Neni 955. Sigurimi i shumëfishtë dhe i dyfishtë
1. Në qoftë se ndonjë objekt është siguruar pranë dy ose më tepër siguruesve kundër të njëjtit rrezik për të njëjtin interes dhe për të njëjtën kohë, kështu që shuma totale e sigurimit nuk tejkalon vlerën e këtij sendi (sigurimi i shumëfishtë), secili sigurues përgjigjet për zbatimin në tërësi të detyrimeve të krijuara nga kontrata që ka lidhur ai.
2. Në qoftë se shuma totale e sigurimit e tejkalon vlerën e sendit të siguruar (sigurimi i dyfishtë), ndërsa kontraktuesi i sigurimit nuk ka vepruar me ndërgjegje, të gjitha këto sigurime janë të vlefshme dhe secili sigurues ka të drejtë në preminë e kontraktuar për periudhën e sigurimit në vazhdim, ndërsa siguruesi ka të drejtë të kërkojë prej secilit sigurues të veçantë shpërblimin sipas kontratës së përfunduar me të, por gjithsej jo më tepër se sa është shuma e dëmit.
3. Kur ndodh rasti i siguruar, kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë ta njoftojë për këtë secilin sigurues të të njëjtit rrezik dhe t’i komunikojë emrat dhe adresat e siguruesve të tjerë, si dhe shumat e sigurimit të kontratave të veçanta të përfunduara me këta.
4. Pasi shpërblimi t’i paguhet të siguruarit, secili sigurues përballon pjesën e shpërblimit në përpjesëtimin në të cilin qëndron shuma e sigurimit në të cilën është detyruar ai ndaj shumës totale të sigurimit, kështu që siguruesi që ka paguar më tepër ka të drejtë të kërkojë nga siguruesit e tjerë shpërblimin për shumën e paguar më tepër.
5. Në qoftë se ndonjë kontratë është lidhur pa e treguar shumën e sigurimit, ose kundrejt mbulimit të pakufizuar, konsiderohet si kontratë e lidhur kundrejt shumës më të lartë të sigurimit.
6. Për pjesën e siguruesit i cili nuk mund të paguajë, përgjigjen siguruesit e tjerë përpjesëtimisht me pjesët e tyre.
7. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit ka lidhur kontratën e sigurimit me të cilën është krijuar sigurimi i dyfishtë, duke mos ditur për sigurimin e përfunduar më parë, ai mundet, pavarësisht nëse sigurimin e mëparshëm e ka lidhur ai apo ndokush tjetër, brenda një muaji nga dita kur ka mësuar për këtë sigurim, të kërkojë zbritjen përkatëse të shumës së sigurimit dhe të premisë së sigurimit të mëvonshëm, por siguruesi mban premitë e marra dhe ka të drejtë në preminë për periudhën vijuese.
8. Në qoftë se sigurimi i dyfishtë është realizuar për shkak të zvogëlimit të vlerës së objektit të sigurimit gjatë kohës së afatit të sigurimit, kontraktuesi i sigurimit ka të drejtë në zbritjet përkatëse të shumave të sigurimit dhe të premive, duke filluar që nga dita kur ia ka komunikuar siguruesit kërkesën e vet për zbritje.
9. Në qoftë se gjatë krijimit të sigurimit të dyfishtë kontraktuesi i sigurimit ka vepruar në mënyrë të pandërgjegjshme, secili sigurues mund të kërkojë anulimin e kontratës, të mbajë premitë e marra dhe të kërkojë preminë e pazvogëluar për periudhën vijuese.
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.