Neni 935. Rritja e rrezikut
1. Kontraktuesi i sigurimit ka për detyrë, që kur është fjala për sigurimin e pasurisë, ta njoftojë siguruesin për çdo ndryshim të rrethanës që mund të ketë rëndësi për vlerësimin e rrezikut, e kur është fjala për sigurimin e personave, atëherë vetëm në qoftë se rreziku është shtuar për shkak se personi i siguruar ka ndryshuar profesionin.
2. Ai ka për detyrë ta njoftojë pa vonesë siguruesin për rritjen e rrezikut, në qoftë se rritja e rrezikut ka ndodhur pa veprimin e tij, atëherë ka për detyrë ta njoftojë brenda katërmbëdhjetë (14) ditësh pasi të ketë mësur për këtë.
3. Në qoftë se rritja e rrezikut është aq saqë siguruesi nuk do ta lidhte kontratën po të kishte ekzistuar një gjendje e tillë në momentin e lidhjes së saj, ai mund ta zgjidhë kontratën.
4. Në qoftë se shtimi i rrezikut është aq i madh, sa që siguruesi do ta lidhte kontratën vetëm me ndonjë premi më të madhe, po të kishte ekzistuar një gjendje e tillë në çastin e lidhjes së kontratës, ai mund t’i propozojë kontraktuesit të sigurimit shkallën e re të premisë.
5. Në qoftë se kontraktuesi i sigurimit nuk pranon shkallën e re të premisë brenda katërmbëdhjetë (14) ditësh nga dita e marrjes në dorëzim të propozimit të shkallës së re, kontrata shuhet në bazë të ligjit.
6. Kontrata mbetet në fuqi dhe siguruesi nuk mund t’i shfrytëzojë më autorizimet që t’i propozojë kontraktuesit të sigurimit shkallën e re të premisë ose ta zgjidhë kontratën në qoftë se nuk i shfrytëzon këto autorizime brenda një (1) muaji nga data kur të ketë mësuar në cilëndo mënyrë qoftë për rritjen e rrezikut, apo në qoftë se edhe para skadimit të këtij afati shprehet në ndonjë mënyrë se është i pajtimit me zgjatjen e kontratës (në qoftë se pranon preminë, paguan shpërblimin për rastin e siguruar që ka ndodhur pas kësaj rritje e të ngjashme).
- Numri
- 04/L-077
- Statusi
- Në fuqi sipas kartelës
- Publikuar
- 19 qershor 2012, 16/2012
- Hyrja në fuqi
- pa u verifikuar
- Kontrolli i fundit
- 5 nëntor 2026
- Teksti në Gazetën Zyrtare
- gzk.rks-gov.net · Kartela e aktit
Gjuha zyrtare e tekstit: shqip.