Dosja

LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Kërko në këtë akt

Neni 101Përgjegjësia e personit me aftësi të kufizuar për të vepruar

Personi me aftësi të kufizuar për të vepruar përgjigjet për dëmin e shkaktuar me anulimin e kontratës, në qoftë se me dinakëri e ka bindur bashkë kontraktuesin e tij se është i aftë për të vepruar.

Neni 102Shuarja e së drejtës së anulimit

1. E drejta për të kërkuar anulimin të një kontrate të rrëzueshme shuhet me skadimin e afatit prej një (1) viti nga dita kur të jetë ditur shkaku i rrëzueshmërisë, përkatësisht prej pushimit të dhunës.

2. Kjo e drejtë në çdo rast shuhet me skadimin e afatit prej tri (3) vitesh nga dita e lidhjes së kontratës. NËNKREU 5 KONTRATAT E DYANSHME DETYRUESE I. PËRGJEGJËSIA PËR TË METAT MATERIALE DHE JURIDIKE TË PËRMBUSHJES

Neni 103Përgjegjësia për të metat materiale dhe juridike

1. Te kontrata me shpërblim secili kontraktues përgjigjet për të metat materiale të mos përmbushjes së vet.

2. Kontraktuesi përgjigjet edhe për të metat juridike të përmbushjes dhe ka për detyrë të mbrojë palën tjetër nga të drejtat dhe kërkesat e personave të tretë me të cilat e drejta e saj do të përjashtohej ose kufizohej.

3. Lidhur me këto detyrime të bartësve përshtatshmërisht zbatohen dispozitat e këtij ligji për përgjegjësitë e shitësit për të metat materiale dhe juridike, në qoftë se për rastin e caktuar nuk është parashikuar ndryshe. II. KUNDËRSHTIMI I MOSPËRMBUSHJES SË KONTRATËS

Neni 104Rregullat e përmbushjes së njëkohshme

1. Në kontratat e dyanshme asnjëra palë nuk e ka për detyrë ta përmbushë detyrimin e vet në qoftë se pala tjetër nuk e përmbush, ose nuk është e gatshme që njëkohësisht ta përmbushë detyrimin e saj, me përjashtim kur është kontraktuar diçka tjetër ose është caktuar me ligj apo kur rrjedh diçka tjetër nga vetë natyra e punës.

2. Mirëpo, në qoftë se në gjykatë njëra nga palët thekson se nuk e ka për detyrë ta përmbushë detyrimin e vet, gjersa edhe pala tjetër nuk e përmbush të vetin, gjykata do t”i urdhërojë që ta përmbushë detyrimin e saj kur pala tjetër ta përmbushë të vetin.

Neni 105Kur përmbushja e detyrimit të njërës palë bëhet e pasigurt

1. Në qoftë se është kontraktuar që së pari njëra palë ta përmbushë detyrimin e saj, e më vonë, pas lidhjes së kontratës, rrethanat materiale të palës tjetër keqësohen deri në atë masë saqë është e pasigurt nëse ajo do të mund ta përmbushë detyrimin e saj, ose nëse kjo pasiguri del nga shkaqet tjera serioze, atëherë pala që është detyruar ta përmbushë e para detyrimin e saj, mund ta shtyjë përmbushjen e tij gjersa pala tjetër mos ta përmbushë detyrimin e vet, apo derisa të mos të japë sigurim të mjaftueshëm se do ta përmbushë atë.

2. Kjo vlen edhe kur rrethanat materiale të palës tjetër kanë qenë në të njëjtën masë të vështira, qysh para lidhjes së kontratës, në qoftë se bashkë kontraktuesi i saj për këtë nuk ishte në dijeni e as që duhej të ishte në dijeni.

3. Në raste të tilla, pala që është detyruar që e para ta përmbushë detyrimin e vet mund të kërkojë që t`i jepet sigurimi brenda një afati të përshtatshëm, e pasi të kalojë ky afat pa rezultat, mund ta zgjidhë kontratën. III. ZGJIDHJA E KONTRATËS PËR SHKAK TË MOSPËRMBUSHJES

Neni 106Të drejtat e njërës palë kur pala tjetër nuk e përmbushë detyrimin saj

Në kontratat e dyanshme, kur njëra palë nuk e përmbushë detyrimin e saj, pala tjetër mundet, në qoftë se nuk është caktuar diç tjetër, të kërkojë përmbushjen e detyrimit ose, në kushtet të parashikuara në nenet e mëposhtëm, ta zgjidhë kontratën me deklaratë të thjeshtë, në qoftë se zgjidhja e kontratës nuk krijohet sipas vetë ligjit. Në çdo rast ka të drejtë në shpërblimin e dëmit.

Neni 107Kur përmbushja brenda afatit është element thelbësor i kontratës

1. Kur përmbushja e detyrimit brenda afatit të caktuar është element thelbësor i kontratës, ndërsa debitori nuk e përmbush detyrimin brenda këtij afati, kontrata zgjidhet sipas vetë ligjit.

2. Kreditori mund ta mbajë kontratën në fuqi, në qoftë se pas skadimit të afatit, pa shtyrje e njofton debitorin se kërkon përmbushjen e kontratës.

3. Kur kreditori e ka kërkuar përmbushjen, por kjo nuk është realizuar brenda afatit të arsyeshëm, mund të deklarojë zgjidhjen e kontratës.

4. Këto rregulla vlejnë si në rastin kur palët kontraktuese kanë parashikuar që kontrata të konsiderohet e zgjidhur në qoftë se nuk do të përmbushet brenda afatit të caktuar, ashtu edhe kur përmbushja e kontratës brenda afatit të caktuar është element thelbësor i kontratës sipas vetë natyrës së punës.

Neni 108Kur përmbushja e detyrimit brenda afatit nuk është element thelbësor i kontratës

1. Kur përmbushja e detyrimit brenda afatit të caktuar nuk është element thelbësor i kontratës, debitori mban të drejtën që edhe pas skadimit të afatit ta përmbushë detyrimin e tij, kurse kreditori të kërkojë përmbushjen e saj.

2. Në qoftë se kreditori dëshiron ta zgjidhë kontratën duhet detyrimisht t`i lejë debitorit një afat të ri të përshtatshëm për përmbushjen e detyrimit.

3. Në qoftë se debitori nuk e përmbush detyrimin brenda afatit të ri krijohen të njëjtat pasoja sikurse kur afati është element thelbësor i kontratës.

Neni 109Zgjidhja e kontratës pa lënien e afatit të ri

Kreditori mund ta zgjidhë kontratën pa i lënë debitorit afat të ri për përmbushjen e detyrimit në qoftë se nga qëndrimi i debitorit del se ai detyrimin e tij nuk do ta përmbushë as në afatin e ri.

Neni 110Zgjidhja e kontratës para skadimit të afatit

Kur para skadimit të afatit për përmbushjen e detyrimit del e qartë se njëra palë nuk do ta përmbushë detyrimin e saj nga kontrata, pala tjetër mund ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.

Neni 111Zgjidhja e kontratës me detyrime të vazhdueshme

1. Kur në kontratën me detyrime të vazhdueshme njëra palë nuk përmbush një detyrim, pala tjetër mundet brenda një afati të arsyeshëm, ta zgjidhë kontratën lidhur me të gjitha detyrimet e ardhshme, në qoftë se nga rrethanat konkrete del e qartë se as ato nuk do të përmbushen.

2. Pala mund ta zgjidhë kontratën jo vetëm sa u përket detyrimeve të ardhshme, por edhe sa u përket detyrimeve të përmbushura, po qe se përmbushja e tyre pa përmbushjen e atyre që kanë mbetur nuk ka interes për te.

3. Debitori mund ta mbajë kontratën, në qoftë se jep sigurimin përkatës.

Neni 112Detyrimi i njoftimit

Kreditori i cili për shkak të mos përmbushjes së detyrimit të debitorit e zgjidh kontratën, ka për detyrë që këtë t`ia komunikojë debitorit pa shtyrje.

Neni 113Kontrata që nuk mund të zgjidhet

Kontrata nuk mund të zgjidhet për shkak të mos përmbushjes së pjesës me vlerë të vogël të detyrimit.

Neni 114Pasojat juridike të zgjidhjes

1. Me zgjidhjen e kontratës të dy palët lirohen nga detyrimet e tyre, me përjashtim të detyrimit për shpërblimin e dëmit eventual.

2. Në qoftë se njëra palë e ka përmbushur kontratën tërësisht ose pjesërisht, ka të drejtë që t`i kthehet ajo që ka dhënë.

3. Në qoftë se të dy palët kanë të drejtë të kërkojnë kthimin e asaj që kanë dhënë, kthimet reciproke bëhen sipas rregullave për përmbushjen e kontratave të dyanshme.

4. Secila palë i ka borxh tjetrës shpërblimin për dobitë që ka pasur në ndërkohë prej asaj që e ka për detyrë ta kthejë ose ta shpërblejë.

5. Pala e cila kthen të hollat ka për detyrë të paguajë kamatëvonesën që nga dita kur e ka marrë pagesën.

Neni 115Deklarimi i zgjidhjes

Zgjidhja bëhet me deklarimin ndaj palës tjetër. IV. ZGJIDHJA OSE REVIDIMI I KONTRATËS PËR SHKAK TË RRETHANAVE TË NDRYSHUARA

Neni 116Klauzula Rebus Sic Stantibus

1. Në qoftë se pas lidhjes së kontratës krijohen rrethanat që e vështirësojnë përmbushjen e detyrimit të njërës palë, apo në qoftë se për shkak të tyre nuk mund të realizohet qëllimi i kontratës, e si në njërin, ashtu edhe në rastin tjetër në atë masë sa që del e qartë se kontrata nuk i përgjigjet më asaj që është pritur nga palët kontraktuese dhe se sipas vlerësimit të përgjithshëm do të ishte e padrejtë të mbahet në fuqi e tillë siç është, pala të cilës i është vështirësuar përmbushja e detyrimit, përkatësisht pala e cila për shkak të rrethanave të ndryshuara nuk mund ta realizojë qëllimin e kontratës, mund të kërkojë që kontrata të zgjidhet apo të ndryshohet.

2. Zgjidhja e kontratës nuk mund të kërkohet në qoftë se pala thirret në rrethana të ndryshuara, ka pasur për detyrë që në kohën e lidhjes së kontratës të marrë në konsiderim këto rrethana ose ka mundur që këto t`i evitojë apo t`i përballojë.

3. Pala që kërkon zgjidhjen e kontratës nuk mund të thirret në rrethana të ndryshuara që janë shkaktuar pas skadimit të afatit të caktuar për përmbushjen e detyrimit të saj.

4. Kontrata nuk do të zgjidhet në qoftë se pala tjetër ofron ose pranon që kushtet përkatëse të kontratës të ndryshohen në mënyrë të drejtë.

5. Në qoftë se është deklaruar zgjidhja e kontratës, gjykata me kërkesë të palës tjetër, do ta detyrojë palën që e ka kërkuar zgjidhjen t`ia shpërblejë palës tjetër pjesën e dëmit të caktuar në mënyrë të drejtë, të cilën e pëson për këtë.

Neni 117Detyrimi i njoftimit

Pala që është e autorizuar, që për shkak të ndryshimit të rrethanave të kërkojë zgjidhjen ose ndryshimin e kontratës, ka për detyrë që për qëllimin e saj ta njoftojë palën tjetër, posa të këtë mësuar se janë shkaktuar rrethanat e tilla. Në qoftë se këtë nuk e bën, përgjigjet për dëmin që ka pësuar pala tjetër për shkak se kërkesa nuk i është komunikuar me kohë.

Neni 118Rrethanat me rëndësi për vendimin e gjykatës

Kur vendos për zgjidhjen e kontratës, përkatësisht për ndryshimin e saj gjykata udhëhiqet nga parimet e qarkullimit të ndershëm, duke pasur kujdes sidomos për qëllimin e kontratës, për rrezikun e zakonshëm te kontratat e llojit përkatës, për interesin e përgjithshëm, si dhe për interesat e të dy palëve.

Neni 119Heqja dorë nga e drejta për tu thirrur në rrethana të ndryshuara

Palët munden me kontratë që më parë të heqin dorë nga e drejta për tu thirrur në rrethanat përkatëse të ndryshuara, përveç nëse kjo është në kundërshtim me parimin e ndërgjegjshmërisë dhe të ndershmërisë. V. PAMUNDËSIA E PËRMBUSHJES

Neni 120Pamundësia e përmbushjes për të cilën nuk përgjigjet asnjëra palë

1. Kur përmbushja e detyrimit e njërës palë në kontratën e dyanshme është bërë e pamundur për shkak të ngjarjes për të cilën nuk është përgjegjëse asnjëra as tjetra palë, shuhet edhe detyrimi i palës tjetër, e në qoftë se kjo ka përmbushur diç prej detyrimit të saj, mund të kërkojë kthimin sipas rregullave për kthimin e pasurimit të pabazë.

2. Në rast të pamundësisë së përmbushjes së pjesshme, për shkak të ngjarjes për të cilën nuk është përgjegjëse as njëra as pala tjetër, pala tjetër mund ta zgjidhë kontratën në qoftë se përmbushja e pjesshme nuk u përgjigjet nevojave të saj, përndryshe kontrata mbetet në fuqi, ndërsa pala tjetër ka të drejtë të kërkojë zvogëlimin proporcional të detyrimit të saj.

Neni 121Pamundësia e përmbushjes për të cilën përgjigjet pala tjetër

1. Kur përmbushja e detyrimit të njërës palë në kontratën e dyanshme detyruese është bërë e pamundur për shkak të ngjarjes për të cilën përgjigjet pala tjetër, detyrimi i saj shuhet, ndërsa ajo rezervon kërkesat e veta kundrejt palës tjetër; kërkesa do të zvogëlohet për aq sa ka mundur të ketë dobi nga lirimi i detyrimit të vet.

2. Përveç kësaj, ajo duhet që t’i cedojë palës tjetër të gjitha të drejtat që do të kishte ndaj personave të tretë lidhur me objektin e detyrimit të vet përmbushja e të cilit është bërë e pamundur.

3. Në rast se përmbushja e detyrimeve bëhet e pamundshme për njërën palë në një kontratë dypalëshe për shkak të ngjarjes për të cilën kjo palë është përgjegjëse, pala tjetër mund të kërkojë kompensim për mos përmbushje ose tërheqje nga kontrata dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit. VI. DËMTIMI PËRTEJ MASE

Neni 122Disproporcioni i hapur i dhënieve reciproke

1. Në qoftë se midis detyrimeve të palëve kontraktuese në kontratën e dyanshme detyruese ekziston në kohën e lidhjes së kontratës disproporcion i hapur pala e dëmtuar mund të kërkojë edhe anulimin e kontratës, në qoftë se për vlerën e saktë atëherë nuk ka ditur dhe as që është dashur të dinte.

2. E drejta për të kërkuar anulimin e kontratës pushon me skadimin e një (1) viti nga lidhja e kontratës.

3. Heqja dorë që me pare nga kjo e drejtë nuk ka efekt juridik.

4. Kontrata do të mbetet në fuqi në qoftë se pala tjetër ofron plotësimin e dhënies deri në vlerën e plotë.

5. Për shkak të këtij disproporcioni nuk mund të kërkohet anulimi i kontratës aleatore të shitjes në ankandin publik, si dhe atëherë kur për sendin është dhënë çmimi i lartë për shkak të afinitetit të posaçëm.

Neni 123Kontratat me fajde

1. Kontrata është nule kur dikush, duke shfrytëzuar gjendjen e nevojës ose gjendjen e vështirë materiale të tjetrit, përvojën e pamjaftueshme të tij mendjelehtësinë apo varësinë e tij, kontrakton për veten e tij ose për ndonjë të tretë dobinë që është haptazi në shpërpjesëtim me atë që ai i ka dhënë apo i ka bërë tjetrit, ose është detyruar të japë ose të bëjë.

2. Kuptimi i dispozitave të këtij ligji mbi pasojat e pavlefshmërisë dhe për pavlefshmërinë e pjesshme të kontratave zbatohen përshtatshmërisht të kontratat me fajde.

3. Në qoftë se i dëmtuari kërkon që detyrimi i tij të zvogëlohet në një shumë të drejtë, gjykata do ta pranojë këtë kërkesë, po qe se kjo është e mundur dhe, në këtë rast, kontrata, me ndryshimin përkatës, mbetet në fuqi.

4. I dëmtuari mund të bëjë kërkesë për zvogëlimin e detyrimit në një shumë të drejtë brenda afatit prej pesë (5) vitesh nga lidhja e kontratës. VII. KUSHTET E PËRGJITHSHME TË KONTRATËS

Neni 124Detyrimi

1. Kushtet e përgjithshme të caktuara nga ana e një palë kontraktuese, qofshin ato të përmbajtura në kontratën formale apo të referuara nga kontrata, përbëjnë marrëveshje të veçanta ndërmjet palëve kontraktuese në të njëjtën kontratë dhe si rregull janë njësoj detyruese.

2. Kushtet e përgjithshme të kontratës duhet të shpallen sipas mënyrës së zakonshme.

3. Kushtet e përgjithshme e detyrojnë palën kontraktuese në rast se kanë qenë të njohura për te ose është dashur t'i njihte në rastin e lidhjes së kontratës.

4. Në rast të mospërputhjes ndërmjet kushteve të përgjithshme dhe marrëveshjeve të veçanta, vlejnë këto të fundit.

Neni 125Nuliteti i disa dispozitave të kushteve të përgjithshme

1. Janë nul dispozitat e kushteve të përgjithshme që janë në kundërshtim me vetë qëllimin e kontratës së lidhur ose me praktikën e mirë afariste, qoftë edhe kur kushtet e përgjithshme brenda të cilave bëjnë pjesë të jenë miratuar nga autoriteti kompetent.

2. Gjykata mund të refuzojë zbatimin e disa dispozitave të kushteve të përgjithshme që e privojnë palën tjetër nga e drejta për të bërë kundërshtime ose apelim, ose të dispozitave në bazë të të cilave pala humbë të drejtën nga kontrata ose afatet, ose përndryshe janë të padrejta apo tepër rigoroze ndaj palës.

Neni 126Kolizioni në mes të kushteve të përgjithshme

1. Nëse palët kanë arritur marrëveshje përveç se oferta dhe pranimi i saj i referohen kushteve të përgjithshme të cilat janë në kolizion në mes tyre, kontrata megjithatë konsiderohet e lidhur. Kushtet e përgjithshme janë pjesë e kontratës deri në atë masë sa janë të përbashkëta në substancë.

2. Sidoqoftë nuk mund të lidhet kontratë nëse njëra palë:

2.1. paraprakisht ka bërë me dije, në mënyrë shprehimore, dhe jo përmes kushteve të përgjithshme, qëllimin e saj për të mos qenë pjesë e kontratës në bazë të paragrafit 1. të këtij neni; ose

2.2. pa vonesë të panevojshme, njofton palën tjetër për qëllimin e tillë. VIII. CEDIMI I KONTRATAVE

Neni 127Kushtet e cedimit

1. Secila palë në kontratën dypalëshe mundet po qe se për këtë jep pëlqimin pala tjetër t’ia cedojë kontratën personit të tretë i cili me ketë gjë bëhet titullar i të gjitha të drejtave dhe detyrimeve të tij që dalin nga kjo kontratë.

2. Me cedimin e kontratës, marrëdhënia kontraktuese ndërmjet ceduesit dhe palës tjetër kalon në pritësin dhe në palën tjetër në momentin kur pala tjetër ka pranuar cedimin; në rast se pëlqimi është dhënë më parë, cedimi konsiderohet se ka ndodhur kur pala tjetër është njoftuar për cedimin.

3. Pëlqimi për cedimin e kontratës është i vlefshëm vetëm në rast se është dhënë në formën e parashikuar me ligj për lidhjen e kontratës së ceduar.

4. Kuptimi i dispozitave të të drejtave të palëve në lidhje me kontratën e marrjes përsipër të borxhit vlen edhe ndaj cedimit të kontratave.

Neni 128Përgjegjësia e cedentit

1. Cedenti i përgjigjet cesionarit për vlefshmërinë e kontratës së ceduar.

2. Ai nuk i garanton se pala tjetër do t`i përmbushë detyrimet e saja nga kontrata e ceduar, përveç nëse për këtë është detyruar veçanërisht.

3. Ai nuk i garanton po ashtu palës tjetër se cesionari do t`i përmbushë detyrimet nga kontrata, përveç nëse për këtë është detyruar veçanërisht.

Neni 129Kundërshtimet

Pala tjetër mund t`i paraqes cesionarit të gjitha kundërshtimet nga kontrata e ceduar, si edhe ato që i ka nga marrëdhëniet tjera me të, por jo edhe kundërshtimet që i ka ndaj cedentit. NËNKREU 6 EFEKTET E PËRGJITHSHME TË KONTRATËS I. KRIJIMI I DETYRIMEVE PËR KONTRAKTUESIT

Neni 130Efekti i kontratave midis kontraktuesve dhe pasardhësve të tyre

1. Kontrata krijon të drejta dhe detyrime për palët kontraktuese.

2. Kontrata krijon efekte te veta edhe për pasardhësit juridikë universal te palëve kontraktuese, përveç nëse është kontraktuar diçka tjetër apo nëse diçka tjetër rezulton nga vete natyra e kontratës.

3. Me kontratë mund të krijohet e drejta në dobi të personit të tretë. II. KONTRATA NË DOBI TË PERSONIT TË TRETË

Neni 131E drejta e drejtpërdrejtë e të tretit

1. Kur dikush kontrakton në emër të tij ndonjë kërkesë në dobi të personit të tretë, atëherë personi i tretë fiton të drejtën vetjake dhe të drejtpërdrejtë ndaj debitorit, në qoftë se nuk është kontraktuar diç tjetër ose nuk del nga rrethanat e punës.

2. Kontraktuesi ka të drejtë të kërkojë që debitori të kryejë ndaj personit të tretë atë që është kontraktuar në dobi të atij personit të tretë.

Neni 132Revokimi i dobive për personin e tretë

1. Kontraktuesi mund t’i revokojë ose ti ndryshojë dobitë për personin e tretë gjithnjë derisa personi i tretë të mos deklarojë se e pranon atë që është kontraktuar në dobi të tij.

2. Në qoftë se është kontraktuar se debitori do të përmbush atë për të cilën është detyruar në dobi të personit të tretë vetëm pas vdekjes së kontraktuesit, ky mundet deri atëherë, madje edhe me testamentin e tij, ta revokojë dobinë e kontraktuar për personin e tretë në qoftë se nga vetë kontrata ose nga rrethanat nuk del diçka tjetër.

Neni 133Prapësimet e debitorit ndaj të tretit

Debitori mund t`i paraqesë personit të tretë të gjitha prapësimet që i ka ndaj kontraktuesit në bazë të kontratës me të cilën është kontraktuar përfitimi për të tretin.

Neni 134Refuzimi i të tretit

Në qoftë se i treti e refuzon dobinë që është kontraktuar për te, apo nëse kontraktuesi e revokon, dobia i takon kontraktuesit po qe se diçka tjetër nuk është kontraktuar ose nuk del nga vetë natyra e punës.

Neni 135Premtimi i veprimit të personit të tretë

1. Premtimi i bërë tjetrit se i treti do të kryejë ose do të lëshojë që të kryejë diçka, të tretin nuk e detyron, kurse premtuesi përgjigjet për dëmin që do të pësonte tjetri për shkak se i treti nuk donë të detyrohet që ta kryejë ose të lëshojë që të mos e kryejë veprimin e caktuar.

2. Premtuesi nuk do të përgjigjet në qoftë se i ka premtuar tjetrit se vetëm do të angazhohet tek personi i tretë që ky do të detyrohet që diçka të kryejë ose të lëshojë që të kryejë, kurse në këtë nuk ka pasur sukses përkundër gjithë angazhimit të nevojshëm. KREU 2 SHKAKTIMI I DËMIT NËNKREU 1 DISPOZITAT E PËRGJITHSHME

Neni 136Bazat e përgjegjësisë

1. Kush i shkakton tjetrit dëm ka për detyrë ta kompensojë, përveç nëse vërtetohet se dëmi është shkaktuar pa fajin e tij.

2. Për dëmin nga sendet ose nga veprimtaritë, nga të cilat rrjedhë rreziku i shtuar i dëmit për rrethin përgjigjet pavarësisht nga faji.

3. Për dëmin, pavarësisht nga faji mbahet përgjegjësia edhe në rastet tjera të parashikuara me ligj.

Neni 137Dëmi

Dëmi është zvogëlimi i pasurisë së dikujt (dëm i zakonshëm) dhe pengimi i rritjes së saj (fitimi i humbur), si dhe shkaktimi tjetrit i dhembjes fizike, vuajtjes psikike ose frikës (dëmi jo material).

Neni 138Kërkesa për mënjanimin e rrezikut të dëmit

1. Kushdo mund të kërkojë prej tjetrit që të mënjanojë burimin e rrezikut të dëmit të rëndësishëm që i kanoset atij ose numrit të pacaktuar njerëzish si dhe të përmbahet nga veprimtaritë nga të cilat rezulton trazimi ose rreziku i dëmit në qoftë se lindja e trazimit ose e dëmit nuk mund të parandalohet me masa përkatëse.

2. Gjykata do të urdhërojë sipas kërkesës së personit të interesuar që të ndërmerren masat përkatëse për parandalimin e shkaktimit të dëmit ose të shqetësimit, ose të evitohet burimi i rrezikut, me shpenzime të mbajtësit të burimit të rrezikut, në qoftë se ky vetë nuk e bën këtë.

3. Në qoftë se dëmi shkaktohet në ushtrimin e veprimtarisë me interes të përgjithshëm, për të cilën është marrë leja e organit kompetent, mund të kërkohet vetëm shpërblimi i dëmit që i tejkalon kufijtë e rëndomtë.

4. Mirëpo edhe në këtë rast mund të kërkohet ndërmarrja e masave shoqërisht të arsyeshme për parandalimin e shkaktimit të dëmit apo për zvogëlimin e tij.

Neni 139Kërkesa që të pushohet me shkeljen e të drejtave të personalitetit

1. Secili ka të drejtë të kërkojë nga gjykata ose nga organi tjetër kompetent të urdhërojë pushimin e veprimit që e shkel integritetin e personalitetit të njeriut të jetës personale e familjare e të drejtave të tjera të personalitetit të tij.

2. Gjykata, përkatësisht organi tjetër kompetent mund të urdhërojë që të pushojë veprimi nën kërcënimin e pagimit të një shume të caktuar të hollash, të caktuara gjithsejtë ose në periudha të kohës në dobi të të dëmtuarit. NËNKREU 2 PËRGJEGJËSIA NË BAZË TË FAJËSISË

Neni 140Ekzistimi i fajësisë

Fajësia ekziston kur dëmtuesi e ka shkaktuar dëmin me dashje ose nga pakujdesia.

Neni 141Personat të cilët nuk janë përgjegjës

1. Personi i cili për shkak të sëmundjes psikike, të zhvillimit të metë mendor apo të shkaqeve të tjera nuk është i aftë të gjykojë, nuk përgjigjet për dëmin e shkaktuar, përveç nëse provohet që dëmin e ka shkaktuar në kohën kur ka qenë i aftë për të gjykuar.

2. Kush i shkakton dëm tjetrit në gjendje të paaftësisë së përkohshme për gjykim, është përgjegjës për atë, përveç nëse provon se pa fajin e tij është sjellë në një gjendje të tillë.

3. Në qoftë se në këtë gjendje është sjellë me faj të dikujt, për dëmin do të përgjigjet ai që e ka sjellë në gjendje të tillë.

Neni 142Përgjegjësia e të miturit

1. I mituri deri në moshën shtatë vjeç nuk përgjigjet për dëmin të cilin e shkakton.

2. I mituri prej moshës shtatë (7) vjeçare, deri në moshën katërmbëdhjetë (14) vjeçare, nuk përgjigjet për dëmin e shkaktuar, përveç në qoftë se provohet se gjatë shkaktimit të dëmit ka qenë i aftë për të gjykuar.

3. I mituri mbasi t`i ketë mbushur katërmbëdhjetë (14) vjet përgjigjet sipas rregullave të përgjithshme për përgjegjësinë për dëmin.

Neni 143Mbrojtja e nevojshme, gjendja e nevojës, mënjanimi i dëmit nga tjetri

1. Kush në mbrojtje të nevojshme i shkakton dëm sulmuesit nuk e ka për detyrë ta shpërblejë dëmin, përveç në rastin e tejkalimit të mbrojtjes së nevojshme.

2. Në qoftë se dikush e shkakton dëmin në gjendje të nevojës ekstreme, i dëmtuari mund të kërkojë shpërblim nga personi që është fajtor për shkaktimin e rrezikut të dëmit ose nga personat nga të cilët është mënjanuar dëmi, por nga këta të fundit jo më tepër se sa kanë pasur përfitim nga kjo.

3. Kush pëson dëm duke mënjanuar prej tjetrit rrezikun e dëmit ka të drejtë të kërkojë prej tij shpërblimin e atij dëmi të cilit i është ekspozuar me arsye.

Neni 144Vetë ndihma e lejuar

1. Kush në rastin e vetë ndihmës së lejuar i shkakton dëm personit i cili e ka shkaktuar nevojën e vetë ndihmës nuk ka për detyrë ta shpërblejë.

2. Me vetë ndihmë të lejuar nënkuptohet e drejta e çdo personi për të mënjanuar shkeljen e të drejtës kur kanoset rreziku i drejtpërdrejtë, në qoftë se një mbrojtje e tillë është e domosdoshme dhe nëse mënyra e mënjanimit të cenimi të së drejtës i përgjigjet rrethanave në të cilat shkaktohet rreziku.

Neni 145Pëlqimi i të dëmtuarit

1. Kush në dëm të vet i lejon tjetrit ndërmarrjen e ndonjë veprimi, nuk mund të kërkojë prej tij shpërblimin e dëmit të shkaktuar nga ky veprim.

2. Është e pavlefshme deklarata e të dëmtuarit me të cilën e ka dhënë pëlqimin që t`i shkaktohet dëmi me veprimin e ndaluar me ligj. NËNKREU 3 PËRGJEGJËSIA PËR TJETRIN

Neni 146Personat me sëmundje mendore dhe me të meta në zhvillimin mendor

1. Për dëmin të cilin e shkakton personi i cili për shkak të sëmundjes mendore ose të zhvillimit mendor të metë ose të shkaqeve të tjera nuk është i aftë për të gjykuar, përgjigjet ai i cili në bazë të ligjit ose të vendimit të organit kompetent ose të kontratës ka për detyrë të bëjë mbikëqyrjen e tij.

2. Ai mund të lirohet nga përgjegjësia në qoftë se provon se e ka kryer mbikëqyrjen për të cilën është i detyruar, apo se dëmi do të shkaktohej edhe me kryerjen e kujdesshme të mbikëqyrjes.

Neni 147Përgjegjësia e prindërve

1. Prindërit përgjigjen për dëmin që i shkakton tjetrit fëmija i tyre deri në moshën shtatë vjeçare, pavarësisht nga faji i tij.

2. Ata lirohen nga përgjegjësia nëse ekzistojnë shkaqet për përjashtimin e përgjegjësisë sipas rregullave për përgjegjësinë pavarësisht nga faji.

3. Ata nuk përgjigjen në qoftë se dëmi është shkaktuar gjersa fëmija i është besuar personit tjetër dhe në qoftë se ky person është përgjegjës për dëmin.

4. Prindërit përgjigjen për dëmin që i shkakton tjetrit fëmija i mitur i tyre që ka mbushur moshën shtatë vjeç, përveç nëse provojnë se dëmi është shkaktuar pa fajin e tyre.

Neni 148Përgjegjësia solidare

Në qoftë se përveç prindërve përgjigjet për dëmin edhe fëmija, përgjegjësia e tyre është solidare.

Neni 149Përgjegjësia e personit tjetër për të miturin

1. Për dëmin të cilin ia shkakton tjetrit i mituri derisa ndodhet nën mbikëqyrjen e kujdestarit, shkollës ose institucionit tjetër, përgjigjet kujdestari, shkolla, përkatësisht institucioni tjetër, përveç nëse provojnë se mbikëqyrjen e kanë kryer sipas mënyrës në të cilën kanë qenë të detyruar, apo se dëmi do të shkaktohej edhe me kryerjen e kujdesshme të mbikëqyrjes.

2. Në qoftë se për dëmin përgjigjet edhe i mituri, përgjegjësia është solidare.

Neni 150Përgjegjësia e veçantë e prindërve

1. Në qoftë se detyra e mbikëqyrjes mbi personin e mitur nuk bie mbi prindërit, por mbi ndonjë person tjetër, i dëmtuari ka të drejtë të kërkojë shpërblimin nga prindërit kur dëmi është krijuar për shkak të edukatës së keqe të të miturit, shembujve të këqij ose të shprehive familjare të cilat ia kanë dhënë prindërit ose kur edhe ashtu dëmi mund t`i dedikohej fajit të prindërve.

2. Personi në të cilin në këtë rast bie përgjegjësi e mbikëqyrjes ka të drejtë të kërkojë nga prindërit që t`ia shpërblejnë shumën e paguar, në qoftë se ai ia ka paguar shpërblimin dëmtuesit.

Neni 151Përgjegjësia në bazë të drejtshmërisë

1. Në rast se shkaktohet dëmi, të cilën e ka shkaktuar personi, i cili për atë dëm nuk ka qenë përgjegjës, ndërsa shpërblimi nuk mund të nxirret nga personi, i cili e ka pasur për detyrë të kryejë mbikëqyrjen mbi te, gjykata mundet, kur këtë e kërkon drejtshmëria, e sidomos duke marrë parasysh gjendjen materiale të dëmtuesit dhe të të dëmtuarit, ta gjykojë dëmtuesin që ta shpërblejë dëmin tërësisht ose pjesërisht.

2. Në qoftë se dëmin e ka shkaktuar i mituri me aftësi për të gjykuar, i cili nuk është në gjendje ta shpërblejë, gjykata mundet, kur këtë e kërkon drejtshmëria, e sidomos duke marrë parasysh gjendjen materiale të prindërve dhe të dëmtuesit, t`i detyrojë prindërit ta shpërblejnë dëmin, tërësisht ose pjesërisht. NËNKREU 4 PËRGJEGJËSIA E PUNËDHËNËSIT PËR PUNËMARRËSIT

Neni 152Përgjegjësia e punëdhënësit

1. Personi juridik ose fizik me të cilin punonjësi ka punuar në kohën e shkaktimit të dëmit është përgjegjës për dëmin e shkaktuar ndaj personit të tretë nga punonjësi gjatë punës apo në lidhje me punën, përveç nëse provohet se punonjësi ka vepruar ashtu siç ka qenë e nevojshme në rrethanat konkrete.

2. Pala e dëmtuar ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e dëmit drejtpërdrejt nga punonjësi në rast se dëmin e ka shkaktuar me dashje.

3. Secili person që dëmshpërblen palën e dëmtuar për dëmin e shkaktuar nga punonjësi me dashje apo nga pakujdesia e rende ka të drejtë të kërkojë kthimin e shumës së paguar nga punonjësi.

4. Kjo e drejtë shuhet gjashtë (6) muaj pas ditës së pagesës së kompensimit.

5. Me dispozitën e paragrafit 1. të këtij neni nuk preket në rregullat e përgjegjësisë për dëmin e shkaktuar nga sendet e rrezikshme ose nga veprimtaritë e rrezikshme.

Neni 153Përgjegjësia e personit juridik për dëmin e shkaktuar nga organi i tij

1. Personi juridik përgjigjet për dëmin të cilin organi i tij ia shkakton personit të tretë gjatë ushtrimit ose lidhur me ushtrimin e funksioneve të tij.

2. Në qoftë se për rastin e caktuar nuk është parashikuar ndryshe me ligj, personi juridik ka të drejtë në shpërblim nga personi i cili e ka shkaktuar dëmin me dashje ose nga pakujdesia e rëndë.

3. Kjo e drejtë parashkruhet brenda afatit prej gjashtë (6) muajsh nga dita e pagimit të shpërblimit të dëmit. NËNKREU 5 PËRGJEGJËSIA PËR DËMIN NGA SENDI I RREZIKSHËM OSE NGA VEPRIMTARIA E RREZIKSHME I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 154Prezumimi i kauzalitetit

Dëmi i shkaktuar lidhur me sendin e rrezikshëm, përkatësisht me veprimtarinë e rrezikshme konsiderohet se rrjedh nga ky send, përkatësisht nga kjo veprimtari, përveç nëse provohet se ato nuk kanë qenë shkak i dëmit.

Neni 155Kush përgjigjet për dëmin

Për dëmin nga sendi i rrezikshëm përgjigjet zotëruesi i saj, kurse për dëmin nga veprimtaria e rrezikshme përgjigjet personi që merret me të.

Neni 156Marrja e kundërligjshme e sendit të rrezikshëm nga zotëruesi

Në qoftë se pronarit i është marre sendi i rrezikshëm në mënyrë të kundërligjshëm, për dëmin që rrjedh nga kjo, nuk përgjigjet ai, por ai që ia ka marre sendin e rrezikshëm, në qoftë se pronari nuk është përgjegjës për këtë.

Neni 157Dorëzimi i sendit personit të tretë

1. Në vend të pronarit të sendit, dhe njësojë si ai, përgjigjet personi të cilit pronari ia ka besuar sendin që të shërbehet me te, ose personi i cili përndryshe e ka për detyrë ta mbikëqyrë, ndërsa nuk ndodhet në punë te ai.

2. Përveç tij do të përgjigjet edhe pronari i sendit, po qe se dëmi ka rrjedhë nga ndonjë e metë e fshehur ose nga veçoria e fshehur e sendit për të cilën pronari nuk ia ka tërhequr vëmendjen.

3. Në këtë rast personi përgjegjës i cili ia ka paguar shpërblimin dëmtuesit ka të drejtë të kërkojë shumën e plotë të saj nga pronari.

4. Pronari i sendit të rrezikshëm i cili ia ka besuar atë personit që nuk është i aftësuar apo nuk është i autorizuar të manipulojë me atë, përgjigjet për dëmin që rrjedhë nga ky send.

Neni 158Lirimi nga përgjegjësia

1. Zotëruesi lirohet nga përgjegjësia në rast se provohet se dëmi rrjedh nga ndonjë shkak që ka ndodhur jashtë sendit dhe efekti i të cilit nuk ka mundur të parashihet, të mënjanohet ose të evitohet.

2. Zotëruesi i sendit lirohet nga përgjegjësia edhe në rast se provohet se dëmi është shkaktuar vetëm nga veprimi i palës së dëmtuar ose i personit të tretë gjë të cilën ai nuk ka mundur të parashihte dhe pasojat e të cilit nuk ka mundur t’i shmangë ose t'i mënjanoje.

3. Zotëruesi lirohet nga përgjegjësia pjesërisht në rast se pala e dëmtuar pjesërisht ka kontribuar në shkaktimin e dëmit.

4. Në rast se në shkaktimin e dëmit ka kontribuar pjesërisht personi i tretë, ky person i përgjigjet palës së dëmtuar solidarisht bashkë me zotëruesin e sendit.

5. Personi që e ndihmon zotëruesin në përdorimin e sendit nuk konsiderohet si person i tretë. II. PËRGJEGJËSIA PËR MJETET MOTORIKE (AUTOMJETET)

Neni 159Përgjegjësia në rast aksidenti të shkaktuar nga mjetet motorike në lëvizje

1. Në rast aksidenti të shkaktuar nga mjeti motorik në lëvizje që është shkaktuar vetëm për faj të një zotëruesi zbatohen rregullat për përgjegjësinë në bazë të fajit.

2. Në qoftë se ekziston faji i dyanshëm, secili zotëruesi i mjetit motorik përgjigjet për dëmin e tërësishëm që e kanë pësuar ata përpjesëtimisht me shkallën e fajit të tyre.

3. Në qoftë se nuk ka fajësi në asnjërën anë, zotëruesi i mjetit motorik përgjigjet në pjesë të barabarta, në qoftë se rregullat e drejtshmërisë nuk kërkojnë diç tjetër.

4. Për dëmin që e pësojnë personat e tretë zotëruesit e mjeteve motorike përgjigjen solidarisht. III. PËRGJEGJËSIA PËR TË METAT E PRODUKTEVE

Neni 160Përgjegjësia e prodhuesit për të metat e sendit

1. Kush vë në qarkullim ndonjë send të cilin e ka prodhuar e që për shkak të ndonjë të mete për të cilën ai nuk ka ditur qe përbën rrezik dëmi për personat ose për sendet përgjigjet për dëmin që do të krijohej për shkak të kësaj të mete.

2. Prodhuesi përgjigjet edhe për cilësitë e rrezikshme të sendeve në qoftë se nuk ka ndërmarrë çdo gjë që nevojitet për dëmin të cilin ka mundur ta parashihte ta parandalojë me anë të paralajmërimit në ambalazh të sigurt ose me ndonjë masë tjetër përkatëse. NËNKREU 6 RASTET E VEÇANTA TË PËRGJEGJËSISË

Neni 161Përgjegjësia për shkak të akteve terroriste, demonstratave ose manifestimeve publike

Shteti ose personi që është dashur të parandalojë këtë sipas dispozitave në fuqi, është përgjegjës për dëmin e shkaktuar nga vdekja ose lëndimi fizik si rezultat i akteve të terrorizmit ose gjatë demonstratave dhe manifestimeve publike.

Neni 162Përgjegjësia e organizatorëve të manifestimeve

Organizatori i tubimit të një numri të madh njerëzish në ambiente të mbyllura apo të hapura përgjigjet për dëmin e krijuar me vdekjen ose me lëndimin trupor që pëson dikush për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme që mund të krijohen në situatat e tilla siç janë lëkundja e masës, çrregullimet e përgjithshme.

Neni 163Përgjegjësia për zotëruesin e kafshës

1. Zotëruesi i kafshës së rrezikshme është përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej saj.

2. Zotëruesi i kafshës shtëpiake është përgjegjës për dëmin e shkaktuar prej saj, përveç nëse provohet se zotëruesi ka treguar kujdesin dhe mbikëqyrjen e nevojshme.

Neni 164Përgjegjësia e zotëruesit të ndërtesës

Zotëruesi i ndërtesës ose i hapësirës nga e cila ka rënë objekti, është përgjegjës për dëmin e shkaktuar në rast se një objekt i vendosur në mënyrë të rrezikshme ose objekti i hedhur bie nga ndërtesa.

Neni 165Përgjegjësia për shembjen e ndërtimit

Zotëruesi i ndërtimit është përgjegjës për dëmin e shkaktuar në rast se pjesë të një ndërtimi shemben ose rrëzohen, përveç nëse provohet se ngjarja nuk ka qenë rezultat i cilësisë së papërshtatshme të ndërtimit dhe se zotëruesi ka bërë çdo gjë për të shmangur rrezikun.

Neni 166Përgjegjësia për shkak të refuzimit të dhënies së ndihmës së domosdoshme

1. Kush pa pasur rrezik për vete e refuzon dhënien e ndihmës personit, jeta ose shëndeti i të cilit janë rrezikuar haptazi, përgjigjet për dëmin që është shkaktuar nga kjo, në qoftë se ai këtë dëm sipas rrethanave të rastit është dashur ta parashikonte.

2. Në qoftë se e kërkon drejtshmëria, gjykata mund ta ketë parasysh masën e shpërblimit te dëmit.

Neni 167Përgjegjësia lidhur me detyrimin e lidhjes së kontratës

Personi i cili sipas ligjit është i detyruar të lidhë ndonjë kontratë, ka për detyrë ta shpërblejë dëmin, në qoftë se me kërkesë të personit të interesuar nuk e lidhë këtë kontratë pa vonesë.

Neni 168Përgjegjësia lidhur me ushtrimin e punëve me interes të përgjithshëm

Organizatat që ushtrojnë veprimtari komunale ose ndonjë veprimtari tjetër të ngjashme me interes publik përgjigjen për dëmin në qoftë se pa shkak të arsyeshëm ndërprejnë ose kryejnë jo me rregull shërbimin. NËNKREU 7 SHPËRBLIMI I DËMIT I. SHPËRBLIMI I DËMIT MATERIAL

Neni 169Rivendosja e gjendjes së mëparshme dhe shpërblimi në të holla

1. Personi përgjegjës ka për detyrë ta rivendosë gjendjen e cila ka qenë para se të shkaktohet dëmi.

2. Në qoftë se rivendosja e gjendjes së mëparshme nuk e mënjanon plotësisht dëmin, personi përgjegjës ka për detyrë që për pjesën tjetër të dëmit të japë shpërblimin në të holla.

3. Kur rivendosja e gjendjes së mëparshme nuk është e mundur, apo kur gjykata konsideron se nuk është e domosdoshme që këtë ta bëjë personi përgjegjës, gjykata do të caktojë që ai t`ia paguajë të dëmtuarit shumën përkatëse në të holla në emër të shpërblimit të dëmit.

4. Gjykata do t`i gjykojë të dëmtuarit shpërblimin në të holla kur ai këtë e kërkon, me përjashtim kur rrethanat e rastit konkret e arsyetojnë rivendosjen e gjendjes së mëparshme.

Neni 170Kur arrin për pagesë detyrimi i shpërblimit

Detyrimi i shpërblimit të dëmit konsiderohet se ka arritur, për pagesë që nga momenti i shkaktimit të dëmit.

Neni 171Shpërblimi në rast të shkatërrimit të sendeve të marruara në mënyrë të palejueshme

Pronarit të sendit të marrur në mënyrë të palejueshme i takon e drejta për shpërblimin e dëmit edhe kur sendi është shkatërruar për shkak të fuqisë madhore.

Neni 172Shpërblimi në formë të rentës në të holla

1. Në rast të vdekjes, të lëndimit trupor ose të dëmtimit të shëndetit, shpërblimi caktohet, sipas rregullës, në formë të rentës në të holla, për gjithë jetën ose për një kohë të caktuar.

2. Renta në të holla e gjykuar në emër të shpërblimit të dëmit paguhet për çdo muaj përpara, në qoftë se gjykata nuk cakton diç tjetër.

3. Kreditori ka të drejtë të kërkojë sigurim të nevojshëm për pagimin e rentës, përveç nëse kjo sipas rrethanave të rastit nuk do të ishte e arsyeshme.

4. Në qoftë se debitori nuk e jep sigurimin të cilin e cakton gjykata, kreditori ka të drejtë të kërkojë që në vend të rentës t`i paguhet një shumë e përgjithshme, lartësia e të cilit do të caktohet sipas lartësisë së rentës dhe kohëzgjatjes së mundshme të jetës së kreditorit, me zbritje të kamatave përkatëse.

5. Për shkaqe serioze kreditori mundet edhe në raste të tjera të kërkojë menjëherë ose më vonë, që në vend të rentës t`i paguhet një shumë e përgjithshme. II. VËLLIMI I SHPËRBLIMIT TË DËMIT MATERIAL

Neni 173Dëmi i real dhe fitimi i humbur

1. I dëmtuari ka të drejtë si për shpërblimin e dëmit të rëndomtë, ashtu edhe për shpërblimin e fitimit të humbur.

2. Lartësia e shpërblimit të dëmit caktohet sipas çmimeve në kohën e nxjerrjes së vendimit gjyqësor, përveç nëse me ligj parashihet diçka tjetër.

3. Gjatë vlerësimit të lartësisë së fitimit të humbur merret në konsiderim fitimi që ka mundur të pritej në mënyrë të bazuar sipas rrjedhjes së rregullt të gjërave ose sipas rrethanave të veçanta, e realizimi i të cilit është penguar nga veprimi i dëmtuesit ose nga lëshimi që të ndërmerr veprimin.

4. Kur sendi është shkatërruar ose dëmtuar me vepër penale të kryer me dashje, gjykata mund të caktojë lartësinë e shpërblimit sipas vlerave që ka pasur sendi për të dëmtuarin.

Neni 174Shpërblimi i plotë

Gjykata, duke marrë parasysh edhe rrethanat që janë shkaktuar pas shkaktimit të dëmit, do të gjykojë shpërblimin në një shumë e cila është e nevojshme që gjendja materiale e të dëmtuarit të sillet në atë gjendje në të cilën do të kishte qenë po të mos kishte veprim dëmtues ose mosveprim.

Neni 175Zvogëlimi i shpërblimit

1. Gjykata mundet, duke pasur kujdes për gjendjen materiale të të dëmtuarit, ta gjykojë personin përgjegjës ta paguajë shpërblimin më të vogël nga shuma e dëmit, në qoftë se dëmi nuk është shkaktuar as me dashje e as nga pakujdesia rende, ndërsa personi përgjegjës është në gjendje të rende materiale, kështu që pagimi i shumës së plotë do ta sjellte në skamje.

2. Në qoftë se dëmtuesi ka shkaktuar dëm duke punuar diç për dobi të të dëmtuarit, gjykata mund të caktojë shpërblim më të vogël, duke pasur parasysh kujdesin që tregon dëmtuesi në punët vetjake.

Neni 176Përgjegjësia e ndarë

1. I dëmtuari i cili ka kontribuar që dëmi të krijohet ose të jetë më i madh se sa përndryshe do të ishte, ka të drejtë vetëm në shpërblimin përpjesëtimisht të pakësuar.

2. Për paragrafin paraprak vihen përshtatshmërisht në zbatim dispozitat për përgjegjësinë për përfaqësuesin ligjor dhe ndihmësin.

3. Kur është e pamundur të vërtetohet se cila pjesë e dëmit rezulton nga veprimi i të dëmtuarit, gjykata do të gjykojë shpërblimin duke pasur parasysh rrethanat e rastit.

4. Dëmtuesi dhe i dëmtuari mbajnë barrën e provës për kontributin e atij tjetrit në shkaktimin dhe për kauzalitetin e këtij kontributi për dëmin dhe lartësinë e tij. III. RREGULLAT PËR SHPËRBLIMIN E DËMIT MATERIAL NË RAST VDEKJEJE, LËNDIMIT TRUPOR DHE DËMTIM TË SHËNDETIT

Neni 177Humbja e fitimit dhe shpenzimet e mjekimit dhe të varrosjes

1. Kush shkakton vdekjen e ndokujt ka për detyrë që t`i shpërblejë shpenzimet e zakonshme të varrimit të tij.

2. Ai ka për detyrë të shpërblejë edhe shpenzimet e mjekimit të tij nga lëndimet e marrura dhe shpenzimet e tjera të nevojshme lidhur me mjekimin dhe fitimin e humbur për shkak të paaftësisë për punë.

Neni 178E drejta e personit të cilin e ka ushqyer i vdekuri

1. Personi, të cilin e ka ushqyer ose e ka ndihmuar rregullisht personi që i është shkaktuar vdekja si dhe ai që sipas ligjit ka pasur të drejtë të kërkojë ushqim nga personi, të cilit i është shkaktuar vdekja ka të drejtë të shpërblimit të dëmit që pëson nga humbja e ushqimit ose e ndihmës.

2. Ky dëm shpërblehet me pagimin e rentës në të holla, shuma e së cilës caktohet duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e rastit, e që nuk mund të jetë më e madhe nga ajo që do të fitonte i dëmtuari nga personi të cilit i është shkaktuar vdekja po të mbetej gjallë.

Neni 179Shpërblimi i dëmit në rast të lëndimit trupor ose të dëmtimit të shëndetit

1. Kush i shkakton tjetrit lëndim trupor ose ia dëmton shëndetin ka për detyrë të shpërblejë shpenzimet rreth mjekimit dhe shpenzimet tjera të nevojshme lidhur me ketë, si dhe fitimin e humbur për shkak të paaftësisë për punë gjatë kohës së mjekimit.

2. Në qoftë se i lënduari për shkak të paaftësisë së plotë ose të pjesshme për punë e humb fitimin, ose nevojat janë shtuar vazhdimisht, ose mundësitë e zhvillimit dhe të përparimit të tij të mëtejshëm janë zhdukur ose janë pakësuar, personi përgjegjës ka për detyrë t`i paguajë të lënduarit rentën e caktuar në të holla, si shpërblim për këtë dëm.

Neni 180Ndryshimi i shpërblimit të gjykuar

Gjykata mundet me kërkesë të të dëmtuarit, që për të ardhmen ta rritë rentën, por mundet me kërkesë të dëmtuesit ta zvogëlojë ose ta heq, në qoftë se kanë ndryshuar në mënyrë të konsiderueshme rrethanat të cilat gjykata i ka pasur parasysh me rastin e nxjerrjes së vendimit të mëparshëm.

Neni 181Mosbartja e të drejtave

1. E drejta e shpërblimit të dëmit në formë rente në të holla në rast të vdekjes së personit të afërt ose të lëndimit trupor ose të shkatërrimit të shëndetit nuk mund t`i bartet personit tjetër.

2. Shumat e shpërblimit, të cilat kanë arritur munden t`i barten tjetrit, në qoftë se lartësia e shpërblimit është caktuar me marrëveshje të shkruar të palëve ose me aktgjykim të formës së prerë. IV. SHPËRBLIMI I DËMIT JOMATERIAL

Neni 182Shpallja e aktgjykimit ose ndreqja e gabimit

Në rast të cenimit të së drejtës së personalitetit gjykata mund të urdhërojë shpalljen e aktgjykimit, përkatësisht të përmirësimit me shpenzim të dëmtuesit, ose të urdhërojë që dëmtuesi ta tërheqë deklaratën me të cilën është bërë shkelja, ose diç tjetër me të cilën gjë mund të realizohet qëllimi që arrihet me shpërblim.

Neni 183Shpërblimi në të holla

1. Për dhembjet e pësuara fizike, për dhembjet e pësuara shpirtërore për shkak të zvogëlimit të aktivitetit jetësor, të shëmtimit, të cenimit të autoritetit, të nderit, të lirive ose të të drejtave të personalitetit, të vdekjes së personit të afërm, si dhe frikës, gjykata, po të konstatojë se rrethanat e rastit sidomos intensiteti i dhembjeve dhe i frikës dhe zgjatja e tyre e arsyetojnë këtë, do të gjykojë shpërblimin e drejtë në të holla, pavarësisht nga shpërblimi i dëmit material si dhe nga mungesa e dëmit material.

2. Me rastin e vendosjes për kërkesën për shpërblimin e dëmit jo material, si dhe për lartësinë e shpërblimit të tij, gjykata do të kujdeset për rëndësinë e cenimit të së mirës dhe të qëllimit të cilit i shërben ky shpërblim, por edhe për atë, se me te mos të favorizohen synimet që nuk janë në pajtim me natyrën e saj dhe me qëllimin shoqëror.

Neni 184Personat që kanë të drejtë shpërblimi në të holla në rast vdekjeje ose invaliditeti të rëndë

1. Në rast vdekjeje të ndonjë personi, gjykata mund t`ua caktojë anëtarëve të familjes së tij të ngushtë (bashkëshortit, fëmijët dhe prindërit) shpërblim të drejtë në të holla për dhembjen e tyre shpirtërore.

2. Ky shpërblim mund t`u caktohet edhe vëllezërve dhe motrave në qoftë se ndërmjet tyre dhe personit të vdekur ka ekzistuar bashkëjetesa e vazhdueshme.

3. Në rast të invaliditetit tejet të rëndë ose shëmtimit në shkallë të lartë të ndonjë personi, gjykata mund tu caktojë bashkëshortit, fëmijëve dhe prindërve shpërblim të drejtë në të holla për dhembjet e tyre shpirtërore.

4. Shpërblimi nga paragrafi 1. dhe 3. i këtij neni mund t`i caktohet edhe bashkëshortit jashtë martesor në qoftë se ndërmjet tij dhe të vdekurit, përkatësisht të lënduarit ka ekzistuar bashkëjetesa e vazhdueshme.

Neni 185Shpërblimi në të holla në raste të veçanta (Cenimi i dinjitetit)

E drejta e shpërblimit të dëmit në të holla për shkak të dhembjeve shpirtërore të pësuara i takon personit, i cili me anë të mashtrimit, dhunës ose të shpërdorimit të ndonjë raporti nënshtrimi ose varësie, është shtytur në marrëdhënie të dënueshme seksuale ose në veprim të dënueshëm seksual të panatyrshëm, si dhe personi ndaj të cilit është kryer ndonjë vepër tjetër penale kundër dinjitetit të personalitetit dhe moralit.

Neni 186Shpërblimi i dëmit të ardhshëm

Gjykata, me kërkesën e të dëmtuarit, do të caktojë shpërblimin edhe për dëmin e ardhshëm jo material në qoftë se sipas rrjedhës së rregullt është e sigurt së ai do të vazhdojë edhe në të ardhmen.

Neni 187Shpërblimi në të holla për personin juridik

Gjykata i jep shpërblim të drejtë në të holla personit juridik për denigrim të reputacionit ose emrit të mirë, pavarësisht dëmshpërblimit të dëmit material, në rast se gjen se rrethanat e arsyetojnë këtë, qoftë edhe nëse nuk ka dëm material.

Neni 188Trashëgimi dhe cedimi i kërkesës së shpërblimit të dëmit jo material

1. Kërkesa e shpërblimit të dëmit jo material i kalon trashëgimtarit vetëm në qoftë se është caktuar me aktgjykim të formës së prerë ose me marrëveshje me shkrim.

2. Nën kushte të njëjta kjo kërkesë mund të jetë objekt cedimi, kompensimi dhe i përmbarimit të dhunshëm.

Neni 189Përgjegjësia e ndarë dhe zvogëlimi i shpërblimit

Dispozitat për përgjegjësinë e ndarë dhe për zvogëlimin e shpërblimit që vlejnë për dëmin material përshtatshmërisht zbatohen edhe për dëmin jomaterial. NËNKREU 8 PËRGJEGJËSIA E DISA PERSONAVE PËR TË NJËJTIN DËM

Neni 190Përgjegjësia solidare

1. Për dëmin të cilin disa persona e kanë shkaktuar bashkërisht, përgjigjen të gjithë pjesëmarrësit solidarisht.

2. Nxitësi dhe ndihmësi, si dhe ai që ka ndihmuar që personat përgjegjës të mos zbulohen, përgjigjen solidarisht me këta.

3. Përgjigjen solidarisht për dëmin e shkaktuar edhe personat që e kanë shkaktuar duke punuar pavarësisht njeri nga tjetri, në qoftë se nuk mund të vërtetohen pjesët e tyre në dëmin e shkaktuar.

4. Kur nuk ka dyshim se dëmin e ka shkaktuar ndonjë nga dy ose nga më tepër persona të caktuar, të cilët në ndonjë mënyrë janë të ndërlidhur midis tyre, ndërsa nuk mund të përcaktohet se cili prej tyre e ka shkaktuar dëmin, këta persona përgjigjen solidarisht.

Neni 191Përgjegjësia solidare e porositësit dhe e kryesit të punëve

Porositësi dhe kryerësi i punëve në paluajtshmëri përgjigjen solidarisht ndaj personit të tretë për dëmin që i krijohet këtij lidhur me kryerjen e këtyre punëve.

Neni 192Regresi i paguesit

1. Debitori solidar i cili paguan më tepër se sa është shuma e pjesës së tij në dëmin e e shkaktuar, mund të kërkojë prej secilit nga debitorët e tjerë që t`ia shpërblejnë atë që ka paguar për te.

2. Lartësinë e pjesës të secilit debitor veç e veç e cakton gjykata, duke marrë parasysh peshën e fajësisë së tij dhe peshën e pasojave që kanë dalur nga veprimi i tij.

3. Në qoftë se pjesët e debitorëve nuk mund të vërtetohen, secili ngarkohet me pjesë të barabartë, përveç nëse drejtshmëria kërkon që në rastin konkret të vendoset ndryshe. NËNKREU 9 E DREJTA E TË DËMTUARIT PAS PARASHKRIMIT TË SË DREJTËS PËR TË KËRKUAR SHPËRBLIMIN

Neni 193E drejta e të dëmtuarit pas parashkrimit të së drejtës për të kërkuar shpërblimin

Pas parashkrimit të së drejtës për të kërkuar shpërblimin e dëmit i dëmtuari mund të kërkojë nga personi përgjegjës, sipas rregullave që vlejnë në rastin e pasurimit të pa bazë, që t`i cedojë atë që ka marrë nga veprimi me të cilin është shkaktuar dëmi. KREU 3 PASURIMI PA BAZË NËNKREU 1 RREGULLAT E PËRGJITHSHME

Neni 194Rregullat e përgjithshme

1. Secili person që pasurohet pa bazë ligjore në dëm të një tjetrit, është i detyruar të kthejë atë që ka marrë nga tjetri, ose ndryshe të kompensojë vlerën e fitimit të arritur.

2. Fjala pasurim po ashtu përfshinë përvetësimin e fitimit përmes shërbimeve.

3. Detyrimi për kthim ose kompensim po ashtu lind edhe nëse një person pranon diçka në lidhje me një bazë që nuk është realizuar ose më pas zhduket. NËNKREU 2 RREGULLAT E KTHIMIT

Neni 195Kur nuk mund të kërkohet kthimi

Kush kryen pagesën duke ditur se nuk e ka për detyrë ta paguajë nuk ka të drejtë të kërkojë kthimin, përveç nëse e ka rezervuar të drejtën e kërkimit të kthimit, apo në qoftë se e ka paguar për t'iu shmangur dhunës.

Neni 196Zbatimi i një detyrimi natyror ose i ndonjë detyre morale

Nuk mund të kërkohet kthimi i asaj që është dhënë ose është bërë për përmbushjen e çfarëdo lloji detyrimi natyror ose detyre morale.

Neni 197Vëllimi i kthimit

Kur kthehet ajo që është fituar pa bazë, duhet të kthehen frutet dhe të paguhet kamatëvonesa, e pikërisht, në qoftë se fituesi është i pandërgjegjshëm, që nga dita e fitimit, e për ndryshe që nga dita e paraqitjes së kërkesës.

Neni 198Kompensimi i shpenzimeve

Fituesi ka të drejtë në kompensimin e shpenzimeve të domosdoshme dhe të dobishme por në qoftë se ka qenë i pandërgjegjshëm, kompensimi për shpenzimet e dobishme i takon vetëm deri në shumën që përbën shtimin e vlerës në momentin e kthimit.

Neni 199Kur mund të mbahet ajo që është marrë

1. Nuk mund të kërkohet kthimi i shumave të kompensuara pa bazë në emër të shpërblimit të dëmit për shkak të lëndimit fizik, dëmtimit të shëndetit ose të vdekjes, në rast se pagesa i është bërë marrësit që ka vepruar në mirëbesim.

2. Si shumë e paguar pa bazë llogaritet edhe pagesa mbi bazën e një vendimi gjyqësor që më vonë është ndryshuar ose prishur.

Neni 200Përdorimi i sendit në dobi të tjetrit

Në qoftë se dikush e ka përdorur sendin e vet apo të tjetrit në dobi të tretit, kurse nuk ka kushte për aplikimin e rregullave mbi gjerimin e punëve te huaja pa porosi, i treti ka për detyrë ta kthejë sendin, respektivisht, po qe se kjo s'është e mundur, t'ia shpërblej vlerën e sendit.