Dosja
Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve, 04/L-077

Neni 428. Cedimi në vend të përmbushjes ose me qëllim arkëtimi

1. Kur debitori në vend të përmbushjes së detyrimit të vet ia cedon kreditorit kërkesën e vet ose një pjesë të saj, në momentin e lidhjes e kontratës mbi cedimin shuhet detyrimi i debitorit deri në shumën e kërkesës së ceduar.

2. Kur debitori ia cedon kreditorit të vet kërkesën e vet vetëm me qëllim arkëtimi, detyrimi i tij shuhet, respektivisht zvogëlohet vetëm kur kreditori e arkëton kërkesën e ceduar.

3. Në të dy rastet cesionari ka për detyrë t’ia dorëzojë ceduesit të gjitha ato që ka arkëtuar përtej shumës së kërkesës së vet ndaj ceduesit.

4. Në rastin e cedimit me qëllim arkëtimi, debitori i kërkesës së ceduar mund ta përmbushë detyrimin e vet edhe ndaj ceduesit, madje edhe kur është i njoftuar për cedimin.

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.