Dosja

LIGJI NR. 04/L-077 PËR MARRËDHËNIET E DETYRIMEVE

Numri
04/L-077
Statusi
Në fuqi sipas kartelës
Publikuar
19 qershor 2012, 16/2012
Hyrja në fuqi
pa u verifikuar
Kontrolli i fundit
5 nëntor 2026
Teksti në Gazetën Zyrtare
gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit

Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.

Kërko në këtë akt

Neni 401Përtrirja (Novacioni)

1. Me përtrirjen të cilin kreditori e ka bërë me një debitor solidar, lirohen edhe debitorët e tjerë.

2. Megjithatë, në qoftë se kreditori dhe debitori e kanë kufizuar përtrirjen vetëm në pjesën e detyrimit që i takon këtij, detyrimi i të tjerëve nuk shuhet, por vetëm zvogëlohet për atë pjesë.

Neni 402Ujdia

Ujdia të cilën e ka kontraktuar një nga debitorët solidarë me kreditorin, nuk ka efekt ndaj debitorëve të tjerë, por këta kanë të drejtë ta pranojnë këtë ujdi në qoftë se ai nuk është i kufizuar vetëm në debitorin me të cilin është kontraktuar.

Neni 403Konfondimi

Kur në një person bashkohen cilësia e kreditorit dhe cilësia e debitorit të detyrimeve të njëjta solidare, atëherë detyrimi i debitorëve të tjerë zvogëlohet për shumën e pjesës që i bie atij.

Neni 404Vonesa e kreditorit

Kur kreditori bie në vonesë ndaj një debitori solidar, atëherë ky është në vonesë edhe ndaj debitorëve të tjerë solidarë.

Neni 405Vonesa e një debitori dhe pranimi i borxhit

1. Vonesa e një debitori solidar nuk ka efekt ndaj debitorëve të tjerë.

2. E njëjta vlen edhe për pranimin e borxhit që do ta bënte një prej debitorëve solidarë.

Neni 406Ndalja dhe ndërprerja e parashkrimit dhe heqja dorë nga parashkrimi

1. Në qoftë se parashkrimi nuk rrjedh ose është ndërprerë ndaj njërit debitor, ai vazhdon të rrjedhë për debitorët e tjerë solidarë dhe mund të përfundoj, por debitori ndaj të cilit detyrimi nuk është parashkruar dhe i cili është dashur ta përmbushë ka të drejtë të kërkojë nga debitorët e tjerë ndaj të cilëve detyrimi është parashkruar që t’ia shpërblejë secili pjesën e vet të detyrimit.

2. Heqja dorë nga parashkrimi i kryer nuk ka efekt ndaj debitorëve të tjerë.

Neni 407E drejta e përmbushësit në kompensim

1. Debitori i cili e ka përmbushur detyrimin ka të drejtë të kërkojë prej secilit bashkë debitorë që t'i kompensojë pjesën e detyrimit që bie në të.

2. Ndërkaq, nuk ka ndikim rrethana së kreditori e ka liruar ndonjë nga bashkë debitorët nga borxhi ose ia ka pakësuar borxhin.

3. Pjesa që bie në debitorin nga e cila nuk mund të merret kompensimi, pjesëtohet përpjesëtimisht në të gjithë debitorët.

Neni 408Pjesëtimi në pjesë të barabarta dhe përjashtimi

1. Në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër, ose nuk rezulton nga marrëdhëniet juridike të pjesëmarrësve në punë, mbi secilin debitor bie pjesa e barabartë.

2. Megjithatë, në qoftë se detyrimi solidar është kontraktuar në interes ekskluziv të një debitori solidar, atëherë ky ka për detyrë t’ia shpërblejë krejt shumën e detyrimit bashkëdebitorit, i cili e ka paguar kreditorin. II. SOLIDARITETI I KREDITORËVE

Neni 409Solidariteti nuk prezumohet

Kur në anën e kreditorit ka disa persona, këta janë solidarë vetëm kur solidariteti është i kontraktuar ose i caktuar me ligj.

Neni 410Përmbajtja e solidaritetit

1. Secili kreditor solidar ka të drejtë të kërkojë nga debitori përmbushjen e tërë detyrimit, por kur njëri prej tyre paguhet, detyrimi shuhet edhe ndaj kreditorëve të tjerë.

2. Debitori mund t’ia përmbushë detyrimin kreditorit të cilin e zgjedh vet, gjithnjë derisa një kreditor të mos kërkojë përmbushjen.

Neni 411Kompensimi

1. Debitori mund të bëjë kompensimin e detyrimit të vet me kompensimin që ka ndaj kreditorit i cili ia kërkon përmbushjen.

2. Kompensimi me kërkesën që ka ndaj ndonjë kreditori tjetër debitori mund ta bëjë vetëm deri në masën e pjesës së kërkesës solidare që i takon këtij kreditori.

Neni 412Falja e borxhit dhe përtrirja

Me faljen e borxhit dhe me përtrirjen ndërmjet debitorit dhe një kreditori, zvogëlohet detyrimi solidar për aq sa është shuma e pjesës së kësaj kërkese të kreditorit.

Neni 413Ujdia

Ujdia të cilën e ka lidhur një nga kreditorët solidarë me debitorin nuk ka efekt ndaj kreditorëve të tjerë, por këta kanë të drejtë që ta pranojnë këtë ujdi, me përjashtim kur ai ka të bëjë vetëm me pjesën e kreditorit me të cilin është lidhur.

Neni 414Konfondimi

Kur në një person të një kreditori solidar bashkohet edhe cilësia e debitorit, secili prej kreditorëve të tjerë solidarë mund të kërkojë prej tij vetëm pjesën e vet të kërkesës.

Neni 415Vonesa

1. Kur debitori bie në vonesë ndaj një kreditori solidar, atëherë ai është në vonesë edhe ndaj kreditorëve të tjerë.

2. Vonesa e një kreditori solidar ka efekt edhe ndaj kreditorëve të tjerë.

Neni 416Pranimi i borxhit

Pranimi i borxhit që i është bërë një kreditori është në favor për të gjithë kreditorët.

Neni 417Parashkrimi

1. Në qoftë se një kreditor e ndërprenë parashkrimin ose në qoftë se ndaj tij nuk rrjedh parashkrimi, kjo nuk u shkon në favor kreditorëve të tjerë dhe ndaj tyre parashkrimi rrjedh edhe më tutje.

2. Heqja dorë nga parashkrimi që bëhet ndaj njërit kreditor u shkon në favor edhe kreditorëve tjerë.

Neni 418Marrëdhëniet ndërmjet kreditorëve pas përmbushjes

1. Secili kreditor solidar ka të drejtë të kërkojë nga kreditori që e ka marrë përmbushjen nga debitori, që t’ia japë pjesën e cila i takon.

2. Në qoftë se nga marrëdhënia ndërmjet kreditorëve nuk rrjedh diçka tjetër, secilit kreditor solidar u takon pjesa e barabartë. NËNKREU 3 DETYRIMET E PAPJESËTUESHME

Neni 419Detyrimet e papjesëtueshme

1. Për detyrimet e papjesëtueshme ku ka disa debitorë përshtatshmërisht zbatohen dispozitat mbi detyrimet solidare.

2. Kur në detyrimin e papjesëtueshëm ka disa kreditorë ndërmjet të cilëve nuk është kontraktuar solidariteti dhe as që është caktuar me ligj, një kreditor mund të kërkojë që debitori t’i përmbushë atij vetëm në qoftë se është i autorizuar nga kreditorët e tjerë që të pranojë përmbushjen, ndërsa secili kreditor mund të kërkojë nga debitori përmbushjen e gjithë detyrimit ose atë ta depozitojë në gjykatë. PJESA VI NDËRRIMI I KREDITORIT OSE I DEBITORIT KREU 1 CEDIMI I KËRKESËS ME KONTRATË NËNKREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 420Cilat kërkesa mund të kalohen me kontratë

1. Kreditori mundet që me kontratën e lidhur me personin e tretë t’i kalojë këtij kërkesat e veta, me përjashtim të atyre kërkesave kalimi i të cilave është i ndaluar me ligj, si dhe i atyre që lidhen me personalitetin e kreditorit, ose të cilat nga vetë natyra e tyre nuk mund t’i barten tjetrit.

2. Në rast se debitori dhe kreditori janë pajtuar që kreditori nuk mund të bartë kërkesën te tjetri, bartja nuk ka efekt ligjor.

3. Nëse me bartjen është dorëzuar dokumenti që vërteton ekzistencën e kërkesës nga e cila nuk rrjedh asnjë ndalesë e bartjes, bartja ke efekt në rast se pranuesi nuk e ka ditur dhe nuk ka qenë i detyruar të dijë për ndalesën e bartjes.

4. Në rast se debitori dhe kreditori në një kontratë komerciale janë pajtuar që kreditori nuk mund të bartë kërkesën monetare te tjetri, bartja megjithatë ka efekt. Në këtë rast, debitori po ashtu lirohet nga detyrimi në rast se ajo është përmbushur për personin që ka bërë kërkesën.

Neni 421Të drejtat akcesore

1. Me kërkesën kalojnë në pranuesin të drejtat akcesore, siç janë e drejta e para arkëtimit, hipoteka, pengu, të drejtat nga kontrata me dorëzaninë, e drejta në kamatë, dënimi kontraktues etj.

2. Megjithatë, ceduesi mund t'ia dorëzojë sendin peng pranuesit vetëm në qoftë se pengdhënësi e ka dhënë pëlqimin për këtë, përndryshe ajo mbetet pranë ceduesit për ta ruajtur për llogari të pritësit.

3. Presupozohet se kanë arritur për pagesë dhe se nuk janë paguar kamatat e ceduara me kërkesën kryesore.

Neni 422Njoftimi i debitorit

1. Për bartjen e kërkesës nuk nevojitet pëlqimi i debitorit, por ceduesi ka për detyrë ta njoftojë debitorin mbi cedimin e bërë.

2. Përmbushja e kryer ndaj cedusit para njoftimit mbi cedimin është i plotfuqishëm dhe e shkarkon debitorin nga detyrimi, por vetëm në qoftë se nuk ka ditur për cedimin, përndryshe detyrimi mbetet dhe ai ka për detyrë t’ia përmbushë detyrimin cesionarit.

Neni 423Cedimi i shumëfishtë

Në qoftë se kreditori iu ka ceduar të njëjtën kërkesë personave të ndryshëm, kërkesa i takon cesionarit për të cilin kreditori e ka njoftuar së pari debitorin përkatësisht i pari i cili i është lajmëruar debitorit. NËNKREU 2 RAPORTI MIDIS PRANUESIT DHE DEBITORIT

Neni 424Raporti midis pranuesit dhe debitorit

1. Pranuesi ka ndaj debitorit të njëjtat të drejta të cilat ceduesi i ka pasur ndaj debitorit përpara cedimit.

2. Debitori mund t’i theksojë pranuesit përpos prapësimeve që ka ndaj tij edhe ato prapësime të cilat ka mundur t’ia theksojë ceduesit deri në momentin kur ka mësuar për cedim. NËNKREU 3 RAPORTI I CEDUESIT DHE I PRANUESIT

Neni 425Dorëzimi i dokumenteve mbi borxhin

1. Ceduesi ka për detyrë t’i dorëzojë pranuesit obligacionin apo dokumentin tjetër mbi borxhin, në qoftë se ka një gjë të tillë si dhe provat e tjera mbi kërkesën e ceduar dhe mbi të drejtat akcesore.

2. Në qoftë se ceduesi ka kaluar në pranuesin vetëm një pjesë të kërkesës ai ka për detyrë t’i dorëzojë kopjen e legalizuar të obligacionit ose të ndonjë dokumenti tjetër me të cilin provohet ekzistimi i kërkesës së ceduar.

3. Ai ka për detyrë që me kërkesën e tij t’i lëshojë vërtetimin e legalizuar mbi cedimin.

Neni 426Përgjegjësia për ekzistimin e kërkesës

Kur cedimi është bërë me anë të kontratës me shpërblim, ceduesi përgjigjet për ekzistimin e kërkesës në çastin kur është bërë cedimi.

Neni 427Përgjegjësia për arkëtueshmëri

1. Ceduesi përgjigjet për arkëtueshmërinë e kërkesës së ceduar në qoftë se kjo gjë ka qenë kontraktuar, por vetëm deri në shumën e asaj që ka marrë nga cesionari, si dhe për arkëtueshmërinë e kamatave, të shpenzimeve rreth cedimit dhe të shpenzimeve të procedurës kundër debitorit.

2. Përgjegjësi më e madhe e ceduesit me mirëbesim nuk mund të kontraktohet. NËNKREU 4 RASTE TË VEÇANTA TË CEDIMIT TË KËRKESAVE

Neni 428Cedimi në vend të përmbushjes ose me qëllim arkëtimi

1. Kur debitori në vend të përmbushjes së detyrimit të vet ia cedon kreditorit kërkesën e vet ose një pjesë të saj, në momentin e lidhjes e kontratës mbi cedimin shuhet detyrimi i debitorit deri në shumën e kërkesës së ceduar.

2. Kur debitori ia cedon kreditorit të vet kërkesën e vet vetëm me qëllim arkëtimi, detyrimi i tij shuhet, respektivisht zvogëlohet vetëm kur kreditori e arkëton kërkesën e ceduar.

3. Në të dy rastet cesionari ka për detyrë t’ia dorëzojë ceduesit të gjitha ato që ka arkëtuar përtej shumës së kërkesës së vet ndaj ceduesit.

4. Në rastin e cedimit me qëllim arkëtimi, debitori i kërkesës së ceduar mund ta përmbushë detyrimin e vet edhe ndaj ceduesit, madje edhe kur është i njoftuar për cedimin.

Neni 429Cedimi me qëllim sigurimi

Kur cedimi është bërë me qëllim të sigurimit të kërkesës së cesionarit kundër ceduesit, cesionari ka për detyrë të sillet me kujdesin e ekonomistit të mirë, përkatësisht të shtëpiakut të mirë mbi arkëtimin e kërkesës së ceduar dhe pas arkëtimit të kryer, pasi të ndalë aq sa nevojitet për të përmbushur kërkesën e vet ndaj ceduesit, t’ia dorëzojë këtij tepricën. KREU 2 NDËRRIMI I DEBITORIT NËNKREU 1 MARRJA PËRSIPËR E BORXHIT I. DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 430Kontrata për marrjen përsipër të borxhit

1. Marrja përsipër e borxhit bëhet me kontratën midis debitorit dhe marrësit përsipër të borxhit; për të cilën kreditori ka dhënë pëlqimin.

2. Për kontratën e lidhur kreditorin mund ta njoftojë secilin prej tyre, dhe secilit prej tyre kreditori mund t’ia komunikojë pëlqimin e vet për marrjen përsipër të borxhit.

3. Presupozohet se kreditori e ka dhënë pëlqimin , në qoftë se pa kufizim ka pranuar ndonjë përmbushje nga marrësi përsipër të borxhit, të cilën ky i fundit e ka bërë ky në emër të vet.

4. Kontraktuesit, por edhe secili prej tyre veç e veç, mund ta ftojnë kreditorin që në afat të caktuar të deklarohet se a pajtohet ose jo me marrjen përsipër të borxhit, dhe në qoftë se kreditori nuk deklarohet brenda afatit të caktuar, konsiderohet se nuk e ka dhënë pëlqimin e vet.

5. Kontrata mbi marrjen përsipër të borxhit ka efektin e kontratës mbi marrjen përsipër të përmbushjes, përderisa kreditori nuk e jep pëlqimin e vet për kontratën mbi marrjen përsipër të borxhit si dhe nëse ai refuzon ta jep pëlqimin.

Neni 431Borxhi i siguruar me hipotekë

1. Kur me rastin e tjetërsimit të ndonjë sendi të palujtshëm mbi të cilin ekziston hipoteka e kontraktuar ndërmjet fituesit dhe tjetërsuesit, se fituesi do ta marrë përsipër borxhin ndaj kreditorit hipotekar, konsiderohet se kreditori hipotekar e ka dhënë pëlqimin për kontratën për marrjen përsipër të borxhit, në qoftë se ftesën me shkrim të tjetërsuesit nuk e ka refuzuar brenda tre (3) muajve nga marrja e ftesës.

2. Në ftesën me shkrim duhet tërhequr vërejtja kreditorit për këtë pasojë, përndryshe ftesa do të konsiderohet sikur të mos jetë dërguar. II. EFEKTET E KONTRATËS PËR MARRJEN PËRSIPËR TË BORXHIT

Neni 432Ndërrimi i debitorit

1. Me marrjen përsipër të borxhit, marrësi vëhet në vendin e debitorit të mëparshëm, ndërsa ky lirohet nga detyrimi.

2. Në qoftë se në kohën e dhënies së pëlqimit të kreditorit për kontratën mbi marrjen përsipër të borxhit marrësi ka qenë i zhytur në borxhe , ndërsa kreditori për këtë nuk ishte në dijeni dhe as nuk duhej të ishte në dijeni, debitori i më parashëm nuk lirohet nga detyrimi, kurse kontrata mbi marrjen përsipër të borxhit e ka efektin e kontratës për hyrje borxh. Presupozohet se në kohën e dhënies së pëlqimit për marrjen e borxhit përsipër, kreditori nuk e ka ditur se marrësi përsipër të borxhit ka qenë i zhytur në borxhe.

3. Ndërmjet marrësit përsipër të borxhit dhe kreditorit mbetet i njëjti detyrim, i cili ka ekzistuar deri atëherë ndërmjet debitorit paraprak dhe kreditorit.

Neni 433Të drejtat akcesore

1. Të drejtat akcesore të cilat kanë ekzistuar deri atëherë bashkë me kërkesën mbeten edhe më tutje, por dorëzanitë dhe pengjet që kanë dhënë personat e tretë pushojnë së ekzistuari në qoftë se dorëzanët e pengdhënësit nuk pajtohen të përgjigjen edhe për debitorin e ri. Pëlqimi jepet në formën e cila vlen për punën juridike me të cilën krijohet ajo e drejtë akcesore.

2. Në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër, marrësi përsipër i borxhit nuk përgjigjet për kamatat e papaguara, të cilat kanë arritur për pagesë deri ditën e marrjes përsipër të borxhit. E njëjta gjë vlen edhe për dënimin e kontraktuar që ka arritur për pagesë para se të bëhet e plotfuqishme marrja përsipër e borxhit.

Neni 434Kundërshtimet

1. Marrësi përsipër i borxhit mund të paraqes ndaj kreditorit të gjitha kundërshtimet të cilat rrjedhin nga marrëdhënia juridike ndërmjet debitorit të mëparshëm dhe kreditorit, nga e cila del borxhi i marrur përsipër, si dhe kundërshtimet që i ka marrësi përsipër i borxhit ndaj kreditorit.

2. Marrësi përsipër i borxhit nuk mund të paraqes ndaj kreditorit kundërshtime të cilat rrjedhin nga marrëdhënia e tij juridike me debitorin e mëparshëm, dhe e cila marrëdhënie ka qenë bazë e marrjes përsipër të borxhit. NËNKREU 2 HYRJA NË BORXH

Neni 435Kontrata për hyrjen në borxh

Kontrata për hyrjen në borxh është ajo kontratë ndërmjet kreditorit dhe personit të tretë, me të cilën personi i tretë detyrohet ndaj kreditorit se do ta përmbushë kërkesën e tij që ka nga debitori, i treti hyn në detyrim krahas debitorit.

Neni 436Hyrja në borxh në rastin e pranimit të ndonjë tërësie pasurore

1. Personi, në të cilin kalon në bazë të kontratës ndonjë tërësi pasurore e personit fizik ose e personit juridik ose një pjesë e asaj tërësie, përgjigjet për borxhet që kanë të bëjnë me atë tërësi, respektivisht me pjesën e saj, përpos zotëruesit të deri atëhershëm dhe solidarisht me te, por vetëm deri në vlerën e aktives së saj.

2. Nuk ka efekt juridik ndaj kreditorëve dispozita e kontratës me të cilën do të përjashtohej ose kufizohej përgjegjësia e përcaktuar në paragrafin paraprak. NËNKREU 3 MARRJA PËRSIPËR E PËRMBUSHJES

Neni 437Marrja përsipër e përmbushjes

1. Marrja përsipër e përmbushjes bëhet me kontratë ndërmjet debitorit dhe ndonjë personi të tretë, me të cilën personi i tretë detyrohet ndaj debitorit se do ta përmbushë detyrimin e tij ndaj kreditorit të tij.

2. Ai i përgjigjet debitorit, në qoftë se nuk e përmbush me kohë detyrimin e vet ndaj kreditorit, kështu që kreditori kërkon përmbushjen nga debitori.

3. Ai nuk e merr përsipër atë borxh dhe as që hyn në borxh dhe kreditori nuk ka kurrfarë të drejte ndaj tij. LIBRI 2 MARRËDHËNIET E VEÇANTA TË DETYRIMEVE KONTRAKTUESE PJESA I KONTRATA PËR SHITJEN KREU 1 DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

Neni 438Nocioni

1. Me kontratën e shitjes detyrohet shitësi që sendin të cilin e shet t’ia dorëzojë blerësit dhe t’ia kalojë të drejtën e pronësisë, ndërsa blerësi detyrohet që shitësit t’ia paguajë çmimin dhe ta pranojë sendin.

2. Shitësi i ndonjë të drejte tjetër detyrohet se blerësit do t’ia kalojë të drejtën e shitur, ndërsa kur ushtrimi i asaj të drejte kërkon posedimin e sendit, t’ia dorëzojë edhe sendin.

Neni 439Rreziku

1. Deri në dorëzimin e sendit blerësit, rrezikun nga shkatërrimi ose dëmtimi i rastësishëm të sendit e bartë shitësi, ndërsa me dorëzimin e sendit rreziku kalon në blerësin.

2. Rreziku nuk kalon në blerësin, në qoftë se për shkak të të metave të sendit të dorëzuar, ai e ka zgjidhur kontratën ose ka kërkuar zëvendësimin e sendit.

Neni 440Kalimi i rrezikut në rast të vonesës së blerësit

1. Në qoftë se dorëzimi i sendit nuk është bërë për shkak të vonesës së blerësit, rreziku kalon në blerësin nga çasti kur ai bie në vonesë.

2. Kur objekt i kontratës janë sendet e caktuara sipas llojit, rreziku kalon në blerësin që gjendet në vonesë, në qoftë se shitësi i ka veçuar sendet e destinuara haptazi për të bërë dorëzimin dhe për këtë gjë i ka dërguar njoftimin blerësit.

3. Kur sendet e caktuara sipas llojit janë të një natyre të tillë që shitësi nuk mund ta veçojë një pjesë të tyre, mjafton që shitësi t’i ketë kryer të gjitha veprimet e nevojshme që blerësi të mund t’i merr sendet dhe për këtë t’ia ketë dërguar njoftimin blerësit. KREU 2 PJESËT PËRBËRËSE TË KONTRATËS SË SHITJES NËNKREU 1 OBJEKTI

Neni 441Rregullat e përgjithshme

1. Sendi që është objekt i kontratës duhet të jetë në qarkullim. Është nule kontrata për shitjen e sendit, i cili është jashtë qarkullimit.

2. Për shitjen e sendeve, qarkullimi i të cilave është i kufizuar vlejnë dispozita të veçanta.

3. Shitja mund të ketë të bëjë edhe me sendin e ardhshëm.

Neni 442Kur sendi është shkatërruar para kontraktimit

1. Kontrata e shitjes nuk ka efekt juridik, në qoftë se në momentin e lidhjes së saj sendi që është objekt i kontratës ka qenë i shkatërruar.

2. Në qoftë se në çastin e lidhjes së kontratës sendi pjesërisht ka qenë i shkatërruar, blerësi mund ta zgjidhë kontratën ose të mbetet pranë saj me zbritjen proporcionale të çmimit.

3. Megjithatë, kontrata do të mbetet në fuqi dhe blerësi do të ketë vetëm të drejtën e zbritjes së çmimit në qoftë se shkatërrimi i pjesshëm nuk e pengon realizimin e qëllimit të kontratës, ose në qoftë se për sendin e caktuar ekziston një zakon i këtillë në qarkullimin juridik.

Neni 443Shitja e sendit të huaj

Shitja e sendit të huaj i detyron palët kontraktuese, mirëpo blerësi që nuk ishte në dijeni ose nuk ka qenë i detyruar të jetë në dijeni se sendi është i huaj, mundet, po qe se për këtë shkak nuk mund të realizohet qëllimi i kontratës, ta zgjidhë kontratën dhe të kërkojë shpërblimin e demit.

Neni 444Shitja e së drejtës së kontestuar

1. E drejta e kontestuar mund të jetë objekt i kontratës së shitjes.

2. Nule është kontrata me të cilën avokati apo urdhërmarrësi tjetër do ta blente të drejtën kontestuese, realizimi i së cilës i është besuar atij ose do ta kontraktonte për vete pjesëmarrjen në ndarjen e shumës së caktuar me vendim gjyqësor urdhërdhënësit të tij. NËNKREU 2 ÇMIMI

Neni 445Kur çmimi nuk është caktuar

1. Në qoftë se me kontratën e shitjes çmimi nuk është caktuar, ndërsa as kontrata nuk përmban të dhëna të mjaftueshme me të cilat do të mund të caktohej çmimi, kontrata nuk ka efekt juridik.

2. Kur me kontratën e lidhur ndërmjet ndërmarrësve nuk është caktuar çmimi dhe as që ka të dhëna të mjaftueshme me të cilat do të mund të caktohej çmimi, blerësi ka për detyrë të paguajë çmimin të cilin e ka arkëtuar rregullisht shitësi në kohën e lidhjes së kontratës, e në mungesë të kësaj çmimin e arsyeshëm.

3. Çmim i arsyeshëm konsiderohet çmimi i ditës (vijues) në kohën e lidhjes së kontratës dhe nëse çmimi nuk mund të përcaktohet, atëherë atë e cakton gjykata sipas rrethanave të rastit.

Neni 446Çmimi i caktuar

Kur është kontraktuar çmimi më i lartë se që është ai për llojin e caktuar të sendeve që e ka caktuar organi kompetent, blerësi ka borxh vetëm shumën e çmimit të caktuar; në qoftë se çmimi i kontraktuar është paguar blerësi ka të drejtë të kërkojë që t’i kthehet diferenca.

Neni 447Kur është kontraktuar çmimi i ditës

1. Kur është kontraktuar çmimi i ditës , blerësi paguan çmimin e përcaktuar me evidencë zyrtare në tregun e vendit të shitësit, në kohën kur është dashur të bëhej përmbushja.

2. Në qoftë se evidencë e tillë nuk ekziston, atëherë çmimi i ditës caktohet në bazë të elementeve me të cilat sipas dokeve të tregut përcaktohet çmimi.

Neni 448Kur caktimi i çmimit i është besuar personit të tretë

Në qoftë se personi i tretë, të cilit i është besuar caktimi i çmimit nuk dëshiron ose nuk mundet ta caktojë çmimin, ndërsa kontraktuesit nuk dakordohen më vonë mbi caktimin e çmimit dhe as që e zgjidhin kontratën, do të konsiderohet se është kontraktuar çmimi i arsyeshëm.

Neni 449Kur caktimi i çmimit i është lënë njërës palë kontraktuese

Dispozita e kontratës me të cilën caktimi i çmimit i lihet në vullnetin e njërës palë kontraktuese konsiderohet sikur të mos ishte kontraktuar fare. Në këtë rast, blerësi ka borxh çmimin sikur në rastin kur çmimi nuk është caktuar. KREU 3 DETYRIMET E SHITËSIT NËNKREU 1 DORËZIMI I SENDIT I. RREGULLA TË PËRGJITHSHME PËR DORËZIMIN

Neni 450Koha dhe vendi i dorëzimit

1. Shitësi ka për detyrë t’ia dorëzojë sendin blerësit në kohën dhe në vendin e parashikuar me kontratë.

2. Shitësi e ka kryer parimisht detyrimin e dorëzimit ndaj blerësit, kur ai (shitësi) ia dorëzon blerësit sendin apo ia dorëzon dokumentin me të cilin mund të merret sendi.

Neni 451Objekti i dorëzimit

1. Në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër, apo nuk rrjedh diçka tjetër nga vetë natyra e punës, shitësi ka për detyrë t’ia dorëzojë sendin blerësit në gjendje të rregullt bashkë me pjesët aksesore të tij.

2. Frutat dhe dobitë e tjera nga sendi i takojnë blerësit prej momentit kur shitësi e ka pasur për detyrë t’ia dorëzojë.

Neni 452Kur është kontraktuar dorëzimi brenda një periudhe të caktuar

Kur është kontraktuar që dorëzimi i sendit të bëhet brenda një periudhe të caktuar, ndërsa nuk është caktuar se cila palë do të ketë të drejtë ta caktojë datën e dorëzimit brenda asaj periudhe, kjo e drejtë i takon shitësit, përveç kur nga rrethanat e rastit rrjedh se caktimi i datës së dorëzimit i është lënë blerësit.

Neni 453Kur data e dorëzimit nuk është caktuar

Kur data e dorëzimit të sendit te blerësi nuk është caktuar, shitësi ka për detyrë ta bëjë dorëzimin brenda afatit të arsyeshëm pas lidhjes së kontratës duke marrë parasysh natyrën e sendit dhe rrethanat e tjera.

Neni 454Kur vendi i dorëzimit nuk është caktuar me kontratë

1. Kur vendi i dorëzimit nuk është caktuar me kontratë, dorëzimi i sendit bëhet në vendin ku shitësi në momentin e lidhjes së kontratës e ka pasur vendbanimin e vet apo vendqëndrimin, nëse mungon vendbanimi, e në qoftë se shitësi e ka lidhur kontratën në kuadër të veprimtarisë së vet ekonomike të rregullt, atëherë vendi i dorëzimit është selia e tij.

2. Në qoftë se në çastin e lidhjes së kontratës palët kontraktuese e kanë ditur se ku ndodhet sendi, respektivisht se ku duhet të prodhohet, dorëzimi bëhet në atë vend.

Neni 455Dorëzimi transportuesit

Në rastin kur sipas kontratës nevojitet që të bëhet transportimi i sendeve, ndërsa në kontratë nuk është caktuar vendi i përmbushjes, dorëzimi quhet i kryer me dorëzimin e sendit transportuesit ose personit i cili e organizon transportin.

Neni 456Organizimi i transportit

Në qoftë se shitësi e ka pasur për detyrë t’ia dërgojë sendin blerësit, ai duhet që në mënyrë të zakonshme dhe në kushte të rëndomta të lidhë kontratën e nevojshme për realizimin e transportit deri në vendin e caktuar.

Neni 457Shpenzimet

Shpenzimet e dorëzimit si dhe ato që i paraprijnë dorëzimit i bartë shitësi, ndërsa shpenzimet e dërgimit të sendit dhe të gjitha shpenzimet e tjera pas dorëzimit i bartë blerësi, në qoftë se nuk është kontraktuar ndryshe. II. DORËZIMI I NJËKOHSHËM I SENDIT DHE PAGIMI I ÇMIMIT

Neni 458Shtyrja e dorëzimit deri sa të paguhet çmimi

Në qoftë se nuk është kontraktuar diçka tjetër ose diçka tjetër nuk rrjedh nga zakoni, shitësi nuk e ka për detyrë ta dorëzojë sendin në qoftë se blerësi njëkohësisht nuk e paguan çmimin e tij ose nuk është i gatshëm ta bëjë këtë njëkohësisht, por as blerësi nuk e ka për detyrë të paguajë çmimin para se të ketë pasur mundësinë ta kontrollon sendin.

Neni 459Shtyrja e dorëzimit në rastin e transportit të sendit

1. Kur dorëzimi i sendit realizohet duke ia dorëzuar transportuesit, shitësi mund ta shtyjë dërgimin e sendit deri sa të paguhet çmimi ose ta dërgojë sendin ashtu që të rezervojë të drejtën e disponimit të tij gjatë kohës së transportit.

2. Në qoftë se e ka rezervuar të drejtën e disponimit të sendit gjatë kohës së transportit, shitësi mund të kërkojë që sendi të mos i dorëzohet blerësit në vendin e destinimit deri sa të mos e paguajë çmimin, ndërsa blerësi nuk e ka për detyrë ta paguajë çmimin para se të ketë pasur mundësinë ta kontrollojë sendin.

3. Kur kontrata parashikon pagimin kundrejt dorëzimit të dokumentit përkatës, blerësi nuk ka të drejtë të refuzojë pagimin e çmimit për shkak se nuk ka pasur mundësinë ta shikojë sendin.

Neni 460Pengimi i dorëzimit të sendit të dërguar

1. Në qoftë se pas dërgimit të sendit vërtetohet se gjendja materiale e blerësit është e tillë sa që mund të dyshohet në mënyrë të bazuar se ai do të mund të paguajë çmimin, shitësi mund ta pengojë dorëzimin e sendit blerësit edhe atëherë kur blerësi ta ketë në dorë dokumentin që e autorizon të kërkojë dorëzimin e sendit.

2. Shitësi nuk mund ta pengojë dorëzimin në qoftë se këtë e kërkon ndonjë person i tretë i cili është posedues i rregullt i dokumentit që e autorizon të kërkojë dorëzimin e sendit, përveç nëse dokumenti përmban kushte (rezerva) lidhur me efektin e bartjes së tij apo në qoftë se shitësi dëshmon se poseduesi i dokumentit ka vepruar qëllimisht në dëm të shitësit. NËNKREU 2 PËRGJEGJËSIA PËR TË METAT MATERIALE I. TË METAT MATERIALE NË PËRGJITHËSI

Neni 461Të metat materiale për të cilat shitësi përgjigjet

1. Shitësi përgjigjet për të metat materiale të sendit të cilat sendi i ka pasur në çastin e kalimit të rrezikut në blerësin, pavarësisht se shitësi ishte në dijeni apo jo për të metat e sendit.

2. Shitësi përgjigjet edhe për ato të meta materiale të cilat shfaqen pas kalimit të rrezikut në blerësin, në qoftë se janë pasojë e shkakut i cili ka ekzistuar më parë.

3. E meta materiale e parëndësishme nuk merret parasysh.

Neni 462Kur ekzistojnë të metat materiale

1. E meta ekziston:

1.1. në qoftë se sendi nuk ka veçoritë e duhura për përdorimin e tij të rregullt ose për qarkullim;

1.2. në qoftë se sendi nuk ka veçoritë e duhura për përdorim special për të cilën e blen blerësi, e që e ka pasur të njohur shitësi, ose është dashur ta kishte të njohur;

1.3. në qoftë se sendi nuk ka veçori dhe karakteristika të cilat janë kontraktuar shprehimisht ose heshtazi, përkatësisht që janë caktuar;

1.4. kur shitësi e ka dorëzuar sendin që nuk i është përshtatur mostrës ose modelit, përveç nëse mostra ose modeli janë treguar vetëm për qëllime njoftimi.

Neni 463Të metat, për të cilat shitësi nuk përgjigjet

1. Shitësi nuk përgjigjet për të metat e specifikuara në paragrafët 1. dhe 3. nga neni paraprak në qoftë se blerësi në momentin e lidhjes së kontratës ishte në dijeni për këto të meta, ose ato nuk kanë mund të jenë të panjohura për atë.

2. Konsiderohet se nuk kanë mund të jenë të panjohura për blerësin ato të meta të cilat një person i kujdesshëm, me dituri dhe përvojë mesatare të personit të mjeshtërisë dhe të profesionit të njëjtë sikur të blerësit do të mund t’i vërente lehtë gjatë shikimit të rëndomtë të sendit.

3. Megjithatë, shitësi përgjigjet edhe për të metat të cilat blerësi ka mundur t’i vërente lehtë, në qoftë se shitësi ka deklaruar se sendi nuk ka kurrfarë të metash apo se sendi ka cilësi apo karakteristika të caktuara.

Neni 464Shikimi i sendit dhe të metat e dukshme

1. Blerësi ka për detyrë që sendin e pranuar ta shikojë ose ta japë në shikim sapo kjo të jetë e mundur sipas rrjedhës së rregullt të gjërave dhe për të metat e dukshme ta lajmërojë shitësin në afat prej tetë (8) ditësh, ndërsa te kontratat midis ndërmarrësve pa shtyrje përndryshe e humb të drejtën që i takon mbi këtë bazë.

2. Kur kontrollimi të jetë bërë në prani të të dy palëve, blerësi është i detyruar që vërejtjet e veta për të metat e dukshme t’ia komunikojë shitësit menjëherë, përndryshe e humb të drejtën e cila i takon mbi ketë bazë.

3. Në qoftë se blerësi e ka nisur më tutje sendin pa shkarkim, ndërsa shitësi e ka ditur ose është dashur ta dijë mundësinë e dërgimit të mëtutjeshëm, shikimi i sendit mund të shtyhet derisa të arrijë në destinacionin e ri dhe në atë rast blerësi është i detyruar ta lajmërojë shitësin për të metat sapo sipas rrjedhës së rregullt të gjërave ka mundur të merr vesh për to nga klientët e vet.

Neni 465Të metat e fshehta

1. Kur pas marrjes së sendit nga blerësi shihet se sendi ka ndonjë të metë e cila nuk ka mundur të zbulohet me shikim të rëndomtë me rastin e marrjes së sendit (e meta e fshehtë), blerësi është i detyruar me kërcënim të humbjes së të drejtës, që për atë të metë të lajmërojë shitësin në afat prej tetë (8) ditësh duke llogaritur prej ditës kur e ka zbuluar të metën, ndërsa te kontrata midis ndërmarrësve menjëherë.

2. Shitësi nuk përgjigjet për të metat të cilat shfaqen pasi të kalojnë gjashtë (6) muajve nga dorëzimi i sendit, përveç nëse me kontratë është caktuar ndonjë afat më i gjatë.

Neni 466Afatet në rast riparimi, zëvendësimi, etj

Kur për shkak të ndonjë të mete janë bërë riparime të sendit, dërgimi i sendit tjetër, zëvendësimi e të ngjashme fillojnë afatet e dy neneve paraprake fillojnë të rrjedhin që nga dorëzimi i sendit të riparuar, dorëzimi i sendit tjetër, zëvendësimi i pjesëve e të ngjashme.

Neni 467Njoftimi për të metën

1. Në njoftimin mbi ekzistimin e të metës së sendit, blerësi ka për detyrë ta përshkruajë të metën hollësisht dhe ta ftojë shitësin ta kontrollojë sendin.

2. Në qoftë se njoftimi për ekzistimin e të metës, të cilin blerësi ia ka dërguar me kohë shitësit me letër rekomande, me telegram ose në ndonjë mënyrë tjetër të sigurt vonohet ose nuk arrin fare deri te shitësi, do të konsiderohet se blerësi e ka kryer detyrimin e vet për ta njoftuar shitësin.

Neni 468Rëndësia e faktit se shitësi ka qenë në dijeni për të metën

Blerësi nuk e humb të drejtën që të thirret në ndonjë të metë edhe kur nuk e kryen detyrimin e vet që sendin ta shikojë pa shtyrje ose detyrimin që brenda afatit të caktuar ta njoftojë shitësin mbi ekzistimin e të metës, si dhe kur e meta të jetë shfaqur vetëm pasi të kenë kaluar gjashtë (6) muaj nga dorëzimi i sendit, po që se për këtë të metë shitësi ka qenë në dijeni apo nuk ka mundur të mos jetë ne dijeni.

Neni 469Kufizimi kontraktues ose përjashtimi i përgjegjësisë së shitësit për të metat materiale

1. Kontraktuesit mund ta kufizojnë ose ta përjashtojnë krejtësisht përgjegjësinë e shitësit për të metat materiale të sendit.

2. Dispozita e kontratës mbi kufizimin ose përjashtimin e përgjegjësisë për të metat e sendit është nule në qoftë se e meta ka qenë e njohur për shitësin, ndërsa ai për këtë gjë nuk e ka njoftuar blerësin, si dhe kur shitësi e ka imponuar këtë dispozitë duke e shfrytëzuar pozitën dominuese.

3. Blerësi i cili ka hequr dorë nga e drejta për ta zgjidhur kontratën për shkak të të metave të sendit, mban të drejtat e tjera nga ato të meta.

Neni 470Përmbarimi i dhunshëm

Poseduesi, sendi i të cilit shitet në një ankand publik të dhunshëm nuk përgjigjet për të metat e sendit. II. TË DREJTAT E BLERËSIT

Neni 471Të drejtat e blerësit

1. Blerësi i cili e ka njoftuar shitësin me kohë dhe në mënyrë të rregullt mbi të metën, mundet:

1.1. të kërkojë nga shitësi që të metën ta mënjanojë, ose t’ia dorëzojë sendin tjetër pa të meta (përmbushja e kontratës);

1.2. të kërkojë zbritjen e çmimit;

1.3. të deklarojë zgjidhjen e kontratës.

2. Në secilin nga këto raste blerësi ka të drejtë për shpërblimin e demit.

3. Përpos kësaj dhe pavarësisht nga kjo, shitësi i përgjigjet blerësit edhe për dëmin të cilin e ka pësuar ky për shkak të të metave të sendit në të mirat e tjera të veta, dhe këtë sipas rregullave të përgjithshme mbi përgjegjësinë për dëmin.

Neni 472Mos përmbushja e kontratës brenda afatit të arsyeshëm

Në qoftë se blerësi nuk e fiton përmbushjen e kërkuar të kontratës brenda afatit të arsyeshëm, mban të drejtën e zgjidhjes së kontratës ose të zbritjes së çmimit.

Neni 473Kur blerësi mund ta zgjidhë kontratën

1. Blerësi mund të zgjidhë kontratën vetëm në qoftë se paraprakisht ia ka lënë shitësit afatin plotësues të arsyeshëm për përmbushjen e kontratës.

2. Blerësi mund ta zgjidhë kontratën edhe pa e lënë afatin e ri plotësues në qoftë se shitësi, pas njoftimit mbi të metat, i ka komunikuar se nuk do ta përmbushë kontratën apo në qoftë se nga rrethanat e rastit konkret rezulton qartas se shitësi nuk do të mund të përmbushte kontratën as në afatin plotësues.

Neni 474Mos përmbushja e kontratës në afatin plotësues

Në qoftë se shitësi në afatin plotësues nuk e përmbush kontratën, ajo zgjidhet sipas ligjit, por blerësi mund ta mbajë në qoftë se pa vonesë i deklaron shitësit se kontratën e mban në fuqi.

Neni 475Të metat e pjesshme

1. Kur vetëm një pjesë e sendit të dorëzuar ka të meta ose kur është dorëzuar vetëm një pjesë e sendit ose një sasi më e vogël se sa është kontraktuar, blerësi mund ta zgjidhë kontratën në kuptim të neneve të mësipërme vetëm në lidhje me pjesën e cila ka të meta ose vetëm në lidhje me pjesët ose sasitë që mungojnë.

2. Blerësi mund ta zgjidhë kontratën në tërësi vetëm në qoftë se sasia e kontraktuar ose sendi i dorëzuar përbën një tërësi, apo në qoftë se blerësi ka edhe ashtu interes të arsyeshëm që ta merr sendin e kontraktuar ose sasinë në tërësi.

Neni 476Kur shitësi i ka dhënë blerësit sasi më të madhe

1. Me kontratën e shitjes midis ndërmarrësve, kur shitësi i sendeve të caktuara sipas llojit ia ka dhënë blerësit sasinë më të madhe nga sa është kontraktuar, ndërsa blerësi brenda afatit të arsyeshëm nuk deklaron se e refuzon tepricën, do të konsiderohet se e ka marrë edhe këtë tepricë, kështu që ka për detyrë ta paguajë me të njëjtin çmim.

2. Në qoftë se blerësi refuzon të merr tepricën, shitësi ka për detyrë t’ia shpërblejë blerësit dëmin e shkaktuar.

Neni 477Caktimi i çmimit për disa sende

1. Kur me një kontratë dhe për një çmim janë shitur disa sende ose një grumbull sendesh, ndërsa vetëm disa prej tyre kanë të meta, blerësi mund ta zgjidhë kontratën vetëm për sa u përket sendeve me te meta, por jo edhe për të tjerat.

2. Në qoftë se këto përbëjnë një tërësi kështu që ndarja e tyre do të ishte e dëmshme, blerësi mund ta zgjidhë kontratën në tërësi, apo në qoftë se ai megjithatë deklaron se e zgjidhë kontratën vetëm për sa u përket sendeve me të meta, shitësi nga ana e tij mund ta zgjidhë kontratën edhe për sa u përket sendeve të tjera.

Neni 478Humbja e të drejtës për zgjidhjen e kontratës për shkak të të metave

1. Blerësi humb të drejtën e zgjidhjes së kontratës për shkak të të metave të sendeve kur është në pamundësi ta kthejë sendin ose ta kthejë në gjendjen në të cilën e ka marrë.

2. Megjithatë, blerësi mund ta zgjidhë kontratën për shkak të ndonjë të mete të sendit, në qoftë se sendi është zhdukur tërësisht ose pjesërisht ose është dëmtuar për shkak të të metave që justifikon zgjidhjen e kontratës apo për shkak të ndonjë ngjarje e cila nuk rezulton prej tij dhe as prej ndonjë personi për të cilin përgjigjet ai.

3. E njëjta gjë vlen në qoftë se sendi është zhdukur ose dëmtuar tërësisht ose pjesërisht për shkak të detyrimit të blerësit që ta kontrollojë sendin, apo në qoftë se blerësi para se të jetë zbuluar e meta e ka konsumuar ose e ka ndryshuar një pjesë të sendit gjatë përdorimit të tij normal si dhe në qoftë se dëmtimi ose ndryshimi janë të parëndësishme.

Neni 479Ruajtja e të drejtave të tjera

Blerësi i cili për shkak të pamundësisë që ta kthejë sendin ose ta kthejë në gjendjen në të cilën e ka marrë e ka humbur të drejtën e zgjidhjes së kontratës, ka të drejta të tjera që ia jep ligji për shkak të ekzistimit të ndonjë të mete.

Neni 480Efektet e zgjidhjes për shkak të të metave

1. Zgjidhja e kontratës për shkak të të metave të sendit ka efekte të njëjta sikurse edhe zgjidhja e kontratave të dyanshme për shkak të mos përmbushjes.

2. Blerësi i debiton shitësit kompensimin për dobinë nga sendi edhe kur është në pamundësi që ta kthejë krejtësisht ose një pjesë të tij, ndërsa kontrata megjithatë është zgjidhur.

Neni 481Zbritja e çmimit

Zbritja e çmimit bëhet sipas raportit midis vlerës së sendit pa të meta dhe vlerës së sendit me të meta në kohën e lidhjes së kontratës.

Neni 482Zbulimi gradual i të metave

Blerësi i cili ka realizuar zbritjen e çmimit për shkak të ekzistimit të ndonjë të mete, mund ta zgjidhë kontratën ose të kërkojë zbritjen e re të çmimit në qoftë se më vonë zbulohet ndonjë e metë tjetër.

Neni 483Humbja e të drejtave

1. Të drejtat e blerësit, i cili e ka njoftuar me kohë shitësin mbi ekzistimin e të metave, shuhen pasi të ketë kaluar një (1) vit duke llogaritur nga dita e dërgimit të njoftimit shitësit, përveç nëse blerësi për shkak të mashtrimit nga ana e shitësit ka qenë i penguar t’i realizojë ato të drejta.

2. Blerësi i cili e ka njoftuar me kohë shitësin mbi ekzistimin e të metave mund pasi të ketë kaluar ky afat, në qoftë se ende nuk e ka paguar çmimin të realizojë kërkesën e vet për zbritjen e çmimit ose t’ i shpërblehet dëmi, si kundërshtim kundër kërkesës së shitësit që t’i paguhet çmimi. III. GARANCIONI PËR FUNKSIONIMIN E RREGULLT TË SENDIT TË SHITUR

Neni 484Përgjegjësia e shitësit dhe e prodhuesit

1. Kur shitësi i ndonjë makine, motori, te ndonjë aparati, ose te sendeve tjera si këto që i përkasin te ashtuquajtura „malli teknik“, ia ka dorëzuar blerësit fletëgarancionin me të cilën prodhuesi garanton funksionim të rregullt të sendit gjatë një kohe të caktuar duke llogaritur nga dorëzimi i tij, blerësi mundet në qoftë se sendi nuk funksionon në rregull, të kërkojë si nga shitësi ashtu edhe nga prodhuesi që sendi të riparohet në afatin e arsyeshëm ose, nëse nuk e bën këtë, në vend të tij t’ia dorëzojë sendin i cili funksionon në rregull.

2. Me këto rregulla nuk preket në rregullat mbi përgjegjësinë e shitësit për të metat e sendit.

Neni 485Kërkesa për riparim ose zëvendësim

1. Blerësi mundet për shkak të funksionimit jo në rregull të kërkojë nga shitësi, respektivisht nga prodhuesi riparimin ose zëvendësimin e sendit gjatë afatit të garancionit, pavarësisht se kur është shfaqur e meta në funksionimin e sendit.

2. Ai ka të drejtë në shpërblimin e dëmit që ka pësuar për shkak se ka qenë i privuar nga përdorimi i sendit që nga momenti i kërkesës për riparimin ose zëvendësimin deri në kryerjen e tyre.

Neni 486Zgjatja e afatit të garancionit

1. Në rast të ndonjë riparimi të vogël, afati i garancionit zgjatet aq sa blerësi ka qenë i privuar nga përdorimi i sendit.

2. Kur për shkak të funksionimit jo në rregull është bërë zëvendësimi i sendit, ose ndonjë riparim thelbësor të tij, afati i garancionit fillon të rrjedhë përsëri që nga zëvendësimi respektivisht që nga kthimi i sendit të riparuar.

3. Në qoftë se është zëvendësuar apo riparuar thelbësisht vetëm ndonjë pjesë e sendit, afati i garancionit fillon të rrjedhë përsëri vetëm për atë pjesë.

Neni 487Zgjidhja e kontratës dhe zbritja e çmimit

Në qoftë se shitësi nuk e kryen brenda afatit të arsyeshëm riparimin ose zëvendësimin e sendit, blerësi mund ta zgjidhë kontratën ose të bëjë zbritjen e çmimit dhe të kërkojë shpërblimin e dëmit.

Neni 488Shpenzimet dhe rreziku

1. Shitësi respektivisht prodhuesi ka për detyrë që me shpenzime të veta ta transportojë sendin deri në vendin ku duhet të riparohet ose të zëvendësohet, si dhe sendin e riparuar ose të zëvendësuar t’ia kthejë blerësit.

2. Gjatë asaj kohe shitësi respektivisht prodhuesi bartë rrezikun për shkatërrimin ose dëmtimin e sendit.

Neni 489Përgjegjësia e kooperuesve

Kur në prodhimin e pjesëve të veçanta të sendit ose në zbatimin e veprimeve të veçanta kanë marrë pjesë disa prodhues të pavarur, përgjegjësia e tyre ndaj prodhuesit final për funksionimin jo të rregullt të sendit që rezulton prej këtyre pjesëve ose prej këtyre veprimeve shuhet, kur shuhet përgjegjësia e prodhuesit final ndaj blerësit të sendit.

Neni 490Humbja e të drejtave

Të drejtat e blerësit ndaj prodhuesit në bazë të fletëgarancionit shuhen pasi të ketë kaluar një (1) vit, duke llogaritur nga dita kur ka kërkuar prej tij riparimin ose zëvendësimin e sendit. NËNKREU 3 PËRGJEGJËSIA PËR TË METAT JURIDIKE

Neni 491Të metat juridike

1. Shitësi përgjigjet në qoftë se në sendin e shitur ekziston ndonjë e drejtë e të tretit e cila e përjashton, zvogëlon ose kufizon të drejtën e blerësit, e për ekzistimin e saj blerësi nuk është njoftuar, e as që ka dhënë pëlqimin që ta marrë sendin e ngarkuar me këtë të drejtë.

2. Shitësi i ndonjë të drejte tjetër garanton se ajo ekziston dhe se nuk ka pengesa juridike për realizimin e saj.

3. Në qoftë se në regjistrat publik është regjistruar ndonjë e drejtë e personave të tretë, e cila në realitet nuk ekziston, shitësi është i detyruar që me shpenzime te veta të bëjë çregjistrimin e asaj të drejte.

Neni 492Njoftimi i shitësit

Në qoftë se konstatohet se personi i tretë paraqet një të drejtë mbi sendin, atëherë blerësi është i detyruar ta njoftojë shitësin për këtë, përveç nëse shitësi për këtë është në dijeni, dhe të kërkojë prej tij që brenda afatit të arsyeshëm ta lirojë sendin nga e drejta ose pretendimi i personit të tretë, ose kur objekt i kontratës janë sendet e caktuara sipas llojit, t’ia dërgojë sendin tjetër pa të metë juridike.

Neni 493Sanksionet për të metat juridike

1. Në qoftë se shitësi nuk vepron sipas kërkesës së blerësit në rastin kur merret sendin nga blerësi kontrata zgjidhet sipas ligjit, e në rastin e zvogëlimit ose të kufizimit të së drejtës së blerësit, sipas dëshirës së vet blerësi mundet ta zgjidhë kontratën ose të kërkojë zbritjen proporcionale të çmimit.

2. Në qoftë se shitësi nuk e përmbush detyrën ndaj blerësit që në afatin e arsyeshëm ta lirojë sendin nga e drejta ose nga pretendimi i personit të tretë, blerësi mund ta zgjidhë kontratën në qoftë se për atë shkak qëllimi i saj nuk mund të realizohet.

3. Në çdo rast blerësi ka të drejtë për shpërblimin e dëmit të pësuar.

4. Në qoftë se blerësi në çastin e lidhjes së kontratës ka qenë në dijeni për mundësinë që sendi t’i merret, ose që e drejta e tij t’i zvogëlohet ose t’i kufizohet, nuk ka të drejtë në shpërblimin e dëmit në qoftë se ajo mundësi realizohet, por ka të drejtë të kërkojë kthimin, respektivisht zbritjen e çmimit.

Neni 494Kur blerësi nuk e njofton shitësin

Blerësi, i cili duke mos njoftuar shitësin është lëshuar në kontest me personin e tretë dhe e ka humbur kontestin, megjithatë mund të thirret në përgjegjësinë e shitësit për të metat juridike, përveç nëse shitësi provon se ka disponuar mjete që të refuzohet kërkesa e personave të tretë.

Neni 495Kur e drejta e personit të tretë është haptazi e bazuar

1. Blerësi ka të drejtë të thirret në përgjegjësinë e shitësit për të metat juridike edhe kur pa e njoftuar shitësin dhe pa kontest ka pranuar të drejtën e të tretit haptazi të bazuar dhe padyshim.

2. Në qoftë se blerësi ia ka paguar të tretit një shumë të hollash për të hequr dorë nga e drejta e vet e padyshimtë, shitësi mund të lirohet nga përgjegjësia e vet në qoftë se ia shpërblen blerësit shumën e paguar dhe dëmin e pësuar.

Neni 496Kufizimi kontraktues ose përjashtimi i përgjegjësisë së shitësit

1. Përgjegjësia e shitësit për të metat juridike mund të kufizohet me kontratë ose të përjashtohet krejtësisht.

2. Në qoftë se në kohën e lidhjes së kontratës shitësi ka qenë në dijeni ose nuk ka mundur të mos ketë qenë në dijeni për ndonjë të metë në të drejtën e tij, dispozita e kontratës mbi kufizimin ose mbi përjashtimin e përgjegjësisë për të metat juridike është nule.

Neni 497Kufizimi i natyrës juridiko-publike

Shitësi përgjigjet edhe për kufizime të veçanta të natyrës juridiko-publike të cilat nuk kanë qenë të njohura për blerësin, në qoftë se ai i ka ditur kufizimet ose ka ditur se ato mund të priten e nuk ia ka komunikuar blerësit.

Neni 498Humbja e të drejtave

1. E drejta e blerësit në bazë të të metave juridike shuhet me skadimin e një (1) viti nga dita kur ka mësuar për ekzistimin e të drejtës së personit të tretë.

2. Në qoftë se personi i tretë, para skadimit të këtij afati ka iniciuar procesin, ndërsa blerësi e ka ftuar shitësin që të ndërhyjë në proces, e drejta e blerësit shuhet vetëm pasi të kenë kaluar gjashtë (6) muaj pas përfundimit të plotfuqishëm të kontestit. KREU 4 DETYRIMET E BLERËSIT NËNKREU 1 PAGIMI I ÇMIMIT

Neni 499Koha dhe vendi i pagimit

1. Blerësi ka për detyrë të paguajë çmimin në kohën dhe në vendin e caktuar me kontratë.

2. Në mungesë të dispozitës kontraktuese ose dokeve tjera, pagesa bëhet në momentin dhe në vendin ku kryhet dorëzimi i sendit.

3. Në qoftë se çmimi nuk duhet të paguhet në momentin e dorëzimit, pagesa bëhet në vendbanimin respektivisht në selinë e shitësit.

Neni 500Kamata në rast të shitjes me kredi

Në qoftë se sendi i shitur me kredi jep uzurfrukt ose dobi tjera, blerësi debiton kamatë prej momentit kur i është dorëzuar sendi pavarësisht nëse detyrimi i pagimit të çmimit ka rrjedhur ose jo.