në qoftë se në rastin konkret shpërblimi është përpjesëtimisht i madh në krahasim me shërbimin e bërë, gjykata mundet me kërkesën e urdhërdhënësit të zvogëlojë atë në një shumë të drejtë.
Neni 822Fitimi i të drejtës së pagesës
1. Përfaqësuesit tregtar fiton të drejtën në provizion nëse, dhe deri atëherë kur, urdhërdhënësi përmbushë apo do duhej të kishte përmbushur kontratën me personin e tretë ose nëse personi i tillë përmbushë pjesën e detyrimit të tij që rrjedh nga kontrata me urdhërdhënësin.
2. Përfaqësuesit tregtar nuk ka të drejtë në provizion në rastet kur është e qartë që kontrata nuk do të përmbushet dhe se arsyeja për mos përmbushjen e saj nuk është në anën e urdhërdhënësit. Nëse në rastin e tillë provizioni është paguar, atëherë përfaqësuesit tregtar duhet ta kthej atë.
3. Përfaqësuesit tregtar e fiton të drejtën në provizion më së voni në momentin kur personi i tretë përmbushë apo do duhej të kishte përmbushur detyrimet sipas kontratës, nëse urdhërdhënësi ka përmbushur pjesën e urdhërdhënësit.
4. Nëse kontrata ndërmjet urdhërdhënësit dhe personit të tretë është duke u ekzekutuar për një kohë të gjatë, atëherë përfaqësuesit tregtare ka të drejtë në një pjesë pagese paraprake të provizionit.
5. Nuk është e mundur që me anë të kontratës të drejtat e përcaktuara në këtë nen të ndryshohen në dëm të përfaqësuesit tregtar.
Neni 823Pagimi i provizionit
1. Urdhërdhënësi çdo tre muaj duhet të përgatis një faturë të provizionit që i takon përfaqësuesit tregtar për secilin muaj ndaras, dhe ta dërgojë. Fatura duhet të përmbajë të gjitha pjesët përbërëse në bazë të të cilave është përgatitur.
2. Urdhërdhënësi është i detyruar të paguaj provizionin për të gjithë periudhën në fund të muajit pas muajit të fundit të periudhës së faturuar. Me anë të kontratës mund të përcaktohet periudha e faturimit më e shkurtër se tre muaj.
3. Me kërkesën e përfaqësuesit tregtar, urdhërdhënësi detyrohet që nga librat e llogarisë ti dorëzojë agjentit ekstraktet mbi të gjitha punët për të cilat përfaqësuesit tregtar ka të drejtë provizioni si dhe të njoftojë përfaqësuesit tregtar në lidhje me të gjitha rrethanat që kanë ndikuar në provizion.
4. Nëse urdhërdhënësi refuzon kërkesën e përfaqësuesit tregtar ose nëse përfaqësuesit tregtar ka dyshime mbi saktësinë e ekstrakteve, atëherë përfaqësuesit tregtar mund të kërkojë që një auditor i certifikuar të inspektojë librat e llogarive dhe dokumentet në lidhje me shifrat e rëndësishme për provizion dhe të raportojë mbi to.
5. Të drejtat e përfaqësuesit tregtar të përcaktuara me këtë nen nuk mund të kufizohen apo hiqen me kontratë.
Neni 824Shpërblim i veçantë
Përfaqësuesit tregtar i cili me autorizimin e urdhërdhënësit ka bërë arkëtimin e ndonjë kërkese të tij, ka të drejtë në provizion të veçantë nga shuma e arkëtuar.
Neni 825Shpenzimet
1. Përfaqësuesit tregtar nuk ka të drejtë në kompensimin e shpenzimeve që rezultojnë nga ushtrimi i zakonshëm të punëve të ndërmjetësimit, përveç nëse është kontraktuar ndryshe.
2. Mirëpo, ky ka të drejtë në kompensimin e shpenzimeve të veçanta që ka bërë në dobi të urdhërdhënësit, ose me urdhër të tij. KREU 4 E DREJTA E PENGUT
Neni 826E drejta e pengut e përfaqësuesit tregtar
Për sigurimin e arkëtimit të kërkesave të veta të rrjedha për pagesë të krijuara lidhur me kontratën, përfaqësuesit tregtar ka të drejtë pengu në shumat që ka arkëtuar për urdhërdhënësin, sipas autorizimit të tij, si dhe në të gjitha sendet e urdhërdhënësit të cilat lidhur me kontratën i ka marrë nga urdhërdhënësi ose nga ndonjë tjetër, gjersa këto ndodhen tek ai, ose tek ndonjë tjetër që i mban për të, apo gjersa ka në dorë dokumentin me anë të të cilit mund t'i disponojë ato. KREU 5 SHUARJA E KONTRATES
Neni 827Zgjidhja e kontratës së lidhur për një kohë të pacaktuar
1. Kontrata konsiderohet se është lidhur për një periudhë të pacaktuar, përveç nëse palët merren vesh ndryshe.
2. Nëse kontrata është lidhur për një periudhë të pacaktuar, atëherë secila palë mund ta shkëpus kontratën duke dhënë njoftim për shkëputje në përputhje me këtë nen.
3. Koha e dhënies së njoftimit për shkëputje varet nga kohëzgjatja e kontratës dhe duhet të llogaritet nga një muaj për secilin fillim viti gjatë kontratës. Nëse kontrata zgjatë më shumë se pesë (5) vite, koha e dhënies së njoftimit për shkëputje është gjashtë (6) muaj.
4. Palët nuk mund të përcaktojnë me kontratë kohë njoftimi më të shkurtra.
5. Nëse palët pajtohen për kohë lajmërimi më të gjata, koha e tillë duhet të zbatohet në mënyrë të barabartë si për urdhërdhënësin edhe për përfaqësuesit tregtar.
6. Përveç kur përcaktohet ndryshe me kontratë, koha e lajmërimit fillon ditën e parë të muajit pasues kalendarik dhe mbaron ditën e fundit të muajit të tillë.
Neni 828Zgjidhja e kontratës së lidhur për një kohë të caktuar
1. Kur kontrata mbi agjencinë tregtare është lidhur për një kohë të caktuar, ajo pushon me skadimin e kohës së caktuar.
2. Në qoftë se të dyja palët vazhdojnë të përmbushin kontratën sipas paragrafit të parë, edhe pas kohës për të cilën është lidhur, atëherë konsiderohet si kontratë e lidhur për një kohë të pacaktuar. Në përcaktimin e kohës për njoftim, merret parasysh koha e kaluar që nga momenti i lidhjes së kontratës, ashtu siç zbatohet tek shkëputja e kontratës e lidhur për kohë të pacaktuar.
Neni 829Zgjidhja e kontratës pa afat denoncimi
1. Për shkaqet serioze secila palë mundet duke treguar këto shkaqe të zgjidhë kontratën pa afat denoncimi.
2. Në qoftë se deklarata mbi denoncimi është bërë pa shkaqe serioze do të konsiderohet si denoncim me afat të rregullt denoncimi.
3. Përfaqësuesit tregtar i cili për shkak të denoncimit të pabazuar e ka ndërprerë veprimtarinë e vet ka të drejtë në shpërblimin e dëmit për shkak të provizionit të humbur, e në qoftë se ai e ka denoncuar kontratën në mënyrë të pabazuar e drejta e shpërblimit të dëmit i takon urdhërdhënësit.
4. Denoncimi i pabazuar i jep të drejta palës tjetër të zgjidhë kontratën pa afat denoncimi.
Neni 830Shuma e pjesëtuar
1. Pas denoncimit të kontratës, përfaqësuesit tregtar ka të drejtë në ndarjen e një shume të përshtatshme parash nëse dhe për aq sa përfaqësuesit tregtar ka siguruar klientë të rinjë për urdhërdhënësin ose në mënyrë të dukshme ka rritur numrin e punëve me klientët e mëparshëm dhe pasi kontrata të jetë denoncuar urdhërdhënësi gëzon përfitime të dukshme me klientët e tillë, ose nëse pjesëtimi i shumës dhe pagesa e sajë kërkohet prej rrethanave të veçanta, sidomos nga humbja e provizionit nga punët juridike me klientët e tillë.
2. Në përcaktimin e shumës së pjesëtuar, është e nevojshme që të merret parasysh provizioni i fituar nga përfaqësuesit tregtar për kontratat pas shkëputjes së marrëdhënies me urdhërdhënësin, si dhe çdo pengesë e aktiviteteve konkurruese pas shkëputjes së marrëdhënies me urdhërdhënësin.
3. Shuma e pjesëtuar , sipas paragrafit të parë dhe të dytë të këtij neni, nuk mund të tejkalojë mesataren e shumës së provizionit vjetorë gjatë pesë (5) viteve të fundit apo të periudhës më të shkurtër kohore relevante pas lidhjes së kontratës.
4. Kur kontrata e lidhur për një kohë të caktuar, shkëputet para përfundimit të kësaj kohe ose kur kontrata e lidhur për një kohë të pacaktuar përfundon para kalimit të pesë (5) viteve nga momenti i lidhjes së kontratës, përfaqësuesit tregtar ka të drejtë në ndarjen e një shumë të përshtatshme parash, shumën e diferencës ndërmjet shpenzimeve që përfaqësuesit tregtar ka pasur në lidhje me prezantimin e produktit në treg dhe të gjitha shpenzimeve tjera në lidhje me përmbushjen e kontratës, dhe diferencës së të ardhurave të përfaqësuesit tregtar të marra nga përmbushja e kontratës si dhe të ardhurave që përfaqësuesit tregtar sipas të gjitha gjasave do të kishte marrë deri në fund të periudhës së kontratës nëse ajo është lidhur për një kohë të caktuar apo për pesë (5) vite nga momenti i lidhjes së kontratës nëse ajo është lidhur për një kohë të pacaktuar.
5. Përfaqësuesit tregtar po ashtu ka të drejtë në pjesëtimin e shumës sipas paragrafit të mëparshëm, nëse ai nuk ka të drejtë në pjesëtimin e shumës sipas paragrafit 1. të këtij neni, ose nëse pjesëtimi i shumës relevante sipas paragrafit 1. të këtij neni do të ishte më e vogël sesa shuma relevante e pjesëtuar sipas paragrafit të mëparshëm.
6. Pagesa e shumës së pjesëtuar nuk e përjashton të drejtën e përfaqësuesit tregtar për kompensim.
Neni 831Baza për përjashtimin e pjesëtimit të shumës
1. Urdhërdhënësi nuk është përgjegjës të paguaj shumën e pjesëtuar, nëse:
1.1. kontrata është shkëputur nga përfaqësuesit tregtar agjenti. Megjithatë, edhe në këtë rast përfaqësuesit tregtar mund të kërkojë shumën e pjesëtuar nëse arsyeja për shkëputjen e kontratës kanë qenë rrethanat në anën e urdhërdhënësit apo nëse përfaqësuesit tregtar e ka shkëputur kontratën për shkak të moshës apo sëmundjes së përfaqësuesit tregtar e cila do të pamundësonte vazhdimin e marrëdhënies kontraktore.
1.2. urdhërdhënësi ka shkëputur kontratën për shkak të sjelljes me faj të përfaqësuesit tregtar.
1.3. në përputhje me marrëveshjen ndërmjet urdhërdhënësit dhe përfaqësuesit tregtar, urdhërdhënësi lidh kontratë në vend të përfaqësuesit tregtar. Një marrëveshje e tillë nuk është e lejueshme përpara përfundimit të marrëdhënies kontraktore.
Neni 832Shfrytëzimi i shumës së pjesëtuar
1. E drejta në shumën e pjesëtuar rrjedh gjithashtu edhe nëse kontrata është shkëputur për shkak të vdekjes së përfaqësuesit tregtar.
2. Përfaqësuesit tregtar i cili brenda një viti nga momenti i shkëputjes së marrëdhënies kontraktore nuk e informon urdhërdhënësin se do të kërkojë shumën e pjesëtuar e humb të drejtën për shumën e pjesëtuar.
3. Palët nuk munden që paraprakisht ti heqin apo zvogëlojnë të drejtat në dëm të përfaqësuesit tregtar, në lidhje me shumën e pjesëtuar.
4. Në lidhje me ekstraktet e librave të llogarisë dhe njoftimit mbi rrethanat e dukshme që ndikojnë në përcaktimin e shumës së pjesëtuar, përfaqësuesit tregtar ka të njëjtat të drejta si në rastin e caktimit të provizionit.
Neni 833Ndalimi i konkurrencës pas shkëputjes së kontratës
1. Me anë të kontratës mund të përcaktohet se pas përfundimit të kontratës përfaqësuesi tregtar nuk mund të kryejë ndonjë aktivitet që do të konkurronte me aktivitetet e urdhërdhënësit.
2. Një dispozitë e tillë është e vlefshme vetëm nëse bëhet me shkrim dhe nëse është në të njëjtën fushë, për të njëjtët persona dhe të njëjtat mallra siç janë të përcaktuara në kontratë.
3. Kur kontrata është shkëputur për arsyet e urdhërdhënësit, një dispozitë e tillë është e detyrueshme vetëm për përfaqësuesit tregtar nëse urdhërdhënësi ka paguar shumën e pjesëtuar përkatëse me rastin e shkëputjes së kontratës dhe nëse gjatë ndalesës për konkurrencë urëdhërdhënësi paguan kompensimin e përshtatshëm mujorë në një shumë të barabartë me mesataren e provizionit mujorë për gjatë pesë (5) viteve të fundit të kontratës ose për gjatë kohës së kontratës, nëse ajo ka qenë në fuqi për më pak se pesë (5) vite.
4. Një dispozitë e tillë do të detyrojë përfaqësuesit tregtar për të paktën dy (2) vite pas shkëputjes së kontratës.
5. Nëse përfaqësuesit tregtar ka shkëputur kontratën për fajin e urdhërdhënësit dhe ndalesa e konkurrencës pas shkëputjes së kontratës ka qenë pjesë e marrëveshjes në kontratë, përfaqësuesit tregtar mundet që brenda një (1) muaji pas shkëputjes së kontratës ti dorëzojë një deklaratë me shkrim urdhërdhënësit ku e njofton se përfaqësuesit tregtar nuk do ta respektojë ndalesën e konkurrencës.
6. Dispozitat e këtij neni nuk mund të ndryshohen me anë të kontratës në dëm të përfaqësuesit tregtar. PJESA XVIII KONTRATA PËR NDËRMJETËSIM KREU 1 DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 834Kuptimi
Me kontratën për ndërmjetësimin detyrohet ndërmjetësuesi që të përpiqet të gjejë dhe ta vejë në lidhje me urdhërdhënësin personin që do të bisedonte me të për lidhjen e kontratës së caktuar, ndërsa urdhërdhënësi detyrohet t’i paguajë shpërblim të caktuar, në qoftë se kjo kontratë do të lidhet.
Neni 835Zbatimi i dispozitave të ligjit për kontratën për veprën
Kur është kontraktuar se ndërmjetësuesi do të ketë të drejtë në shpërblimin e caktuar dhe në qoftë se përpjekja e tij mbetet pa rezultat, për atë kontratë do të zbatohen dispozitat që vlejnë për kontratën për veprën.
Neni 836Pranimi i përmbushjes
1. Urdhri për ndërmjetësimin nuk përmban autorizim për ndërmjetësuesin që për urdhërdhënësin të pranojë përmbushjen e detyrimit nga kontrata e lidhur me ndërmjetësimin e tij.
2. Për këtë është e nevojshme një prokurë e veçantë me shkrim.
Neni 837Revokimi i urdhrit për ndërmjetësim
Urdhërdhënësi mund ta revokon urdhrin për ndërmjetësim kur të dojë, në qoftë se nga kjo nuk ka hequr dorë dhe me kusht që revokimi nuk është në kundërshtim me mirëbesimin.
Neni 838Mungesa e detyrimit për urdhërdhënësin që të lidhë kontratë
Urdhërdhënësi nuk është i detyruar të fillojë bisedime për lidhjen e kontratës me personin të cilin e ka gjetur ndërmjetësuesi dhe as të lidhë kontratë me të nën kushtet që ia ka komunikuar ndërmjetësuesit, por do të përgjigjet për dëmin, në qoftë se ka vepruar në kundërshtim me mirëbesim. KREU 2 DETYRIMET E NDËRMJETËSUESIT
Neni 839Detyrimi i kërkimit të rastit
1. Ndërmjetësuesi ka për detyrë që, me kujdesin e ekonomistit të mirë, të kërkojë rastin për lidhjen e kontratës së caktuar dhe t’i tregojë për të urdhërdhënësit.
2. Ndërmjetësuesi ka për detyrë të ndërmjetësojë në bisedime dhe të përpiqet që të vejë deri te lidhja e kontratës në qoftë se për të posaçërisht është detyruar.
3. Ai nuk përgjigjet në qoftë se edhe krahas kujdesit nuk ka sukses në përpjekjen e vet.
Neni 840Detyrimi i njoftimit
Ndërmjetësuesi ka për detyrë ta njoftojë urdhërdhënësin për të gjitha rrethanat, për të cilat ai është në dijeni ose duhej të ishte në dijeni dhe për punën e synuar dhe ato rrethana janë me rëndësi.
Neni 841Përgjegjësia e ndërmjetësuesit
1. Ndërmjetësuesi përgjigjet për dëmin, të cilin do ta pësonte njëra ose tjetra palë ndërmjet të cilave ka ndërmjetësuar e që do të shkaktohej për arsye se ka ndërmjetësuar për personin e paaftë për punë, për paaftësinë e të cilit ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni, ose për personin për të cilin ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni, se nuk do të mund t’i kryejë detyrimet nga kjo kontratë dhe në përgjithësi për çdo dëm të shkaktuar me fajin e tij.
2. Ndërmjetësuesi përgjigjet për dëmin që do të shkaktohej për urdhërdhënësin për arsye se pa lejen e urdhërdhënësit e ka njoftuar ndonjë person të tretë për përmbajtjen e urdhrit, për negociata ose për kushtet e lidhjes së kontratës.
Neni 842Ditari ndërmjetësues dhe fleta
Ndërmjetësuesi ka për detyrë në regjistrin e veçantë (ditari ndërmjetësues) t’i shënojë të dhënat thelbësore për kontratën që është lidhur me ndërmjetësimin e tij dhe të lëshojë ekstraktin nga ky regjistër të nënshkruar nga ana e tij (fleta e ndërmjetësimit). KREU 3 DETYRIMET E URDHËRDHËNËSIT
Neni 843Shpërblimi
1. Ndërmjetësuesi ka të drejtë për shpërblim edhe kur ky nuk është kontraktuar.
2. Në qoftë se lartësia e shpërblimit nuk është caktuar as me tarifë ose me ndonjë akt tjetër të përgjithshëm, as me kontratë as me doke, atë do ta caktojë gjykata sipas mundit të ndërmjetësuesit dhe shërbimit të bërë.
3. Shpërblimin e kontraktuar të ndërmjetësimit gjykata mund ta zbresë me kërkesën e urdhërdhënësit, në qoftë se gjen se është tepër i lartë, duke marrë parasysh mundin dhe shërbimin e bërë.
4. Zbritja e shpërblimit të kontraktuar nuk mund të kërkohet në qoftë se i është paguar ndërmjetësuesit pas lidhjes së kontratës për të cilën ai ka ndërmjetësuar.
Neni 844Kur ndërmjetësuesi fiton të drejtën e shpërblimit
1. Ndërmjetësuesi fiton të drejtën e shpërblimit në momentin e lidhjes së kontratës për të cilën ka ndërmjetësuar, në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër.
2. Në qoftë se kontrata është lidhur nën kushtin suspenziv (shtytës), ndërmjetësuesi fiton të drejtën e shpërblimit vetëm kur kushti realizohet.
3. Kur kontrata është lidhur nën kushtin zgjidhës, realizimi i kushtit nuk ka ndikim në të drejtën e ndërmjetësuesit në shpërblim.
4. Në rastin e pavlefshmërisë së kontratës, ndërmjetësuesi ka të drejtë në shpërblim në qoftë se për shkakun e pavlefshmërisë nuk ishte në dijeni.
Neni 845Shpërblimi i shpenzimeve
1. Ndërmjetësuesi nuk ka të drejtë në shpërblimin e shpenzimeve të bëra në kryerjen e urdhrit, përveç kur kjo është kontraktuar.
2. Në qoftë se me kontratë është e njohur e drejta e shpërblimit të shpenzimeve, ai ka të drejtë në këtë shpërblim edhe në rastin kur kontrata nuk është lidhur.
Neni 846Ndërmjetësimi për të dy palët
1. Në qoftë se nuk është kontaktuar ndryshe, ndërmjetësuesi që e ka marrë urdhrin për ndërmjetësim nga të dy palët mund të kërkojë nga secila palë vetëm gjysmën e shpërblimit të ndërmjetësimit dhe shpërblimin e gjysmës së shpenzimeve, në qoftë se shpërblimi i shpenzimeve është kontraktuar.
2. Ndërmjetësuesi ka për detyrë që me kujdesin e ekonomistit të mirë të kujdeset për interesat e të dy palëve, ndërmjet të cilave ai ndërmjetëson.
Neni 847Humbja e të drejtës së shpërblimit
Ndërmjetësuesi i cili në kundërshtim me kontratën ose në kundërshtim me interesat e urdhërdhënësit të vet punon për palën tjetër, humb të drejtën e shpërblimit të ndërmjetësimit dhe të shpërblimit të shpenzimeve. PJESA XIX KONTRATA PËR SHPEDITIMIN (DËRGIMI) KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 848Nocioni
1. Me kontratën për shpeditimin detyrohet shpedituesi që me qëllim transporti të sendit të caktuar, të lidhë në emër të vet dhe për llogari të urdhërdhënësit kontratën e transportit dhe kontrata të tjera të nevojshme për kryerjen e transportit, si dhe të kryejë punë dhe veprime të tjera të rëndomta, ndërsa urdhërdhënësi detyrohet t’i paguajë shpërblim të caktuar.
2. Në qoftë se me kontratë është paraparë, shpedituesi mund të lidhë kontratën e transportit dhe të ndërmarrë veprime të tjera juridike në emër dhe për llogari të urdhërdhënësit.
Neni 849Heqja dorë nga kontrata
Urdhërdhënësi mund të heqë dorë nga kontrata sipas vullnetit të vet, por në këtë rast ka për detyrë t’i shpërblejë shpedituesit të gjitha shpenzimet që ka pasur gjer atëherë dhe t’i paguajë pjesën proporcionale të shpërblimit për punën e deriatëhershme.
Neni 850Zbatimi i rregullave për kontratën e komisionit përkatësisht të përfaqësimit tregtar
Ndaj marrëdhënieve të urdhërdhënësit dhe shpedituesit që nuk janë rregulluar sipas kësaj pjese zbatohen përshtatshmërisht rregullat për kontratën e komisionit, përkatësisht të përfaqësimit tregtar. KREU 2 DETYRIMET E SHPEDITUESIT
Neni 851Tërheqja e vërejtjes për të metat e urdhrit
Shpedituesi ka për detyrë t’ia tërheqë vërejtjen urdhërdhënësi për të metat në urdhrin e tij, sidomos për ato që i ekspozojnë të ketë shpenzime më të mëdha ose të pësojë ndonjë dëm.
Neni 852Tërheqja e vërejtjes për të metat e paketimit
Në qoftë se sendi nuk është paketuar dhe në përgjithësi nuk është bërë gati për transport siç duhet, shpedituesi ka për detyrë t’ia tërheqë vërejtjen urdhërdhënësit për këto të meta, e kur pritja që urdhërdhënësi t’i evitojë do t’i shkaktonte dëm këtij, dërguesi ka për detyrë t’i evitojë në llogari të urdhërdhënësit.
Neni 853Ruajtja e interesave të urdhërdhënësit
1. Shpedituesi ka për detyrë që në çdo rast të veprojë ashtu sikundër e kërkojnë interesat e urdhërdhënësit dhe me kujdesin e ekonomistit të mirë.
2. Ai ka për detyrë ta njoftojë urdhërdhënësin pa shtyrje për dëmtimin e sendeve si dhe për të gjitha ngjarjet me rëndësi për të dhe të marrë të gjitha masat e nevojshme për ruajtjen e të drejtave të tij ndaj personit përgjegjës.
Neni 854Veprimi sipas udhëzimeve të urdhërdhënësit
1. Shpedituesi ka për detyrë t’i përmbahet udhëzimeve mbi drejtimin e rrugës, mjeteve dhe mënyrën e transportit, si dhe udhëzimet e tjera të marra nga urdhërdhënësi.
2. Në qoftë se nuk ka mundësi të veprojë sipas udhëzimeve të përmbajtura në urdhër, shpedituesi ka për detyrë të kërkojë udhëzime të reja, e në qoftë se për këtë gjë nuk ka kohë, ose nuk është e mundur shpedituesi ka për detyrë të veprojë sikundër e kërkojnë interesat e urdhërdhënësit.
3. Për çdo shmangie nga urdhëri, shpedituesi ka për detyrë ta njoftojë urdhërdhënësin pa vonesë.
4. Në qoftë se urdhërdhënësi nuk e ka caktuar as rrugën dhe as mjetet, as mënyrën e transportit, dërguesi do t’i caktojë ashtu sikurse e kërkojnë interesat e urdhërdhënësit në rastin konkret.
5. Në qoftë se shpedituesi i është shmangur udhëzimeve të marra, përgjigjet edhe për dëmin e shkaktuar për shkak të fuqisë madhore, përveç nëse provon se dëmi do të shkaktohej edhe po t’u kishte përmbajtur udhëzimeve të dhëna.
Neni 855Përgjegjësia e shpedituesit për persona të tjerë
1. Shpedituesi përgjigjet për zgjedhjen e transportuesit, si dhe për zgjedhjen e personave të tjerë me të cilët në zbatimin e urdhërit ka lidhur kontratën (magazionimi i mallit etj.), por jo edhe për punën e tyre, përveç nëse këtë përgjegjësi e ka marrë mbi vete me kontratë.
2. Shpedituesi i cili ia beson zbatimin e urdhërit shpedituesit tjetër në vend që ta përmbushë urdhërin vet, përgjigjet për punën e tij.
3. Në qoftë se urdhëri përmban autorizimin shprehimor ose heshtazi shpedituesit që t’i besojë zbatimin e urdhërit dërguesit tjetër ose nëse kjo është padyshim në interesin e urdhërdhënësit, ai përgjigjet vetëm për zgjedhjen e tij, përveç nëse ka marrë përsipër përgjegjësinë për punën e tij.
4. Përgjegjësitë nga paragrafet e mësipërme të këtij neni nuk mund të përjashtohen dhe as të kufizohen me kontratë.
Neni 856Veprimet doganore dhe pagimi i doganës
Në qoftë se në kontratë nuk është caktuar ndryshe, urdhëri për dërgimin e sendit përtej kufirit përmban detyrimin për dërguesin që të zbatojë veprimet e duhura doganore dhe të paguajë taksat doganore për llogari të urdhërdhënësit.
Neni 857Kur shpedituesi kryen vetë transportin ose punët e tjera
1. Shpedituesi mundet edhe vetë të kryejë plotësisht ose një pjesë të transportit të sendeve, dërgimi i të cilave i është besuar, në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër.
2. Në qoftë se dërguesi e ka kryer transportin vetë ose pjesën e transportit, ka të drejtë dhe detyrime të transportuesit, kështu që në këtë rast i takon edhe shërblimi përkatës për transport përveç shpërblimit mbi bazën e dërgimit dhe shpërblimit të shpenzimeve në lidhje me shpeditimin.
3. E njëjta gjë vlen lidhur me punë të tjera të përfshira me urdhërin, doket ose me kushtet e përgjithshme.
Neni 858Sigurimi i dërgesës
1. Dërguesi ka për detyrë ta sigurojë dërgesën vetëm në qoftë se kjo është kontraktuar.
2. Në qoftë se me kontratë nuk është caktuar se cilat rreziqe duhet t’i përfshijë sigurimi, dërguesi ka për detyrë t’i sigurojë sendet nga rreziqet e rëndomta.
Neni 859Dhënia e llogarisë
1. Pas mbarimit të punës shpedituesi ka për detyrë t’i japë llogari urdhërdhënësit.
2. Sipas kërkesës së urdhërdhënësit shpedituesi ka për detyrë të japë llogari edhe gjatë zbatimit të urdhrit. KREU 3 DETYRIMET E URDHËRDHËNËSIT
Neni 860Pagimi i shpërblimit
Urdhërdhënësi ka për detyrë t’i paguajë shpedituesit shpërblimin sipas kontratës, e në qoftë se shpërblimi nuk është kontraktuar, atëherë shpërblimin sipas tarifës ose të ndonjë akti tjetër të përgjithshëm, e në mungesë të këtij, shpërblimin do ta caktojë gjykata.
Neni 861Kur dërguesi mund të kërkojë shpërblim
Shpedituesi mund të kërkojë shpërblim kur të kryejë detyrimet e veta nga kontrata për shpedicionin.
Neni 862Shpenzimet dhe paradhënia
1. Urdhërdhënësi ka për detyrë t’ia shpërblejë shpedituesit shpenzimet e nevojshme të bëra për zbatimin e urdhrit për dërgimin e sendit.
2. Shpedituesi mund të kërkojë shpërblimin e shpenzimeve menjëherë posa t’i ketë bërë.
3. Urdhërdhënësi ka për detyrë që me kërkesën e shpedituesit, t’i japë në formë paradhënie një shumë të nevojshme për shpenzimet që kërkon zbatimi i urdhërit për dërgimin e sendit.
Neni 863Kur është kontraktuar që shpërblimin ta paguajë marrësi i sendeve
Në qoftë se është kontraktuar se shpedituesi do t’i arkëtojë kërkesat e veta nga marrësi i sendeve, shpedituesi rezervon të drejtën të kërkojë pagimin e shpërblimit nga urdhërdhënësi, në qoftë se marrësi refuzon t’ia paguajë.
Neni 864Sendet e rrezikshme dhe të çmueshme
1. Urdhërdhënësi ka për detyrë ta njoftojë shpedituesin mbi cilësitë e sendeve me të cilat mund të rrezikohet siguria e njerëzve ose e vlerave apo mbi shkaktimin e dëmit.
2. Kur në dërgesën ndodhen sendet e çmueshme, letrat me vlerë ose sendet e tjera të shtrenjta, urdhërdhënësi ka për detyrë ta njoftojë për këtë shpedituesin dhe t’ia komunikojë vlerën e tyre në çastin e dorëzimit për dërgim. KREU 4 RASTET E VEÇANTA TË SHPEDITIMIT
Neni 865Shpeditimi me shpërblimin fiks
1. Kur me kontratën për shpeditimin është caktuar një shumë e përgjithshme për zbatimin e urdhërit mbi dërgimin e sendit, në të është përmbajtur shpërblimi për punën e dërguesit, si dhe shpërblimi i shpenzimeve të transportit dhe shpërblimi i të gjitha shpenzimeve të tjera, në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër.
2. Në këtë rast shpedituesi përgjigjet edhe për punën e transportuesit dhe të personave të tjerë që i ka përdorur me anë të autorizimit nga kontrata.
Neni 866Shpeditimi përmbledhës
1. Shpedituesi në zbatimin e urdhrave të marra mund të organizojë shpeditimin përmbledhës, përveç nëse me kontratë kjo është përjashtuar.
2. Në qoftë se me shpeditimin përmbledhës realizon diferencën në çmimin e transportit në dobi të urdhërdhënësit, dërguesi ka të drejtë në shpërblimin e veçantë suplementar.
3. Në rastin e shpeditimit përmbledhës shpedituesi përgjigjet për humbjen ose dëmtimin e sendit të shkaktuar gjatë kohës së transportit që nuk do të shkaktoheshin po mos të kishte qenë dërgimi kompleks. KREU 5 E DREJTA E PENGUT E SHPEDITUESIT
Neni 867E drejta e pengut e shpedituesit
1. Për sigurimin e arkëtimit të kërkesave të veta të krijuara lidhur me kontratën për shpeditimin, shpedituesi ka të drejtë pengu në sendet e dorëzuara për dërgim dhe lidhur me dërgimin gjithnjë gjersa e mban, ose gjersa ka në dorë dokumentin me anë të të cilit mund t’i disponojë ato.
2. Kur në kryerjen e dërgimit ka marrë pjesë edhe dërguesi tjetër, ai ka për detyrë të kujdeset për arkëtimin e kërkesave dhe për realizimin e të drejtës së pengut të dërguesve të mëparshëm.
3. Në qoftë se dërguesi tjetër paguan kërkesat e dërguesit ndaj urdhërdhënësit, këto kërkesa dhe e drejta e pengut e dërguesit i barten këtij në bazë të vet ligjit.
4. E njëjta gjë ndodh po qe se dërguesi tjetër paguan kërkesat e transportuesit. PJESA XX KONTRATA PËR KONTROLLIN E MALLRAVE DHE TË SHËRBIMEVE
Neni 868Nocioni
1. Me kontratën për kontrollin e mallrave njëra palë kontraktuese (kryerësi i kontrollit) detyrohet të kryejë në mënyrë profesionale dhe të paanshme kontrollin kontraktues të mallrave dhe të lëshojë certifikatë për këtë, kurse pala tjetër (porositësi i kontrollit) detyrohet që për kontrollin e kryer të paguajë shpërblimin e kontraktuar.
2. Kontrolli i mallrave mund të përbëhet nga përcaktimi i identitetit, cilësisë, sasisë dhe të veçorive të tjera të mallrave.
Neni 869Vëllimi i kontrollit
Kryerësi i kontrollit është i detyruar të kryejë kontrollin në vëllimin dhe në mënyrën që janë caktuar në kontratë, e në qoftë se në kontratë asgjë nuk është caktuar, në vëllimin dhe në mënyrën që i përgjigjet natyrës së sendit.
Neni 870Nuliteti i disa dispozitave të kontratës
1. Janë nule dispozitat e kontratës që i imponojnë kryerësit të kontrollit detyrat që do të mund të ndikonin në paanshmërinë e ushtrimit të kontrollit ose në rregullsinë e dokumentit për kontrollin e kryer (çertifikata).
2. Kontrolli konsiderohet i kryer vetëm pas lëshimit të çertifikatës.
Neni 871Ruajtja e mallrave, respektivisht e mostrave
1. Mallin të cilin porositësi i kontrollit ia ka dorëzuar kryerësit të kontrollit për kryerjen e kontrollit të kontraktuar, ushtruesi i kontrollit ka për detyrë t’i ruajë dhe t’i sigurojë nga ndërrimi.
2. Kryerësi i kontrollit është i detyruar t’i ruajë mostrat të cilat iu kanë dorëzuar së paku gjashtë (6) muaj, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe.
Neni 872Detyrimi i lajmërimit të porositësit
Kryerësi i kontrollit ka për detyrë që për të gjitha rrethanat e rëndësishme gjatë kontrollit dhe ruajtjes së mallrave ta lajmërojë porositësin e kontrollit në kohën e duhur, e sidomos për shpenzimet e domosdoshme dhe të dobishme që janë bërë për llogari të tij.
Neni 873Shpërblimi
1. Për kontrollin dhe për ruajtjen e kryer të mallit, kryerësi i kontrollit ka të drejtë për shpërblim të kontraktuar ose të rëndomtë.
2. Kryerësi i kontrollit ka të drejtën e shpërblimit për të gjitha shpenzimet e nevojshme dhe të dobishme, të cilat janë shkaktuar për llogari të porositësit.
Neni 874E drejta e pengut
Për sigurimin e shpërblimit të kontraktuar apo të rëndomtë dhe të shpërblimit të shpenzimeve të domosdoshme dhe të dobishme kryerësi i kontrollit ka të drejtë pengu mbi mallin që i është dorëzuar për kontroll.
Neni 875Të besuarit e kontrollit të mallit kryerësit tjetër të kontrollit
1. Kryerësi i kontrollit mund t’ia besojë tjetrit kryerjen e kontrollit të kontraktuar të mallit, përveç nëse porositësi i kontrollit ia ka ndaluar këtë shprehimisht.
2. Kryerësi i kontrollit i përgjigjet porositësit të kontrollit për punën e kryerësit tjetër të kontrollit.
Neni 876Kontrolli i mallit me kryerjen e disa veprimeve juridike
1. Në bazë të urdhërit shprehimor të porositësit të kontrollit, kryerësi i kontrollit është i autorizuar që, përpos kryerjes së kontrollit të mallit të ushtrojë edhe veprime të veçanta juridike në emër dhe për llogari të porositësit të kontrollit.
2. Kryerësi i kontrollit ka të drejtë shpërblimi të veçantë të rëndomtë ose të kontraktuar për kryerjen e veprimeve të veçanta juridike në emër dhe për llogari të porositësit të kontrollit.
Neni 877Kontrolli i mallit me garanci
1. Kryerësi i kontrollit mund të garantojë për pandryshueshmërinë e cilësive të mallit të kontraktuar brenda afatit kontraktues.
2. Për garancinë e marrë përsipër në pikëpamje të cilësive të mallit, kryerësi i kontrollit ka të drejtë shpërblimi të veçantë të kontraktuar ose të rëndomtë.
Neni 878Kontrolli i shërbimeve dhe i sendeve që nuk janë destinuar për qarkullim
Në qoftë se kontrolli ka të bëjë me shërbime ose me sende që nuk janë destinuar për qarkullim, kryerësi i kontrollit dhe porositësi i kontrollit kanë të njëjtat të drejta dhe detyrime sikurse te kontrolli i mallit.
Neni 879Zgjidhja e kontratës
Porositësi i kontrollit mund të deklarojë se e zgjidhë kontratën gjithnjë gjersa të mos jetë kryer kontrolli i porositur, por në këtë rast ka për detyrë që kryerësit të kontrollit t’i paguajë pjesën proporcionale të shpërblimit dhe shpenzimet e domosdoshme dhe të dobishme që janë bërë, si dhe t’ia shpërblejë dëmin. PJESA XXI KONTRATA PËR ORGANIZIMIN E UDHËTIMIT (ARANZHMANET TURISTIKE) KREU 1 RREGULLAT E PËRGJITHSHME
Neni 880Përkufizimi
1. Me kontratën mbi organizimin e udhëtimit obligohet organizatori i udhëtimit t'i jap udhëtarit një paketë shërbimesh që përbëhen nga transporti, banimi dhe nga shërbimet e tjera që lidhen me të, kurse udhëtari obligohet që organizatorit ti paguajë një shumë të përgjithshme (paushale).
2. Shitësi i paketës së udhëtimit, të ofruar nga organizatori i udhëtimit, i cili nuk ka zyre kryesore në atë vend, konsiderohet të jetë organizatori i udhëtimit.
Neni 881Dhënia e vërtetimit mbi udhëtimin
1. Organizatori i udhëtimit deri më së largu me rastin e lidhjes së kontratës, i lëshon udhëtarit vërtetimin mbi udhëtimin ose duhet të lidhë kontratë në formë të shkruar e cila përmban të gjitha pjesët e detyrueshme të vërtetimit mbi udhëtimin.
2. Vërtetimi i udhëtimit duhet të përmbajë vendin dhe datën e përdorimit, logon dhe titullin e organizatorit të udhëtimit, emrin e udhëtarit, lokacioni dhe datat e fillimit dhe mbarimit të paketës së udhëtimit, numrin e ditëve të banimit, informatat e nevojshme për oraret, çmimet dhe kushtet e transportit dhe cilësia e llojeve të transportit, informatat e nevojshme për banimin duke përfshirë edhe vendin e banimit si dhe tipin dhe kategorinë e ambienteve të banimit, informatat në lidhje me numrin e shujtave (psh. shujtat e plota, gjysma e shujtave, shtrati dhe mëngjesi) detajet e orareve të udhëtimit dhe informata për shërbimet tjera të përfshira në çmimin e përgjithshëm, informata nëse është i nevojshëm ekzistimi i një minimumi të udhëtarëve në mënyrë që udhëtimi të realizohet si dhe afatin kohor kur do të njoftohet udhëtari për ndonjë anulim, çmimin e përgjithshëm për paketën e shërbimeve të parapara në kontratë, kushtet në bazë të të cilave udhëtari mund të kërkojë anulimin e kontratës, afatet kohore për ankesat dhe kërkesat për zbritje të çmimit për shkak të cilësisë së dobët apo për shërbimet jo të plota, informatat e nevojshme në lidhje me kushtet formale të kufijve dhe doganave, higjienës, rregullat tjera financiare dhe administrative, si dhe informatat tjera të cilat konsiderohen se janë të dobishme nëse përfshihen në vërtetimin e udhëtimit.
3. Në qoftë se para lëshimit të vërtetimit mbi udhëtimin udhëtarit i është dhënë programi i udhëtimit, ku ndodhen të dhënat nga paragrafi paraprak, vërtetimi mbi udhëtimin mund të përmbajë vetëm udhëzimin për këtë program.
Neni 882Raporti i kontratës dhe i vërtetimit mbi udhëtimin
1. Ekzistimi dhe plotfuqishmëria e kontratës mbi organizimin e udhëtimit janë të pavarur nga ekzistimi i vërtetimit mbi udhëtimin dhe nga përmbajtja e tij.
2. Mirëpo organizatori i udhëtimit përgjigjet për krejt dëmin që pëson pala tjetër për shkak të mos dhënies së vërtetimit mbi udhëtimin ose për shkak të pasaktësisë së tij.
Neni 883Prezumimi i saktësisë së vërtetimit
Konsiderohet se është e saktë ajo që ndodhet në vërtetim gjithnjë gjersa të mos provohet e kundërta. KREU 2 DETYRIMET E ORGANIZATORIT TË UDHËTIMIT
Neni 884Mbrojtja e të drejtave dhe e interesave të udhëtarit
Organizatori i udhëtimit ka për detyrë t'i japë udhëtarit shërbime që kanë përmbajtjen dhe veçoritë e parashikuara me kontratë, me vërtetim, respektivisht me programin e udhëtimit dhe të kujdeset për të drejtat dhe interesat e udhëtarit, në pajtim me praktikën e mirë afariste në këtë sferë.
Neni 885Detyrimi për të njoftuar
Para lidhjes së kontratës organizatori i udhëtimit, në formë të shkruar apo në ndonjë formë tjetër të përshtatshme, duhet ti ofrojë udhëtarit të gjitha informacionet e nevojshme në lidhje me formalitetet kufitare (pasaportat dhe vizat) dhe formalitetet sanitare, të kërkuara gjatë udhëtimit dhe banimit në destinacionin e planifikuar. Organizatori i udhëtimit, para nisjes së udhëtimit, detyrohet të njoftojë udhëtarin për afatet kohore në të njëjtën mënyrë dhe saktësisht të përcaktojë vendin e udhëtarit në mjetet e transportit (p.sh. kabinën apo kuvertën në anije, vendin e ndarë për fjetjen në tren), informatat për adresën dhe numrin e telefonit të përfaqësuesit lokal të organizatorit të udhëtimit ose të shitësit apo nëse nuk ka përfaqësues lokal, informatat për ndonjë numër emergjence apo çdo lloj informacioni tjetër që do i mundësonte udhëtarit të kontaktojë organizatorin e udhëtimit dhe ose të shitësit, si dhe informata mbi lidhjen opsionale të sigurimit për të mbuluar shpenzimet e anulimit të kontratës dhe sigurimit për mbulimin e shpenzimeve në rast të sëmundjes apo aksidenteve gjatë udhëtimit. Në rastet e udhëtimit apo qëndrimit të të miturve jashtë vendit, organizatori i udhëtimit duhet të ofrojë informata për vendosjen e kontaktit të drejt për drejtë me të miturin apo me zyrtarin përgjegjës të vendit ku është duke qëndruar i mituri.
Neni 886Detyrimi i ruajtjes së sekretit
Njoftimin që e merr mbi udhëtarin, mbi bagazhin dhe lëvizjet e tij, organizatori mund t'ua komunikojë personave të tretë vetëm me lejen e udhëtarit ose me kërkesën e organit kompetent.
Neni 887Përgjegjësia për organizimin e udhëtimit
Organizatori i udhëtimit përgjigjet për dëmin që i shkakton udhëtarit për shkak të moszbatimit të plotë ose të pjesshëm të detyrimeve që kanë të bëjnë me organizimin e udhëtimit që parashikohen me kontratën dhe me këtë ligj.
Neni 888Përgjegjësia e organizatorit të udhëtimit kur i kryen vetë shërbimet e veçanta
Në qoftë se i jep vetë shërbimet e transportit, të strehimit ose shërbimet e tjera lidhur me kryerjen e udhëtimit të organizuar, organizatori përgjigjet për dëmin që i ka shkaktuar udhëtarit sipas dispozitave që kanë të bëjnë me këto shërbime.
Neni 889Përgjegjësia e organizatorit të udhëtimit kur kryerjen e shërbimeve të veçanta ua ka besuar
personave të tretë
1. Organizatori i udhëtimit që u ka besuar personave të tretë kryerjen e shërbimeve të transportit, të strehimit ose të shërbimeve të tjera lidhur me kryerjen e udhëtimit, i përgjigjet udhëtarit për dëmin e shkaktuar për shkak të moszbatimit të plotë ose të pjesshëm të këtyre shërbimeve, në pajtim me dispozitat që kanë të bëjnë me të.
2. Mirëpo, edhe kur shërbimet janë kryer në pajtim me kontratën dhe me dispozitat që kanë të bëjnë me të, organizatori përgjigjet për dëmin që pëson udhëtari me rastin e kryerjes së tyre, përveç nëse provon se sjellet si organizator i kujdesshëm i udhëtimit gjatë zgjedhjes së personave që e kanë zbatuar.
3. Udhëtari ka të drejtë të kërkojë direkt nga personi i tretë përgjegjës për dëmin, shpërblimin e plotë ose plotësues për dëmin e pësuar.
4. Në masën në të cilën ia ka shpërblyer dëmin udhëtarit organizatori i udhëtimit fiton të gjitha të drejtat që do t'i kishte udhëtari ndaj personit të tretë përgjegjës për këtë dëm (e drejta e regresit).
5. Udhëtari ka për detyrë t'i cedojë organizatorit të udhëtimit dokumente dhe çdo gjë që nevojitet për realizimin e të drejtës së regresit.
Neni 890Zbritja e çmimit
1. Në qoftë se shërbimet nga kontrata mbi organizimin e udhëtimit janë kryer në mënyrë jo të plotë ose jo me cilësi, udhëtari mund të kërkojë zbritjen proporcionale të çmimit me konditë që t'i ketë bërë prapësim organizatorit të udhëtimit brenda tetë ditësh nga data e përfundimit të udhëtimit.
2. Kërkesa për zbritjen e çmimit nuk ndikon në të drejtën e udhëtarit që të kërkojë kompensimin e dëmit.
Neni 891Përjashtimi dhe kufizimi i përgjëgjësisë së organizatorit të udhëtimit
1. Janë nul dispozitat e kontratës mbi organizimin e udhëtimit që përjashtojnë ose pakësojnë përgjegjësinë e organizatorit të udhëtimit.
2. Mirëpo, është e plotfuqishme dispozita e shkruar e kontratës me të cilën parapërcaktohet shuma më e lartë e shpërblimit, me konditë që të mos jetë në shpërpjesëtim të hapur me dëmin.
3. Ky kufizim i shumës së shpërblimit, nuk vlen në qoftë se organizatori e ka shkaktuar dëmin me dashje ose nga pakujdesia ekstreme. KREU 3 DETYRIMET E UDHËTARIT
Neni 892Pagimi i çmimit
Udhëtari ka për detyrë që organizatorit të udhëtimit t'i paguajë çmimin e kontraktuar për udhëtimin në kohën, sikundër është kontraktuar, respektivisht siç praktikohet.
Neni 893Detyrimi i dhënies të të dhënave
Udhëtari ka për detyrë që me kërkesën e organizatorit, t'i japë në kohën e duhur të gjitha të dhënat e nevojshme për organizimin e udhëtimit, e sidomos për marrjen e biletave të udhëtimit, rëzervimin e strehimit, si dhe dokumentet e nevojshme për kalimin e kufirit.
Neni 894Përmbushja e kushteve të parashikuara me dispozita
Udhëtari ka për detyrë të kujdeset që ai personalisht, dokumentet e tij dhe bagazhi i tij t'i përmbushin kushtet e parashikuara me dispozitat kufitare, doganore, sanitare, monetare dhe me dispozitat e tjera administrative.
Neni 895Përgjegjësia e udhëtarit për dëmin e shkaktuar
Udhëtari përgjigjet për dëmin që i shkakton organizatorit të udhëtimit nga moskryerja e detyrimeve që rezultojnë për të nga kontrata dhe nga dispozitat e këtij ligji. KREU 4 TË DREJTAT DHE DETYRIMET E VEÇANTA TË PALËVE KONTRAKTUESE
Neni 896Zëvendësimi i udhëtarit me ndonjë person tjetër
Në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe, udhëtari mund të caktojë personin tjetër që në vend të tij t'i shfrytëzojë shërbimet e kontraktuara me konditë që ky person t'i plotësojë kushtet e veçanta të parashikuara për udhëtimin e caktuar dhe që udhëtari t'i shpërblejë organizatorit të udhëtimit shpenzimet e shkaktuara nga zëvendësimi.
Neni 897Rritja dhe ulja e çmimit të kontraktuar
1. Organizatori i udhëtimit mund të kërkojë rritjen e çmimit të kontraktuar vetëm në qoftë se pas lidhjes së kontratës kanë ndodhur ndryshime, në kursin e këmbimit të valutës apo ndryshime në tarifat e transportuesve të cilat ndikojnë në çmimin e udhëtimit. Nëse ndryshimet e tilla kanë ndikuar në uljen e çmimit të udhëtimit, atëherë organizatori i udhëtimit duhet të kthej diferencën në çmimit tek udhëtari.
2. Organizatori i udhëtimit mund ta përdori të drejtën e rritjes së çmimit të kontraktuar ose detyrohet të pranojë uljen e çmimit të përcaktuar në paragrafin e mësipërm, nëse ndryshimi i çmimit pas lidhjes së kontratës dhe metoda e llogaritjes së ndryshimit janë të parapara në vërtetimin e udhëtimit. Çmimi i udhëtimit mund të rritet vetëm deri në njëzet ditë para fillimit të udhëtimit.
3. Nëse rritja e çmimit të kontraktuar kalon shumën prej dhjetë përqind (10%), udhëtari mund të tërhiqet nga kontrata pa pasur detyrim për shpërblimin e dëmit.
4. Në rastin e tillë udhëtari ka të drejtën që t’i kthehet shuma që i ka paguar organizatorit të udhëtimit.
Neni 898E drejta e udhëtarit për të hequr dorë nga kontrata
1. Udhëtari në çdo moment mund të heqë dorë nga kontrata, plotësisht ose pjesërisht.
2. Ne qoftë se udhëtari para fillimit të udhëtimit heq dorë nga kontrata në një afat të arsyeshme që caktohet duke marrë parasysh llojin e aranzhmanit (heqja dorë në kohën e duhur), organizatori i udhëtimit ka të drejtë vetëm në shpërblimin e shpenzimeve administrative.
3. Në rast të heqjes dorë jo në kohën e duhur nga kontrata, organizatori i udhëtimit mund të kërkojë nga udhëtari shpërblimin në përqindje të caktuar të çmimit të kontraktuar, që përcaktohet përpjestimisht me kohën që mbetet deri në fillim të udhëtimit dhe që duhet të justifikohet ekonomikisht.
4. Organizatori i udhëtimit ka të drejtë vetëm në shpërblimin e shpenzimeve të bëra në qoftë se udhëtari ka hequr dorë nga kontrata për shkak të rrethanave që nuk ka mundur t'i evitojë ose t'i shmangë dhe që, po të ekzistojnë në kohën e lidhjes së kontratës, do të përbënin shkak të bazuar që kontrata të mos lidhet, si dhe në rastin kur udhëtari e ka siguruar zëvendësimin përkatës apo zëvendësimin e ka gjetur vetë organizatori.
5. Në qoftë se udhëtari heq dorë nga kontrata pas fillimit të udhëtimit, kurse shkak për këtë nuk janë rrethanat nga paragrafi paraprak i këtij neni, organizatori ka të drejtë në shumën e plotë të çmimit të kontraktuar të udhëtimit.
Neni 899E drejta e organizatorit të udhëtimit për të hequr dorë nga kontrata
1. Organizatori i udhëtimit mund të heqë dorë nga kontrata, plotësisht ose pjesërisht, pa detyrimin e shpërblimit të dëmit, në qoftë se përpara ose gjatë kohës së zbatimit të kontratës lindin rrethana të jashtëzakonshme që nuk kanë mundur të parashikohen dhe as të shmangen ose të mënjanohen e që po të ekzistonin në kohën e lidhjes së kontratës, do të përbënin shkak të bazuar për organizatorin e udhëtimit që të mos e lidhë kontratën.
2. Organizatori i udhëtimit mund të heq dorë nga kontrata pa detyrimin e shpërblimit të dëmit edhe kur numri minimal i udhëtarëve i parashikuar në vërtetimin mbi udhëtimin nuk është grumbulluar me konditë që për ketë rrethanë udhëtari të jetë njoftuar brenda afatit të caktuar që nuk mund të jetë më i shkurtër se pesë ditë para ditës kur udhëtimi është dashur të fillonte.
3. Në rastin e heqjes dorë nga kontrata para zbatimit të saj, organizatori duhet të kthejë në tërësi atë që ka marrë nga udhëtari.
4. Në qoftë se organizatori ka hequr dorë nga kontrata gjatë kohës së zbatimit të saj ka të drejtë të marrë shpërblim të drejtë për shërbimet e realizuara të kontraktuara, kurse ka për detyrë të marrë të gjitha masat e domosdoshme për ruajtjen e interesave të udhëtarit.
Neni 900Ndryshimet në programin e udhëtimit
1. Ndryshimet në programin e udhëtimit mund të behën vetëm në qoftë se janë shkaktuar nga rrethanat e jashtëzakonshme që organizatori i udhëtimit nuk ka mundur t'i parashikojë t'i shmangë ose t'i mënjanojë.
2. Shpenzimet që janë krijuar për shkak të ndryshimit të programit i përballon organizatori i udhëtimit, ndërsa pakësimi i shpenzimeve shkon në dobi të udhëtarit.
3. Zëvendësimi i strehimit të kontraktuar mund të bëhet vetëm me përdorimin e objektit të së njëjtës kategori, apo në ngarkim të organizatorit me përdorimin e objektit të kategorisë më të lartë dhe në vendin e kontraktuar të strehimit.
4. Në qoftë se në programin e udhëtimit janë bërë ndryshime esenciale pa ndonjë shkak të arsyeshëm organizatori i udhëtimit duhet të kthejë tërësisht atë që ka marrë nga udhëtari i cili për këtë arsye ka hequr dorë nga udhëtimi.
5. Në qoftë se janë bërë ndryshime esenciale në programin gjatë kohës së zbatimit të kontratës, udhëtari në rast të heqjes dorë përballon vetëm shpenzimet efektive të shërbimeve të realizuara. PJESA XXII KONTRATA NDËRMJETËSUESE PËR UDHËTIMIN