LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.
Neni 301Vendi i përmbushjes së detyrimeve në para
1. Detyrimet në para përmbushen në vendin ku kreditori e ka selinë, respektivisht vendbanimin, e në mungesë të vendbanimit aty ku e ka vendqëndrimin.
2. Në qoftë se pagimi bëhet me urdhër (virman), detyrimet në para përmbushën në selinë e institucionit financiar pranë së cilës mbahen paratë e kreditorit.
3. Në qoftë se kreditori e ka ndërruar vendin ku e ka pasur selinë, respektivisht vendbanimin e vet në kohën e krijimit të detyrimit, kështu që për këtë arsye janë rritur shpenzimet e përmbushjes, kjo rritje bie në ngarkim të kreditorit. VIII. DËFTESA
Neni 302Prezumimet lidhur me dëftesën
1. Kush e përmbush detyrimin në tërësi ose pjesërisht, ka të drejtë të kërkojë që kreditori për këtë gjë t’i lëshojë dëftesën me shpenzimet e veta.
2. Debitori i cili e ka paguar detyrimin në para përmes bankës ose postës, mund të kërkojë që kreditori t’i lëshojë dëftesën vetëm në qoftë se për këtë gjë ka shkak të arsyeshëm.
3. Në qoftë se është lëshuar dëftesa se është paguar kërkesa kryesore në tërësi, supozohet se janë paguar edhe kamatat dhe shpenzimet gjyqësore të tjera nëse ka pasur të tilla.
4. Në qoftë se debitori me prestime periodike, siç janë qiratë dhe kërkesat e tjera që përllogariten periodikisht, siç janë ato që krijohen me harxhimin e energjisë elektrike, ose të ujit, telefonit, ka dëftesën se e ka paguar kërkesën e arritur më vonë për pagesë, supozohet se i ka paguar edhe ato që kanë arritur më përpara për pagesë.
Neni 303Refuzimi i lëshimit të dëftesës
Në qoftë se kreditori refuzon të lëshojë dëftesën, debitori mund të depozitojë në gjykatë objektin e detyrimit të vet. IX. KTHIMI I FLETËOBLIGACIONIT
Neni 304Kthimi i fletëobligacionit
1. Kur e përmbush detyrimin e vet në tërësi, debitori mundet, përpos dëftesës, të kërkojë nga kreditori që t’ia kthejë fletëobligacionin.
2. Kur kreditori nuk mund ta kthejë fletëobligacionin, debitori ka të drejtë të kërkojë që kreditori t’i lëshojë një dokument publik të vërtetuar se detyrimi ka pushuar së ekzistuari.
3. Në qoftë se debitorit i është kthyer fletëobligacioni, supozohet se detyrimi është përmbushur plotësisht.
4. Debitori që e ka përmbushur detyrimin vetëm pjesërisht, ka të drejtë të kërkojë që kjo përmbushje të shënohet në fletëobligacion. NËNKREU 2 VONESA I. VONESA E DEBITORIT
Neni 305Kur debitori është në vonesë
1. Debitori është në vonesë kur nuk e përmbush detyrimin brenda afatit të caktuar për përmbushje.
2. Në qoftë se afati për përmbushje nuk është caktuar, debitori është në vonesë kur kreditori ta ftojë që ta plotësojë detyrimin e vet, verbalisht ose me shkrim, paralajmërim jashtë gjyqësor, ose duke filluar ndonjë procedurë, qëllimi i së cilës është realizimi i përmbushjes të detyrimit. II. VONESA E KREDITORIT
Neni 306Kur kreditori është në vonesë
1. Kreditori është në vonese në qoftë se pa ndonjë shkak të arsyeshëm refuzon të pranojë përmbushjen, ose me sjelljet e veta e parandalon atë.
2. Kreditori është në vonesë edhe kur është i gatshëm të pranojë përmbushjen e detyrimit të njëkohshëm të debitorit, por nuk ofron përmbushjen e detyrimit të vet të arritur për pagesë.
3. Kreditori nuk është në vonesë në qoftë se provon se në kohën e ofrimit të përmbushjes, ose në kohën e caktuar për përmbushje, debitori ka qenë në pamundësi ta përmbushë detyrimin e vet.
Neni 307Efektet e vonesës së kreditorit
1. Me vonesën e kreditorit shuhet vonesa e debitorit dhe në kreditorin kalon rreziku i shkatërrimit ose te dëmtimit te rastësishëm të sendit.
2. Që nga dita e vonesës së kreditorit pushon të rrjedhë kamata.
3. Kreditori në vonesë ka për detyrë t'i shpërblejë debitorit dëmin e krijuar për shkak të vonesës, për të cilën përgjigjet, si dhe shpenzimet rreth ruajtjes së mëtejshme të sendeve. NËNKREU 3 DEPOZITIMI DHE SHITJA E SENDIT QË ËSHTË BORXH
Neni 308Depozitimi në gjykatë
1. Kur kreditori është në vonesë ose është i panjohur apo kur është e pasigurt se kush është kreditor ose ku ndodhet ai, ose kur kreditori është i paaftë për të vepruar dhe nuk ka përfaqësues debitori mund ta depozitojë sendin të cilin e ka borxh në gjykatë për kreditorin.
2. Të njëjtën të drejtë e kanë edhe personat e tretë të cilët kanë interes juridik që detyrimi të përmbushet.
3. Për depozitimin e bërë debitori ka për detyrë ta njoftojë kreditorin po qe se di për te dhe për vendbanimin e tij.
Neni 309Gjykata kompetente për depozitim
1. Depozitimi bëhet në gjykatën e kompetencës lëndore në vendin e përmbushjes, përveç nëse për shkaqet e leverdisë ekonomike ose nga vetë natyra e punës kërkohet që depozitimi të bëhet në vendin ku ndodhet sendi.
2. Çdo gjykatë tjetër me kompetencë lëndore duhet ta pranojë sendin në depozitë, ndërsa debitori ka për detyrë t’i japë shpërblim kreditorit në qoftë se ky ka pësuar dëm nga depozitimi në gjykatën tjetër.
Neni 310Dorëzimi për ruajtje personit tjetër
1. Kur objekti i detyrimit është ndonjë send që nuk mund të ruhet në depozitin gjyqësor, debitori mund të kërkojë nga gjykata që ta caktojë personin të cilit do t’ia dorëzojë sendin për ruajtje, me shpenzime dhe për llogari të kreditorit.
2. Në rast të detyrimit nga kontrata në ekonomi, dorëzimi i sendit të tillë në depon publike për ruajtjen për llogari të kreditorit e ka efektin e depozitimit në gjykatë.
3. Për dorëzimin e bërë për ruajtje debitori ka për detyrë ta njoftojë kreditorin.
Neni 311Rikthimi i sendit të depozituar
1. Debitori mund ta rikthen sendin e depozituar.
2. Për rikthimin e sendit të depozituar ka për detyrë ta njoftojë kreditorin.
3. E drejta e debitorit për ta rikthyer sendin e depozituar shuhet kur debitori i deklaron gjykatës se heq dorë nga kjo e drejtë, kur kreditori deklaron se e pranon sendin e depozituar, si dhe kur vërtetohet me aktgjykim të plotfuqishëm se depozitimi i plotëson kushtet e përmbushjes së rregullt.
Neni 312Efekti i depozitimit
1. Me depozitimin e sendit që është borxh, debitori lirohet nga detyrimi në çastin kur e ka bërë depozitimin.
2. Në qoftë se debitori ka qenë në vonesë, vonesa e tij shuhet.
3. Që nga çasti kur sendi është depozituar, rreziku i shkatërrimit të rastësishëm ose i dëmtimit të sendit kalon në kreditorin.
4. Që nga dita e depozitimit shuhet rrjedha e kamatës.
5. Në qoftë se debitori e merr sendin e depozituar, konsiderohet njësoj sikur të mos ta kishte depozituar fare dhe bashkë debitorët dhe dorëzanët e tij mbeten në detyrim.
Neni 313Shpenzimet e depozitimit
Shpenzimet e depozitimit të plotfuqishëm e të parevokueshëm i përballon kreditori në qoftë se i kalojnë shpenzimet e përmbushjes që ka për detyrë t'i paguaj debitori.
Neni 314Shitja në vend të depozitimit të sendit
1. Në qoftë se sendi është i papërshtatshëm për ruajtje apo në qoftë se për ruajtjen ose për mirëmbajtjen e tij nevojiten shpenzime të cilat nuk janë në përpjesëtim me vlerën e tij, debitori mund ta shesë, në shitjen e bërë publike në vendin e caktuar për përmbushje apo në ndonjë vend tjetër në qoftë se kjo është në interesin e kreditorit, kurse shumën e arritur, pasi të jenë zbritur shpenzimet e shitjes, ta depozitojnë në gjykatën e atij vendi.
2. Në qoftë se sendi ka çmimin vijues, apo në qoftë se ka vlerë të vogël në krahasim me shpenzimet e shitjes publike, debitori lirisht mund ta shesë.
3. Në qoftë se sendi është i tillë që mund të shkatërrohet apo të prishet, debitori ka për detyrë ta shesë pa shtyrje në një mënyrë sa më të përshtatshme.
4. Në çdo rast, debitori ka për detyrë ta njoftojë kreditorin për shitjen që ka ndërmend ta bëjë kurdo që të jetë e mundur, e pas shitjes së bërë ta njoftojë për çmimin e realizuar dhe për depozitimin e tij në gjykatë.
Neni 315Dorëzimi i sendit kreditorit
Gjykata do t’ia dorëzojë kreditorit sendin e depozituar sipas kushteve që i ka caktuar debitori.
Neni 316Shitja për të mbuluar shpenzimet e ruajtjes
1. Në qoftë se shpenzimet e ruajtjes nuk paguhen brenda afatit të arsyeshëm, gjykata do të urdhërojë me kërkesën e ruajtësit, që sendi të shitet dhe do të caktojë mënyrën e shitjes.
2. Nga shuma e realizuar prej shitjes do të zbritën shpenzimet e shitjes dhe shpenzimet e ruajtjes, ndërsa KREU që mbetet do të depozitohet në gjykatë për kreditorin. KREU 3 MËNYRAT TJERA TË SHUARJES SË DETYRIMIT NËNKREU 1 KOMPENSIMI
Neni 317Kushtet e përgjithshme
Debitori mund ta kompensoj kërkesën që ka ndaj kreditorit me atë që kërkon ky prej tij në qoftë se të dy kërkesat kanë si objekt të hollat, ose sendet e tjera të zëvendësueshme të të njëjtit lloj ose të njëjtës cilësi dhe në qoftë se të dy kanë arritur për pagesë.
Neni 318Deklarata për kompensimin
1. Kompensimi nuk kryhet posa të janë formuar kushtet për këtë, por nevojitet që njëra palë t'i deklarojë tjetrës se është duke bërë kompensimin.
2. Pas deklaratës mbi kompensimin konsiderohet se kompensimi është kryer që nga çasti kur janë formuar kushtet për këtë.
Neni 319Mungesa e reciprocitetit
1. Debitori nuk mund të bëjë kompensimin e asaj që debiton kreditorit me atë që kreditori i debiton dorëzanit të tij.
2. Mirëpo, dorëzani mund të bëjë kompensimin e detyrimit të debitorit ndaj kreditorit me kërkesën e debitorit nga kreditori.
3. Kush e ka dhënë sendin e vet peng për detyrimin e huaj, mund të kërkojë nga kreditori që t'ia kthejë sendin e lënë peng kur të jenë plotësuar kushtet për pushimin e këtij detyrimi me anë të kompensimit, si dhe kur kreditori lëshon me faj të vet mundësin që të bëjë kompensimin.
Neni 320Kërkesa e parashkruar
1. Një borxh mund të kompensohet me një kërkesë të parashkruar, vetëm nëse kjo kërkesë e parashkruar nuk ka qenë e parashkruar në momentin kur kanë ekzistuar kushtet për kompensim.
2. Në qoftë se kushtet për kompensim janë krijuar pasi që një nga kërkesat është parashkruar, kompensimi nuk krijohet në qoftë se debitori i kërkesës së parashkruar ka theksuar kundërshtimin për parashkrim.
Neni 321Kompensimi me kërkesën e ceduar
1. Debitori i kërkesës së ceduar mund t’ia kompensojë marrësit ato kërkesa të veta të cilat deri në njoftimin mbi cedimin ka mundur t’ia kompensojë ceduesit.
2. Ai mund ti kompensojë edhe ato kërkesa të veta nga ceduesi që i ka fituar para njoftimit për cedimin, afati i të cilave për cedim nuk ka skaduar në çastin kur është njoftuar për cedimin, por vetëm në qoftë se ky afat bie para afatit për përmbushjen e kërkesës së ceduar ose në të njëjtën kohë.
3. Debitori që i ka deklaruar pa rezervë marrësit se e pranon cedimin, nuk mund t’i kompensojë me kurrë farë kërkese të vet nga ceduesi.
4. Në qoftë se kërkesa e ceduar është shkruar në regjistrat publikë, debitori mund t’ia bëjë kompensimin marrësit vetëm në qoftë se kërkesa e tij është e regjistruar me rastin e kërkesës së ceduar apo në qoftë se marrësi është njoftuar me rastin e cedimit për ekzistimin e kësaj kërkese.
Neni 322Rastet e përjashtimit të kompensimit
1. Nuk mund të shuhen me kompensim:
1.1. kërkesat të cilat nuk mund të sekuestrohen;
1.2. kërkesat e sendeve, apo të vlerës së sendeve të cilat i janë dhënë debitorit për ruajtje, ose për huapërdorje, apo të cilat debitori i ka marrë në mënyrë të kundërligjshme, ose i ka mbajtur në mënyrë të kundërligjshme;
1.3. kërkesat e krijuara nga shkaktimi i dëmit me dashje;
1.4. kërkesat e shpërblimit të dëmit, të cilat kërkesa janë krijuar me dëmtimin e shëndetit apo me shkaktimin e vdekjes;
1.5. kërkesat që rrjedhin nga detyrimi ligjor i ushqimit.
Neni 323Ndalimi i kërkesës së palës tjetër
Debitori nuk mund të bëjë kompensimin në qoftë se kërkesa e tij ka arritur për pagesë vetëm pasi dikush i treti ka vënë ndalesën në kërkesën e kreditorit ndaj tij.
Neni 324Llogaritja e kompensimit
Kur midis dy personave ekzistojnë disa detyrime të cilat mund të shuhen me anë të kompensimit, atëherë kompensimi bëhet sipas rregullave të cilat vlejnë për llogaritjen e përmbushjes. NËNKREU 2 FALJA E BORXHIT
Neni 325Marrëveshja
1. Detyrimi shuhet kur kreditori i deklaron debitorit se nuk do të kërkojë përmbushjen e tij dhe debitori të jetë dakord me këtë.
2. Për vlefshmërinë e kësaj marrëveshje nuk nevojitet që ajo të lidhet në formën sikur është kontraktuar puna nga e cila është krijuar detyrimi.
Neni 326Heqja dorë nga mjetet e sigurimit
Kthimi i pengut dhe heqja dorë nga mjetet e tjera me të cilat është siguruar përmbushja e detyrimit, nuk do të thotë se kreditori ka hequr dorë edhe nga e drejta për të kërkuar përmbushjen e detyrimit.
Neni 327Falja e borxhit dorëzanit
1. Falja e borxhit dorëzanit nuk e liron debitorin kryesor, ndërsa falja e borxhit debitorit kryesor e liron dorëzanin.
2. Kur ka disa dorëzanë dhe kreditori e liron nga detyrimi njërin prej tyre, të tjerëve u mbetet detyrimi, por detyrimi i tyre zbritet për pjesën e dorëzanit të liruar.
Neni 328Falja e përgjithshme e borxheve
Me faljen e përgjithshme të borxheve shuhen të gjitha kërkesat e kreditorit ndaj debitorit, përveç atyre për të cilat kreditori nuk ka ditur se ekzistojnë në çastin kur është bërë falja. NËNKREU 3 PËRTRIRJA (NOVACIONI)
Neni 329Kushtet për përtrirjen e detyrimit
1. Detyrimi shuhet në qoftë se kreditori dhe debitori janë pajtuar që detyrimin ekzistues ta zëvendësojnë me një tjetër dhe në qoftë se detyrimi tjetër ka objekt të ndryshëm ose bazë juridike të ndryshme.
2. Marrëveshja e kreditorit dhe e debitorit me të cilën ndryshohet ose plotësohet dispozita mbi afatin, mbi vendin ose mbi mënyrën e përmbushjes, pastaj marrëveshja e mëvonshme mbi kamatën, mbi dënimin kontraktues, mbi sigurimin e përmbushjes, ose mbi ndonjë dispozitë tjetër akcesore, si dhe marrëveshja mbi dhënien e dokumentit të ri mbi borxhin, nuk konsiderohen si novacion.
3. Dhënia e kambialit ose e çekut për shkak të ndonjë detyrimi të mëparshëm nuk konsiderohet si novacion, përveç nëse kjo është kontraktuar ashtu.
Neni 330Vullneti për të bërë novacion
Novacioni nuk ekziston, në qoftë se palët nuk e kanë deklaruar qëllimin që ta shuajnë detyrimin ekzistues kur kanë krijuar detyrimin e ri; atëherë detyrimi i mëparshëm nuk shuhet, por ekziston edhe më tutje krahas detyrimit të ri.
Neni 331Efekti i novacionit
1. Me kontratën për novacionin detyrimi i mëparshëm shuhet, kurse detyrimi i ri krijohet.
2. Me detyrimin e mëparshëm shuhet edhe pengu dhe dorëzania, përveç nëse me dorëzaninë ose me pengdhënësin është kontraktuar ndryshe.
3. E njëjta gjë vlen edhe për të drejtat e tjera akcesore, të cilat kanë qenë të lidhura me detyrimin e mëparshëm.
Neni 332Mungesa e detyrimit të mëparshëm
1. Novacioni është pa efekt në qoftë se detyrimi i mëparshëm ka qenë nul ose është shuar.
2. Në qoftë se detyrimi i mëparshëm ka qenë vetëm i rrëzueshëm, novacioni është i vlefshëm po qe se debitori e ka ditur për të metën e detyrimit të mëparshëm.
Neni 333Efekti i anulimit
Kur kontrata mbi novacionin është shpallur e pavlefshme, konsiderohet se nuk ka pasur novacion dhe se detyrimi i mëparshëm as që ka pushuar së ekzistuari. NËNKREU 4 KONFONDIMI
Neni 334Konfondimi
1. Detyrimi shuhet me konfondim, kur i njëjti person bëhet si debitor ashtu edhe kreditor.
2. Kur dorëzani bëhet kreditor, detyrimi i debitorit kryesor nuk shuhet.
3. Detyrimet e regjistruara në regjistrat publike shuhen me anë të konfondimit vetëm pasi të bëhet regjistrimi i fshirjes. NËNKREU 5 PAMUNDËSIA E PËRMBUSHJES
Neni 335Shuarja e detyrimit për shkak të pamundësisë së përmbushjes
1. Detyrimi shuhet kur përmbushja e tij bëhet e pamundur për shkak të rrethanave për të cilat debitori nuk mban përgjegjësi.
2. Debitori duhet të provojë rrethanat që e përjashtojnë përgjegjësinë e tij.
Neni 336Kur sendet e caktuara sipas llojit janë objekt i detyrimit
1. Në qoftë se objekt i detyrimit janë sendet e caktuara sipas llojit, detyrimi nuk shuhet as atëherë kur të gjitha ato që ka debitori nga këto sende zhduken për shkak të rrethanave, për të cilat ai nuk mban përgjegjësi.
2. Mirëpo, kur detyrimi ka si objekt sendet e caktuara sipas llojit që duhet të merren nga masa e caktuar e atyre sendeve, atëherë detyrimi shuhet kur zhduket e gjithë ajo masë.
Neni 337Cedimi i të drejtave ndaj të tretit përgjegjës për pamundësinë e përmbushjes
Debitori i sendit të caktuar që është shkarkuar nga detyrimi i vet për shkak të pamundësisë së përmbushjes ka për detyrë t'i cedojë kreditorit të drejtën që do ta kishte ndaj personit të tretë për shkak të pamundësisë së krijuar NËNKREU 6 KALIMI I KOHËS DHE DENONCIMI
Neni 338Afati në marrëdhëniet e vazhdueshme të detyrimeve
Marrëdhënia e detyrimeve e vazhdueshme me afat të caktuar të kohëzgjatjes shuhet kur të skadojë afati, përveç kur është kontraktuar ose kur është caktuar me ligj që pas skadimit të afatit marrëdhënia e detyrimeve të zgjatet për një kohë të pacaktuar, në qoftë se ajo marrëdhënie nuk denoncohet me kohë.
Neni 339Denoncimi i marrëdhënies së vazhdueshme të detyrimit
1. Në qoftë se kohëzgjatja e marrëdhënies së detyrimeve nuk është caktuar, secila palë mund ta ndërpret me denoncim.
2. Denoncimi duhet doemos t’i dorëzohet palës tjetër.
3. Denoncimi mund të jepet në çdo kohë, por jo në kohë të papërshtatshme.
4. Marrëdhënia e detyrimeve e denoncuar shuhet kur të ketë skaduar afati i denoncimit i caktuar në kontratë, e në qoftë se afati i tillë nuk është caktuar me kontratë, atëherë marrëdhënia shuhet pasi të ketë kaluar afati i caktuar me ligj ose me doke, përkatësisht me skadimin e afatit të arsyeshëm.
5. Palët mund të kontraktojnë se marrëdhënia e tyre e detyrimeve do të shuhet me vetë dorëzimin e denoncimit, në qoftë se për rastin e caktuar ligji nuk urdhëron diçka tjetër.
6. Kreditori ka të drejtë të kërkojë nga debitori atë detyrim të arritur, para se detyrimi të jetë shuar me kalimin e afatit ose me denoncim. NËNKREU 7 VDEKJA
Neni 340Vdekja
Me vdekjen e debitorit ose të kreditorit shuhet detyrimi vetëm në qoftë se është krijuar duke marrë parasysh veçoritë personale të njërës nga palët kontraktuese ose aftësitë personale të debitorit. KREU 4 PARASHKRIMI NËNKREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME
Neni 341Rregullat e përgjithshme
1. Me parashkrim shuhet e drejta e kërkimit të përmbushjes së detyrimit.
2. Parashkrimi krijohet kur të ketë kaluar afati i caktuar me ligj, brenda të cilit kreditori ka mundur të kërkojë përmbushjen e detyrimit.
3. Gjykata nuk mund të merr parasysh parashkrimin, në qoftë se debitori nuk thirret në atë.
Neni 342Kur fillon të rrjedhë parashkrimi
1. Parashkrimi fillon të rrjedhë ditën e parë pas ditës kur kreditori të ketë pasur të drejtë të kërkojë përmbushjen e detyrimit, në qoftë se me ligj për raste të veçanta nuk është parashikuar diçka tjetër.
2. Në qoftë se detyrimi konsiston në atë që diçka të mos bëhet, të lihet pa u bërë ose të pësohet, parashkrimi fillon të rrjedhë ditën e parë pas ditës kur debitori të ketë vepruar në kundërshtim me detyrimin.
Neni 343Krijimi i parashkrimit
Parashkrimi lind, kur të ketë skaduar dita e fundit e kohës së caktuar me ligj.
Neni 344Llogaritja e kohës së paraardhësve
Në kohën e parashkrimit llogaritet edhe koha që ka kaluar në dobi të paraardhësve të debitorit.
Neni 345Ndalimi i ndryshimit të afatit të parashkrimit
1. Me punë juridike nuk mund të caktohet një kohë më e gjatë ose më e shkurtër e parashkrimit se sa koha e caktuar me ligj.
2. Me punë juridike nuk mund të caktohet që parashkrimi të mos rrjedhë për një kohë.
Neni 346Heqja dorë nga parashkrimi
Debitori nuk mund të heqë dorë nga parashkrimi para se të ketë kaluar koha e caktuar për parashkrim.
Neni 347Njohja me shkrim dhe sigurimi i detyrimit të parashkruar
1. Njohja me shkrim i detyrimit të parashkruar konsiderohet si heqje dorë nga parashkrimi.
2. Efekt të njëjtë ka dhënia e pengut ose e ndonjë sigurimi tjetër për kërkesën e parashkruar.
Neni 348Efekti i përmbushjes së detyrimit të parashkruar
Në qoftë se debitori e përmbush detyrimin e parashkruar, ai nuk ka të drejtë të kërkojë që t’i kthehet ajo që ka dhënë edhe atëherë kur nuk e ka ditur, se detyrimi është parashkruar.
Neni 349Kreditori, kërkesa e të cilit është e siguruar
1. Kur të ketë kaluar afati i parashkrimit, kreditori kërkesa e të cilit është e siguruar me peng ose me hipotekë, mund të paguhet vetëm nga sendi i ngarkuar, në qoftë se e mban në dorë apo në qoftë se e drejta e tij është regjistruar në regjistrat publikë.
2. Megjithatë, kërkesat e parashkruara të kamatës dhe të dhënieve tjera periodike nuk mund të përmbushen as edhe nga sendi i ngarkuar.
Neni 350Kërkesat akcesore
Kur parashkruhet kërkesa kryesore, atëherë parashkruhen edhe kërkesat akcesore, sikurse janë: kërkesat e kamatës, frutave, shpenzimeve dhe dënimeve kontraktuese.
Neni 351Kur nuk zbatohen rregullat për parashkrimin
Rregullat për parashkrimin nuk zbatohen në rastet kur me ligj janë caktuar afatet brenda të cilave duhet të paraqitet padia ose të kryhet një veprim, nën kërcënim të humbjes së të drejtave. NËNKREU 2 AFATI I PARASHKRIMIT
Neni 352Afati i përgjithshëm i parashkrimit
Kërkesat parashkruhen për pesë (5) vjet, në qoftë se me ligj nuk është caktuar ndonjë afat tjetër i parashkrimit.
Neni 353Kërkesat periodike
1. Kërkesat e dhënieve periodike që rrjedhin vit për vit ose në afate të caktuara më të shkurtra (kërkesat periodike), qofshin ato kërkesa periodike akcesore, siç janë kërkesat e kamatës, apo kërkesa periodike të atilla në të cilat përfundon vetë e drejta, siç janë kërkesat e ushqimit, parashkruhen tri (3) vjet nga arritja e secilës dhënie të veçantë për pagesë.
2. E njëjta gjë vlen për pensionet vjetore me të cilat paguhet shuma kryesore dhe kamata në shuma të barabarta të përcaktuara më parë, por nuk vlen për pagesat në këste ose për përmbushje të tjera të pjesshme.
3. Pavarësisht paragrafit të parë të këtij neni, kamata në kërkesat periudha e parashkrimit e të cilave është më pak se tri (3) vjet, parashkruhen pas kalimit të periudhës së njëjtë si për kërkesën kryesore.
Neni 354Parashkrimi i vet të drejtës
1. Vetë e drejta nga e cila rrjedhin kërkesat periodike parashkruhet për pesë (5) vite duke llogaritur nga arritja për pagesë e kërkesës më të vjetër të pa përmbushur pas së cilës debitori nuk ka kryer dhënie.
2. Kur parashkruhet e drejta nga e cila rrjedhin kërkesat periodike, atëherë kreditori humb të drejtën jo vetëm të kërkojë prestime të ardhshme periodike, por edhe prestime periodike të cilat kanë arritur për pagesë para këtij parashkrimi.
3. Nuk mund të parashkruhet e drejta e ushqimit e caktuar me ligj.
Neni 355Kërkesat reciproke nga kontratat komerciale
1. Kërkesat reciproke nga kontratat komerciale si dhe kërkesat e shpërblimit të shpenzimeve të bëra lidhur me këto kontrata, parashkruhen për tri (3) vite.
2. Parashkrimi rrjedh veç e veç për çdo dërgim të mallit, pune ose shërbimi të kryer.
Neni 356Kërkesa e qirasë
Kërkesa e qirasë si për atë që është caktuar të paguhet periodikisht, ashtu edhe për atë që është caktuar të paguhet në shuma totale, parashkruhet për tri (3) vite.
Neni 357Kërkesa e shpërblimit të dëmit
1. Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar parashkruhet për tri (3) vite nga data kur i dëmtuari ka marrë dijeni për dëmin dhe për personin, i cili e ka shkaktuar dëmin.
2. Në çdo rast kjo kërkesë parashkruhet për pesë (5) vite nga shkaktimi i dëmit.
3. Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar me cenimin e detyrimit kontraktues parashkruhet për kohën e caktuar për parashkrimin e atij detyrimi.
4. Kërkesat e kompensimit të dëmit të krijuar nga akti i abuzimit seksual me të mitur parashkruhen pesëmbëdhjetë (15) vite pasi personi i mitur të ketë arritur moshën e pjekurisë.
Neni 358Kërkesa për shpërblimin e dëmit të shkaktuar me vepër penale
1. Kur dëmi është shkaktuar me vepër penale dhe për ndjekjen penale është parashikuar një afat më i gjatë parashkrimi, kërkesa për shpërblim të dëmit ndaj personit përgjegjës parashkruhet kur të skadojë koha e caktuar për parashkrimin e ndjekjes penale.
2. Ndërprerja e parashkrimit të ndjekjes penale sjell edhe ndërprerjen e parashkrimit të kërkesës për shpërblimin e dëmit.
3. E njëjta vlen edhe për ndaljen e parashkrimit.
Neni 359Kompensimi i kërkesave për arsye të korrupsionit
Në rast se dëmi është shkaktuar nga akti në të cilin ofrimi, dhënia, pranimi ose kërkesa e “ryshfetit“ ose ndonjë përfitimi tjetër ka pasur ndikim të drejtpërdrejtë ose jo të drejtpërdrejtë, ose nga mosveprimi apo veprimi që do të kishte parandaluar aktin e korrupsionit, ose nga ndonjë akt tjetër që sipas ligjit ose traktatit ndërkombëtar paraqet korrupsion, kërkesa parashkruhet pesë (5) vite pasi pala e dëmtuar të ketë mësuar për dëmin dhe personin që e ka shkaktuar atë; në cilindo rast, ajo parashkruhet pesëmbëdhjetë (15) vite pas kryerjes së aktit.
Neni 360Afati njëvjeçar i parashkrimit
1. Kërkesat të cilat parashkruhen pas një (1) viti:
1.1. kërkesat për furnizimin e energjisë elektrike, energjisë termike, gazit, ujit dhe shërbimet e pastrimit të oxhaqeve dhe për mirëmbajtjen e shërbimit të pastërtisë, nëse furnizimi ose shërbimi është kryer për nevojat shtëpiake;
1.2. kërkesat e radios dhe televizionit për përdorimin e stacionit;
1.3. kërkesat e postës dhe kompanive të telekomit për përdorimin e telefonit e të separateve postare, si dhe kërkesat e tjera të tyre që arkëtohen në afate tre (3) mujore apo më të shkurtra;
1.4. kërkesat e parapagimit në botime periodike, duke llogaritur nga kalimi i kohës për të cilën është porositur botimi;
1.5. kërkesat për shërbimet e qasjes në internet, shërbimet për përdorimin e e-mail-it, shërbimet për mirëmbajtjen e “faqes elektronike“, dhe shërbimet e lidhura me qasjen në stacionet e radios dhe televizionit kabllor dhe satelitor që arkëtohen në afate tre (3) mujore apo më të shkurtra;
1.6. kërkesat nga administratorët e blloqeve të apartamenteve për shërbimet dhe kërkesat e tjera që arkëtohen në afate tremujore apo më të shkurtra.
2. Afati i parashkrimit rrjedh nga fundi i vitit në të cilin arrin kërkesa për pagesë.
3. Parashkrimi rrjedh edhe nëse furnizimi dhe shërbimet vazhdojnë.
Neni 361Kërkesat e vërtetuara nga gjykata ose organet tjera kompetente
1. Të gjitha kërkesat që janë vërtetuar me vendim të formës së prerë të gjykatës ose me vendim të organit tjetër kompetent, ose me ujdinë e palëve para gjykatës apo organit tjetër kompetent, parashkruhen për dhjetë (10) vjet, madje edhe ato për të cilat ligji edhe ashtu parashikon afat më të shkurtër për parashkrim.
2. Megjithatë, të gjitha kërkesat periodike që rrjedhin nga vendimet ose ujditë e tilla dhe arrijnë për pagesë në të ardhmen, parashkruhen në afatin e paraparë për parashkrimin e kërkesave periodike.
Neni 362Afatet e parashkrimit te kontratat për sigurimin
1. Kërkesat e kontraktuesve të sigurimit, respektivisht të personit të tretë nga kontrata e sigurimit të jetës, parashkruhen për pesë (5) vjet, kurse nga kontratat e tjera për sigurimin për tre (3) vjet, duke llogaritur që nga dita e parë pas kalimit të vitit kalendarik në të cilin është krijuar kërkesa.
2. Në qoftë se personi i interesuar provon se deri në ditën e caktuar në paragrafin paraprak nuk ka ditur se rasti i siguruar ka ndodhur, parashkrimi fillon që nga dita kur të ketë marrë dijeni për këtë, ashtu që në çdo rast kërkesa parashkruhet te sigurimi i jetës për dhjetë(10) vjet, kurse te sigurimet e tjera për pesë (5) vjet nga data e caktuar në paragrafin paraprak.
3. Kërkesat e siguruesit nga kontratat e sigurimit parashkruhen për tre (3) vjet.
4. Nëse i dëmtuari në rastin e sigurimit nga përgjegjësia kërkon shpërblim nga i siguruari, ose shpërblimin e ka marrë prej tij, parashkrimi i kërkesës të të siguruarit ndaj siguruesit fillon që nga dita kur personi i dëmtuar ka kërkuar në rrugë gjyqësore shpërblimin nga i siguruari, respektivisht kur i siguruari t’ia ketë shpërblyer dëmin.
5. Kërkesa e drejtpërdrejtë e personit të tretë të dëmtuar ndaj siguruesit parashkruhet për të njëjtën kohë për të cilën parashkruhet kërkesa e tij ndaj të siguruarit përgjegjës për dëmin.
6. Parashkrimi i kërkesës që i takon siguruesit ndaj personit të tretë përgjegjës për paraqitjen e rastit të sigurimit fillon të rrjedhë kur fillon edhe parashkrimi i kërkesës së të siguruarit ndaj këtij personi, dhe mbaron në të njëjtin afat. NËNKREU 3 NDALJA E PARASHKRIMIT
Neni 363Kërkesat ndërmjet personave të caktuar
1. Parashkrimi nuk rrjedh:
1.1. ndërmjet bashkëshortëve;
1.2. ndërmjet prindërve dhe fëmijëve derisa zgjat e drejta prindërore;
1.3. ndërmjet personit nën kujdestari dhe kujdestarit të tij si dhe të organit të kujdestarisë, gjatë kohës së kujdestarisë dhe derisa të mos paraqiten llogaritë;
1.4. ndërmjet dy personave që jetojnë në bashkëjetesë, derisa ekziston ajo bashkëjetesë.
Neni 364Kërkesat e personave të caktuar
1. Parashkrimi nuk rrjedh:
1.1. gjatë kohës së mobilizimit në rastin e rrezikut të drejtpërdrejt të luftës ose gjatë luftës lidhur me kërkesat e personave në detyrë ushtarake;
1.2. në pikëpamje të kërkesave që kanë personat e punësuar në ekonomi të huaj shtëpiake ndaj punëdhënësve ose anëtarëve të familjes së tij që bashkëjetojnë me te, derisa zgjat ajo marrëdhënie.
Neni 365Pengesat e papërballueshme
Parashkrimi nuk rrjedh për gjithë kohën për të cilën kreditori nuk ka pasur mundësi që për shkak të pengesave të papërballueshme të kërkojë përmes gjykatës përmbushjen e detyrimit.
Neni 366Ndikimi i shkaqeve të ndaljes në rrjedhën e parashkrimit
1. Në qoftë se parashkrimi nuk ka mundur të fillojë të rrjedhë për arsye të ndonjë shkaku ligjor, ai fillon të rrjedhë posa ai shkak të ketë pushuar së ekzistuari.
2. Në qoftë se parashkrimi ka filluar të rrjedhë përpara se të ketë ndodhur shkaku i cili e ka ndalur rrjedhën e tij të mëtejshëm, ai vazhdon të rrjedhë kur të pushojë së ekzistuari ai shkak, ndërsa koha që ka kaluar para ndaljes llogaritet në afatin e caktuar ligjor për parashkrim.
Neni 367Kërkesat ndaj personave të paaftë për të vepruar dhe kërkesat e tyre
1. Parashkrimi rrjedh edhe ndaj të miturit dhe personit tjetër të paaftë për të vepruar, pavarësisht nëse kanë ose jo përfaqësuesin ligjor të tyre.
2. Megjithatë, parashkrimi i kërkesës së të miturit i cili nuk ka përfaqësues, dhe i personit tjetër të paaftë për të vepruar pa përfaqësues, nuk mund të fillojë të rrjedhë derisa të mos kenë kaluar dy (2) vjet nga data kur janë bërë plotësisht të aftë për të vepruar ose kur iu është caktuar përfaqësuesi.
3. Në qoftë se për parashkrimin e një kërkese është caktuar një kohë më e shkurtër se dy (2) vjet, ndërsa kreditori është i mitur dhe nuk ka përfaqësues ose ndonjë person tjetër i paaftë për të vepruar pa përfaqësues, parashkrimi i asaj kërkese fillon të rrjedhë kur kreditori është bërë i aftë për të vepruar ose kur atij i është caktuar përfaqësuesi. NËNKREU 4 NDËRPRERJA E PARASHKRIMIT
Neni 368Pranimi i borxhit
1. Parashkrimi ndërpritet kur debitori e pranon borxhin.
2. Pranimi i borxhit mund të bëhet jo vetëm me deklaratën e kreditorit, veçse edhe në mënyrë të tërthortë, sikurse janë pagesa e këstit, pagesa e kamatës, dhënia e sigurimit.
Neni 369Paraqitja e padisë
Parashkrimi ndërprehet me paraqitjen e padisë dhe me çdo veprim tjetër të kreditorit të ndërmarur kundër debitorit para gjykatës ose autoriteti tjetër kompetent me qëllim vërtetimi, sigurimi ose realizimi të kërkesës.
Neni 370Heqja dorë, hedhja poshtë ose refuzimi i padisë
1. Ndërprerja e parashkrimit e bërë me paraqitjen e padisë ose me ndonjë veprim tjetër të kreditorit të ndërmarur kundër debitorit para gjykatës ose autoritetit tjetër kompetent me qëllim vërtetimi, sigurimi ose realizimi të kërkesës, konsiderohet se nuk ka filluar po qe se kreditori heq dorë nga padia ose veprimi të cilin e ka ndërmarrë.
2. Konsiderohet se nuk ka pasur ndërprerje, në qoftë se padia e kreditorit ose kërkesa e tij është hedhur poshtë apo refuzuar ose në qoftë se masa e kërkuar ose e ndërmarur e përmbarimit apo e sigurimit është shpallur e pavlefshme.
Neni 371Hedhja poshtë e padisë për shkak të jokompetencës
1. Në qoftë se padia kundër debitorit është hedhur poshtë për shkak të jo kompetencës së gjykatës ose për ndonjë arsye tjetër i cili nuk i përket esencës së çështjes, kështu që kreditori përsëri paraqet padi brenda afatit prej tre (3) muajsh nga data kur vendimi mbi hedhjen poshtë të padisë të ketë marrë formën e prerë do të konsiderohet se parashkrimi është ndërprerë me padinë e parë.
2. E njëjta gjë vlen edhe për thirrjen në mbrojtje si dhe për paraqitjen e kompensimit të kërkesës në kontest si dhe në rastin kur gjykata ose ndonjë organ tjetër e ka drejtuar debitorin që kërkesën e tij të deklaruar ta realizojë në procedurë civile.
Neni 372Thirrja e kreditorit
Për ndërprerjen e parashkrimit nuk mjafton që kreditori ta ftojë debitorin me shkrim ose me gojë që ta përmbushë detyrimin.
Neni 373Afati i parashkrimit në rastin e ndërprerjes
1. Pas ndërprerjes parashkrimi fillon të rrjedhë përsëri, kurse koha që ka kaluar para ndërprerjes nuk llogaritet në afatin e caktuar ligjor për parashkrim.
2. Parashkrimi i ndërprerë me anë të pranimit (pohimit) nga ana e debitorit fillon të rrjedhë përsëri nga pranimi (pohimi).
3. Kur ndërprerja e parashkrimit ka filluar me paraqitjen e padisë ose me thirrjen në mbrojtje, ose duke paraqitur kompensimin e kërkesave në kontest, respektivisht me paraqitjen e kërkesave në ndonjë proces tjetër, parashkrimi fillon të rrjedhë përsëri që nga dita kur kontesti të ketë marrë fund definitivisht ose të ketë përfunduar në ndonjë mënyrë tjetër.
4. Kur ndërprerja e parashkrimit të jetë shkaktuar me paraqitjen e kërkesës në procedurën e falimentimit, parashkrimi fillon të rrjedhë përsëri që nga dita e përfundimit të asaj procedure.
5. E njëjta gjë vlen edhe kur ndërprerja e parashkrimit të jetë shkaktuar me kërkesën e përmbarimit të dhunshëm ose të sigurimit.
6. Parashkrimi që fillon të rrjedhë përsëri pas ndërprerjes, mbaron kur të ketë kaluar aq kohë sa është caktuar me ligj për parashkrimin që është ndërprerë.
Neni 374Parashkrimi në rastin e përtrirjes së detyrimit
Në qoftë se ndërprerja ka filluar me pranimin e borxhit nga ana e debitorit, ndërsa kreditori dhe debitori janë marrë vesh që ta ndryshojnë bazën ose objektin e detyrimit, kërkesa e re parashkruhet për kohën që është caktuar për parashkrimin e saj. PJESA V LLOJET E NDRYSHME TË DETYRIMEVE KREU 1 DETYRIMET MONETARE NËNKREU 1 RREGULLAT E PËRGJITHSHME
Neni 375Parimi i nominalizmit monetar
Kur detyrimi ka si subjekt një shumë të hollash, debitori ka për detyrë të paguajë shumën e njëjtë të të hollave, përveç nëse kreditori dhe debitori merren vesh ndryshe në pajtim me ligjin.
Neni 376Rivlerësimi i detyrimeve monetare
1. Palët kontraktuese mund të pajtohen që shuma e detyrimeve monetare të debitorit të përcaktohet në raport me ndryshimet në çmim të mallrave dhe shërbimeve të shprehura në indeksin e çmimeve të shitjeve dhe të përcaktuara nga një organizatë e autorizuar, në lidhje me ndryshimet në kursin valutor të huaj, ose në lidhje me ndryshimet në çmimet e tjera, përveç nëse një marrëveshje e këtillë është në kundërshtim me ligjin.
2. Në rast se palët kontraktuese pajtohen me rivlerësimin e detyrimeve monetare, rivlerësimi bëhet për periudhën nga fillimi i detyrimit e deri në përmbushjen e detyrimit, përveç nëse palët pajtohen ndryshe.
Neni 377Përmbushja e parakohshme
1. Debitori mund t’i përmbushë detyrimet në para edhe para kohe.
2. Është nul dispozita e kontratës me të cilën debitori heq dorë nga kjo e drejtë.
3. Në rast të përmbushjes së detyrimit në të holla para kohe, debitori ka të drejtë të zbresë kamatën nga shuma e borxhit për kohën prej datës së pagesës deri në ditën kur detyrimi të ketë arritur për pagesë, vetëm kur për këtë është i autorizuar me kontratë apo nëse kjo rrjedh nga doket. NËNKREU 2 KAMATA
Neni 378Përkufizim
Përveç borxhit kryesor (kryegjëja), debitori po ashtu ka për detyrim edhe kamatën, në qoftë se e njëjta është përcaktuar nga ligji ose në rast se kreditori dhe debitori ashtu kanë kontraktuar.
Neni 379Ndalimi i kamatës në kamatë
1. Në kamatën e kontraktuar e cila ka arritur për pagesë, por nuk është paguar nuk rrjedh kamatëvonesa, përveç nëse është paraparë ndryshe me ligj.
2. Është nule dispozita e kontratës me të cilën parashikohet kamatë në kamatën e cila ka arritur për pagesë por nuk është paguar.
3. Megjithatë, palët mund të pajtohen që më parë në kontratë se shkalla e kamatës do të jetë më e lartë në rast se debitori nuk i paguan kamatat e rrjedha për pagesë në kohën e duhur.
4. Në shumën e papaguar të kamatës mund të kërkohet kamatëvonesa vetëm nga dita kur gjykatës i është paraqitur kërkesa për pagimin e saj.
Neni 380Kur kamata pushon të rrjedhë
Kamata pushon të rrjedhë kur shuma e kamatave të arritura për pagesë, arrin lartësinë e borxhit kryesor.
Neni 381Supozimi i kontratës me fajde
1. Në rast se niveli i kamatës për të cilin janë pajtuar palët është për pesëdhjetë përqind (50%) më i lartë sesa niveli i kamatëvonesës, i përllogaritur sipas nenit në vijim, një marrëveshje e tillë konsiderohet kontratë me fajde, përveç nëse kreditori provon se nuk ka shfrytëzuar gjendjen e pavolitshme të debitorit, vështirësinë e situatës së tij financiare, pamaturinë ose varësinë e krijuar prej saj, ose që përfitimet e rezervuara për kreditorin ose personin e tretë nuk janë në shpërpjesëtim me atë që kreditori ka ofruar ose ka ndërmarrë të ofrojë ose të bëjë.
2. Supozimi i saktësuar në paragrafin paraprak nuk zbatohet në kontratat komerciale. NËNKREU 3 VONESA NË PËRMBUSHJEN E DETYRIMEVE NË TË HOLLA
Neni 382Kamatëvonesa
1. Debitori që vonon në përmbushjen e detyrimit në të holla debiton, përpos borxhit kryesor, edhe kamatën.
2. Lartësia e kamatëvonesës është tetë përqind (8%) në vit, përveç nëse parashihet ndryshe me ligj të veçantë.
Neni 383Kamatëvonesa e kontraktuar
Kreditori dhe debitori mund të pajtohen me kontratë që lartësia e kamatëvonesës të jetë më e ulët ose më i lartë sesa niveli i kamatëvonesës së përcaktuar me ligj.
Neni 384E drejta e shpërblimit të plotë
1. Kreditori ka të drejtë në kamatëvonesën pa marrë parasysh nëse ka pësuar ndonjë dëm për shkak të vonesës së debitorit.
2. Në qoftë se dëmi të cilin e ka pësuar kreditori për shkak të vonesës së debitorit, është më i madh nga shuma të cilën do ta merrte në emër të kamatëvonesës, ai ka të drejtë të kërkojë diferencën deri në shpërblimin e plotë të dëmit. NËNKREU 4 KAMATA KONTRAKTORE
Neni 385Kamata kontraktore
1. Palët kontraktuese mund të pajtohen që, përveç shumës kryesore (kryegjësë), debitori duhet të paguajë kamatën kontraktore nga periudha e lindjes së detyrimit në të holla deri në kohën e arritjes për pagesë të detyrimit.
2. Në rast se palët janë pajtuar për kontratën kamatore (me interes) por niveli i kamatës dhe koha e arritjes për pagesë së interesit nuk është përcaktuar, niveli i kamatës është gjashtë përqind (6%) në vit dhe kamata rrjedh për pagesë në kohën e njëjtë me arritjen për pagesë të kryegjësë (shumës kryesore).
Neni 386Kamata në detyrimet jomonetare
Dispozitat e këtij ligji për kamatën kontraktuese zbatohen përshtatshmërisht edhe për marrëdhëniet e tjera të detyrimeve të shquara sipas llojit, gjegjësisht detyrimet të cilat kanë për lëndë sendet e zëvendësueshme dhe të shquara sipas llojit. KREU 2 DETYRIMET ME DISA OBJEKTE NËNKREU 1 DETYRIMET ALTERNATIVE
Neni 387E drejta e zgjedhjes
Në qoftë se ndonjë detyrim ka dy ose më tepër objekte, por debitori ka për detyrë të jep vetëm një për t’u liruar nga detyrimi, atëherë, po qe se nuk është kontraktuar ndryshe, e drejta e zgjedhjes i takon debitorit dhe detyrimi shuhet kur ky ta ketë dorëzuar objektin të cilin e ka zgjedhur vet.
Neni 388Parevokueshmëria dhe efekti i zgjedhjes së bërë
1. Zgjedhja quhet e bërë kur pala të cilës i takon e drejta e zgjedhjes e njofton palën tjetër për atë që e ka zgjedhur dhe nga ky moment zgjedhja nuk mund të ndryshohet.
2. Me zgjedhjen e bërë konsiderohet se detyrimi ka qenë që në fillim i thjesht dhe se që në fillim ka pasur si objekt sendin e zgjedhur.
Neni 389Kohëzgjatja e të drejtës së zgjedhjes
1. Debitori ka të drejtë të zgjedhë gjithnjë derisa në procedurën e përmbarimit të dhunshëm një prej sendeve që është borxh të mos i dorëzohet plotësisht ose pjesërisht kreditorit sipas zgjedhjes së tij.
2. Në qoftë se e drejta e zgjedhjes i takon kreditorit dhe ky nuk deklarohet rreth zgjedhjes brenda afatit të caktuar për përmbushje, debitori mund ta ftojë që të bëjë zgjedhjen dhe për këtë t’i caktojë një afat të ri, pas skadimit të të cilit e drejta e zgjedhjes kalon në debitorin.
Neni 390Zgjedhja që i besohet personit të tretë
Në qoftë se zgjedhjen duhet ta bëjë ndonjë person i tretë dhe këtë gjë ai nuk e bën, secila palë mund të kërkojë që zgjedhjen ta bëjë gjykata.
Neni 391Kufizimi në objektin e mbetur
Në qoftë se një objekt i detyrimit është bërë i pamundshëm për shkak të ndonjë ngjarje për të cilën nuk mbajnë përgjegjësi asnjëra palë, detyrimi kufizohet në objektin e mbetur.
Neni 392Kufizimi në rast të përgjegjësisë së njërës palë
1. Kur një objekt i detyrimit është i pamundur për shkak të ngjarjes për të cilën përgjegjësinë e mban debitori, detyrimi kufizohet në objektin e mbetur në qoftë se e drejta e zgjedhjes i takon këtij, e nëse e drejta e zgjedhjes i takon kreditorit, ky mundet pas zgjedhjes së vet të kërkojë objektin e mbetur ose shpërblimin e dëmit.
2. Kur një objekt i detyrimit është bërë i pamundur për shkak të ngjarjeve për të cilat është përgjegjës kreditori, detyrimi i debitorit shuhet, por në qoftë se këtij i takon e drejta e zgjedhjes ky mund të kërkojë shpërblimin e dëmit dhe ta kryejë detyrimin e vet nga objekti i mbetur, e në qoftë se e drejta e zgjedhjes i takon kreditorit – ky mund të japë shpërblimin e dëmit dhe të kërkojë objektin e mbetur. NËNKREU 2 DETYRIMET FAKULTATIVE DHE KËRKESAT FAKULTATIVE I. DETYRIMET FAKULTATIVE
Neni 393Autorizimi i debitorit në detyrimin fakultativ
Debitori, detyrimi i të cilit ka një objekt, por të cilit i lejohet që të lirohet nga detyrimi i vet duke dhënë ndonjë objekt tjetër të caktuar, mund ta shfrytëzojë këtë mundësi gjithnjë derisa kreditori në procedurën e përmbarimit të detyrueshëm të mos ta ketë marrë tërësisht ose pjesërisht objektin e detyrimit.
Neni 394Autorizimi i kreditorit në detyrimin fakultativ
1. Kreditori në detyrimin fakultativ mund të kërkojë nga debitori vetëm objektin e detyrimit, por jo edhe objektin tjetër me të cilin debitori, në qoftë se dëshiron mundet gjithashtu ta përmbushë detyrimin e vet.
2. Kur objekti i detyrimit bëhet i pamundur për shkak të ngjarjeve për të cilat debitori nuk përgjigjet, kreditori mund të kërkojë vetëm shpërblimin e dëmit, por debitori mund të lirohet nga detyrimi duke dhënë objektin të cilin është i autorizuar ta japë në vend të objektit që është borxh. II. KËRKESAT FAKULTATIVE
Neni 395Rregulla e përgjithshme
1. Kur me kontratë ose ligj është parashikuar që kreditori mundet në vend të objektit që është borxh të kërkojë nga debitori ndonjë objekt tjetër të caktuar, debitori ka për detyrë t’ia dorëzojë atë objekt, po qe se atë e kërkon kreditori.
2. Përndryshe, për kërkesa të këtilla fakultative vlejnë sipas qëllimit të kontraktuesve dhe sipas rrethanave të punës, rregullat përkatëse mbi detyrimet fakultative dhe ato alternative. KREU 3 DETYRIMET ME DISA DEBITORË OSE KREDITORË NËNKREU 1 DETYRIMET E PJESËTUESHME
Neni 396Pjesëtimi i detyrimeve dhe i kërkesave
1. Detyrimi është i pjesëtueshëm në qoftë se ajo që debitohet mund të pjesëtohet dhe të përmbushet në pjesët që kanë cilësi të njëjta siç ka i tërë objekti dhe në qoftë se me këtë pjesëtim nuk humbë asgjë nga vlera e vet, ndërsa në të kundërtën detyrimi është i papjesëtueshëm.
2. Kur në ndonjë detyrim të pjesëtueshëm ka disa kreditorë, detyrimi pjesëtohet midis tyre në pjesë të barabarta, në qoftë se nuk është caktuar pjesëtimi tjetër dhe secili prej tyre përgjigjet për pjesën e vet të detyrimit.
3. Kur në ndonjë detyrim të pjesëtueshëm ka disa kreditorë, kërkesa pjesëtohet midis tyre në pjesë të barabarta, në qoftë se nuk është caktuar diçka tjetër dhe secili kreditor mund të kërkojë vetëm pjesën e vet të kërkesës.
Neni 397Prezumimi i solidaritetit
Kur ka disa debitorë në ndonjë detyrim të pjesëtueshëm të krijuar me kontratë, në ekonomi ata i përgjigjen kreditorit solidarisht, përveç në qoftë se kontraktuesit e kanë eliminuar shprehimisht përgjegjësinë solidare. NËNKREU 2 DETYRIMET SOLIDARE I. SOLIDARITETI I DEBITORËVE
Neni 398Përmbajtja e solidaritetit të debitorëve
1. Secili debitor i detyrimit solidar i përgjigjet kreditorit për krejt detyrimin dhe kreditori mund të kërkojë përmbushjen e tij nga cilido që dëshiron, gjithnjë derisa të mos përmbushet krejtësisht, por kur një debitor ta ketë përmbushur detyrimin ai shuhet dhe të gjithë debitorët lirohen.
2. Nga disa debitorë solidarë secili mund të ketë borxh me afat tjetër të përmbushjes, në kushte të tjera dhe në përgjithësi me alternativa të ndryshme.
Neni 399Kompensimi
1. Secili debitor solidar mund t’i referohet kompensimit që e ka bërë bashkëdebitori i tij.
2. Debitori solidar mund të bëjë kompensimin e kërkesës së bashkëdebitorit të vet ndaj kreditorit me atë, që kreditori i detyrohet por vetëm për aq sa është pjesa e borxhit e këtij bashkëdebitori në detyrimin solidar.
Neni 400Falja e borxhit
1. Falja e borxhit që bëhet në marrëveshje me një debitor solidar i liron nga detyrimi edhe debitorët e tjerë.
2. Megjithatë, në qoftë se falja ka pasur për qëllim ta lirojë nga detyrimi vetëm debitorin ndaj të cilit është falë borxhi, detyrimi solidar zvogëlohet për pjesën e cila sipas marrëdhënieve reciproke të debitorëve i takon atij, kurse debitorët e tjerë përgjigjen solidarisht për pjesën e mbetur të detyrimit.