LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.
Neni 201Shpenzimi për tjetrin
Kush kryen për tjetrin ndonjë shpenzim ose diçka tjetër që ky e ka pasur për detyrë në bazë të ligjit ta bëjë, ka të drejtë të kërkojë shpërblim prej tij.
Neni 202Përdorimi i sendit të huaj në dobi të vet
Kur dikush e ka përdorur sendin e huaj për dobi të vet, zotëruesi mund të kërkojë pavarësisht nga e drejta e shpërblimit të dëmit ose në mungesë të kësaj, që ky t'ia shpërblej përfitimin që ka pasur nga përdorimi. KREU 4 GJERIMI I PUNËVE TË HUAJA PA POROSI NËNKREU 1 RREGULLA TË PËRGJITHSHME
Neni 203Përkufizimi dhe kushtet
Një punë e huaj mund të kryhet pa porosi vetëm në qoftë se puna nuk duron shtyrje dhe mund të shkaktohet dëmi ose humbet qartazi një dobi. NËNKREU 2 DETYRAT DHE TË DREJTAT E KRYESIT TE PUNËVE TË HUAJA PA POROSI
Neni 204Detyrat e kryesit të punëve të huaja pa porosi
1. Kryesi i punëve të huaja pa porosi ka për detyrë ta njoftojë të zotin e punës për veprimin e tij sa ma parë që është e mundur dhe po ashtu ta njoftojë se do ta vazhdojë punën e filluar, në qoftë se për ketë ka mundësi të arsyeshme, derisa i zoti i punës të mos mund ta marrë përsipër kujdesin për te.
2. Pas mbarimit të punës, kryesi i punëve të huaja pa porosi ka për detyrë të japë llogari dhe t`ia bartë atij gjithë atë, çka ka fituar nga kryerja e punës.
3. Në qoftë se me ligj nuk është përcaktuar diçka tjetër, kryesi i punëve të huaja pa porosi ka detyrime të urdhër marrësit.
Neni 205Kujdesi i duhur dhe përgjegjësia
1. Gjatë kryerjes të punës së huaj kryesi i punëve të huaja pa porosi ka për detyrë të udhëhiqet nga qëllimet faktike ose të supozuara të të zotit të punës.
2. Ai ka për detyrë të veprojë me kujdesin e ekonomistit të mirë, përkatësisht të shtëpiakut të mirë.
3. Gjykata mundet duke marrë parasysh rrethanat në të cilat dikush e ka filluar punën e huaj pa qenë i thirrur, të zvogëlojë përgjegjësinë e tij ose ta lirojë fare nga përgjegjësia për pakujdesinë.
4. Për përgjegjësinë e kryesit te punëve të huajat pa porosi, i cili është i paaftë si për të vepruar vlejnë dispozitat për përgjegjësinë e tij kontraktuese dhe jashtë kontraktuese.
Neni 206Të drejtat e punë drejtuesit pa porosi
1. Kryesi i punëve të huaja pa porosi që ka vepruar në tërësi siç duhet dhe ka punuar ashtu siç kanë kërkuar rrethanat, ka të drejtë të kërkojë nga i zoti i punës të lirohet nga të gjitha detyrimet që i ka marrë përsipër për shkak të kësaj pune, të marrë mbi vete të gjitha detyrimet që i ka lidhur në emër të tij, të shpërblehet për të gjitha shpenzimet e domosdoshme dhe të dobishme, edhe në qoftë se rezultati i pritur nuk është arritur.
2. Kryesit të punëve të huaja i takon edhe shpërblimi adekuat për mundin, në qoftë se e ka evituar dëmin nga i zoti i punës, ose në qoftë se ia ka siguruar përfitimin që në tërësi i përgjigjet qëllimeve dhe nevojave të tij.
Neni 207Kryerja e punëve të huaja me qëllim që t`i ndihmohet tjetrit
Kush kryen punët e huaja me qëllim që t`i ndihmojë tjetrit, e nuk janë plotësuar kushtet për punë drejtim pa porosi, i takon e drejta e shpërblimit të shpenzimeve të bëra, por më së shumti deri në lartësinë e përfitimit që e ka realizuar tjetri.
Neni 208Marrja me vete e shtesave
Çdo punë drejtues pa porosi ka të drejtë t`i marrë me vete sendet me të cilat e ka shtuar pasurinë e huaj, e për të cilat shpenzimet e bëra nuk i shpërblehen, në qoftë se këto mund të ndahen pa u dëmtuar sendi të cilit i janë shtuar, por personi në punën e të cilit ka ndërhyrë, mundet t’i mbajë këto shtesa po qe se ia shpërblen vlerën e tyre të tashme. NËNKREU 3 KRYERJA E PUNËVE TË HUAJA PËRKUNDËR NDALESËS
Neni 209Përgjegjësia e kryesit të punëve të huaja
1. Kush e kryen punën e huaj përkundër ndalesës së zotit të punës, e për ndalesën ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni, nuk i ka të drejtat që i takojnë kryesit të punëve të huaja pa porosi.
2. Ai përgjigjet për dëmin që e ka shkaktuar duke ndërhyrë në punët e huaja, edhe atëherë kur deri te kjo ka ardhur pa fajin e tij.
3. Kur ndalesa e kryerjes të punës është në kundërshtim me ligjin ose me moralin, e sidomos në qoftë se dikush ka ndaluar që tjetri ta përmbush ndonjë detyrim të tij ligjor që nuk duron shtyrje, vlejnë rregullat e përgjithshme për gjerimin e punëve të huaja pa porosi. NËNKREU 4 GJERIMI I PADREJTË
Neni 210Gjerimi i paautorizuar për llogari personale
1. Kush e kryen punën e huaj me qëllim që për vete t`i mbajë përfitimet e arritura, edhe pse e di se puna është e huaj, ka për detyrë që me kërkesë të zotit të punës të japë llogari si punë drejtues pa porosi dhe t`ia dorëzojë të gjitha përfitimet e arritura.
2. I zoti i punës mund të kërkojë kthimin në gjendje të mëparshme si dhe shpërblimin e dëmit. NËNKREU 5 APROVIMI
Neni 211Aprovimi i të zotit të punës
Në qoftë së i zoti i punës, e aprovon më vonë punën që është kryer, kryesi i punëve të huaja pa porosi konsiderohet si urdhër marrësi i cili ka punuar që nga fillimi me porosi të të zotit të punës. KREU 5 SHPREHJA E NJËANSHME E VULLNETIT NËNKREU 1 PREMTIMI PUBLIK I SHPËRBLIMIT
Neni 212Premtimi obligues
1. Premtimi i shpërblimit i bërë me anë të shpalljes publike për atë që kryen një veprim të caktuar, arrinë ndonjë sukses, gjendet në situatë të caktuar ose në qoftë se premtimi është bërë në ndonjë kusht tjetër, e detyron premtuesin që të përmbushë premtimin.
2. Premtuesi i shpërblimit ose i çfarëdo gare shpërblyese ka për detyrë të caktojë afatin e garës, e në qoftë se nuk e cakton , kush do që dëshiron të marrë pjesë në garë ka të drejtë të kërkojë që gjykata ta caktojë afatin përkatës.
Neni 213Revokimi i premtimit
1. Premtimi mund të revokohet ashtu siç është bërë, si dhe me anë të komunikimit personal, por ai i cili e ka kryer veprimin e nuk ishte në dijeni e as që duhej të ishte në dijeni se premtimi i shpërblimit është revokuar ka të drejtë të kërkojë shpërblimin e premtuar, ndërsa ai i cili deri në revokim ka bërë shpenzime të nevojshme për të kryer veprimet e caktuara në shpalljen publike ka të drejtë të marrë shpërblimin e tyre me përjashtim të rastit kur premtuesi provon se ato janë bërë pa nevojë.
2. Premtimi i shpërblimit nuk mund të revokohet, në qoftë se me shpallje është caktuar afati për kryerjen e veprimit përkatësisht për njoftimin për rezultatet e arritura ose për realizimin e situatës së caktuar.
Neni 214E drejta në shpërblim
1. Të drejtë në shpërblim ka ai, i cili i pari e kryen veprimin për të cilin është premtuar shpërblimi.
2. Në qoftë se disa persona e kanë kryer veprimin njëkohësisht, secilit i takon pjesa e barabartë e shpërblimit, në qoftë se drejtshmëria nuk kërkon ndonjë ndarje tjetër.
Neni 215Rasti i konkursit
1. Për ndarjen e shpërblimit në rastin e konkursit vendos organizatori i konkursit ose një apo disa persona të caktuar prej tij.
2. Në qoftë se në kushtet e konkursit ose në disa dispozita të përgjithshme që vlejnë për konkurs të caktuar, janë caktuar rregullat sipas të cilave shpërblimi duhet të ndahet, secili pjesëmarrës në konkurs ka të drejtë të kërkojë anulimin e vendimit për ndarjen e shpërblimit në qoftë se shpërblimi nuk është ndarë në pajtim me këto rregulla.
3. Pronësinë ose ndonjë të drejtë tjetër për veprimin ose punën e kryer me konkurs e fiton organizatori i konkursit vetëm ne qoftë se kjo është theksuar në shpalljen e konkursit.
Neni 216Shuarja e detyrimit
Detyrimi i premtuesit të shpërblimit shuhet në qoftë se askush nuk ia komunikon brenda afatit të caktuar në shpallje se e ka kryer veprimin apo se ka arritur sukses apo se në përgjegjësi i ka plotësuar kushtet e parashtruara në shpalljen publike dhe në qoftë se afati nuk është caktuar, atëherë pas një (1) viti nga dita e shpalljes së bërë. NËNKREU 2 LETRAT ME VLERË I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 217Përkufizimi
1. Letra me vlerë është dokument me shkrim me të cilin emetuesi (lëshuesi) i saj detyrohet se do ta përmbushë detyrimin e shkruar në këtë dokument poseduesit të saj të ligjshëm.
2. Një shënim i shkruar në një mjet tjetër konsiderohet letër me vlerë në rast se kështu është përcaktuar nga një akt i veçantë ligjor.
Neni 218Elementet thelbësore
1. Letra me vlerë duhet detyrimisht të përmbajë këto elemente thelbësore:
1.1. emërtimin e llojit të letrës me vlerë;
1.2. firmën, përkatësisht emërtimin dhe selinë, përkatësisht emrin dhe vendbanimin e lëshuesit të letrës me vlerë;
1.3. firmën, respektivisht, emërtimin ose emrin e personit me urdhër të së cilit është dhënë letra me vlerë ose emërtimin se letra me vlerë i është e pagueshme prurësit;
1.4. detyrimin e shënuar saktë te lëshuesit të letrës me vlerë;
1.5. vendin dhe datën e lëshimit të letrës me vlerë, kurse për ato që lëshohen në seri edhe numrin e saj të serisë;
1.6. nënshkrimin e lëshuesit të letrës me vlerë, përkatësisht faksimilin e nënshkrimit të lëshuesit të letrës me vlerë që emetohet në seri.
2. Me ligj të veçantë për ndonjërën nga letrat me vlerë mund të caktohen edhe elementet tjera thelbësore.
3. Dokumenti i cili nuk përmban njërën nga elementet thelbësore nuk vlen si letër me vlerë.
Neni 219Llojet e letrave me vlerë
Letra me vlerë mund të jetë sipas prurësit, në emër ose sipas urdhrit.
Neni 220Krijimi i detyrimit
Detyrimi nga letra me vlerë krijohet në çastin kur lëshuesi ia dorëzon letrën me vlerë shfrytëzuesit të saj.
Neni 221Kushtet e veçanta për emetimin e letrave me vlerë në seri
Me ligj të veçantë mund të caktohen edhe kushtet tjera për emetimin e letrave me vlerë në seri. II. REALIZIMI I TË DREJTAVE
Neni 222Kujt i takon e drejta nga letra me vlerë
1. Kërkesa nga letra me vlerë është e lidhur për vetë letrën dhe i takon poseduesit të saj të ligjshëm.
2. Si posedues i ligjshëm i letrës me vlerë për prursin konsiderohet prursi i saj.
3. Si posedues i ligjshëm i letrës me vlerë në emër ose sipas urdhrit konsiderohet personi në emrin e të cilit është dhënë letra me vlerë, përkatësisht personi të cilit i është bartur ajo me rregullsi.
4. Fituesi me mirëbesim i letrës me vlerë sipas prursit ose urdhrit bëhet posedues i saj i ligjshëm dhe fiton të drejtën e kërkesës të inkorporuar në te edhe kur letra me vlerë të ketë dalur nga dora e emetuesit të saj, përkatësisht të poseduesit të saj të mëparshëm edhe pa vullnetin e tij.
Neni 223Kërkesa për përmbushje
Përmbushjen e kërkesës nga letra me vlerë mund ta kërkojë me paraqitjen e saj vetëm poseduesi i saj i ligjshëm ose personi, të cilin ai e autorizon. III. BARTJA E TË DREJTËS NGA LETRA ME VLERË
Neni 224Bartja e së drejtës nga letra me vlerë sipas prurësit
E drejta nga letra me vlerë për prurësin bartet me dorëzimin e saj.
Neni 225Bartja e së drejtës nga letra me vlerë me emër
1. E drejta nga letra me vlerë me emër bartet me cedim.
2. Me ligj të veçantë mund të caktohet që e drejta nga letra me vlerë me emër mund të bartet edhe me indosament.
3. Bartja e së drejtës nga letra me vlerë me emër bëhet duke shënuar në vetë letrën firmën, përkatësisht emërtimin, përkatësisht emrin e poseduesit të ri, duke vënë nënshkrimin e bartësit dhe duke regjistruar bartjen në regjistrin e letrave me vlerë, në qoftë se një regjistër i tillë mbahet nga lëshuesi.
Neni 226Bartja të drejtës nga letra me vlerë sipas urdhrit
E drejta nga letra me vlerë sipas urdhrit bartet me indosament.
Neni 227Llojet e indosamentit
1. Indosamenti mund të jetë i plotë, blank dhe sipas prurësit.
2. Indosamenti i plotë përmban deklaratën e transferimit (cedimit), emërtimin ose emrin e personit në të cilin bartet e drejta nga letra me vlerë (indosatar) dhe nënshkrimin e bartësit (indosantit), por mund të përmbajë edhe të dhëna të tjera (vendin, datën etj.).
3. Indosamenti blanko përmban vetëm nënshkrimin e indosantit.
4. Në rast të bartjes për prurësin në vend të emrit të indosatorit vihet fjala: “për prurësin”.
5. Indosamenti për prurësin vlen si indosamenti blanko.
6. Indosamenti i pjesshëm është i pavlefshëm.
Neni 228Bartja e prokurës dhe bartja për peng
1. Letra me vlerë mund të bartet edhe si bartja e prokurës respektivisht si bartja për pengun.
2. Tek bartja e prokurës vihet klauzola: “vlera në prokurë”, ndërsa tek bartja për peng: “ vlera për peng”, ose të ngjashme.
Neni 229Efekti i bartjes të së drejtës
1. Me bartjen e të drejtës nga letra me vlerë poseduesi i saj i ri fiton të gjitha të drejtat që i takojnë poseduesit paraprak.
2. Bartja e së drejtës nga letra me vlerë me emër, qoftë në rrugën e cedimit ose të indosamentit, nuk ka efekt ndaj lëshuesit përderisa ky për këtë gjë të mos njoftohet me shkrim, përkatësisht për derisa kjo bartje të mos regjistrohet në regjistrin e letrave me vlerë me emër, në qoftë se një regjistër i tillë mbahet tek lëshuesi.
3. Cedenti, përkatësisht indosanti nuk përgjigjet për mos përmbushjen e detyrimit nga ana e lëshuesit , përveç rastit të një dispozite tjetër ligjore, ose në qoftë se ekziston një dispozitë e kundërt e shënuar në vetë letrën me vlerë.
Neni 230Efekti i bartjes së prokurës dhe i bartjes për pengun
Poseduesi i letrës me vlerë që i është bartur atij si “bartja e prokurës” ose si “ bartja për peng”, mund të ushtrojë të gjitha të drejtat që rrjedhin nga kjo letër me vlerë, por letrën mund t`ia bartë tjetrit vetëm si bartje e prokurës.
Neni 231Të provuarit e ligjshmërisë së bartjes
1. Indosatari i fundit provon të drejtën e tij nga letra me vlerë me një varg të pandërprerë indosamentesh.
2. Kjo rregull zbatohet përshtatshmërisht edhe ndaj cesionarit të fundit.
Neni 232Ndalimi i bartjes
1. Ndalimi i bartjes me indosament të letrës me vlerë sipas urdhrit bëhet me shprehjen: “jo sipas urdhrit”, ose duke vënë klauzolë të ngjashme e cila ka domethënie të njëjtë.
2. E drejta nga letra me vlerë, bartja e të cilës është e ndaluar me indosament mund të bartet vetëm me ane te cedimit.
3. Bartja me indosament mund të ndalohet nga emetuesi dhe indosanti.
4. Me ligj të veçantë ose me deklaratë të lëshuesit të shkruar në vetë letrën me vlerë me emër mund të ndalohet çdo bartje e saj. IV. NDRYSHIMET TE LETRAT ME VLERË
Neni 233Ndryshimet që i bën lëshuesi
1. Letrën me vlerë sipas prurësit ose sipas urdhrit, lëshuesi mund ta ndryshojë në letrën me vlerë në emër, me kërkesë dhe me shpenzimet e poseduesit të letrës.
2. Në qoftë se ndryshimin nuk e ka ndaluar shprehimisht, lëshuesi i letrës me vlerë me emër mundet me kërkesë dhe me shpenzime të poseduesit ta ndryshojë këtë letër në letrën sipas prurësit ose sipas urdhrit.
Neni 234Ndryshimet që bëhen nga poseduesi gjatë bartjes
1. Letrën me vlerë sipas urdhrit indosanti mund t`ia bartë me indosament prurësit, në qoftë se me dispozitë të veçantë nuk është caktuar ndryshe.
2. Cedenti përkatësisht indosanti mund t’ia bartë letrën me vlerë në emër vetëm personit të caktuar.
3. Letra me vlerë sipas prurësit mund t`i bartet me indosament edhe personit të caktuar.
Neni 235Bashkimi dhe pjesëtimi i letrave me vlerë
1. Letra me vlerë të lëshuara në seri munden me kërkesë dhe me shpenzime të poseduesit të bashkohen në një ose në disa letra me vlerë.
2. Letra me vlerë mundet me kërkesë dhe me shpenzime të poseduesit të pjesëtohet në disa letra me vlerë me shuma më të vogla, por këto shuma nuk mund të jenë nën shumën e apoenit më të vogël të letrës së lëshuara në këtë seri. V. PËRMBUSHJA E DETYRIMIT NGA LETRA ME VLERË
Neni 236Shuarja e detyrimit
1. Detyrimi nga letra me vlerë shuhet me përmbushjen nga ana e lëshuesit të letrës ndaj poseduesit të ligjshëm.
2. Kërkesa nga letra me vlerë shuhet edhe kur letra i takon lëshuesit, në qoftë se me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe.
3. Lëshuesi me mirëbesim i letrës me vlerë sipas prurësit lirohet nga detyrimi i përmbushjes prurësit edhe atëherë kur ky (prurësi) nuk është poseduesi i ligjshëm i letrës me vlerë.
Neni 237Ndalimi i përmbushjes
1. Në qoftë se lëshuesi i letrës me vlerë sipas prurësit ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni se prurësi nuk është posedues i ligjshëm i letrës, e as që është i autorizuar nga poseduesi i ligjshëm, ka për detyrë ta refuzojë përmbushjen, përndryshe përgjigjet për dëmin.
2. Lëshuesi i letrës me vlerë nuk mund ta përmbushë në mënyrë të vlefshme detyrimin e tij po qe se këtë gjë ia ka ndaluar organi kompetent, ose kur ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni se ka filluar procedura për amortizimin ose anulimin e letrës me vlerë.
Neni 238Pagimi i kamatës dhe i të ardhurave tjera pas pagimit të kryegjësë
Debitori që ia ka paguar kryegjënë poseduesit të letrës me vlerë ka për detyrë t`i paguajë kuponët e kamatës, përkatësisht të ardhurat tjera nga e njëjta letër që do t`i paraqiten për pagesë pas pagimit të kryegjësë, në qoftë se këto kërkesa nuk janë parashkruar.
Neni 239Kundërshtimet në kërkesën për përmbushjen e detyrimit
1. Kundër kërkesës së poseduesit të letrës me vlerë, lëshuesi mund të paraqes vetëm kundërshtime të cilat kanë të bëjnë me lëshimin e vetë letrës, siç është falsifikimi, pastaj kundërshtimet që dalin nga përmbajtja e letrës, siç janë afatet ose kushtet; e në fund kundërshtimet që ka ndaj vetë poseduesit siç janë kompensimi, mungesa e procedurës e parashikuar me ligj për fitimin e letrës me vlerë dhe mungesa e autorizimit.
2. Lëshuesi mundet kundër kërkesës së poseduesit , të cilit ai ia ka ceduar letrën me vlerë, të theksojë të metat e veprimit juridik në bazë të të cilit është kryer bartja, por këto të meta nuk mund t`i theksojë kundër kërkesës të ndonjë poseduesi të mëvonshëm.
3. Megjithatë, në qoftë se poseduesi i letrës me vlerë, duke marrë në dorëzim letrën nga paraardhësi i tij, ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni se ky po ia dorëzon letrën me vlerë, për të evituar kundërshtimin të cilin lëshuesi e ka ndaj tij, lëshuesi mund ta paraqesë këtë kundërshtim edhe kundër poseduesit të letrës.
4. Me ligj të veçantë mund të caktohen edhe lloje të tjera të kundërshtimeve tek disa nga llojet e letrave me vlerë. VI. LETRAT DHE SHENJAT LEGJITIMUESE
Neni 240Letrat legjitimuese
Në biletat hekurudhore, në biletat e teatrove dhe në bileta tjera, në bona (triska) dhe në dokumentet tjera të ngjashme të cilat përmbajnë një detyrim të caktuar për lëshuesit e tyre, e në të cilat nuk është shënuar kreditori, e as që prej tyre ose nga rrethanat në të cilat janë lëshuar del se mund t`i cedohen tjetrit, zbatohen përshtatshmërisht dispozitat përkatëse për letrat me vlerë.
Neni 241Shenjat legjitimuese
1. Shenjat e bagazhave ose shenjat tjera të ngjashme, të cilat përbëhen nga një copë letre, metali apo materiali tjetër, ku zakonisht është shtypur një numër ose shënuar numri i sendeve të dorëzuara, e të cilat zakonisht nuk përmbajnë diç të caktuar për detyrimin e lëshuesit të tyre, shërbejnë vetëm për të treguar se kush është kreditor në marrëdhënien e detyrimit me rastin e krijimit të të cilit janë lëshuar.
2. Lëshuesi i shenjës legjitimuese lirohet nga detyrimi kur me mirëbesim këtë ia kryen prurësit, por për prurësin nuk vlen prezumimi se ai është kreditori i vërtetë ose se është i autorizuar të kërkojë përmbushjen, kështu që në rast kontesti ka për detyrë të provojë këtë cilësi të tij.
3. Kreditori mund të kërkojë përmbushjen e detyrimit megjithëse e ka humbur shenjen legjitimuese.
4. Për me tepër, në secilin rast konkret duhet përmbajtur vullnetit të përbashkët të lëshuesit dhe marrësit të shenjës, si dhe të asaj që është e zakonshme. VII. DISPOZITA TË TJERA
Neni 242Zëvendësimi i letrave me vlerë të dëmtuara
Poseduesi i letrës me vlerë të dëmtuar e cila nuk është e përshtatshme për qarkullim, por vërtetësia dhe përmbajtja e të cilës mund të përcaktohet saktësisht ka të drejtë të kërkojë lëshimin e letrës së re me vlerë në të njëjtën shumë, me kusht që ta kthejë letrën e dëmtuar me vlerë dhe t`ia shpërblejë shpenzimet.
Neni 243Amortizimi i letrës me vlerë
1. Letra me vlerë e humbur mund të shpallet e pavlefshme (e amortizuar).
2. Lëshuesi i letrës me vlerë duhet t’ia ofrojë të gjitha dokumentet e nevojshme zotëruesit të tanishëm të letrës me vlerë sipas kërkesës së tij, pas rimbursimit të shpenzimet nga i njëjti, si dhe të ofrojë të gjithë informacionin që zotëruesi kërkon në procedurën e amortizimit.
Neni 244Parashkrimi i kërkesave nga letrat me vlerë
Për parashkrimin e kërkesave nga letrat me vlerë vlejnë rregullat për parashkrimin, në qoftë se me ligj të veçantë nuk është paraparë ndryshe. PJESA III EFEKTET E DETYRIMEVE KREU 1 TË DREJTAT E KREDITORIT DHE DETYRIMET E DEBITORIT NËNKREU 1 E DREJTA NË SHPERBLIMIN E DËMIT I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 245Përmbushja e detyrimit dhe pasojat e mos përmbushjes
1. Kreditori në marrëdhënien e detyrimit ka të drejtë që prej debitorit të kërkojë përmbushjen e detyrimit, ndërsa debitori ka për detyrë ta përmbushë atë me ndërgjegje dhe në tërësi, në përputhje me përmbajtjen e tij.
2. Kur debitori nuk e përmbush detyrimin ose vonohet me përmbushjen e tij, kreditori ka të drejtë të kërkojë edhe shpërblimin e dëmit që ka pësuar për këtë shkak.
3. Për dëmin për shkak të vonesës të përmbushjes së detyrimit përgjigjet edhe debitori të cilit kreditori i ka dhënë një afat të ri të arsyeshëm për përmbushjen e detyrimit.
4. Debitori përgjigjet edhe për pamundësinë e pjesshme apo të plotë të përmbushjes edhe pse kjo pamundësi nuk është shkaktuar me fajin e tij, në qoftë se është shkaktuar pas rënies në vonesë për të cilën përgjigjet.
5. Mirëpo, debitori shkarkohet nga përgjegjësia për dëmin në qoftë se provohet se sendi që është objekti i detyrimit është shkatërruar rastësisht dhe se ai detyrimin e vet e ka përmbushur në kohë.
Neni 246Lirimi i debitorit nga përgjegjësia
Debitori lirohet nga përgjegjësia për dëmin në qoftë se provon se nuk ka mundur ta përmbushë detyrimin e tij, përkatësisht se është vonuar me përmbushjen e detyrimit për shkak të rrethanave të krijuara pas lidhjes së kontratës të cilat nuk ka mundur t`i parandalojë, t`i evitojë ose t`iu shmanget.
Neni 247Zgjerimi kontraktues i përgjegjësisë
Me kontratë mund të zgjerohet përgjegjësia e debitorit edhe për rastet për të cilat ai përndryshe nuk përgjigjet, përderisa kjo nuk është në kundërshtim me parimin e mirëbesimit dhe të drejtshmërisë.
Neni 248Kufizimi dhe përjashtimi i përgjegjësisë
1. Përgjegjësia e debitorit për dashjen ose pakujdesinë e rëndë nuk mund të përjashtohet paraprakisht me kontratë.
2. Megjithatë, gjykata me kërkesën e palës së interesuar kontraktuese mund ta anulojë edhe dispozitën kontraktuese për përjashtimin e përgjegjësisë për pakujdesinë e rëndomtë, në qoftë se një marrëveshje e tillë ka dalur nga pozita monopoliste e debitorit ose në përgjithësi nga marrëdhënia e pabarabartë e palëve kontraktuese.
3. Është e vlefshme dispozita e kontratës, me të cilën caktohet shuma më e lartë e shpërblimit, në qoftë se shuma e caktuar kështu nuk është në disproporcion të hapur me dëmin dhe në qoftë se për rastin e caktuar nuk është caktuar diçka tjetër me ligj.
4. Në rastin e kufizimit të lartësisë së shpërblimit kreditori ka të drejtë në shpërblim të plotë në qoftë se pamundësia e përmbushjes së detyrimit është shkaktuar me dashje ose nga pakujdesia e rëndë e debitorit.
Neni 249Vëllimi i shpërblimit
1. Kreditori ka të drejtë në shpërblim të dëmit të thjeshtë dhe të fitimit të humbur, të cilat debitori është dashur t`i parashikonte detyrimisht në kohën e lidhjes së kontratës, si pasoja të mundshme të shkeljes së kontratës e duke marrë parasysh faktet të cilat i ka pasur të njohura ose është dashur detyrimisht t`i kishte të njohura.
2. Në rast mashtrimi ose të mos përmbushjes me dashje, si dhe të mos përmbushjes për shkak të pakujdesisë së rëndë, kreditori ka të drejtë të kërkojë nga debitori shpërblimin e të tërë dëmit, i cili është shkaktuar për shkak të shkeljes së kontratës, pa marrë parasysh atë se kreditori nuk ka ditur për rrethana të veçanta, për shkak të të cilave janë shkaktuar ato.
3. Në qoftë se me rastin e cenimit të detyrimit, përveç dëmit për kreditorin është krijuar edhe ndonjë fitim për të me rastin e caktimit të lartësisë së shpërblimit, do të kihet parasysh në një masë të arsyeshme.
4. Pala e cila thirret në shkeljen e kontratës ka për detyrë të ndërmerr të gjitha masat e arsyeshme që të zvogëlohet dëmi i shkaktuar nga kjo shkelje, përndryshe pala tjetër mund të kërkojë zvogëlimin e shpërblimit.
5. Dispozitat e këtij neni në mënyrë përkatëse zbatohen edhe lidhur me mos përmbushjen e detyrimeve, të cilat nuk janë krijuar nga kontrata, në qoftë se për ndonjërën prej tyre me këtë ligj nuk është parashikuar ndryshe.
Neni 250Fajësia e kreditorit
Kur për dëmin e shkaktuar ose për madhësinë e tij ose për vështirësimin e pozitës së debitorit ekziston fajësia e kreditorit ose e personit për të cilin përgjigjet ai, shpërblimi zvogëlohet përpjesëtimisht.
Neni 251Përgjegjësia për shkak të lëshimit të njoftimit
Pala kontraktuese e cila ka për detyrë ta njoftojë palën tjetër për faktet që kanë ndikim në marrëdhëniet e tyre reciproke, përgjigjet për dëmin të cilin e ka pësuar pala tjetër për shkak se nuk ka qenë e njoftuar me kohë.
Neni 252Zbatimi i dispozitave për shpërblimin e dëmit
Në qoftë se me dispozitat e këtij nënkreu nuk është parashikuar ndryshe, ndaj shpërblimit të dëmit për rastet si në këtë nënkre përshtatshmerisht zbatohen dispozitat e këtij Ligji për shpërblimin e dëmit jashtë kontraktues. II. DËNIMI KONTRAKTUES
Neni 253Rregullat e përgjithshme
1. Kreditori dhe debitori mund të kontraktojnë që debitori t`i paguajë kreditorit një shumë të caktuar të hollash ose t`i sjellë ndonjë përfitim tjetër material në qoftë se nuk e përmbushë detyrimin e tij ose vonohet me përmbushjen e tij. (dënimi kontraktues).
2. Në qoftë se nuk rrjedh diçka tjetër nga kontrata, konsiderohet se dënimi është kontraktuar për rastin kur debitori vonohet me përmbushjen e detyrimit.
3. Dënimi kontraktues nuk mund të kontraktohet për detyrime në të holla.
Neni 254Mënyra e caktimit
1. Palët kontraktuese mund ta caktojnë lartësinë e dënimit sipas vullnetit të tyre, në një shumë të përgjithshme, në përqindje ose për çdo ditë vonese, ose në ndonjë mënyrë tjetër.
2. Ajo duhet detyrimisht të jetë e kontraktuar në formën e parashikuar me kontratën nga e cila është krijuar detyrimi me të cilin ka të bëjë përmbushja.
Neni 255Akcesoriteti
1. Marrëveshja për dënimin kontraktues ndanë fatin juridik të detyrimit me sigurimin e të cilës ka të bëjë.
2. Marrëveshja humb efektin juridik në qoftë se deri te mos përmbushja ose vonesa ka ardhur nga shkaku për të cilin debitori nuk përgjigjet.
Neni 256Detyrimi i debitorit
Kreditori mund të mos kërkoj dënim kontraktues në rast se mos përmbushja ose vonesa ka ndodhur për arsye për të cilën debitori nuk është përgjegjës.
Neni 257Të drejtat e kreditorit
1. Kur dënimi është kontraktuar për rast të mos përmbushjes së detyrimit, kreditori mund të kërkojë ose përmbushjen e detyrimit ose dënimin kontraktues.
2. Ai e humbë të drejtën për të kërkuar përmbushjen e detyrimit, në qoftë se ka kërkuar pagimin e dënimit të kontraktuar.
3. Kur dënimi është kontraktuar për rast të mospërmbushjes, debitori nuk ka të drejtë të paguajë dënimin kontraktues dhe të heqë dorë nga kontrata, përveç nëse kjo ka qenë qëllimi i kontraktuesve kur e kanë kontraktuar dënimin.
4. Kur dënimi është kontraktuar për rastin kur debitori vonohet me përmbushjen, kreditori ka të drejtë të kërkojë edhe përmbushjen e detyrimit edhe dënimin kontraktues.
5. Kreditori nuk mund të kërkojë dënimin kontraktues për shkak të vonesës, në qoftë se e ka pranuar përmbushjen e detyrimit e nuk ia ka komunikuar pa shtyrje debitorit të drejtën e tij në dënimin kontraktues.
Neni 258Zvogëlimi i shumës së dënimit kontraktues
Gjykata me kërkesë të debitorit do të zvogëlojë shumën e dënimit kontraktor në qoftë se gjen se ai është jo përpjestimisht i lartë, duke marrë parasysh vlerën dhe rëndësinë e objektit të detyrimit.
Neni 259Dënimi kontraktues dhe shpërblimi i demit
1. Kreditori ka të drejtë të kërkojë dënimin kontraktues edhe kur shuma e tij e tejkalon lartësinë e dëmit që ai e ka pësuar, si dhe kur nuk ka pësuar kurrfarë dëmi.
2. Në qoftë se dëmin të cilin e ka pësuar kreditori është më i madh nga sa është shuma e dënimit kontraktues, ai ka të drejtë të kërkojë diferencën deri në shpërblimin e plotë të dëmit.
Neni 260Shpërblimi i caktuar me ligj dhe dënimi kontraktues
Në qoftë se për mos përmbushjen e detyrimit ose për rastin e vonesës në përmbushjen, lartësia e shpërblimit e caktuar me ligj nën emërtimin e penaliteteve, dënimit kontraktues, shpërblimit ose në ndonjë emërtim tjetër, ndërsa palët kontraktuese megjithatë e kanë kontraktuar dënimin, kreditori nuk ka të drejtë të kërkojë njëkohësisht dënimin kontraktues dhe shpërblimin e caktuar në ligj, përveç nëse kjo lejohet nga vetë ligji. NENKREU 2 KUNDËRSHTIMI I VEPRIMEVE JURIDIKE TË DEBITORIT
Neni 261Rregulla e përgjithshme
1. Secili kreditor kërkesa e të cilit ka arritur për pagesë dhe pa marrë parasysh se kur është krijuar, mund ta kundërshtojë veprimin juridik të debitorit të vet i cili është ndërmarrë në dëm të kreditorit.
2. Konsiderohet se veprimi juridik është ndërmarrë në dëm të kreditorit, në qoftë se për shkak të zbatimit të tij debitori nuk ka mjete të mjaftueshme për plotësimin e kërkesave të kreditorit.
3. Me veprimin juridik nënkuptohet edhe lëshimi për shkak të të cilit debitori e ka humbur ndonjë të drejtë pasurore ose me të cilin ndaj tij është krijuar ndonjë detyrim pasuror.
Neni 262Kushtet e kundërshtimit
1. Disponimi me ngarkesë mund të kundërshtohet në qoftë se në kohën e disponimit debitori ishte në dijeni ose duhej të ishte në dijeni se me disponimin e ndërmarrë u shkakton dëm kreditorëve të tij dhe në qoftë se personit të tretë me të cilin ose në dobi të cilit është ndërmarrë veprimi juridik, kjo i ka qenë e njohur ose ka mundur t`i jetë e njohur.
2. Në qoftë se personi i tretë është bashkëshort i debitorit, ose është i afërm nga gjaku në vijë të drejtë, ose në vijë të tërthortë deri në shkallën e katërt, ose sipas gjinisë së krushqisë deri në shkallën e dytë, supozohet se e ka pasur të njohur se debitori me disponimin e ndërmarrur i shkakton dëm kreditorit.
3. Te disponimet pa shpërblim dhe te veprimet juridike të barazuara me to, konsiderohet se debitori e ka ditur se me disponimet e ndërmarra i sjell dëm kreditorit, dhe për kundërshtimin e këtyre veprimeve nuk kërkohet që personi i tretë të ketë pasur dijeni ose ka mundur t`i jetë e njohur për të.
4. Heqja dorë nga trashëgimia konsiderohet disponim pa shpërblim.
Neni 263Afati për paraqitjen e padisë
1. Padia për kundërshtim mund te paraqitet brenda afatit prej një viti për disponimet nga paragrafi 1 i nenit paraprak, ndërsa për raste tjera brenda afatit prej tre vjetësh.
2. Afati nga paragrafi paraprak llogaritet që nga data kur është ndërmarr veprimi juridik i cili kundërshtohet, përkatësisht nga dita kur është dashur të ndërmerret veprimi i lëshuar.
Neni 264Përjashtimi i kundërshtimit
Nuk mund të kundërshtohen për shkak të dëmtimit të kreditorëve dhurimet e zakonshme të rastit, dhurimet shpërblyese, si dhe dhurimet e bëra nga falënderimi, në përpjesëtim me mundësitë materiale të debitorit.
Neni 265Si bëhet kundërshtimi
1. Kundërshtimi mund të bëhet me padi ose me kundërshtim.
2. Padia për kundërshtim paraqitet kundër personit të tretë me të cilin ose në dobi të të cilit është ndërmarrë veprimi juridik i cili kundërshtohet, përkatësisht kundër trashëgimtarëve të tij juridikë universal.
3. Në qoftë se personi i tretë e ka tjetërsuar me ndonjë punë me ngarkesë dobinë e përfituar nga disponimi i cili kundërshtohet, padia mund të ngritet kundër përfituesit vetëm në qoftë se ky e ka ditur se përfitimi i paraardhësve të tij ka mundur të kundërshtohet, e në qoftë se këtë dobi e ka tjetërsuar me ndonjë punë pa shpërblim, padia mund të paraqitet kundër përfituesit edhe në qoftë se ky nuk ishte në dijeni.
4. I padituri mund t’i shmanget kundërshtimit, në qoftë se e përmbush detyrimin e debitorit.
Neni 266Efekti i kundërshtimit
Në qoftë se gjykata e aprovon kërkesëpadinë, veprimi juridik e humb efektin vetëm ndaj paditësit dhe vetëm aq sa nevojitet për plotësimin e kërkesave të tij. NENKREU 3 E DREJTA E RETENCIONIT
Neni 267Ushtrimi i të drejtës së retencionit
1. Kreditori i kërkesës së arritur për pagesë i cili mban ndonjë send të debitorit ka të drejtën e retencionit në këtë send gjersa të mos i paguhet kërkesa.
2. Në qoftë se debitori është bërë i paaftë për pagesë, kreditori mund të ushtrojë të drejtën e retencionit megjithëse kërkesa e tij nuk ka arritur për pagesë.
3. E drejta e retencionit të sendit vazhdon edhe pas kalimit të afatit të parashkrimit të kërkesës.
Neni 268Përjashtimet
1. Kreditori nuk ka të drejtën e retencionit kur debitori kërkon që t`i kthehet sendi i cili ka dalur nga posedimi i tij kundër vullneti të tij ose kur debitori kërkon që t`i kthehet sendi që i është dorëzuar kreditorit për ruajtje ose në shërbim.
2. Kreditori nuk mund të mbajë as prokurën e marrë nga debitori e as dokumentet tjera të debitorit, letërnjoftimet, korrespodencën dhe sendet tjera të ngjashme dhe as sende tjera të cilat nuk mund të shiten.
Neni 269Detyrimi i kthimit të sendeve përpara përmbushjes së detyrimit
Kreditori ka për detyrë t`ia kthejë sendin debitorit në qoftë se ky i ofron sigurim përkatës të kërkesës së tij.
Neni 270Efekti i të drejtës së retencionit
Kreditori i cili e mban sendin e luajtshëm të debitorit në bazë së të drejtës së retencionit ka të drejtë të arkëtojë nga vlera e saj në të njëjtën mënyrë si kreditori i pengut, por ka për detyrë që ta njoftojë debitorin para se të fillojë ta realizojë arkëtimin. KREU 2 TË DREJTAT E KREDITORIT NË RASTE TË VEÇANTA
Neni 271Kur detyrimi përbëhet nga dhënia e sendeve të caktuara sipas llojit
Kur detyrimi përbëhet nga dhënia e sendeve të caktuara sipas llojit, ndërsa debitori vjen në vonesë, kreditori, pasi ta këtë njoftuar më parë debitorin, mundet sipas zgjidhjes së tij ta sigurojë sendin e të njëjtit lloj dhe të kërkojë nga debitori shpërblimin e çmimit dhe shpërblimin e dëmit ose të kërkojë vlerat e sendeve borxh dhe shpërblimin e dëmit.
Neni 272Kur detyrimi përbëhet nga veprimi
Kur detyrimi përbëhet nga veprimi, kurse debitori këtë detyrim nuk e ka përmbushur me kohë, kreditori mundet duke e njoftuar për këtë më parë debitorin, vetë me shpenzime të debitorit të kryejë atë që debitori e ka pasur për detyrë ta bënte, kurse nga debitori të kërkojë shpërblimin e dëmit për shkak të vonesës, si dhe shpërblimin e dëmit tjetër që do ta kishte për shkak të mënyrës së këtillë të përmbushjes.
Neni 273Kur detyrimi përbëhet nga mosveprimi
1. Kur detyrimi përbëhet nga mosveprimi, kreditori ka të drejtë të shpërblimit të dëmit nga vetë fakti se debitori ka vepruar në kundërshtim me detyrimin e tij.
2. Në qoftë se diçka është ndërtuar në kundërshtim me detyrimin, kreditori mund të kërkojë që kjo të mënjanohet me shpenzime të debitorit dhe që debitori t`ia shpërblejë dëmin që ka pësuar lidhur me ndërtimin dhe mënjanimin.
3. Gjykata mundet, kur gjen se kjo është haptazi më e dobishme, duke marrë parasysh interesin shoqëror dhe interesin e arsyeshëm të kreditorit të vendosë që të mos rrënohet ajo që është ndërtuar, por që kreditorit t`i shpërblehet dëmi me të holla.
Neni 274E drejta e kërkimit të shpërblimit në vend të sendit të gjykuar
1. Në qoftë se debitori nuk e përmbush detyrimin e tij brenda afatit që i është caktuar me aktgjykim të formës së prerë, kreditori mund ta thërrasë që ta përmbushë në një afat të përshtatshëm të mëvonshëm dhe të deklarojë që pas skadimit të këtij afati nuk do ta pranojë përmbushjen, por do të kërkojë shpërblimin e dëmit për shkak të mospërmbushjes.
2. Pas skadimit të afatit të mëvonshëm kreditori mund të kërkojë vetëm shpërblimin e dëmit për shkak të mos përmbushjes.
Neni 275Penalet gjyqësore
1. Kur debitori nuk e përmbush brenda afatit ndonjë detyrim të tij jo në të holla të përcaktuar me aktgjykim të formës së prerë, gjykata mundet me kërkesë të kreditorit t`i caktojë debitorit një afat të përshtatshëm të mëvonshëm dhe t`i caktojë me qëllim të ndikimit ndaj debitorit dhe pavarësisht nga çdo dëm, që debitori po qe se nuk e përmbush detyrimin e tij brenda këtij afati të ketë detyrë t`i paguajë kreditorit një shumë të hollash për çdo ditë vonese ose për ndonjë njësi tjetër kohore duke filluar nga skadimi i këtij afati.
2. Kur debitori e përmbush më vonë detyrimin e tij, gjykata mund ta zvogëlojë shumën e caktuar në këtë mënyrë duke pasur parasysh qëllimin për të cilin ka urdhëruar pagimin e saj. PJESA IV SHUARJA E DETYRIMEVE KREU 1 RREGULLAT E PËRGJITHSHME
Neni 276Rregulla e përgjithshme
1. Detyrimi shuhet kur ai përmbushet si dhe në rastet tjera të përcaktuara me ligj.
2. Me shuarjen e detyrimit kryesor shuhen dorëzania, pengu dhe të drejtat tjera akcesore. KREU 2 PËRMBUSHJA NËNKREU 1 RREGULLAT E PËRGJITHSHME PËR PËRMBUSHJEN I. PËRMBUSHJA DHE SHPENZIMET E PËRMBUSHJES
Neni 277Përmbushja nga ana e debitorit ose e personit të tretë
1. Detyrimin mund ta përmbushë jo vetëm debitori, por edhe personi i tretë.
2. Kreditori është i detyruar ta pranojë përmbushjen nga secili person i cili ka ndonjë interes juridik që detyrimi të përmbushet, madje edhe nëse debitori e kundërshton atë përmbushje.
3. Kreditori ka për detyrë të pranojë përmbushjen nga ana e personit të tretë, në qoftë se debitori pajtohet me këtë me përjashtim të rastit kur sipas kontratës ose nga vetë natyra e detyrimit, këtë përmbushje duhet ta bëjë debitori personalisht.
4. Kreditori mund të pranojë përmbushjen nga personi i tretë pa dijen e debitorit, madje edhe në rastin kur debitori e ka njoftuar se nuk pranon që personi i tretë ta përmbushë detyrimin e tij.
5. Megjithatë, në qoftë se debitori i ka ofruar që vetë ta përmbushë menjëherë detyrimin e vet, kreditori nuk mund të pranojë përmbushjen nga personi i tretë.
Neni 278Përmbushja e personit të paaftë për të vepruar
1. Edhe debitori i paaftë për të vepruar mundet në mënyrë juridikisht të vlefshme të përmbushë detyrimin në qoftë se ekzistimi i detyrimit është i padyshimtë dhe në qoftë se ka arritur afati për përmbushjen e tij.
2. Megjithatë, mund të kontestohet përmbushja në qoftë se personi i tillë e ka paguar borxhin e parashkruar, ose borxhin i cili rrjedh nga loja e fatit ose nga bastet.
Neni 279Shpenzimet e përmbushjes
Shpenzimet e përmbushjes i bartë debitori, në qoftë se ato nuk i ka shkaktuar kreditori. II. PËRMBUSHJA ME SUBROGIM
Neni 280Përmbushja me bartjen e të drejtës në përmbushësin (subrogimi)
1. Në rast të përmbushjes së detyrimit të huaj, secili përmbushës mund të kontraktojë me kreditorin, para përmbushjes ose me rastin e përmbushjes, që kërkesa e përmbushur t’i kalohet atij me të gjitha të drejtat ose vetëm me disa të drejta akcesore.
2. Të drejtat e kreditorit mund të kalojnë në përmbushësin edhe në bazë të kontratës midis debitorit dhe përmbushësit të lidhur para përmbushjes.
3. Në këto raste subrogimi i përmbushësit në të drejtat e kreditorit krijohet në momentin e përmbushjes.
Neni 281Subrogimi ligjor
Kur detyrimin e përmbush personi i cili ka ndonjë interes juridik në këtë çështje, atëherë i kalojnë këtij, në bazë të vet ligjit, në çastin e përmbushjes, kërkesat e kreditorit me të gjitha të drejtat aksesore.
Neni 282Subrogimi në rast të përmbushjes së pjesshme
1. Në rast të përmbushjes së pjesshme të kërkesës së kreditorit, në përmbushësin kalojnë të drejtat akcesore me të cilat është siguruar përmbushja e asaj kërkese vetëm në qoftë se nuk nevojiten për përmbushjen e pjesës së mbetur të kërkesës së kreditorit.
2. Kreditori dhe përmbushësi mund të kontraktojnë se do të shfrytëzojnë garancione në përpjesëtim me kërkesat e veta, por mund të kontraktojnë edhe se përmbushësi do të ketë të drejtën e arkëtimit me përparësi.
Neni 283Provat dhe mjetet e sigurimit
1. Kreditori ka për detyrë t’ia dorëzojë përmbushësit mjetet me të cilat provohet ose sigurohet kërkesa.
2. Përjashtimisht, kreditori mund t’ia dorëzojë përmbushësit sendin të cilin e ka marrë peng nga debitori ose nga ndonjë tjetër, vetëm në qoftë se penglënësi është pajtuar me këtë, përndryshe, ajo mbetet në posedim të kreditorit që ta mbajë dhe ta ruajë për llogari të përmbushësit.
Neni 284Sa mund të kërkohet nga debitori
Përmbushësi te i cili ka kaluar kërkesa, nuk mund të kërkojë nga debitori më tepër se sa i ka paguar kreditorit.
Neni 285Përjashtimi i përgjegjësisë së kreditorit për ekzistimin dhe arkëtueshmërinë e kërkesës
1. Kreditori i cili e ka marrë përmbushjen nga personi i tretë nuk përgjigjet për ekzistimin dhe arkëtueshmërinë e kërkesës në kohën e përmbushjes.
2. Me këtë nuk përjashtohet aplikimi i rregullave mbi pasurimin pa bazë. III KUJT I BËHET PËRMBUSHJA
Neni 286Personi i autorizuar
1. Përmbushja medoemos duhet t’i bëhet kreditorit ose personit të caktuar me ligj, me vendim gjyqësor, me kontratë midis kreditorit e debitorit, ose nga vetë kreditori.
2. Përmbushja është e vlefshme edhe kur i është bërë personit të tretë, në qoftë se kreditori e ka lejuar më vonë apo në qoftë se e ka përdorur atë.
Neni 287Përmbushja e bërë kreditorit të paaftë për të vepruar
1. Përmbushja e bërë kreditorit të paaftë për të vepruar e liron debitorin, në qoftë se ka qenë e dobishme për kreditorin ose objekti i përmbushjes ndodhet ende te ai.
2. Kreditori i paaftë për të vepruar mund të pajtohet, pasi të jetë bërë i aftë për të vepruar, për përmbushjen të cilin e ka marrë në kohën e paaftësisë së tij për të vepruar. IV. LËNDA E PËRMBUSHJES
Neni 288Përmbajtja e detyrimit
1. Përmbushja përbëhet nga kryerja e asaj që është përmbajtja e detyrimit, ashtu që as debitori nuk mund ta përmbush me diçka tjetër dhe as kreditori nuk mund të kërkojë diçka tjetër.
2. Përmbushja nuk është e vlefshme, në qoftë se ajo që debitori e ka dorëzuar si send borxh dhe kreditori e ka pranuar si të tillë, gjë që në të vërtetë nuk është dhe kreditori ka të drejtë ta kthejë atë që i është dorëzuar dhe të kërkojë sendin borxh.
Neni 289Zëvendësimi i përmbushjes
1. Detyrimi shuhet në qoftë se kreditori në marrëveshje me debitorin pranon diçka tjetër në vend të asaj që ka borxh.
2. Në atë rast debitori përgjigjet sikurse shitësi për të metat materiale dhe juridike të sendit të dhënë në vend të asaj që ka borxh.
3. Megjithatë, kreditori në vend të kërkesës në bazë të përgjegjësisë së debitorit për të metat materiale ose juridike të sendit mund të kërkojë nga debitori, por jo më nga dorëzani, përmbushjen e kërkesës paraprake dhe dëmshpërblimin.
Neni 290Dorëzimi me qëllim shitjeje
Në qoftë se debitori ia ka dorëzuar kreditorit ndonjë send ose ndonjë të drejtë tjetër për t’i shitur dhe nga shuma e realizuar të arkëtojë kërkesat e veta, ndërsa pjesën tjetër ia dorëzon, detyrimi shuhet vetëm kur kreditori të arkëtojë nga shuma e realizuar.
Neni 291Përmbushja e pjesshme
1. Kreditori nuk e ka për detyrë të pranojë përmbushjen e pjesshme, përveç nëse vetë natyra e detyrimit imponon diçka tjetër.
2. Kreditori ka për detyrë ta pranojë përmbushjen e pjesshme të detyrimit në të holla, përveç nëse ka ndonjë interes të veçantë për ta refuzuar.
Neni 292Detyrimi i dhënies së sendeve të caktuara sipas llojit
1. Në qoftë se sendet janë caktuar vetëm sipas llojit, debitori ka për detyrë t’i jep sende të cilësisë mesatare.
2. Në qoftë se e ka pasur të njohur destinimin e sendit, ka për detyrë t’i jep sendet e cilësisë përkatëse. V. LLOGARITJA E PËRMBUSHJES
Neni 293Radha e llogaritjes
1. Kur midis personave të njëjtë ekzistojnë disa detyrime të njëllojta, kështu që atë që debitori e përmbush nuk mjafton për t’i plotësuar të gjitha, atëherë, në qoftë se për këtë gjë nuk ekziston marrëveshja e kreditorit dhe debitorit, llogaritja bëhet me atë radhë të cilën e cakton debitori më së voni me rastin e përmbushjes.
2. Kur nuk ekziston deklarata e debitorit mbi llogaritjen, atëherë detyrimet përmbushen me radhë ashtu sikurse kanë arritur për përmbushje.
3. Në qoftë se kanë arritur disa detyrime njëkohësisht për përmbushje, së pari plotësohen ato, përmbushja e të cilave është siguruar më pak, ndërsa kur janë siguruar të gjitha njësoj, atëherë më parë përmbushën ato të cilat përbëjnë për debitorin barrë më të rëndë.
4. Në kuptim të këtij neni detyrimet që janë të barabarta përmbushen me radhë sikur janë krijuar, e në qoftë se janë krijuar njëkohësisht, atëherë ajo që është dhënë në emër të përmbushjes pjesëtohet në të gjitha detyrimet përpjesëtimisht me shumat e tyre.
Neni 294Llogaritja e kamatës dhe e shpenzimeve
Në qoftë se debitori përpos kërkesës kryesore ka borxh edhe kamata dhe shpenzime, llogaritja bëhet në atë mënyrë që së pari paguhen shpenzimet, pastaj kamata dhe në fund kërkesa kryesore. VI. KOHA E PËRMBUSHJES
Neni 295Kur nuk është caktuar afati
Në qoftë se afati nuk është caktuar, kurse qëllimi i punës, vetë natyra e detyrimit dhe rrethanat e tjera nuk kërkojnë një afat për përmbushje, kreditori mund të kërkojë menjëherë përmbushjen e detyrimit, ndërsa debitori nga ana e vet mund të kërkojë nga kreditori që menjëherë të pranojë përmbushjen.
Neni 296Përmbushja para afatit
1. Kur afati është kontraktuar ekskluzivisht në interesin e debitorit, ai ka të drejtë ta përmbushë detyrimin edhe para afatit të kontraktuar, por e ka për detyrë ta njoftojë kreditorin për qëllimin e vet dhe të kujdeset që kjo të mos jetë në kohë të papërshtatshme.
2. Në raste të tjera, kur debitori ofron përmbushjen para afatit, kreditori mund ta refuzojë përmbushjen, ndërsa mundet edhe ta pranojë dhe ta ruajë të drejtën për shpërblim të dëmit, në qoftë se për këtë gjë pa shtyrje e njofton debitorin.
Neni 297E drejta e kreditorit për të kërkuar përmbushjen para afatit
Kreditori ka të drejtë të kërkojë përmbushjen para afatit në qoftë se debitori nuk ia ka dhënë sigurimin e premtuar, ose në qoftë se me kërkesën e tij nuk e ka plotësuar sigurimin e zvogëluar pa fajin e tij, si dhe kur afati është kontraktuar ekskluzivisht në interes të tij.
Neni 298Caktimi i afatit nga njëra palë
Kur caktimi i kohës së përmbushjes i është lënë dëshirës së kreditorit ose të debitorit, pala tjetër mundet, po qe se i autorizuari nuk e cakton afatin as pas tërheqjes së vërejtjes të kërkojë nga gjykata që ajo ta caktojë afatin plotësues për përmbushje.
Neni 299Detyrimi monetar
1. Në rast se pagesat bëhen me ndërmjetësimin e bankës ose të organizatës tjetër pranë së cilës mbahet llogaria e kreditorit dhe derisa palët kontraktuese të mos e kenë përcaktuar ndryshe, konsiderohet se borxhi është likuiduar në kohën kur bankës ose organizatës pranë së cilës mbahet llogaria t‘i ketë arritur dërgesa e të hollave në dobi të kreditorit ose urdhri i bankës së debitorit ose i organizatës që t‘i akordojë llogarisë së kreditorit shumën e shënuar në urdhër.
2. Në rast se me kontratë është parashikuar pagesa me anë të postës, supozohet se palët janë pajtuar se me pagesën e shumës së debituar në postë, debitori e ka likuiduar detyrimin e vet ndaj kreditorit; në rast se palët nuk janë pajtuar për një mënyrë të tillë të pagesës, borxhi është i likuiduar kur kreditori të marrë dërgesën e të hollave. VII. VENDI I PËRMBUSHJES
Neni 300Rregulla të përgjithshme
1. Debitori është i detyruar ta përmbushë detyrimin, kurse kreditori ta pranojë përmbushjen në vendin e caktuar me punën juridike ose me ligj.
2. Kur vendi i përmbushjes nuk është caktuar, dhe nuk mund të caktohet as sipas qëllimit të punës, natyrës së detyrimit apo të rrethanave tjera, atëherë përmbushja e detyrimit bëhet në vendin ku debitori në kohën e krijimit të detyrimit e ka pasur selinë, respektivisht vendbanimin e vet, e në mungesë të vendbanimit, ku ka pasur vendqëndrimin e tij.
3. Mirëpo, në qoftë se debitori është person juridik që ka disa njësi në vende të ndryshme, atëherë si vend i përmbushjes konsiderohet selia e njësisë e cila duhet t’i zbatojë veprimet e domosdoshme për përmbushjen e detyrimit, në qoftë se kjo rrethanë për kreditorin me rastin e lidhjes së kontratës ka qenë e njohur ose është dashur të jetë e njohur.