LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.
Neni 1Fushë veprimtaria e ligjit
1. Ky ligj përmban parimet themelore dhe rregullat e përgjithshme për të gjitha marrëdhëniet e detyrimeve.
2. Dispozitat e këtij ligji zbatohen ndaj marrëdhënieve të detyrimeve të rregulluara me akte të tjera ligjore në lidhje me çështjet që nuk rregullohen në këto akte.
Neni 2Autonomia e vullnetit
1. Pjesëmarrësit në marrëdhëniet e detyrimeve janë të lirë, që në pajtim me dispozitat urdhëruese, të rendit publik dhe të dokeve të mira, t`i rregullojnë marrëdhëniet e veta sipas vullnetit të tyre.
2. Pjesëmarrësit mund t`i rregullojnë marrëdhëniet e tyre të detyrimeve ndryshe nga ajo që është paraparë me këtë ligj, për derisa nuk rezulton diçka tjetër nga dispozitat e këtij ligji ose të kuptimit dhe qëllimit të tyre.
Neni 3Barazia e pjesëmarrësve në marrëdhëniet e detyrimeve
Pjesëmarrësit në marrëdhëniet e detyrimeve janë të barabartë.
Neni 4Parimi i ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë
1. Në krijimin e marrëdhënieve të detyrimeve dhe në ushtrimin e të drejtave dhe përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga këto marrëdhënie, pjesëmarrësit duhet t’i përmbahen parimit të ndërgjegjshmërisë dhe ndershmërisë.
2. Pjesëmarrësit në marrëdhëniet e detyrimeve duhet të veprojnë në pajtim me doket e mira afariste në marrëdhëniet e tyre. Pjesëmarrësit nuk munden të përjashtojnë ose kufizojnë këtë detyrim.
Neni 5Kujdesi
1. Në përmbushjen e detyrimeve të tyre, pjesëmarrësit në marrëdhëniet e detyrimeve detyrohen të veprojnë me kujdesin që kërkohet në qarkullimin juridik të llojit përkatës të marrëdhënies së detyrimit (kujdesi i një ekonomisti të mirë ose kujdesi i një shtëpiaku të mirë).
2. Në përmbushjen e detyrimeve të tyre nga veprimtaritë profesionale, pjesëmarrësit në marrëdhëniet e tyre të detyrimeve duhet të veprojnë me kujdes të lartë, sipas rregullave dhe zakonit të profesionit (kujdesi i një eksperti të mirë).
Neni 6Ndalimi i keqpërdorimit të të drejtave
1. Të drejtat që rrjedhin nga marrëdhëniet e detyrimeve duhet të ushtrohen në pajtim me parimet themelore të këtij ligji dhe qëllimin e tyre.
2. Gjatë ushtrimit të të drejtave të tyre, pjesëmarrësit në një marrëdhënie detyrimi duhet të përmbahen nga veprimi që do të mund të vështirësonte kryerjen e detyrimeve të pjesëmarrësve të tjerë.
3. Çdo veprim përmes të cilit bartësi i një të drejte vepron me qëllimin e vetëm ose të qartë të dëmtimit të tjetrit konsiderohet keqpërdorim i të drejtës.
Neni 7Parimi i ekuivalencës së prestimeve
1. Në krijimin e kontratave me shpërblim, pjesëmarrësit nisen nga parimi i vlerës së barabartë të dhënieve reciproke.
2. Me ligj përcaktohet se në cilat raste prishja e këtij parimi krijon pasoja juridike.
Neni 8Detyrat e përmbushjes së detyrimeve
1. Pjesëmarrësit në marrëdhënien e detyrimit kanë për detyrë ta përmbushin detyrimin e vet dhe janë përgjegjës për përmbushjen e të njëjtit.
2. Detyrimi mund të shuhet vetëm me pajtimin e vullneteve të pjesëmarrësve në marrëdhënien e detyrimeve ose në bazë të ligjit.
Neni 9Ndalimi i shkaktimit të dëmit
Secili person ka për detyrë të përmbahet nga veprimi që mund t’i shkaktoj dëm tjetrit.
Neni 10Zgjidhja e konflikteve në mënyrë paqësore
Pjesëmarrësit e marrëdhënies së detyrimit do të përpiqen që kontestet t’i zgjidhin me anë të negocimit, të ndërmjetësimit apo në ndonjë mënyrë tjetër me pajtimin e pjesëmarrësve.
Neni 11Doket afariste, uzansat dhe praktika
Doket afariste, uzansat dhe praktika e krijuar ndërmjet palëve duhet të merret në konsideratë në vlerësimin e sjelljes së kërkuar dhe efekteve të saj në marrëdhëniet e detyrimeve të subjekteve afarist.
Neni 12Kontratat komerciale
1. Dispozitat e këtij ligji zbatohen për të gjitha llojeve të kontratave, përveç nëse me ligj përcaktohet ndryshe.
2. Kontratat komerciale janë kontrata të lidhura nga subjektet komerciale ndërmjet tyre.
3. Entitetet afariste të përcaktuara me ligj, si dhe personat e tjerë juridike që kryejnë veprimtari fitimprurëse konsiderohen subjekte afariste në kuptimin e këtij ligji.
4. Personat e tjerë juridike konsiderohen subjekte komerciale në kuptimin e këtij ligji kur në pajtim me dispozitat ligjore, herë pas here ose gjatë veprimtarive të tyre parësore, përfshihen në veprimtari fitimprurëse, në rast se çështja ka të bëjë me një kontratë në lidhje me këto veprimtari fitimprurëse.
Neni 13Punët e tjera juridike
Kuptimi i dispozitave të këtij ligji në lidhje me kontratat përshtatshmërisht aplikohet edhe ndaj punëve të tjera juridike.
Neni 14Zbatimi analog i ligjit
Për marrëdhëniet për të cilat ky ligj nuk përmban ndonjë dispozitë zbatohen përshtatshmërisht dispozitat për marrëdhënie juridike të ngjashme, e në mungesë të dispozitave të tilla zbatohen parimet të cilat burojnë nga bazat e rendit juridik dhe doket e mira. PJESA II KRIJIMI I DETYRIMEVE KREU 1 KONTRATA NËNKREU 1 LIDHJA E KONTRATËS I. PAJTIMI I VULLNETIT
Neni 15Lidhja e kontratës
Kontrata është e lidhur kur palët kontraktuese janë marrë vesh për elementet thelbësore të kontratës.
Neni 16Mosmarrëveshja
Kur palët besojnë se janë pajtuar, kurse midis tyre ekziston mosmarrëveshja rreth elementeve thelbësore të kontratës, kontrata nuk do të konsiderohet e lidhur.
Neni 17Lidhja e detyrueshme dhe përmbajtja e detyrueshme e kontratës
1. Kushdo që sipas ligjit është i detyruar të lidhë kontratë, personi i interesuar mund të kërkojë që një kontratë e tillë të lidhet pa shtyrje.
2. Dispozitat ligjore, me të cilat caktohet pjesërisht apo tërësisht përmbajtja e detyrueshme e kontratës janë pjesë përbërëse e këtyre kontratave, kështu që i plotësojnë ato, ose hyjnë në vend të dispozitave kontraktuese që nuk janë në përputhje me to.
Neni 18Shprehja e vullnetit
1. Vullneti për ta lidhur kontratën mund të shprehet me fjalë, me shenja të rëndomta ose me ndonjë sjellje tjetër nga e cila mund të konkludohet me siguri për ekzistimin e tij.
2. Shprehja e vullnetit duhet të bëhet lirisht dhe seriozisht.
Neni 19Pëlqimi
1. Kur për lidhjen e ndonjë kontrate nevojitet aprovimi i personit të tretë, ky pëlqim mund të jepet para lidhjes së kontratës, si leje, apo, pas lidhjes së saj, si aprovim, po qe se me ligj nuk është parashikuar diç tjetër.
2. Leja, përkatësisht aprovimi duhet të jepet në formën e parashikuar për kontrata, për lidhjen e të cilave jepen.
Neni 20Negociatat
1. Negociatat që i paraprijnë lidhjes së kontratës nuk detyrojnë dhe secila palë mund t`i ndërpret kurdo që të dëshirojë.
2. Pala që ka zhvilluar negociata pa pasur qëllim që të lidhë kontratë, mban përgjegjësi për dëmin e shkaktuar gjatë zhvillimit të negociatave.
3. Përgjegjësi për dëmin mban edhe pala që i ka zhvilluar negociata me qëllim që të lidhë kontratë, e pastaj heqë dorë nga ky qëllim, pa ndonjë shkak të bazuar dhe në këtë mënyrë i shkakton dëm palës tjetër.
4. Në qoftë se nuk merren vesh ndryshe, secila palë bartë shpenzimet e veta rreth përgatitjes për lidhjen e kontratës, kurse shpenzimet e përbashkëta i bartin në pjesë të barabarta.
Neni 21Koha dhe vendi i lidhjes së kontratës
1. Kontrata është e lidhur në çastin kur ofertuesi merr deklaratën e të ofertuarit se e pranon ofertën.
2. Konsiderohet se kontrata është e lidhur në vendin ku ofertuesi e ka pasur selinë e tij, përkatësisht vendbanimin në çastin kur e ka bërë ofertën.
Neni 22Oferta
1. Oferta është propozim për lidhjen e kontratës që i bëhet personit të caktuar dhe përmban të gjitha elementet thelbësore të kontratës, kështu që me pranimin e saj do të mund të lidhej kontrata.
2. Kontrata konsiderohet e lidhur, nëse palët kontraktuese e lënë për më vonë marrëveshjen për elementet sekondare, me kusht që palët janë pajtuar për elementet thelbësore të kontratës. Nëse palët nuk mund të merren vesh për elementet dytësore, ato do të caktohen nga gjykata duke pasur parasysh negociatat paraprake, praktikën e krijuar ndërmjet kontraktuesve dhe doket.
3. Propozimi për lidhjen e kontratës që i bëhet një numri të pacaktuar personash, i cili përmban elementet thelbësore të kontratës, i destinuar për lidhjen e saj, vlen si ofertë, në qoftë se nuk rrjedh ndryshe nga rrethanat e rastit ose nga doket.
Neni 23Ekspozimi i mallit
Ekspozimi i mallit me shënimin e çmimit konsiderohet si ofertë, në qoftë se nuk rrjedh ndryshe nga rrethanat e rastit ose nga doket.
Neni 24Dërgimi i katalogjeve dhe i shpalljeve
1. Dërgimi i katalogëve, i çmimoreve, tarifave dhe i njoftimeve të tjera, si dhe shpalljet e bëra me anë të shtypit, trakteve, radios, televizionit ose në ndonjë mënyrë tjetër, nuk përbëjnë ofertë për lidhjen e kontratës, por vetëm ftesë që të bëhet oferta nën kushtet e shpallura.
2. Megjithatë, dërguesi i ftesave të tilla do të përgjigjet për dëmin, të cilin do ta pësonte ofertuesi, po qe se dërguesi pa ndonjë shkak të arsyeshëm nuk e ka pranuar ofertën e ofertuesit.
Neni 25Efekti i ofertës dhe i revokimit
1. Ofertuesi është i lidhur me ofertën, përveç nëse ofertuesi detyrimin e vet për ta mbajtur ofertën e ka përjashtuar, apo në qoftë se ky përjashtim rrjedh nga rrethanat e rastit.
2. Oferta mund të revokohet vetëm në qoftë se i ofertuari e ka marrë revokimin përpara marrjes së ofertës, apo njëkohësisht me të.
Neni 26Oferta Detyruese
1. Oferta në të cilën është caktuar afati për pranimin e saj, e detyron ofertuesin deri në skadimin e këtij afati.
2. Në qoftë se ofertuesi në letër ose në telegram e ka caktuar afatin e pranimit, do të konsiderohet se ky afat ka filluar të rrjedhë që nga data e shënuar në letër, ose në rast se nuk ka datë të shënuar në letër, nga data e shënuar në zarf, përkatësisht që nga dita kur është dorëzuar telegrami në postë. Afati për pranim i caktuar nga ofertuesi me telefon, teleks ose ndonjë mjet tjetër të drejtpërdrejtë të komunikimit fillon të rrjedhë në momentin kur i ofertuari e merr ofertën.
3. Oferta e bërë personit në mungesë, në të cilën nuk është caktuar afati i pranimit, detyron ofertuesin për kohën që nevojitet rregullisht që oferta t`i arrijë të ofertuarit, që ky ta shqyrtojë atë, të vendosë për te dhe që përgjigjja për pranimin të arrijë ofertuesit.
4. Oferta që i bëhet personit të pranishëm (oferta e drejtpërdrejt) në të cilën asnjë afat kohor për pranim nuk është caktuar, konsiderohet e refuzuar në rast se nuk është pranuar menjëherë, përveç nëse nga rrethanat del se të oferetuarit i takon një kohë për të shqyrtuar ofertën.
5. Oferta e bërë me telefon, ose drejtpërdrejt me anë të radio-ndërlidhjes si dhe me mjete të komunikimit drejtpërdrejt, konsiderohet si ofertë e bërë personit të pranishëm.
6. Në rast se afati kohor i caktuar për pranim nuk ka mbaruar ende, oferta pushon së qenuri e vlefshme kur ofertuesi pranon deklaratën për refuzimin e saj.
Neni 27Forma e ofertës
1. Oferta e kontratës për lidhjen e së cilës ligji kërkon formë të veçantë e detyron ofertuesin vetëm po qe se është bërë në këtë formë.
2. E njëjta vlen edhe për pranimin e ofertës.
Neni 28Pranimi i ofertës
1. Oferta është e pranuar kur ofertuesi e merr deklaratën e të ofertuarit se e pranon ofertën.
2. Oferta është e pranuar edhe atëherë kur i ofertuari e dërgon sendin ose e paguan çmimin, si dhe kur bën ndonjë veprim tjetër i cili në bazë të ofertës, praktikës së vërtetuar midis palëve të interesuara ose dokeve mund të konsiderohet si deklaratë për pranimin.
3. Pranimi mund të revokohet, në qoftë se ofertuesi e merr deklaratën për revokimin përpara deklaratës për pranimin ose njëkohësisht me të.
Neni 29Pranimi i ofertës me propozimin për ndryshim
1. Në rast se përgjigjja ndaj ofertës shpreh pranim, por njëkohësisht propozon që ajo diku të ndryshohet ose të plotësohet, konsiderohet se i ofertuari e ka refuzuar ofertën dhe i ka bërë një ofertë tjetër ofertuesit të mëparshëm.
2. Përgjigjja ndaj ofertës që shpreh pranim, por njëkohësisht përmban shtesa ose ndryshime që nuk e ndryshojnë thelbësisht ofertën nënkupton pranim, përveç nëse ofertuesi kundërshton menjëherë. Në rast se ofertuesi nuk vepron, kontrata lidhet në përputhje me përmbajtjen e ofertës me ndryshimet e theksuara në deklaratën e pranimit.
3. Shtesat ose ndryshimet që lidhen me çmimin ose pagesat për cilësinë dhe sasinë e mallrave, vendin dhe kohën e dorëzimit, nivelin e detyrimeve të njërës palë në krahasim me tjetrën ose zgjidhjen e kontesteve konsiderohen ndryshim thelbësor i ofertës.
Neni 30Heshtja e të ofertuarit
1. Heshtja e të ofertuarit nuk do të thotë pranim i ofertës.
2. Nuk ka efekt dispozita në ofertë se me heshtje të të ofertuarit ose ndonjë lëshim tjetër i tij (p.sh. në qoftë se nuk e refuzon ofertën brenda afatit të caktuar, apo në qoftë se sendin e dërguar për të cilin i ofrohet kontrata nuk e kthen brenda afatit të caktuar etj.) do të konsiderohet si pranim.
3. Megjithatë, kur i ofertuari ndodhet në lidhje të vazhdueshme afariste me ofertuesin lidhur me mallin e caktuar, konsiderohet se e ka pranuar ofertën që ka të bëjë me mallin e tillë, në qoftë se nuk e ka refuzuar menjëherë ose brenda afatit që i është lënë.
4. Po kështu, personi që i është ofruar tjetrit që të zbatojë urdhrat e tij për kryerjen e punëve të caktuara, si dhe personi në veprimtarinë afariste të të cilit hyn ushtrimi i urdhrave të tilla, ka për detyrë ta zbatojë urdhrin e marr në qoftë se nuk e ka refuzuar menjëherë.
5. Në qoftë se në rastin nga paragrafi paraprak, oferta, përkatësisht urdhri nuk është refuzuar, konsiderohet se kontrata është lidhur në çastin kur oferta, përkatësisht urdhri i ka arritur të ofertuarit.
Neni 31Pranimi i vonuar dhe dërgimi i vonuar i deklaratës së pranimit
1. Pranimi i ofertës që bëhet me vonesë konsiderohet si ofertë e re nga i ofertuari, përveç nëse ofertuesi e njofton menjëherë të ofertuarin se kontrata është lidhur në pajtim me ofertën e parë.
2. Në rast se është e qartë nga dokumenti që përmban pranimin e vonuar se është dërguar në rrethana të tilla që ofertuesi do ta kishte pranuar atë në kohë po qe se do të ishte transferuar në mënyrë të rregullt, kontrata do të konsiderohet e lidhur, përveç nëse ofertuesi e njofton menjëherë të ofertuarin se oferta nuk konsiderohet detyruese për shkak të vonesës.
Neni 32Vdekja ose paaftësia e njërës palë
Oferta nuk e humb efektin, në qoftë se vdekja ose paaftësia e njërës palë është shkaktuar përpara pranimit të saj, përveç nëse e kundërta del nga qëllimi i palëve, nga doket ose nga natyra e punës.
Neni 33Parakontrata
1. Parakontrata është kontratë me të cilën merret përsipër detyrimi që më vonë të lidhet kontrata tjetër kryesore.
2. Dispozitat mbi formën e kontratës kryesore vlejnë edhe për parakontratën, në qoftë se forma e parashikuar është kusht i vlefshmërisë së kontratës.
3. Parakontrata detyron, në qoftë se i përmban elementet thelbësore të kontratës kryesore.
4. Me kërkesën e palës së interesuar, gjykata do ta urdhërojë palën tjetër që refuzon lidhjen e kontratës kryesore ta bëjë këtë brenda afatit të cilin do t`ia caktojë.
5. Lidhja e kontratës kryesore mund të kërkohet brenda afatit prej gjashtë (6) muajsh nga skadimi i afatit të parashikuar për lidhjen e saj, e në qoftë se ky afat nuk është parashikuar, atëherë prej ditës kur sipas natyrës së punës dhe rrethanave konkrete, kontrata është dashur të lidhet.
6. Parakontrata nuk detyron në qoftë se rrethanat, prej lidhjes së saj kanë ndryshuar aq sa që nuk do të lidhej fare po të ekzistonin rrethanat e tilla në atë kohë. II. OBJEKTI
Neni 34Objekti i detyrimit kontraktues
1. Detyrimi kontraktues mund të përbëhet nga dhënia, veprimi, mosveprimi ose durimi.
2. Detyrimi duhet të jetë i mundshëm, i lejueshëm, i caktuar përkatësisht i caktueshëm.
Neni 35Kontrata nule
Kur objekti i detyrimit është i pamundur, i palejueshëm, i pacaktuar ose i cili nuk mund të caktohet, kontrata është absolutisht e pavlefshme.
Neni 36Kushti shtyrës
Kontrata e lidhur nën kushtin shtyrës, ose me afat është e vlefshme në qoftë se objekti i detyrimit i cili në fillim ishte i pamundur është bërë i mundur para realizimit të kushteve apo skadimit të afatit.
Neni 37Kur objekti i detyrimit është i palejueshëm
Objekti i detyrimit është i palejueshëm, në qoftë se është në kundërshtim me dispozitat e rendit publik, dispozitat tjera urdhëruese dhe moralin e shoqërisë.
Neni 38Kur objekti është i caktueshëm
1. Objekti i detyrimit është i caktueshëm në qoftë se kontrata përmban të dhënat me ndihmën e të cilave mund të caktohet objekti, apo nëse palët ia kanë lënë personit të tretë që ta caktojnë objektin.
2. Në qoftë se ky person i tretë nuk dëshiron apo nuk mund ta caktojë objektin e detyrimit, kontrata është absolutisht e pavlefshme. III. BAZA
Neni 39Baza e lejueshme
1. Secili detyrim kontraktues duhet të ketë bazën e lejueshme.
2. Baza është e palejushme në rast se është në kundërshtim me dispozitat e rendit publik, dispozitat tjera urdhëruese dhe moralin e shoqërisë.
3. Konsiderohet se detyrimi ka bazë, edhe në rast se kjo nuk është e shprehur.
4. Në rast se nuk ka bazë ose baza është e palejueshme, kontrata është nul dhe absolutisht e pavlefshme.
Neni 40Motivet për lidhjen e kontratës
1. Motivet nga të cilat është lidhur kontrata nuk ndikojnë në plotfuqishmërinë e saj.
2. Megjithatë, ne qoftë se motivi i palejueshëm ka ndikuar esencialisht që një nga kontraktuesit të vendosë lidhjen e kontratës dhe në qoftë se këtë gjë kontraktuesi tjetër e ka ditur ose është dashur ta dinte, kontrata do të jetë pa efekt.
3. Kontrata pa shpërblim nuk ka efekt juridik edhe kur kontraktuesi tjetër nuk ka ditur se motivi i palejueshëm ka ndikuar esencialisht në vendimin e bashkë kontraktuesit të tij. IV. AFTËSIA
Neni 41Kontrata e personit të paaftë për të vepruar
1. Për lidhjen e kontratës së vlefshme nevojitet që kontraktuesi të ketë zotësinë për të vepruar që kërkohet për lidhjen e kësaj kontrate.
2. Personi me zotësi të kufizuar për të vepruar mundet pa lejen e përfaqësuesit të vet ligjor të lidhë vetëm ato kontrata, lidhja e të cilave i lejohet nga ligji.
3. Kontratat e tjera të këtyre personave janë të rrëzueshme, në qoftë se janë lidhur pa lejen e përfaqësuesit ligjor, por mund të fuqizohen me aprovimin e mëvonshëm të të njëjtave.
Neni 42E drejta e bashkë kontraktuesve të personit të paaftë për të vepruar
1. Bashkë kontraktuesi i personit të paaftë për të vepruar,i cili nuk ka ditur për paaftësinë e tij për të vepruar mund të heqë dorë nga kontrata që ka lidhur me të pa lejen e përfaqësuesit të tij ligjor.
2. Të njëjtën të drejtë e ka edhe bashkë kontraktuesi i personit të paaftë për të vepruar që ka ditur për paaftësinë e tij për të vepruar, por ka qenë i mashtruar prej tij se e ka lejen e përfaqësuesit të vet ligjor.
3. Kjo e drejt shuhet pasi të kenë kaluar tridhjetë (30) ditë nga data kur të ketë mësuar për paaftësinë për të vepruar të palës tjetër, respektivisht për mungesën e lejen të përfaqësuesit ligjor, por shuhet edhe më përpara në qoftë se përfaqësuesi ligjor do ta lejojë kontratën para se të ketë skaduar ky afat.
Neni 43Ftesa e përfaqësuesit ligjor për t'u deklaruar
1. Bashkë kontraktuesi i personit të paaftë për të vepruar që ka lidhur kontratën me këtë te fundit pa lejen e përfaqësuesit të tij ligjor mund ta ftojë përfaqësuesin e tij ligjor që të deklarohet se a e aprovon ose jo këtë kontratë.
2. Në qoftë se përfaqësuesi ligjor nuk deklarohet brenda tridhjetë (30) ditësh nga data e kësaj ftese për lejimin e kontratës, do të konsiderohet se ka refuzuar ta japë lejen.
Neni 44Kur kontraktuesi e fiton zotësinë për të vepruar pas lidhjes së kontratës
Personi i aftë për të vepruar mund të kërkojë që të anulohet kontrata të cilën, pa autorizimin e nevojshëm, e ka lidhur gjatë kohëzgjatjes së zotësisë së kufizuar për të vepruar, vetëm në qoftë se padinë e ka paraqitur brenda tre (3) muajsh nga data e fitimit të zotësisë së plotë për të vepruar. V. TË METAT E VULLNETIT
Neni 45Kanosja
1. Në qoftë se pala kontraktuese ose ndonjë i tretë me kanosje të palejueshme ka shkaktuar frikësim të bazuar te pala tjetër, kështu që kjo për këtë arsye e ka lidhur kontratën, pala tjetër mund të kërkojë që kontrata të anulohet.
2. Frika konsiderohet e bazuar në qoftë se nga rrethanat shihet se nga rreziku serioz është cenuar jeta trupi ose ndonjë e mirë tjetër e rëndësishme e palës kontraktuese ose e personit të tretë.
Neni 46Lajthimi thelbësor
1. Lajthimi është thelbësor, në qoftë se ka të bëjë me elementet thelbësore të objektit, me personin me të cilin lidhet kontrata, në qoftë se lidhet duke marrë parasysh këtë person, si dhe me rrethanat të cilat sipas dokeve që praktikohen ose sipas qëllimit të palëve, konsiderohen vendimtare, ndërsa pala që është në lajthim nuk do ta lidhte përndryshe kontratën me përmbajtje të tillë.
2. Pala e cila është në lajthim mund të kërkojë të shpallet e pavlefshme kontrata për shkak të lajthimit thelbësor, përveç nëse gjatë lidhjes së kontratës nuk ka vepruar me kujdesin që kërkohet në qarkullim.
3. Nëse kontrata shpallet e pavlefshme për shkak të lajthimit, pala tjetër me mirëbesim ka të drejtë të kërkojë shpërblim për dëmin e pësuar.
4. Pala e cila është në lajthim nuk mund t`i referohet lajthimit, në qoftë se pala tjetër është e gatshme ta përmbushë kontratën sikur lajthimi të mos kishte ekzistuar fare.
Neni 47Lajthimi për motivin te kontrata pa shpërblim
Te kontrata pa shpërblim lajthim thelbësor konsiderohet edhe lajthimi për motivin që ka qenë vendimtar për marrjen përsipër të detyrimit.
Neni 48Deklarata e tërthortë
Lajthimi i personit me anë të të cilit pala ka shprehur vullnetin e saj konsiderohet se është njësoj si dhe lajthimi në shfaqjen e vullnetit vetjak.
Neni 49Mashtrimi
1. Në qoftë se njëra palë shkakton lajthim te pala tjetër, ose mban në lajthim me qëllim që me këtë ta shtyj për lidhjen e kontratës, pala tjetër mund të kërkojë të shpallet e pavlefshme kontrata edhe atëherë kur lajthimi nuk është thelbësor.
2. Pala që ka lidhur kontratë duke qenë e mashtruar, ka të drejtë që të kërkojë shpërblim për dëmin e pësuar.
3. Në qoftë se mashtrimin e ka bërë personi i tretë, mashtrimi ndikon në vetë kontratën në qoftë se pala tjetër kontraktuese në kohën e lidhjes së kontratës ishte në dijeni ose është dashur të dinte për mashtrimin.
4. Kontrata pa shpërblim mund të shpallet e pavlefshme edhe kur mashtrimin e ka bërë personi i tretë, pavarësisht nëse pala tjetër kontraktuese në kohën e lidhjes së kontratës e ka ditur ose është dashur të dinte për mashtrimin.
Neni 50Kontrata fiktive
1. Kontrata fiktive nuk ka efekt juridik ndërmjet palëve kontraktuese.
2. Në qoftë se kontrata fiktive fsheh ndonjë kontratë tjetër, atëherë kjo e dyta është e vlefshme, nëse janë plotësuar kushtet për vlefshmërinë e saj e saj juridike.
3. Fiktiviteti i kontratës nuk mund të theksohet ndaj personit të tretë. VI. FORMA E KONTRATËS
Neni 51Joformaliteti i kontratës
1. Lidhja e kontratës nuk i nënshtrohet asnjë forme, përveç nëse me ligj është caktuar ndryshe.
2. Përcaktimi me ligj, që kontrata të lidhet në një formë të caktuar vlen edhe për të gjitha ndryshimet ose plotësimet e mëvonshme të kontratës.
3. Megjithatë, të vlefshme janë plotësimet e mëvonshme gojore për elementet sekondare, për të cilat në kontratën formale nuk është thënë asgjë, në qoftë se kjo nuk është në kundërshtim me qëllimin për të cilin është parashikuar forma.
4. Të vlefshme janë edhe ujditë e mëvonshme gojore me të cilat zvogëlohen ose lehtësohen detyrimet e njërës ose të palës tjetër, në qoftë se forma e veçantë është parashikuar vetëm në interesin e palëve kontraktuese.
Neni 52Forma e kontratës për transferin e titullit të paluajtshmërisë
Kontrata në bazë të së cilës transferohet titulli i paluajtshmërisë ose përmes së cilës krijohet një e drejtë tjetër subjektive për paluajtshmërinë duhet të lidhet në formën e shkruar.
Neni 53Zgjidhja e kontratave formale
Kontratat formale mund të zgjidhen me marrëveshje joformale, përveç nëse në rastin e caktuar nga ligji parashikohet ndryshe, ose kur qëllimi për të cilin është parashikuar forma për lidhjen e kontratës kërkon që zgjidhja e kontratës të bëhet në të njëjtën formë.
Neni 54Forma e kontraktuar
1. Palët kontraktuese mund të merren vesh, që forma e veçantë të jetë kusht për vlefshmërinë e kontratës së tyre.
2. Kontrata për lidhjen e së cilës është kontraktuar forma e veçantë mund të zgjidhet, të plotësohet ose të ndryshohet në ndonjë mënyrë tjetër edhe me marrëveshje joformale.
3. Në qoftë se palët kontraktuese kanë parashikuar formën e caktuar vetëm për të siguruar provën për lidhjen e kontratës së tyre, ose për të arritur diçka tjetër, kontrata është e lidhur kur të jetë arritur pëlqimi për përmbajtjen e saj, ndërsa për kontraktuesin ka lindur në të njëjtën kohë detyrimi që kontratës t`i japin formën e parashikuar.
Neni 55Sanksioni për mungesë të formës së nevojshme
1. Kontrata që nuk është e lidhur në formën e parashikuar nuk ka efekt juridik, në qoftë se nga qëllimi i dispozitës me të cilën është caktuar forma nuk del diçka tjetër.
2. Kontrata që nuk është lidhur në formën e kontraktuar nuk ka efekt juridik, në qoftë se palët e kanë kushtëzuar vlefshmërinë e kontratës me formë të veçantë.
Neni 56Kushti i plotësisë së dokumentit
1. Në qoftë se kontrata është lidhur në formë të veçantë, si në bazë të ligjit ashtu edhe në bazë të vullnetit të palëve, vlen vetëm ajo që është shprehur në këtë formë.
2. Megjithatë, do të jenë të vlefshme ujditë e njëkohshme gojore për elementet sekondare për të cilat në kontratën formale nuk është thënë asgjë, në qoftë se nuk janë në kundërshtim me përmbajtjen e saj, apo nëse nuk janë në kundërshtim me qëllimin për të cilin është parashikuar forma.
3. Të vlefshme janë edhe marrëveshjet e njëkohshme gojore që i zvogëlojnë ose i lehtësojnë detyrimet e njërës ose të të dy palëve, në qoftë se forma e veçantë është parashikuar vetëm në interesin e palëve kontraktuese.
Neni 57Përpilimi i dokumentit
1. Kur për lidhjen e kontratës nevojitet përpilimi i dokumentit, kontrata është e lidhur kur dokumentin ta nënshkruajnë të gjithë personat që detyrohen prej saj.
2. Kontraktuesi që nuk di të shkruajë do të vejë në dokument shenjën e gishtit të vërtetuar nga dy dëshmitarë ose nga gjykata apo organi tjetër.
3. Për lidhjen e kontratës dypalëshe mjafton që të dy palët ta nënshkruajnë një dokument ose që secila prej palëve të nënshkruajë kopjen e dokumentit të destinuar palës tjetër.
4. Kërkesa e formës me shkrim është e përmbushur, në qoftë se palët këmbejnë letra ose merren vesh me ndonjë mjet tjetër që bënë të mundur që me siguri të përcaktohet përmbajtja dhe personi, i cili e ka dhënë deklaratën.
5. Në qoftë se me ligj shprehimisht nuk caktohet ndryshe, forma me shkrim zëvendësohet edhe me deklarata me mjete elektronike, për të cilat zbatohen dispozitat e ligjit të veçantë.
Neni 58Kur kontrata e përmbushur të cilës i mungon forma me shkrim është e vlefshme
Kontrata, për lidhjen e së cilës kërkohet forma me shkrim është e vlefshme edhe pse nuk është lidhur në këtë formë, në qoftë se palët kontraktuese detyrimet i kanë përmbushur në tërësi ose në pjesën më të madhe që dalin nga kontrata, përveç nëse qartë del ndryshe nga qëllimi për të cilin është parashikuar forma. VII. KUSHTI
Neni 59Kushtet dhe efektet e tyre
1. Kontrata quhet e lidhur me kusht, në qoftë se krijimi ose shuarja e saj varen nga një fakt i pasigurt.
2. Në qoftë se kontrata lidhet nën kusht shtyrës (pezullues) dhe kushti plotësohet, efekti i kontratës fillon që nga lidhja e saj, përveç nëse nga ligji, karakteri i punës ose vullneti i palëve del diç tjetër.
3. Në qoftë se kontrata lidhet nën kushtin zgjidhës, kontrata pushon të vlejë në qoftë se kushti plotësohet.
4. Konsiderohet se kushti është realizuar në qoftë se realizimi i tij, në kundërshtim me parimin e ndërgjegjshmërisë dhe të ndershmërisë, e parandalon pala në dëm të së cilës është caktuar, ndërsa konsiderohet se nuk është realizuar në qoftë se realizimi i tij, në kundërshtim me parimin e ndërgjegjshmërisë dhe të ndershmërisë, e shkakton pala në dobi të së cilës është caktuar.
Neni 60Efekti prapaveprues
Nëse sipas përmbajtjes së kontratës pasojat që krijohen me përmbushjen e një kushti kanë efekt që nga një moment më i hershëm kohor, atëherë, në rast të përmbushjes së këtij kushti, pjesëmarrësit janë të detyruar që t`i mundësojnë njëri tjetrit atë që do të kishin mundësuar, sikur pasojat të kishin lindur në çastin më të hershëm kohorë.
Neni 61Kushti i palejueshëm ose i pamundur
1. Është e pavlefshme kontrata në të cilën është vënë kushti shtyrës ose zgjidhës në kundërshtim me dispozitat urdhëruese, rendin publik ose moralin e shoqërisë.
2. Kontrata e lidhur nën kusht të pamundshëm shtyrës është e pavlefshme, ndërsa kushti i pamundshëm zgjidhës konsiderohet i paqenë.
Neni 62Sigurimi i të drejtës kushtëzuese
Në qoftë se kontrata është e lidhur me kusht shtyrës, kreditori, e drejta e të cilit është kushtëzuar, mund të kërkojë sigurimin përkatës të kësaj të drejte në qoftë se realizimi i saj është rrezikuar.
Neni 63Mbrojtja e së drejtës së kushtëzuar
1. Përfituesi nga puna juridike e lidhur nën kushtin shtyrës mundet, në rast të përmbushjes së këtij kushti, të kërkojë shpërblimin e dëmit nga pala tjetër, në qoftë se kjo para përmbushjes së kushtit me fajin e saj e ka pamundësuar ose kufizuar të drejtën e cila varet nga ky kusht.
2. Në rast të kontratës së lidhur nën kushtin zgjidhës, të njëjtën të drejtë dhe nën të njëjtat kushte e ka ai në dobi të të cilit rikthehet gjendja e mëhershme juridike.
Neni 64Pavlefshmëria e disponimeve gjatë kohëzgjatjes së kushtit
1. Nëse dikush e ka në dispozicion një objekt nën kushtin shtyrës, atëherë çdo disponim tjetër, të cilin e ndërmerr para plotësimit të kushtit, bëhet i pavlefshëm në momentin e plotësimit të kushtit, në masë për sa disponimi do të pengonte ose dëmtonte arritjen e qëllimit që varet nga kushti.
2. E njëjta vlen në rast të një kushti zgjidhës për disponimet e atij, e drejta e të cilit shuhet me plotësimin e këtij kushti.
3. Dispozitat mbi mbrojtjen e të drejtave të personave të tretë në mirëbesim zbatohen përshtatshmërisht. VIII. AFATET
Neni 65Llogaritja e afateve
1. Afati i caktuar në ditë fillon të rrjedhë ditën e parë pas ngjarjes nga e cila mund të llogaritet afati, ndërsa përfundon me skadimin e ditës së fundit, të afatit.
2. Afati i caktuar në javë, muaj ose vite përfundon atë ditë që me emër dhe numër përputhet me ditën e lindjes së ngjarjes nga e cila ka filluar të rrjedhë afati; e në qoftë se një ditë e tillë nuk ekziston në muajin e fundit, fundi i afatit bie në ditën e fundit të atij muaji.
3. Në qoftë se dita e fundit e afatit bie në ditën kur në bazë të ligjit është caktuar që të mos punohet, si ditë e fundit e afatit llogaritet dita e parë e punës në vijim.
4. Fillimi i muajit shënon ditën e parë të muajit, mesi i muajit me pesëmbëdhjetë (15) të muajt, dhe fundi i muajit në ditën e fundit të muajit, në qoftë se diçka tjetër nuk rezulton nga qëllimi i palëve, nga natyra e marrëdhënies, ose nga doket.
Neni 66Aplikimi i rregullave për kushtin
Kur efekti i kontratës fillon që nga koha e caktuar vihen në zbatim rregullat për kushtin shtytës; kur kontrata pushon të jetë në fuqi pas mbarimit të kohës së caktuar, vihen në zbatim rregullat për kushtin zgjidhës. IX. KAPARI DHE PENDESA
1. KAPARI
Neni 67Kthimi dhe llogaritja e kaparit
1. Në qoftë se në çastin e lidhjes së kontratës njëra palë ia ka dhënë palës tjetër një shumë të hollash, ose një sasi sendesh të tjera të zëvendësueshme si shenjë se kontrata është lidhur (kapari), kontrata konsiderohet e lidhur kur kapari të jetë dhënë, në qoftë se nuk është kontraktuar diç tjetër.
2. Kapari llogaritet në përmbushjen e detyrimit, e në qoftë se kjo nuk është e mundur, atëherë ai (kapari) duhet të kthehet në çastin e përmbushjes.
3. Në qoftë se nuk është kontraktuar diç tjetër, pala që e ka dhënë kaparin nuk mund të heqë dorë nga kontrata, duke ia lënë kaparin palës tjetër, e as që mund ta bëjë këtë pala tjetër duke e kthyer kaparin e dyfishuar.
Neni 68Mos përmbushja e kontratës
1. Në qoftë se për mos përmbushjen e kontratës është përgjegjëse pala që e ka dhënë kaparin, pala tjetër mundet, sipas vullnetit së saj të kërkojë përmbushjen e kontratës, në qoftë se kjo është ende e mundshme dhe të kërkojë shpërblimin e demit. Ajo mundet kaparin ta kompensojë me shpërblimin e dëmit ose ta kthejë ose pala mundet të pajtohet me kaparin e marrur.
2. Në qoftë se për mos përmbushjen e kontratës është përgjegjëse pala që e ka marrë kaparin, pala tjetër mundet, sipas zgjedhjes së saj të kërkojë përmbushjen e kontratës, po të jetë kjo ende e mundur ose të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe kthimin e kaparit, ose të kërkojë kthimin e kaparit të dyfishuar.
3. Sidoqoftë, kur pala tjetër, kërkon zbatimin e kontratës, ajo ka të drejtë edhe për shpërblimin e dëmit që pëson për shkak të vonesës.
4. Gjykata mundet, me kërkesë të palës së interesuar, ta zvogëlojë kaparin tepër të lartë.
Neni 69Përmbushja e pjesshme
1. Në rastin e përmbushjes së pjesshme të detyrimit, kreditori nuk mund ta mbajë kaparin, por mund të kërkojë përmbushjen e detyrimit të mbetur dhe shpërblimin e dëmit për shkak të vonesës, apo të kërkojë shpërblimin e dëmit për shkak të përmbushjes jo të plotë, por në dy rastet kapari llogaritet në shpërblimin e dëmit.
2. Në qoftë se kreditori e zgjidhë kontratën dhe e kthen atë që ka marrë si përmbushje të pjesshme, ai mund të zgjedhë midis kërkesave të tjera që i takojnë njërës palë kur kontrata ka mbetur e pa përmbushur me faj të tjetrës.
2. PENDIMI
Neni 70Pendimi
1. Me marrëveshjen e palëve kontraktuese mund të autorizohet njëra ose secila palë që të heqë dorë nga kontrata duke e dhënë pendimin.
2. Kur pala në dobi të së cilës është kontraktuar pendimi i deklaron palës tjetër se do ta jep pendimin, ajo nuk mund të kërkojë më përmbushjen e kontratës.
3. Pala e autorizuar për të hequr dorë ka për detyrë të japë pendimin njëkohësisht me deklaratën për heqjen dorë.
4. Në qoftë se kontraktuesit nuk e kanë caktuar afatin brenda të cilit pala e autorizuar mund të heqë dorë nga kontrata, ajo mund ta bëjë këtë gjithnjë gjersa të mos kalojë afati i caktuar për përmbushjen e detyrimit të saj.
5. Kjo e drejtë e heqjes dorë nga kontrata mbaron edhe kur, pala në favor të së cilës është kontraktuar, fillon t`i përmbushë detyrimet nga kjo kontratë ose të pranojë përmbushjen nga pala tjetër.
Neni 71Kapari si pendim
1. Kur bashkë me kaparin është kontraktuar e drejta e heqjes dorë nga kontrata, atëherë kapari konsiderohet si pendim dhe secila palë mund të heqë dorë nga kontrata.
2. Në këtë rast, në qoftë se heq dorë pala që e ka dhënë kaparin, kjo e humb atë, e në qoftë se heq dorë pala që e ka marrë kaparin, ajo e kthen të dyfishuar. NËNKREU 2 PËRFAQËSIMI I. PËRFAQËSIMI NË PËRGJITHËSI
Neni 72Mundësia e përfaqësimit
1. Lidhja e kontratës dhe punët e tjera juridike mund të kryhen edhe me përfaqësues.
2. Autorizimi për përfaqësim bazohet në ligj, në aktin e përgjithshëm të personit juridik, në aktin e organit kompetent ose në deklarimin e vullnetit të të përfaqësuarit (prokura).
Neni 73Efekti i përfaqësimit
1. Kontrata të cilën e lidhë përfaqësuesi në emër të personit të përfaqësuar dhe në kuadrin e autorizimeve të veta, e obligon drejtpërdrejt të përfaqësuarin dhe palën tjetër kontraktuese.
2. Nën të njëjtat kushtet edhe veprimet e tjera juridike të përfaqësuesit krijojnë efekt juridik direkt ndaj personit të përfaqësuar
3. Përfaqësuesi ka për detyrë ta njoftojë palën tjetër se paraqitet në emër të personit të përfaqësuar, por edhe kur nuk e bënë këtë gjë kontrata ka efekt juridik për të përfaqësuarin dhe për palën tjetër, në qoftë se kjo ka ditur, ose nga rrethanat, ka mundur të vijë në përfundim se ai paraqitet si përfaqësues.
Neni 74Bartja e autorizimeve
1. Përfaqësuesi nuk mund të bëjë bartjen e autorizimeve ta veta në tjetrin, përveç nëse kjo i është lejuar me ligi ose me kontratë.
2. Përjashtimisht, ai mund ta bëjë këtë, në qoftë se është i penguar nga rrethanat që punën ta kryejë vetë, kurse interesat e të përfaqësuarit kërkojnë ndërmarrjen pa vonesë të veprimit juridik.
Neni 75Tejkalimi i kufirit të autorizimit
1. Kur përfaqësuesi i tejkalon kufijtë e autorizimit, i përfaqësuari është në obligim vetëm në qoftë se e miraton kapërcimin.
2. Në qoftë se i përfaqësuari nuk e aprovon kontratën brenda afatit që nevojitet rregullisht që kontrata e llojit të tillë të shqyrtohet e të vlerësohet, do të konsiderohet se aprovimi nuk është dhënë fare.
3. Aprovimi i specifikuar nga paragrafi paraprak ka efekt prapaveprues, në qoftë se palët nuk caktojnë ndryshe.
4. Në qoftë se pala tjetër nuk ka ditur dhe as që është dashur ta dinte për kapërcimin e autorizimit, menjëherë posa ta ketë mësuar për tejkalimin e bërë, mundet duke mos pritur që i përfaqësuari të deklarohet rreth kontratës, ta deklarojë se nuk e quan vetën të obliguar nga kontrata.
5. Në qoftë se i përfaqësuari e refuzon lejimin, përfaqësuesi dhe i përfaqësuari janë solidarisht përgjegjës për dëmin që e ka pësuar pala tjetër, po që se kjo nuk ka ditur dhe as që është dashur te ishte ne dijeni për tejkalimin e autorizimit.
Neni 76Lidhja e kontratës nga personi i paautorizuar
1. Kontrata që lidhet prej ndonjë personi si i autorizuari në emër të tjetrit pa autorizimin e këtij, e obligon personin e përfaqësuar në mënyrë të paautorizuar vetëm nëse ky e aprovon kontratën më vonë.
2. Pala me të cilën është lidhur kontrata mund të kërkojë nga personi i përfaqësuar në mënyrë të paautorizuar që në afatin e caktuar të deklarohet nëse e lejon kontratën ose jo.
3. Në qoftë se personi i përfaqësuar në mënyrë ta paautorizuar as edhe në afatin e lënë të kontratës nuk e lejon atë, konsiderohet sikur kontrata ta mos jetë lidhur fare.
4. Në këtë rast pala me të cilin është lidhur kontrata, mund të kërkojë nga personi i cili si përfaqësues e ka lidhur kontratën pa autorizim kompensimin e dëmit, në qoftë se në çastin e lidhjes se kontratës nuk e ka ditur e as që është dashur ta dije se ky person nuk ka pasur autorizim për lidhjen e kontratës. II. DISPOZITA PLOTËSUESE LIDHUR ME PROKURËN
Neni 77Dhënia e prokurës
1. Prokura përmban autorizimin për përfaqësim që i jepet me punë juridike të autorizuarit nga ana e autorizuesit.
2. Ekzistimi dhe vëllimi i prokurës janë të pavarur nga raporti juridik mbi bazën e së cilës është dhënë prokura.
3. I autorizuar mund të jetë edhe personi juridik.
Neni 78Forma e veçantë e prokurës
Forma e parashikuar me ligj për ndonjë kontratë ose për ndonjë punë tjetër juridike vlen edhe për prokurën që jepet për lidhjen e kësaj kontrate, përkatësisht për ndërmarrjen e kësaj pune juridike.
Neni 79Vëllimi i autorizimit
1. Përfaqësuesi mund të ndërmerr vetëm ato punë juridike për ndërmarrjen e të cilave i është dhënë prokura.
2. Përfaqësuesi, të cilit i është dhënë prokura e përgjithshme mund të ndërmerr vetëm punë juridike që i takojnë ushtrimit të veprimtarisë së rregullt.
3. Puna që nuk hyn në veprimtari të rregullt mund të ndërmerret nga përfaqësuesi vetëm në qoftë se është i autorizuar veçanërisht për ndërmarrjen e kësaj pune ose të llojeve të punëve ku bën pjesë e njëjta.
4. Përfaqësuesi nuk mundet, pa autorizim të veçantë për secilin rast të veçantë, të ndërmerr detyrimin kambialor, të lidhë kontratë për dorëzaninë, për pajtimin, për gjykatën e zgjedhur ose arbitrazhin, për tjetërsimin apo ngarkimin e paluajtshmerive, që të përfshihet në një kontest, e as të heqë dorë nga ndonjë e drejtë pa shpërblim.
Neni 80Revokimi dhe kufizimi i prokurës
1. Dhënësi i prokurës mund ta kufizojë ose ta revokojë prokurën, edhe nëse me kontratë ka hequr dorë nga kjo e drejtë.
2. Revokimi dhe kufizimi i secilës prokurë mund të bëhet me deklaratë pa formë të veçantë.
3. Në qoftë se me revokimin ose me kufizimin e prokurës është cenuar kontrata mbi dekretin ose kontrata mbi veprën, apo ndonjë kontratë tjetër i autorizuari ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit të shkaktuar me këtë.
Neni 81Efekti i shuarjes dhe i kufizimit të prokurës ndaj personave të tretë
1. Revokimi i prokurës dhe kufizimi i saj, nuk ka efekt ndaj personit të tretë që ka lidhur kontratën me të autorizuarin, apo që ka kryer ndonjë punë tjetër juridike, e nuk ishte në dijeni dhe as që ka qenë i obliguar të dinte se prokura është revokuar, përkatësisht se është kufizuar.
2. Në këtë rast, dhënësi i prokurës ka të drejtë të kërkojë nga i autorizuari shpërblimin e dëmit që do të pësonte për këtë arsye, me përjashtim kur i autorizuari nuk ishte në dijeni as që është dashur ta dinte për revokimin, përkatësisht për kufizimin e prokurës.
3. E njëjta vlen edhe në rastet të tjera të shuarjes së prokurës.
Neni 82Raste të tjera të shuarjes të prokurës
1. Prokura shuhet me shuarjen e personit juridik si i autorizuar, në qoftë se me ligj nuk është caktuar ndryshe.
2. Prokura shuhet me vdekjen e autorizuesit.
3. Prokura shuhet me shuarjen e personit juridik, përkatësisht me vdekjen e personit që e ka dhënë atë, përveç nëse puna e filluar nuk mund të ndërpritet pa u shkaktuar dëm trashëgimtarëve ligjorë, apo nëse prokura vlen edhe në rast të vdekjes së dhënësit të prokurës, si me vullnetin e tij, ashtu edhe duke marrë parasysh karakterin e punës. III. AUTORIZIMI AFARIST
Neni 83Autorizimi i punonjësit
Personat që në bazë të kontratës me një kompani ose tregtar të pavarur kryejnë punë që kërkon lidhjen ose përmbushjen e kontratave specifike, si shitës në dyqane, persona që kryejnë punë specifike në furnizim me ushqim dhe sektorin spitalor, dhe sportelistë në zyra të postës dhe bankave, kanë të drejtën të lidhin dhe përmbushin këto kontrata.
Neni 84Të drejtat e përfaqësuesit të shitjeve të udhëtimeve
1. Përfaqësuesi i shitjeve të udhëtimeve për një kompani ose tregtar të vetëm autorizohet vetëm për veprimet juridike që lidhen me shitjen e mallrave dhe të përmendura në autorizim.
2. Në rast se nuk është e sigurt, përfaqësuesi i shitjeve të udhëtimeve konsiderohet se nuk ka të drejtë të lidhë kontratë, por thjesht të marrë urdhra.
3. Përfaqësuesit e shitjeve të udhëtimeve të autorizuar për lidhjen e kontratave për shitjen mallrave nuk autorizohen për lidhjen e kontratave për kredi ose për pranimin e të ardhurave të shitjeve, përveç nëse posedojnë një autorizim të veçantë për shitje të kredisë ose për pranimin e të ardhurave të shitjeve.
4. Përfaqësuesit e shitjeve të udhëtimeve kanë të drejtë të pranojnë për autorizuesin deklarata në lidhje me të metat në mallra dhe deklarata të tjera në lidhje me përmbushjen e kontratës së lidhur me përfshirjen e tyre, dhe të marrë masat e nevojshme në emër të autorizuesit për të ruajtur të drejtat kontraktore të autorizuesit. NËNKREU 3 INTERPRETIMI I KONTRATËS
Neni 85Aplikimi i dispozitave dhe interpretimi i dispozitave kontestuese
1. Dispozitat e kontratës zbatohen ashtu sikundër e kanë përmbajtjen.
2. Me rastin e interpretimit të dispozitave kontestuese nuk duhet lidhur vetëm për domethënien tekstuale të shprehjeve të përdorura, por duhet hulumtuar qëllimi i përbashkët i kontraktuesve dhe dispozita të kuptohet ashtu sikundër u përgjigjet parimeve të së drejtës së detyrimeve të përcaktuara me këtë ligj.
Neni 86Dispozitat e paqarta në raste të veçanta
Në rastin kur kontrata është lidhur sipas përmbajtjes së shtypur që më parë, ose kur kontrata ka qenë në ndonjë mënyrë e përgatitur dhe e propozuar nga njëra palë kontraktuese, dispozitat e paqarta do të interpretohen në dobi të palës tjetër.
Neni 87Rregullat plotësuese
Dispozitat e paqarta në kontratën pa shpërblim duhet interpretuar në kuptimin që dispozita e rëndon më pak debitorin, ndërsa te kontrata me shpërblim në kuptimin me të cilin realizohet një marrëdhënie e drejtë e prestimeve reciproke.
Neni 88Interpretimi jashtëgjyqësor i kontratës
1. Palët kontraktuese mund të parashikojnë se, në rastin e mospajtimit lidhur me kuptimin dhe sferën e dispozitave kontraktuese, një i tretë do ta interpretojë kontratën.
2. Në këtë rast, në qoftë se me kontratë nuk është parashikuar ndryshe, palët nuk mund të fillojnë kontestin para gjykatës ose para organit tjetër kompetent, derisa mos e marrin më parë interpretimin e kontratës, përveç nëse personi i tretë refuzon ta japë interpretimin e kontratës. NËNKREU 4 PAVLEFSHMËRIA E KONTRATËS I. KONTRATAT NULE
Neni 89Nuliteti
1. Kontrata që është në kundërshtim me rendin publik, dispozitat urdhëruese, ose moralin e shoqërisë është nule, në qoftë se qëllimi i rregullës së cenuar nuk udhëzon në ndonjë sanksion tjetër apo në qoftë se ligji në rastin e caktuar nuk parashikon diç tjetër.
2. Në qoftë se lidhja e kontratës së caktuar është e ndaluar vetëm për njërën palë, kontrata do të jetë e vlefshme, në qoftë se në ligj nuk është parashikuar ndryshe për rastin e caktuar, ndërsa pala që e ka cenuar ndalesën ligjore do të pësojë pasoja përkatëse.
Neni 90Pasojat e nulitetit
1. Në rastin e nulitetit të kontratës secila palë kontraktuese ka për detyrë t’ia kthej palës atë që ka marrë në bazë të kontratës së tillë, e në rast se kjo është e pamundshme apo nëse kthimi parandalohet nga natyra e asaj që është plotësuar, duhet të bëhet kompensimi përkatës në të holla sipas çmimeve në kohën e nxjerrjes së vendimit gjyqësor, përveç nëse përcaktohet ndryshe me ligj.
2. Në rast se kontrata është nul për shkak se sipas përmbajtjes ose qëllimit të vet është në kundërshtim me parimet themelore morale, gjykata mund të refuzojë tërësisht ose pjesërisht kërkesën e palës së pandërgjegjshme për kthimin e asaj që i ka dhënë palës tjetër; në marrjen e vendimit, gjykata do të ketë parasysh shkallën e veprimit në mirëbesim të njërës ose të të dy palëve dhe rëndësinë e interesave që cenohen.
Neni 91Nuliteti i pjesshëm
1. Nuliteti i ndonjë dispozite të kontratës nuk mund të ketë si pasojë nulitetin edhe të vetë kontratës, në qoftë se ajo mund të qëndrojë pa dispozitën nule, dhe në qoftë se ajo nuk ka qenë kusht apo motiv vendimtar për lidhjen e saj.
2. Megjithatë, kontrata do të jetë e vlefshme edhe atëherë kur dispozita nule ka qenë kusht ose motiv vendimtar i kontratës në rastin kur nuliteti është konstatuar pikërisht që kontrata të lirohej prej kësaj dispozite dhe të vlejë pa te.
Neni 92Konversioni i kontratës së pavlefshme
Kur kontrata nule i plotëson kushtet për vlefshmërinë e ndonjë kontrate tjetër, atëherë midis kontraktuesve do të vlejë kjo e dyta, në qoftë se kjo do të ishte në përputhje me qëllimin të cilin kontraktuesit e kanë pasur parasysh kur e kanë lidhur kontratën dhe në qoftë se mund të merret se këta do ta lidhin këtë kontratë po të ishin në dijeni për nulitetin e kontratës së tyre.
Neni 93Shuarja e mëvonshme e shkaqeve të nulitetit
1. Kontrata nule nuk bëhet e vlefshme, nëse ndalesa ose ndonjë shkak tjetër i pavlefshmërisë zhduket më vonë.
2. Mirëpo, në qoftë se ndalesa ka qenë me rëndësi të vogël, ndërsa kontrata është zbatuar, atëherë nuk mund të kërkohet nuliteti.
Neni 94Përgjegjësia e personit fajtor për nulitetin e kontratës
Kontraktuesi që është fajtor për lidhjen e kontratës nule i përgjigjet bashkë kontraktuesit të tij për dëmin që pëson për shkak të nulitetit të kontratës, në qoftë se ky nuk ishte në dijeni apo sipas rrethanave nuk do të duhej te ishte ne dijeni për ekzistimin e shkakut të nulitetit.
Neni 95Kërkimi i nulitetit
Për nulitetin gjykata kujdeset sipas detyrës zyrtare dhe në atë mund të thirret çdo person i interesuar.
Neni 96Kërkimi i pakufizuar i nulitetit
E drejta e paraqitjes së kërkesës të nulitetit nuk shuhet. II. KONTRATAT E RRËZUESHME
Neni 97Kontrata e rrëzueshme
Kontrata është e rrëzueshme kur e ka lidhur pala me aftësi të kufizuar për të vepruar, kur gjatë lidhjes së saj ka pasur të meta në pikëpamje të vullnetit të palëve, si dhe kur kjo gjë është caktuar me këtë ligj ose me dispozitë të veçantë.
Neni 98Anulimi i kontratës
1. Pala kontraktuese, në interesin e së cilës është vërtetuar rrëzueshmëria, mund të kërkojë që kontrata të shpallet e pavlefshme.
2. Mirëpo, bashkëkontraktuesi i kësaj pale mund të kërkojë prej saj që, brenda afatit të caktuar, por jo më të shkurtër se tridhjetë (30) ditë, të deklarohet se a mbetet pranë kontratës apo jo, sepse në të kundërtën do të konsiderojë se kontrata është shpallur e pavlefshme.
3. Në qoftë se pala e thirrur kontraktuese brenda afatit të lënë nuk deklarohet apo nëse deklaron se nuk mbetet pranë kontratës, konsiderohet se kontrata është shpallur e pavlefshme.
Neni 99Pasojat e anulimit
1. Në rast se në bazë të kontratës se rrëzueshme që është anuluar është përmbushur diçka, duhet të bëhet kthimi; në rast se kjo është e pamundshme apo në rast se kthimi ndalohet nga natyra e asaj që është përmbushur, duhet të bëhet kompensimi përkatës në të holla.
2. Kompensimi në të holla jepet sipas çmimeve në kohën e kthimit ose në kohën e nxjerrjes së vendimit gjyqësor.
Neni 100Përgjegjësia për anulimin e kontratës
Kontraktuesi, në anën e të cilit është shkaku i rrëzueshmërisë, i përgjigjet bashkë kontraktuesit për dëmin që pëson për shkak të anulimit të kontratës, nëse ky nuk ishte në dijeni dhe as që duhej të ishte në dijeni për ekzistimin e shkakut të rrëzueshmërisë së kontratës.