Neni 960. Subrogimi
1. Me pagimin e shpërblimit nga sigurimi kalojnë në siguruesin në bazë të ligjit deri në shumën e shpërblimit të paguar të gjitha të drejtat e të siguruarit kundrejt të gjithë personave, të cilët mbi çfarëdo baze janë përgjegjës për dëmin.
2. Në qoftë se për faj të të siguruarit është bërë i pamundur ky kalim i të drejtave në sigurues tërësisht ose pjesërisht, siguruesi shkarkohet në masën përkatëse nga detyrimi i vet ndaj të siguruarit.
3. Kalimi i të drejtave nga i siguruari në sigurues nuk mund të jetë në dëmin e të siguruarit, kështu që në qoftë se shpërblimi të cilin e ka marrë i siguruari nga siguruesi për cilindo shkak qoftë është më i vogël nga sa është dëmi që ka pësuar, i siguruari ka të drejtë që prej pasurisë së personit përgjegjës t’i paguhet mbetja e kompensimit përpara kërkesës së siguruesit në bazë të të drejtave që janë kaluar në të.
4. Përjashtimisht nga rregullat mbi kalimin e të drejtave të të siguruarit në siguruesin, këto të drejta nuk kalohen në siguruesin, në qoftë se dëmin e ka shkaktuar personi në gjini në vijë të drejtë me të siguruarin, ose personi për sjelljet e të cilit përgjigjet siguruesi apo i cili bashkëjeton me të në të njëjtën ekonomi shtëpiake, ose personi që është punëtor i të siguruarit, përveç nëse këta persona e kanë shkaktuar dëmin me dashje.
5. Në qoftë se dikush nga personat e përmendur në paragrafin paraprak ka qenë i siguruar nga përgjegjësia, siguruesi mund të kërkojë nga siguruesi i tij kompensimin e shumës që i ka paguar të siguruarit. NËNKREU 7 SIGURIMI NGA PËRGJEGJËSIA
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.