Neni 898. E drejta e udhëtarit për të hequr dorë nga kontrata
1. Udhëtari në çdo moment mund të heqë dorë nga kontrata, plotësisht ose pjesërisht.
2. Ne qoftë se udhëtari para fillimit të udhëtimit heq dorë nga kontrata në një afat të arsyeshme që caktohet duke marrë parasysh llojin e aranzhmanit (heqja dorë në kohën e duhur), organizatori i udhëtimit ka të drejtë vetëm në shpërblimin e shpenzimeve administrative.
3. Në rast të heqjes dorë jo në kohën e duhur nga kontrata, organizatori i udhëtimit mund të kërkojë nga udhëtari shpërblimin në përqindje të caktuar të çmimit të kontraktuar, që përcaktohet përpjestimisht me kohën që mbetet deri në fillim të udhëtimit dhe që duhet të justifikohet ekonomikisht.
4. Organizatori i udhëtimit ka të drejtë vetëm në shpërblimin e shpenzimeve të bëra në qoftë se udhëtari ka hequr dorë nga kontrata për shkak të rrethanave që nuk ka mundur t'i evitojë ose t'i shmangë dhe që, po të ekzistojnë në kohën e lidhjes së kontratës, do të përbënin shkak të bazuar që kontrata të mos lidhet, si dhe në rastin kur udhëtari e ka siguruar zëvendësimin përkatës apo zëvendësimin e ka gjetur vetë organizatori.
5. Në qoftë se udhëtari heq dorë nga kontrata pas fillimit të udhëtimit, kurse shkak për këtë nuk janë rrethanat nga paragrafi paraprak i këtij neni, organizatori ka të drejtë në shumën e plotë të çmimit të kontraktuar të udhëtimit.
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.