Dosja
Ligji për marrëdhëniet e detyrimeve, 04/L-077

Neni 26. Oferta Detyruese

1. Oferta në të cilën është caktuar afati për pranimin e saj, e detyron ofertuesin deri në skadimin e këtij afati.

2. Në qoftë se ofertuesi në letër ose në telegram e ka caktuar afatin e pranimit, do të konsiderohet se ky afat ka filluar të rrjedhë që nga data e shënuar në letër, ose në rast se nuk ka datë të shënuar në letër, nga data e shënuar në zarf, përkatësisht që nga dita kur është dorëzuar telegrami në postë. Afati për pranim i caktuar nga ofertuesi me telefon, teleks ose ndonjë mjet tjetër të drejtpërdrejtë të komunikimit fillon të rrjedhë në momentin kur i ofertuari e merr ofertën.

3. Oferta e bërë personit në mungesë, në të cilën nuk është caktuar afati i pranimit, detyron ofertuesin për kohën që nevojitet rregullisht që oferta t`i arrijë të ofertuarit, që ky ta shqyrtojë atë, të vendosë për te dhe që përgjigjja për pranimin të arrijë ofertuesit.

4. Oferta që i bëhet personit të pranishëm (oferta e drejtpërdrejt) në të cilën asnjë afat kohor për pranim nuk është caktuar, konsiderohet e refuzuar në rast se nuk është pranuar menjëherë, përveç nëse nga rrethanat del se të oferetuarit i takon një kohë për të shqyrtuar ofertën.

5. Oferta e bërë me telefon, ose drejtpërdrejt me anë të radio-ndërlidhjes si dhe me mjete të komunikimit drejtpërdrejt, konsiderohet si ofertë e bërë personit të pranishëm.

6. Në rast se afati kohor i caktuar për pranim nuk ka mbaruar ende, oferta pushon së qenuri e vlefshme kur ofertuesi pranon deklaratën për refuzimin e saj.

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.