Dosja
Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve, 04/L-077

Neni 946. Qëllimi i sigurimit të pasurisë

1. Me sigurimin e pasurisë sigurohet shpërblimi për dëmin që do të ndodhte në pasurinë e të siguruarit për shkak të paraqitjes së rastit të siguruar.

2. Shuma e shpërblimit nuk mund të jetë më e madhe nga sa është dëmi që ka pësuar i siguruari nga paraqitja e rastit të siguruar.

3. Në sigurimin e të mbjellurave dhe të fruteve e të produkteve të tjera të tokës shuma e dëmit përcaktohet duke marrë parasysh vlerën që do të kishin në kohën e grumbullimit, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe.

4. Të vlefshme janë dispozitat e kontratës me të cilën shuma e shpërblimit kufizohet në një shumë më të vogël nga sa është shuma e dëmit.

5. Në rastin e vërtetimit të shumës së dëmit merret në konsiderim fitimi i humbur vetëm në qoftë se kjo është kontraktuar.

6. Në qoftë se gjatë së njëjtës periudhë të sigurimit ndodhin disa raste të siguruara njëri pas tjetrit, shpërblimi nga sigurimi për secilin prej tyre caktohet dhe paguhet tërësisht duke marrë parasysh krejt shumën e sigurimit, pa zbritjen e saj për aq sa është shuma e shpërblimeve të mëparshme të paguara në atë periudhë.

7. Në qoftë se me kontratën mbi sigurimin vlera e sendit të siguruar është përcaktuar në marrëveshje, shpërblimi caktohet sipas kësaj vlere, përveç nëse siguruesi provon se vlera e kontraktuar është shumë më e madhe nga sa është vlera efektive dhe në qoftë se për këtë diferencë nuk ekziston ndonjë arsye e bazuar (si për shembull, sigurimi i sendit të përdorur në vlerën e sendit të tillë të ri, ose sigurimi i vlerës subjektive).

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.